Një teori konspirative e vrasjes së John Lennon-it

Një tjetër histori dhe një tjetër teori në lidhje me vrasjen e të madhit Lennon që sfidon historinë zyrtare të këtyre 30 viteve të fundit. P...


Një tjetër histori dhe një tjetër teori në lidhje me vrasjen e të madhit Lennon që sfidon historinë zyrtare të këtyre 30 viteve të fundit.

Për të gjithë ata ‘baby-boomers’, vitet formuese të të cilëve përkuan me ndryshimet që sollën vitet ’60, një e hënë e butë e dhjetorit të vitit 1980 do të mbahet mend gjithmonë si dita kur muzika “vdiq”.
Në New York, enigmatiku, karizmatiku, shpesh vetmitari dhe ish- “Beatles”, John Lennon, hyri në hollin e Dakotës, parkingut të bllokut ekskluziv të ndërtesave të banimit në të cilin kishte jetuar 8 vitet e fundit. Kasetat e këngës së re, të cilën 40- vjeçari sapo e kishte regjistruar me titullin “Të ecësh në akullin e hollë”, ranë në dysheme, ndërsa vetë John u shemb i mbuluar nga gjaku pas disa të shtënave që erdhën nga errësira.
Lennon po kthehej në shtëpi, pas një dite të gjatë dhe të lodhshme, me shpresën se do të arrinte që ta takonte para gjumit të birin e tij 5-vjeçar, Sean. Ai dhe Yoko Ono, bashkëshortja dhe bashkëpunëtorja e tij muzikore, zbritën nga limuzina e bardhë para hyrjes dhe në vend që të shkonin drejt e në garazh preferuan që të bënin një copë rrugë në këmbë deri në hyrjen e shtëpisë. Yoko ecte më shpejt, duke vënë re një hije diku. Por mendoi se si zakonisht do të ishte hija e ndonjë admiruesi të Lennon që kishte dalë aty për t’i marrë këngëtarit ndonjë autograf, siç ndodhte rëndom. John ndërkohë vinte pas Yoko-s, ndërkohë që dëgjoi t’i thërrisnin në emër: “Zoti Lennon?”
Ylli ngadalësoi hapin dhe u kthye për të parë se kush i kishte thirrur. Befas tek pa njeriun në mesin e errësirës iu kujtua se atë fytyrë e kishte parë edhe disa herë të tjera dhe madje mëngjesin e po asaj dite i kishte dhënë një autograf. Por këtë herë i huaji kishte qëllim tjetër. Ai ishte ulur në gjunjë, në një pozicion luftarak me një revolver në duar.
Në këto çaste, ndërsa të dy ndodheshin përballë njëri-tjetrit, u dëgjuan 5 të shtëna të qëlluara në vendet ku mund të shkaktonin edhe dëmet fizike maksimale. Lennon bëri edhe disa hapa dhe në këto e sipër arriti vetëm të bërtiste: “Më qëlluan, më qëlluan”. Kur mbërriti në spital, 4 orë pas të shtënave, ai kishte ndërruar jetë.
Ndërkohë vrasësi, 25-vjeçari Mark Chapman, qëndroi shumë qetësisht në vendin e krimit. Në shesh gjendeshin gëzhojat e plumbave që ai kishte shtënë mbi Lennon, pranë pellgjeve ende të papastruara të gjakut të tij. I mbështetur në murin e ndërtesës, Mark nxori nga xhepi një kopje të librit të të famshmit JD Salinger, romani i famshëm “Chater in the Rye”, i cili fliste për jetën e një adoleshenti dhe prej të cilit tha më pas se kishte marrë frymëzimin për të kryer aktin e tij. Kur erdhën policët ai nuk bëri asnjë tentativë për të ikur.
Ndërsa po i vendosnin prangat dhe po e dërgonin drejt makinës së policisë, Chapman deklaroi se kishte vepruar i vetëm dhe më pas, ndërsa e kishin ulur për ta marrë në pyetje në stacionin e policisë, u tha hetuesve se “Lennon duhej të vdiste”. Për mbarë botën, që e priti e tronditur dhe me lot në sy këtë krim, Mark ishte thjesht një i marrë.
Ai kishte marrë shpesh droga dhe ishte një person me probleme mendore. Në shkollë nuk kishte shkuar mirë dhe ndihej i përbuzur dhe në këto kushte ai gjeti strehë në një botë imagjinare, në të cilën ushtronte dhunë ndaj njerëzve të tjerë. Ishte një i rritur i mbetur ende i vogël, që nuk kishte bërë kurrë një punë të duhur dhe që gjente qetësi vetëm kur dëgjonte këngët e “Beatles”.
Ishte një vetmitar, që shpesh e identifikonte veten me anën e mbyllur dhe hermetike të John Lennon. Por ideja e pasurisë së madhe dhe famës së madhe të Lennon bënë që Mark të çonte nëpër mendje ide të dyshimta. Ai nisi që ta ndiente veten të tradhtuar, të fyer në thelbin e personalitetit të tij. Sipas asaj që nxorën më pas mjekët, ai kishte dëshirë që të hakmerrej ndaj Lennon e ndër të tjera të bëhej edhe vetë i famshëm, edhe pse vetëm për 15 minuta, por do të ishin minuta që do ta bënin emrin e tij po aq të pavdekshëm sa dhe emrin e vetë Lennon e mbi të gjitha do t’i lidhnin këta dy emra përjetësisht bashkë.
