HISTORI / Venecia, porta mes dy qytetërimeve

Venecia ishte tashmë një qytet shumëkulturor, dhe jo rastësisht mbeti për shekuj të tërë një qendër ndërkombëtare spiunazhi. Punët dhe lajme...


Venecia ishte tashmë një qytet shumëkulturor, dhe jo rastësisht mbeti për shekuj të tërë një qendër ndërkombëtare spiunazhi. Punët dhe lajmet nga oborret e Europës dhe Orientit kryqëzoheshin këtu. Qyteti, në pikën më të futur të Adriatikut, ishte kryqëzimi ideal mes Perëndimit dhe Lindjes, por edhe mes Europës Veriore dhe Mesdheut: dhe në fakt qyteti bashkonte tipare të qyteteve tregtarë të Europës së Veriut dhe karakteristika të një porti lindor… Nëse kësaj i shtohet edhe toleranca fetare që vinte prej sensit të biznesit, atëherë kuptohet përse këtu mirëpriteshin etni dhe kultura të çdo lloji
***
“Venecia më kujton instiktivisht Stambollin: të njëjtët pallate mbi det, perëndime të kuq që humbasin drejt asgjësë”. Kështu Franko Batiato, tek “Viti i Zotit 1980” fillonte këngën e tij Venecia-Stamboll. I bën jehonë, nga një datë e papërcaktuar e disa shekujve më parë, kronikani i viteve treqind Martino da Kanale: “Dhe shkonin Venecianët në mes të detit… dhe blinin mallra dhe i sillnin në Venecia”. Këta dy elementë kyç, tregtia dhe Orienti (apo më saktë Stambolli, Bizanti-Kostandinopoja e lashtësisë) e bënin Venecian superfuqinë ekonomike dhe diplomatike të Italisë, nga Mesjeta në Rilindje. Venecia u përball përpara qyteteve të tjerë italianë (dhe jo vetëm) me zakonet dhe e Lindjes. Jo më kot është i vetmi qytet europian që ka edhe një version arab për emrin e vet, i pari në të cilin është shtypur një kopje e Kur’anit, i pari qytet që përhapi përdorimin e kafesë (me origjinë perse) dhe i pari që dërgoi një artist të vetin në oborrin e sulltanit osman. “Praktikisht, republika veneciane nisi të ketë marrëdhënie me Orientin që në shekullin IX”, shjegon Maria Pia Piedani, docente e historisë së perandorisë otomane në Universitetin e Venecias dhe autore e librit të kohëve të fundit “Venecia, porta drejt Orientit”. “Në fillim ishin trafiqet me perandorinë bizantine”. Në fakt, në origjinë Venecia ishte territor i Bizantit. “Por, shumë shpejt qyteti u shtri edhe më tej, duke krijuar marrëdhënie tregtare me arabët e pranishëm përgjatë bregdetit egjiptian”. Këtu kishte lindur me emrin Al-Bunduqiyya (që përkthehet “Rrethorja”) ndoshta për shkak të një prej ishujve të parë të banuar, rrethor si një ulli dhe që për këtë arsye quhej Ulliri. Dhe këtu, falë një grabitje pati fillimin edhe madhështia e saj.
