Si mund të fitosh para në internet

Pjesa më e madhe e njerëzve punojnë nëpër kompani apo institucione publike, ku në këmbim të përpjekjeve të tyre përfitojnë të ardhurat e dom...



Pjesa më e madhe e njerëzve punojnë nëpër kompani apo institucione publike, ku në këmbim të përpjekjeve të tyre përfitojnë të ardhurat e domosdoshme për të jetuar. Por, ekziston edhe një kategori me fat njerëzish, të cilët arrijnë të fitojnë para nga kolltuku i rehatshëm i shtëpive të tyre. Nëpërmjet internetit, arena më dinamike e biznesit, këta njerëz përpiqen të gjejnë gjithnjë mënyra të reja për t’u pasuruar. Disa kanë një sipërmarrje me kohë të pjesshme, ndërsa të tjerë janë kthyer në histori të vërteta suksesi.

Të shesësh në eBay

Shumë njerëz në ditët e sotme e kanë të qartë si funksionon. Nëse ke gjëra që nuk të duhen, por që të tjerët janë të gatshëm t’i blejnë, mund t’i nxjerrësh në ankand në eBay apo në faqe të tjera të shitjeve në rrjet. Procedura është shumë e thjeshtë: mblidh gjërat që ke për të shitur, hap një profil shitësi dhe fillo të shesësh.
Megjithatë, edhe pse duket e thjeshtë në fakt të duhet praktikë për të shitur në mënyrë të suksesshme. Duke krijuar një faqe të ligjshme dhe joshëse ku të reklamosh gjërat e tua, arrin të tërheqësh vëmendjen e blerësve. Është e rëndësishme që të vendosësh një çmim të logjikshëm fillestar në ankand, të ofrosh një shërbim konsumatori që të të sigurojë komente pozitive dhe të komunikosh hap pas hapi me blerësin në mënyrë që ky i fundit të ndihet i sigurt për blerjen e tij.

Të hapësh faqe në internet

Nëse keni një pasion të veçantë për diçka, qoftë një hobi apo profesion, dhe keni diçka për të thënë, të hapësh një faqe interneti mund të jetë një mënyrë fitimprurëse për të ndarë mendimet e tua me të gjithë botën. Çelësi i suksesit natyrisht qëndron tek tërheqja e reklamave.
Pasi ke hapur një faqe personale dhe tërheqëse në internet, shumë përdorues regjistrohen në shërbimin e reklamave si Google AdSense, i cili poston ato linket e famshme të sponsorizuara që shikojmë gjithmonë në faqet e internetit. Sa më shumë të klikojnë këto reklama lexuesit e faqes tënde, aq më shumë para do të fitosh nga shërbimi. Kjo funksionon mirë nëse kërkon të fitosh disa para më shumë por, nëse faqja jote është me të vërtetë interesante, e shkruar mirë dhe tërheqëse, mund të kontaktohesh nga kompanitë që kërkojnë të reklamohen në kategorinë tënde të lexuesve. Disa faqe interneti janë bërë aq të famshme saqë krijuesit e tyre kanë lënë punën e përditshme për t’ju përkushtuar tërësisht aktivitetit të tyre në rrjet.

Të krijosh dhe të shesësh bluza

Nëse shëtit në vendet e frekuentuara nga të rinjtë dhe adoleshentët, do të vëresh një mori bluzash me shkrime nga më të ndryshmet dhe të personalizuara. Bëhet fjalë për fraza të thjeshta ose logo, shumica ironike ose frymëzuese, të printuara nëpër bluzat aq të preferuara nga adoleshentët.
Zakonisht, sa më unik dhe i hatashëm të jetë dizajni, aq më tërheqëse bëhet bluza. Rritja dhe përhapja e jashtëzakonshme e internetit ka bërë të mundur që shitësisht të shesin bluzat e krijuara prej tyre në të gjithë botën. Faqet online si CafePress.com dhe SpreadShirt.com të lejojnë të krijosh dyqanin tënd në rrjet, të reklamosh krijimet dhe t’i shesësh vetë ato. Nëse arrin të krijosh një dizajn të personalizuar me një frazë tejet tërheqëse apo me një fjali frymëzuese që të pëlqehet nga njerëzit, atëherë do të fillosh të fitosh para.

