Njëzetë intelektualë, letër kryeministrit Rama për mbrojtjen e gjuhës shqipe

Gjuhëtarë, shkrimtarë, përkthyes e botues në një letër drejtuar kryeministrit Edi Rama, kërkojnë që qeveria të ndërhyjë në mbrojtje të gjuhë...


Gjuhëtarë, shkrimtarë, përkthyes e botues në një letër drejtuar kryeministrit Edi Rama, kërkojnë që qeveria të ndërhyjë në mbrojtje të gjuhës shqipe dhe ta shpallë atë objekt kulturor të rëndësisë së veçantë, ashtu siç e kërkon edhe Kushtetuta.
Gjuhëtarët Emil Lafe, Jorgji Gjinari, Xhevat Lloshi, Valter Memisha, Kristina Jorgaqi, Rami Memushaj, Hajri Shehu , Thoma Dhima , Nexhip Mërkuri, Mustafa Karapinjalli, Albert Riska, shkrimtarët Kiço Blushi, Nasi Lera, Preng Cub Lleshi, Moikom Zeqo historianët Kristo Frashëri, Pëllumb Xhufi, botuesit Petrit Ymeri, Naim Zoto dhe përkthyesi Shpëtim Çuçka, në letrën e tyre shfaqin pakënaqësinë për punimet dhe vendimet e Këshillit Ndërakademik, që sipas tyre, po dëmtojne standardin e gjuhës shqipe.
Në letrën e tyre theksohet se “është koha që shqipja e njësuar të merret realisht në mbrojtje nga shteti dhe të shpallet objekt kulturor i rëndësisë së veçantë, ashtu siç e kërkon edhe Kushtetuta. Ndërhyrjet në të jo vetëm që nuk mund të lihen në dorën dhe gjykimin e një grushti “të diturish”, por duhet të jenë pjesë e kujdesit dhe e vëmendjes më të lartë e të vazhdueshme të institucioneve publike dhe të shoqërisë. Gjuha shqipe nuk është pronë vetjake e askujt, ajo u përket të gjithë shqiptarëve të sotëm dhe jo vetëm këtyre, por edhe atyre që kanë jetuar para nesh edhe atyre që do të vijnë pas nesh. Kur flasim për shqipen, mjafton të kujtojmë emrat e atyre që lëvrimit dhe studimit të saj i kushtuan jetën, të atyre që e lartësuan në shkallën e një gjuhe letrare të admirueshme. Kjo duhet t’i bëjë përdhosësit e shqipes të largohen nga rruga e tyre. Por shteti nuk ka përse ta lërë këtë në dorë të ndërgjegjes së askujt”.
“Tashmë është bërë e qartë se puna e Këshillit të quajtur “ndërakademik” ka hyrë në një rrugë të rrezikshme dhe ka shkaktuar shqetësim të thellë publik. Ajo ka dëmtuar rëndë edhe emrin e prestigjin e dikurshëm të Akademisë së Shkencave, që e ka lejuar të shkojë në atë drejtim. Është pa kuptim që shteti të japë para për shkatërrimin e gjuhës shqipe! Z.Kryeministër, jemi të bindur se koha kërkon që qeveria të marrë të gjitha përgjegjësitë e saj përpara shoqërisë dhe të ndalë dëmin e pafalshëm ndaj së shenjtës Gjuhë Shqipe! Historia do të na gjykojë të gjithë për sa do t’i përgjigjemi detyrës ndaj atdheut”, theksohet në letrën e historianëve, gjuhëtareve drejtuar kryeministrit Rama.
Gjuhëtarët, shkrimtarët, përkthyesit e botuesit kërkojnë moslejimin që gjuha jonë e bukur shqipe, vlerat estetike dhe traditat e saj të merren nëpër këmbë.”Nuk na lejohet të shkelim e të zhvlerësojmë veprën e ndritur dhe të shenjtë të lëvruesve të gjuhës shqipe dhe të gjuhëtarëve atdhedashës, që me punën ngulmuese dhe diturinë e tyre ndërtuan kodet themelore të këtij mekanizmi me vlerë të paçmuar”, përfundon letra drejtuar kryeministrit Rama.

Related

Top Lajm 4245080895756595151

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item