Lavdia
Hapi i parë drejt lavdisë së Al-Bunduqiyya ishte rrëmbimi i trupit të evangjelistit Marko, që sipas legjendës ndodhi në Aleksandrinë e Egjiptit në vitin 828. Sipas gojëdhënës, shenjti, në shekullin e parë pas Krishtit ishte mbytur bashkë me anijen e tij në brigjet e romakes “Regio di Venetia ed Histria”, një arsye kjo për të cilën Venecia zgjodhi pikërisht reliken e tij për t’i dhënë prestigj qytet. Autorë të grabitjes ishin dy tregtarët Bono da Malamoko (në ishullin Lido) dhe Rustiko da Torcelo (një ishull i Lagunës) që kishin fshehur eshtrat e vjedhur poshtë fletëve të lakrës dhe biftekëve të derrit. Objektivi: t’i shpëtonin kontrollit të doganierëve egjiptianë (myslimanë) feja e të cilëve, që e konsideron të papastër mishin e derrit, do t’i mbante larg ngarkesës së shenjtë. Funksionoi, dhe eshtrat mbërritën në Venecia në 31 janar, pikërisht në një kohë kur po fillonte ndërtimi i Bazilikës së Shën Markut. “Kështu, shenjti u shndërrua në emblemë të të gjithë komunitetit venecian dhe simbologjia e tij ungjillore, apo më mirë luani u përdor shumë shpejt në një prej operacioneve më të mëdhenj të marketingut që ka parë historia”, shpjegon ekspertia. “Që nga viti 1261 u shfaq në të gjithë ndërtesat e Republikës së Shën Markut (emri zyrtar i dukatit, i evokuar edhe në thirrjen e luftës: Rroftë Shën Marku) dhe duke qenë se një imazh i tillë ishte në përdorim edhe prej dinastisë mbretërore të Egjiptit, prania e tij në galerat lagunare kontribuoi për t’i bërë të duken si shtete miq, duke favorizuar kështu zhvillimin e tregtisë”. (Pershtatur ne shqip nga bota.al)
Ajo relike e transformoi Venecian në një vend pelegrinazhi dhe u rrit shumë numri i bujtinave që strehonin ata që vinin e iknin. Në thelb, para të tjera vinin, të të ardhura që duke filluar nga viti 1202 mateshin me një monedhë të re shkëmbimi: dukati venecian.
Venecianët siguruan në ato vite dominimin e plotë mbi Adriatikun. Pavarësisht aktivitetit të piratëve dalmatë dhe saraçenë (si dhe fërkimet me Gjenovën rivale dhe me ish padronët e shtëpisë së bizantit) biznesi dhe tregtia në rrugët e Meddheut Lindor vazhdoi që të rritej. Anijet e Venecias (të ngarkuara me fildish, drithë, lëndë druri, gurë të çmuar, parfume, mëndafsh, erëza, tapete, qelq dhe skllevër) u shndërruan në urën virtuale ndërmjet tregjeve të lindjes dhe atyre të pjesës tjetër të Europës (nga veriu, prej shekujsh, kish ardhur në Venecia qelibari i Balltikut, që më pas shitej në Greqi). Por biznesi i tyre më i pazakontë ishte ai që lidhej me pelegrinazhet në Tokën e Shenjtë.
Venecia ishte një prej vendeve më të sigurtë prej ku mund të niseshe për në Palestinë dhe armatorët e lagunës e shfrytëzuan shumë shpejt këtë gjë: do të kryenin organizimin e transportit të pelegrinëve në këmbim të parave. “Mekanizmi që u krijua”, shpjegon Pedani, “ishte i denjë për tour operator-ët më modernë dhe kontribuoi për t’i bërë venecianët edhe më jo normalë në sytë e europianëve të tjerë. Në një shoqëri mesjetare të ndarë në aristokratë, fshatarë dhe ushtarë, tregtari venecian (që konsiderohej në të njëjtin nivel me një fisnik) ishte në fakt një risi absolute”.
Tregtari tipik i Venecias arriti që të transformojë në para e të ardhura edhe Kryqëzatat, duke fituar përmes shitjes së instrumentave dhe anijeve tek vendet e përfshirë. Më pas, gjatë Kryqëzatës së Katërt (1202-1204), nën udhëheqjen e Enriko Dandolos, venecianë dhe aleatë francezë morën zotërimin e sheshit kryesor të tregtisë në Lindje: Kostandinopojës.
Trafiqet nuk u ndalën as edhe atëherë kur, në vitin 1453, otomanët pushtuan vetë Kostandinopojën duke e shndërruar atë në zemrën politike të Islamit. Venecianët treguan se nuk kishin asnjë lloj paragjykimi fetar, dhe në një kohë kur në vitin 1571 morën pjesë në betejën e Lepantos kundër flotës otomane, nuk është se ndërprenë marrëdhëniet e tregtisë me interlokutorët e tyre të Lindjes. Në vitin 1538, vokacioni tregtar u sugjeroi pronarëve të shtypshkronjave në Venecia që të tentonin të komercializonin Kur’anin (megjithatë ishte një dështim) si dhe të prodhonin dhe eksportonin objekte të “stilit turk”, me mbishkrime dhe dizenjo të frymëzuara nga arti islamik.