E kështu vazhdon kjo histori për vite e vite me radhë, pra që Lennon u vra nga një i çmendur. Por me afrimin e 30-vjetorit të vdekjes së Lennon, që do të jetë javës së ardhshme, më 8 dhjetor, ka nisur që të përhapet një tjetër histori, një tjetër teori në lidhje me vrasjen e të madhit Lennon, që sfidon historinë zyrtare të këtyre 30 viteve të fundit. Pra atë që sapo rrëfyem.
Edhe pse është ende e paqartë në disa detaje, nëse kjo histori do të ishte e vërtetë do të shkaktonte tronditje dhe rebelim te miliona fansat e Lennon, të cilët ende e quajnë idhullin e tyre dhe ushqehen me muzikën e idetë e tij të paqes e barazisë.
Në një libër të ri, autori Phil Strongman pretendon se Chapman ishte thjesht një “kukull” dhe se vrasësi i vërtetë i Lennon ishte vetë CIA, në emër të fanatikëve të establishmentit qeverisës amerikan.
Në këtë përfundim autori i librit mbërrin duke kundërshtuar të ashtuquajturat “fakte” në lidhje me këtë vrasje dhe çështje gjyqësore, përfshi edhe supozimin bazë se Chapman ishte në fakt një fans i Lennon. Strongman shkruan se deri në fundjavën para vrasjes “Chapman, fansi i çmendur i supozuar i Lennon, nuk kishte absolutisht ide për këngët, apo muzikën e britanikut të famshëm dhe nuk njihte asnjë album të tijin”.
Autori përgënjeshtron edhe pretendimin e bërë shpesh se Chapman kishte 14 orë filmime të xhiruara të këngëve të Lennon. “Nuk ka asnjë provë, as fotografike të këtyre pretendimeve, për faktin e thjeshtë se ato nuk kanë ekzistuar kurrë”, thotë autori.
Kështu Chapman nuk ishte një manjak VIP-ash që guxoi shumë dhe veproi për të pasur 15-minutëshin e tij të famës. “Nëse ai do të ishte një njeri në kërkim të famës dhe të vëmendjes së të tjerëve, atëherë përse ai nuk përfitoi nga shansi që mund t’i jepte një gjyqi, pra seancat e një gjyqi që mund të quhej edhe “gjyqi i shekullit?” Duke u vetëquajtur “fajtor”, Chapman e humbi të gjithë vëmendjen që mund t’i jepej nëse do ta kishte mohuar një gjë të tillë dhe do t’i ishte nënshtruar një procesi gjykimi të gjatë.
Përse vallë?”
Qetësia që kishte vrasësi pas aktit të krimit, është sipas autorit të librit edhe një nga çelësat për të kuptuar se çfarë ndodhi realisht, pasi ky fakt përbën një provë të teorisë se vrasja e Lennon ishte një vrasje e sponsorizuar nga shteti. Nëse Chapman dukej si një zombi, pra një gjysmë fantazmë që nuk lëvizi pas aktit të vrasjes, duke qëndruar aty në pritje të policisë, ishte sepse ai ishte pikërisht një fantazmë.
Strongmen sugjeron se Chapman ishte i rekrutuar nga CIA dhe i trajnuar prej tyre gjatë udhëtimeve të tij nëpër botë. Ishte shumë e çuditshme për një djalë të thjeshtë nga Xhorxhia që të ndodhej në shumë vende të çuditshme të botës.
Për shembull, është i çuditshëm fakti që Chapman vizitoi Bejrutin në një kohë kur ai ishte një qytet që gëlonte nga aktiviteti i CIA-s dhe thuhej se ishte selia e një prej kampeve stërvitore sekrete, ku stërviteshin vrasësit. Një tjetër kamp thuhet se ndodhej në Havai, vend në të cilin Chapman jetoi për disa vjet. Dhe kush ia financoi djalit të varfër udhëtimin nëpër botë që ai ndërmori në vitin 1975, që e çoi në Japoni, Britani, Indi, Nepal, Kore, Vietnam dhe Kinë?
Për Chapman paratë nuk kanë qenë kurrë ndonjë problem, por askush nuk ka ditur të japë një shpjegim se nga i merrte ai paratë. E vetmja mundësi, sipas autorit të librit, mbetet se ai ishte në listën e pagesave të shërbimit sekret. Dhe diku në këtë rrugëtim mendja e tij u infiltrua. Me Chapman CIA mund të ketë kryer një nga operacionet e saj të kontrollit të mendjes përmes ilaçeve apo teknikave të tilla si hipnozës për të prodhuar vrasës për eliminimin e “elementeve shqetësues”.
Këta ishin njerëz mbi të cilët do të binte faji i vrasjeve. Ja çfarë thotë Strongman: “Libri i JD Salinger ‘Catcher In the Rye’ ishte pjesë e programit hipnotik të Chapman, një ‘shkrepëse’ që do ta aktivizonte atë përmes disa fjalëve kyçe, që të kryente saktësisht veprimin për të cilin ishte stërvitur”.
