Një tropojane në garë për deputete në Belgjikë

Elona Zhana, shqiptarja që jeton prej 12 vitesh në Bruksel, prej disa kohësh ka shprehur ambicien e saj për të prekur Parlamentin e Brukseli...


Elona Zhana, shqiptarja që jeton prej 12 vitesh në Bruksel, prej disa kohësh ka shprehur ambicien e saj për të prekur Parlamentin e Brukselit. Kandidatja e Qendrës së Demokracive Humaniste, do të përfaqësojë në garën elektorale në Belgjikë, mi 60 mijë shqipfolës që jetojnë atje dhe jo vetëm. Ajo është optimiste se zëri i saj do të bëhet pjesë e politikës në shtetin e huaj.
“Po, jam kandidate për deputet në parlamentin e Brukselit. Nuk bëhet fjalë për Parlamentin Europian, por për atë të Belgjikës. Shteti belg është një shtet federal. Kjo do të thotë se është i përbërë nga organe të ndryshme të vendimmarrjes, që u përkasin saktësisht komuniteteve, por edhe rajoneve. Unë kandidoj për partinë “Qendra e Demokracive Humaniste” në zgjedhjet rajonale të Brukselit. Këto zgjedhje përfshijnë 90 komuna të Brukselit. Partia që unë përfaqësoj është një parti e qendrës së djathtë. Sfida është realisht shumë e madhe. Janë gjithsej 1 mijë kandidatë. Është një garë e fortë, por unë jam shumë optimiste pasi e kam analizuar mirë përpara se t’i hyj kësaj gare. Personalisht nuk jam tip shumë aventuriere, ndaj edhe këtë herë jam me këmbë në tokë”- shprehet ajo duke shpjeguar edhe seriozitetin më të cilën e ka marr këtë angazhim.


Elona, kur mbahen këto zgjedhje?
Në datën 25 maj, në të njëjtën ditë me zgjedhjet e Parlamentit Europian. Është një procedurë zgjedhjesh të 3-fishta. Janë zgjedhjet për Parlamentin Europian, ato Federale për Belgjikën dhe ato rajonale, ku kandidoj edhe unë.

Elona, lidhja juaj më Shqipërinë?
Unë kam lindur në epokën e Shqipërisë së izoluar. Më kujtohet që në fëmijërinë time të atëhershme, gjyshja, gjysma e familjes të së cilës kishte mbetur në pjesën tjetër të kufirit pas mbylljes së saj (unë jam tropojane) qante rregullisht për ta. Më pas, pas hapjes së Shqipërisë është pikërisht nëpërmjet Kosovës që ne kemi patur kontaktet e para me botën perëndimore. Jetoj në Bruksel që nga viti 2001. Jam e diplomuar në Bruksel, jam njohëse e disa gjuhëve të huaja. E pasionuar pas komunikimit në të gjithë format e saj si dhe kulturës, aktualisht punoj si e pavarur. Njihem si gazetare, botuese, përkthyese, shkrimtare etj…


Cila është lidhja juaj me politikën?
Lidhjet e mia me politikën nuk datojnë nga dje as nga sot, por shumë më herët. Realisht jo vetëm studimet, por edhe praktikat profesionale i kam realizuar në fushën politike. Ndërsa hapi për të kandiduar në këto zgjedhje erdhi si shprehje e nevojës për një ndryshim në realitetin e përditshëm. Sigurisht që kjo duhet parë në dy dimensione. Në dimensionin e parë, atë të qytetarit të Brukselit duhet thënë që jam e bindur që programi i partisë për të cilën kandidoj është alternativa e vetme praktike, e shifruar dhe e mbrojtur nga personalitete serioze e të afta. Në dimensionin tjetër është koherenca në angazhimet e mija me komunitetin shqiptar. Duke qenë së ne këtu kemi një komunitet të rëndësishëm në numër, por edhe në shtrirje kohore, përfaqësimi në nivelet vendimmarrëse belge shtrohet si domosdoshmëri, do të thoja unë.

Nëse zgjidheni, cilat janë ambiciet tuaja të mëvonshme?
Jam e bindur që nëse ne arrijmë të përfaqësohemi në parlamentin e Brukselit, do të jetë një hap gjigant në përmirësimin e imazhit,por edhe një investim direkt në mirëqenien e përbashkët të komunitetit. Me këtë rast bashkatdhetarët tanë që jetojnë këtu do të kenë një derë të hapur ku të drejtohen lirisht. Dhe pikërisht në programin tim politik kam prioritete që i prekin nga afër bashkatdhetarët tanë që jetojnë në Bruksel. Por një përfaqësim në Parlamentin e Brukselit nuk do të ishte i dobishëm vetëm për shqiptarët e këtushëm. Ai do të ishte po ashtu një mjet lobimi i shkëlqyeshëm i çështjeve tona kombëtare në një vend strategjik si Brukseli vendimmarrës. Ata që më njohin sadopak e dinë sa për zemër e kam unë çështjen shqiptare në të cilën kam punuar pa patur asnjë fuqi politike.

Si është parë kandidatura juaj aty?
Kandidatura ime është parë si risi për faktin që kam vetëm 13 vite në Belgjikë dhe kam dhënë prova integrimi e ngjitje të ashensorit social; për faktin që ekonomikisht nuk kam asnjë interes për politikën gjë që e bën kandidaturën dhe angazhimin tim të besueshëm; për faktin që nuk bëj pjesë në një klan a grupim por tejçoj një imazh gjithëpërfshirës shqiptare evropiane.

Related

Top Lajm 1910032229913078684

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item