“Kjo lehtësi dialogu me Lindjen shihej me sy të keq nga Kisha”, saktëson Pedani. “Në fakt Roma shihte tek Islami një rrezik. Por nënshtetasit e Venecias nuk është se i besonin shumë propagandës, dhe nuk është habi që kishte edhe nga ata që konsideronin si më të rrezikshëm disa të krishterë, se sa vetë myslimanët”.
Venecianët e Lindjes
Që në epokën e Mesjetës Venecia kishte komunitetet e vet të tregtarëve në qytetet kryesorë të Lindjes (nga Tunizia deri në Persi). Ishte ky një tipar dallues i të gjithë republikave detare. Por periudha e artë e marrëdhënieve me Orientin erdhi mes shekujve XV dhe XVII. Në atë epokë ishte konsoliduar tashmë një rrjet diplomatik shumë i fortë mes dy palëve, i përqëndruar përreth figurave me më shumë ndikim: ambasadorët (të ngarkuar për të vepruar në toka të huaja në emër të Venecias) dhe bailët (nga latinishtja baiulus; “regjent”), një lloj guvernatorësh të komuniteteve tregtarë jashtë vendit.
Mes këtyre spikaste baili i Kostandinopojës, i cili kishte një oborr privat dhe banonte në një pallat të mrekullueshëm në kodrën e Gallatës. Vizitat diplomatike mund të kishin motive të ndryshëm: që nga ngjitja në fron e një sulltani të ri, deri tek një martesë oborri. “Por ngjarja kulmore ishte gjithmonë takimi zyrtar me sulltanin”, shpjegon historiania. “Përshkohej nga ritualë që shkonin nga ofrimi i ushqimit, deri tek shkëmbimi i dhuratave diplomatike. Më të kërkuarit prej turqve ishin bizhutë, objektet e zbukurimit shtëpiak, këpucët, stofrat, xhamat dhe … djathi parmigiano reggiano (që në atë epokë quhej “djathi piaçentin”).
Në vitin 1480 u kërkua si dhuratë mjeshtëria e piktorit Xhentile Belini, të cilit iu porositën tre portrete të sulltanit Muhamedi II. Më vonë u ftuan në Bosfor edhe Leonardo Da Vinci dhe Mikelanxhelo (por dy gjenitë e Mesjetës nuk do të shkonin kurrë), një dëshmi që tregonte se sa pranë ishin mes tyre dy botët. Në vitin 1551 u hap në Kostandinopojë një shkollë turqishte për dragomatët (“ndërmjetësit gjuhësorë” venecianë). Këta kishin një rol të dorës së parë në marrëdhëniet zyrtare, të mbushura me tension edhe për shkak të frikës se mos mes të pranishmëve kishte ndonjë spiun. Në fakt, në të gjithë perandorinë osmane vepronin, si për llogari të Venecias, ashtu edhe për llogari të fuqive të tjera shumë “informatorë të fshehtë” dhe për këtë arsye pjesa më e madhe e korrespondencës mes ambasadorëve dhe doxhëve shkruhej në mënyrë të koduar apo me bojë speciale, që bëheshin të dukshme vetëm falë procedurave të caktuara.
Orientalë në Lagunë
Nëse Venecia kishte dërguar njerëzit e vet në kryeqytetet e Lindjes (një koncept gjeografik që në atë kohë përfshinte Egjiptin dhe Afrikën e Veriut), kalifë dhe sulltanë dërgonin në Venecia emisarët e tyre për të trajtuar çështje politike dhe tregtare. “Priteshin në një stil madhështor”, rrëfen Pedani. “Të pritur në meza (banesa të stilizuara alla turka me tavolina të ulëta dhe tapetë), gjatë kohës së qëndrimit ata shoqëroheshin të bënin Pazar në qendrat tregtare të asaj epoke, apo në këmbanën e Shën Markut për një “pije” me pamje panoramike, ndërkohë që në mbrëmje ishin mysafirë tek ndonjë fisnik vendas, në festa private të mrekullueshme”.