Është e qartë që mbështetësit e teorive të konspiracionit kanë dyshuar për një kohë të gjatë se si amerikanët, ashtu edhe armiqtë e tyre komunistë kanë përdorur gjithmonë teknika të tilla për të aktivizuar “vrasës të fjetur”, siç flitet edhe në filmin “The Manchurian Candidate”. Autori i librit nuk është i qartë nëse Chapman ishte i kategorisë së vrasësve të pavetëdijshëm apo i bashkëpunëtorëve të pavetëdijshëm.
Dyshimi i tij i thellë është se Chapman nuk veproi i vetëm, ashtu sikurse nuk veproi i vetëm edhe famëkeqi Lee Harvey Oswald kur vrau Presidentin e Amerikës, John F. Kennedy në Dallas, apo siç veproi Sirhan Sirhan në rastin e vrasjes së vëllait të Presidentit, Robert Kennedy. Madje autori vë në dyshim edhe faktin se ishte Chapman ai që qëlloi mbi John. “Plumbat janë qëlluar në trupin e Lennon nga një distancë shumë e vogël dhe shumë pranë njëri-tjetrit sa një patolog më pas e pati shumë të vështirë që të gjente pikat e hyrjes së tyre.
Nëse këto të shtëna kanë ardhur nga Chapman, atëherë bëhet fjalë për të shtëna shumë të mira. “Në fakt çdo plumb i ardhur prej tij ishte një mrekulli, sepse Chapman ishte në të djathtë të Lennon dhe sipas raporteve të autopsisë dhe certifikatës së vdekjes bëhej e qartë se plagët e Lennon ishin në të majtë të trupit të tij”. Në vijim të këtij arsyetimi Strongman thotë se me siguri që do të ketë pasur një tjetër person që ka qëlluar.
Ajo që ka shtuar edhe më shumë dyshimet e autorit të librit është edhe natyra shumë e nxituar dhe e përciptë e kryerjes së hetimeve të policisë pas arrestimit të Chapman. “Qetësia e jashtëzakonshme e Chapman pas vrasjes së Lennon nuk u mor kurrë në konsideratë si një fakt i çuditshëm dhe sjellja e tij nuk u analizua përmes testeve për të parë nëse ishte në hipnozë ky njeri, apo ishte vërtet i dalë mendsh.
Sipas autorit të librit, FBI-ja së bashku me CIA-n kishin bërë planet për ta eliminuar Lennon. Po përse vallë Lennon ishte në listën e tyre? Ka shumë të ngjarë që të kishte “inatosur” përfaqësuesit e fuqishëm të së djathtës amerikane, së pari me kundërshtinë e tij ndaj luftës së Vietnamit dhe së dyti me fushatën e tij të paqes.
Pikërisht këtu ata që kanë jetuar në atë moment duhet që të ndalen pak. Lennon ishte një gjeni i marrë, një performues, por ishte një ëndërrimtar, jo një njeri veprues. Shkruante këngë, luante në kitarë, kishte ide interesante, na bënte për të qeshur. Por ai nuk kishte të ngjarë që të përmbyste kapitalizmin.
Në mbështetje të teorive konspirative është edhe fakti se disa nga dosjet e hetimeve të shërbimeve sekrete për Lennon vazhdojnë që të mbeten sekrete. Ja çfarë shkruan Strongman: “Unë jam i bindur si çdo qenie tjetër njerëzore, se elementë të FBI-së dhe CIA-s janë pa dyshim pjesë e asaj që ndodhi në dhjetor të vitit 1980”.
E ndërkohë Chapman, i çmenduri apo roboti i droguar, jeton. Nëse teoritë e Strongman janë të vërteta, ai ia ka dalë që të mbijetojë për 3 dhjetëvjeçarë rresht në njërin prej burgjeve më të dhunshëm të Amerikës, pavarësisht informacionit të rrezikshëm që ende mban në vetvete. Ai ndodhet në Attica, 30 vjet pas vendimit të gjykimit.
I mbeten edhe 20 vite të tjera pas hekurave në bazë të vendimit. Kur e pyeti në vitin 2006 një panel gjykatësish për një mundësi daljeje me kusht, se përse e kishte vrarë Lennon, Chapman tha: “Për famë. Dhe kësaj ia arrita”.
Ndërsa në fillim të këtij viti, një tjetër paneli ai i deklaroi se në vitin 1980 kishte një listë të gjatë njerëzish të famshëm të cilët mund t’i vriste. Por sipas shpjegimit që dha, vendosi që të qëllonte Lennon, sepse banesa e tij ishte më e lehtë për t’u futur: “Ndjeva se duke vrarë atë do të bëhesha dikushi dhe në vend të kësaj u bëra një vrasës dhe vrasësit nuk janë ‘dikushi’. Në vend që të merrja jetën time, mora jetën e dikujt tjetër, çka ishte e padrejtë”. (Explore Univers)

Related

Speciale 1090281307263545520

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item