Të tregtosh domeinet

Po të kesh pak fat, strategji dhe nuhatje për biznes, tregtimi i emrit të domeineve mund të jetë një nga mënyrat më fitimprurëse për të punuar dhe investuar në internet. Kjo sipërmarrje është frymëzuar nga strategjia e agjensive imobilare, të cilat blejnë shtëpi të vjetra, të zhvlerësuara dhe të mbajtura keq. Pasi i kanë rregulluar dhe modernizuar për t’i bërë më tërheqëse, ato shiten me një çmim dy apo trefish më të lartë.
Në këtë rast, nuk bëhet fjalë për një shtëpi të vjetër, por për emrin e një domeini, adresa kryesore e një faqeje në internet. Nëpërmjet kërkimit të përkushtuar, tregtarët e domeineve identifikojnë faqet e varfëra të internetit që nuk janë mirëmbajtur dhe janë lënë në harresë, por që kanë emër të përgjithshëm dhe njihen nga një numër i madh vizitorësh prej vitesh. Këto domeine blihen për disa qindra, ndonjëherë mijëra dollarë, por pas disa rregullimeve për ta bërë faqen më të përshtatshme për biznes, emri i domeinit mund të shitet shumë herë më tepër se vlera fillestare. Domeini bird-cage.com (kafaz zogjsh), për shembull, është blerë për 1.800 dollarë në vitin 2005 por, pasi ju dha një dizajn i ri dhe modern, faqja iu shit 173 mijë dollarë një kompanie që tregtonte kafazë për zogj.

Të japësh leksione private

Vit pas viti duket se rritet gjithnjë e më shumë presioni që vendoset mbi nxënësit e shkollave fillore, të mesme dhe ato të larta për të marrë nota të mira dhe për t’u përgatitur për edukimin e mëtejshëm. Për disa fëmijë është e nevojshme ndihma nga një mësues privat për të arritur rezultate më të larta në mësime.
Duke qenë se familjet po pajisen gjithnjë e më shumë me internet të shpejtësisë së lartë në shtëpi, janë duke u përhapur edhe mësimet private në rrjet. Kur aplikon për një punë të tillë, zakonisht të duhet t’i nënshtrohesh një testimi për lëndët që zgjedh si dhe të paraqesësh kredencialet e tua. Por, ka edhe një alternativë tjetër. Mund të hapësh faqen tënde personale të mësimeve private si Tutor.com, ku mësues nga e gjithë bota mund të regjistrohen për të ofruar shërbimet e tyre. Këto faqe interneti bëjnë lidhjen ndërmjet fëmijëve që kërkojnë leksione private dhe mësuesve që i ofrojnë ato.

Të shesësh punime artizanale

Ashtu siç mund të shesësh gjërat që nuk të duhen në eBay, mund të përdorësh edhe faqe interneti të tjera ku tregtohen punime artizanale. Faqet si Etsy.com apo ArtFire.com janë krijuar pikërisht për të bërë lidhjen ndërmjet artistëve që bëjnë punë artizanale me klientët e interesuar për t’i blerë.

Kur flitet për punë artizanale, shumicës së njerëzve i shkon mendja tek thurjet me shtiza apo me grep, qëndisja, piktura apo skulptura, por punimet artizanale nuk janë vetëm këto. Në internet mund të gjesh treg për të shitur gjithashtu punime me dru, me qelq, metal dhe me çdo material që mund të jesh i aftë të prodhosh gjëra interesante.

Related

Top Lajm 7695288528635617242

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item