Brenda një kohe të shkurtër, këto vajtje-ardhje prodhuan një bum të modës orientale, gjurmët e të cilës i gjeje në art, në veshje dhe në kuzhinë (venecianët ishin të marrë pas kafesë, e sjellë nga Arabia dhe Kostandinopoja në mesin e Pesëqindës dhe më pas e eksportuar në Lagunë), përveçse në arkitekturën lindore të të ashtuquajturit stil “gotik venecian”. Tashmë askush nuk e lidhte Orientin me Kryqëzatat. Fantazia shkonte më shumë për një botë të populluar nga dashnorë joshës dhe personazhe përrallash. “Edhe sot e kësaj dite mjafton të bësh një shëtitje në qytet për të ndeshur në bazorelievë me një gamilje, apo në ndonjë statujë me veshje myslimnane”, thotë ekspertja.
Në një moment të caktuar ambasadorët orientalë filluan që të binin në sy për shkak të manisë së tyre për të dhuruar kafshë ekzotike, që ishte simbol i derës mbretërore dhe fuqisë. Pikërisht në këtë mënyrë zbarkuan në Venecia luanë, xhirafa, elefantë, rinocerontë dhe pantera. Sigurisht, nuk mund të mungonin edhe hiletë: ambasadorë të vetëcaktuar akreditoheshin për të bërë të mundur qëndrimin edhe për pak ditë në qendër të Venecias, duke qenë se kishin mësuar për famën e tij si qytet i pasur dhe i dhënë pas kënaqësive. “Megjithatë, në fillim otomanët ishin goxha hezitues për të dërguar në mënyrë zyrtare diplomatët e tyre si dhe vetë tregtarët e Orientit kishin prirjen që të qëndronin sa më pak të ishte e mundur. Gjërat ndryshuan duke nisur që nga shekulli XVII, kur atyre iu vu në dispozicion një pallat, që më vonë u quajt “Fondaco dei turchi” (nga arabishtja funduq, “shtëpi-magazinë”) ku të mund të strehoheshin dhe të kryenin punët e tyre”.
Venecia ishte tashmë një qytet shumëkulturor, dhe jo rastësisht mbeti për shekuj të tërë një qendër ndërkombëtare spiunazhi. Punët dhe lajmet nga oborret e Europës dhe Orientit kryqëzoheshin këtu. Qyteti, në pikën më të futur të Adriatikut, ishte kryqëzimi ideal mes Perëndimit dhe Lindjes, por edhe mes Europës Veriore dhe Mesdheut: dhe në fakt qyteti bashkonte tipare të qyteteve tregtarë të Europës së Veriut dhe karakteristika të një porti lindor… Nëse kësaj i shtohet edhe toleranca fetare që vinte prej sensit të biznesit, atëherë kuptohet përse këtu mirëpriteshin etni dhe kultura të çdo lloji. “Në Venecia nuk kishte vetëm myslimanë”, shpjegon Pedani. “Ishte i pranishëm një komunitet i fuqishëm hebre (vendosur që në vitin 1516 në geton e re) dhe prej shekujsh kishte grupe armenësh dhe grekësh, të cilëve më vonë iu shtuan shumë persë. Të huajt që jetonin në qytet për një periudhë të gjatë paguanin taksat dhe mund të aspironin për nënshtetësi, si dhe një rritje në pozicion”.
Një përshkrim efikas i multikulturalizmit lagunar e jepte në vitin 1924 historiania angleze Eilin Pauër: “Venecianët gjendeshin krah për krah me njerëz nga të gjithë kombet, dëgjonin rrëfimet për udhëtime të kryer në çdo vend… dhe zonjat e Venecias me flokët e kuqe… zbrisnin dalëngadalë teposhtë shkallëve të mermerta të pallateve të tyre, të veshura me të gjithë brikadat e Persisë, si dhe me duart e vogla e me aromën e të gjithë parfumeve të Arabisë”.
Kështu vazhdoi për një kohë të gjatë, pavarësisht dekadencës së ngadaltë dhe të pashmangshme që nisi me hapjen e rrugëve tregtare me Amerikën deri në 1797. Nën presionin e trupave të Napoleonit, Republika mijëvjeçare e Venecias u nda dhe Porta e Orientit i mbylli zhurmshëm kanatat. (“Storica magazine”)
Pershtatur ne shqip nga bota.al

Related

Histori 3167810024793775958

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item