Narendra Modi, fitues i zgjedhjeve në Indi (VIDEO)
Kryeministri i zgjedhur i Indisë, Narendra Modi sot u rrethua nga përkrahësit e tij, ndërsa mbërriti në Nju Delhi, një ditë pasi u bë e ditu...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/05/narendra-modi-fitues-i-zgjedhjeve-ne.html
Kryeministri i zgjedhur i Indisë, Narendra Modi sot u rrethua nga përkrahësit e tij, ndërsa mbërriti në Nju Delhi, një ditë pasi u bë e ditur se partia e tij nacionaliste hindu erdhi në pushtet pasi fitoi zgjedhjet në demokracinë më të madhe në botë.
Zoti Modi mbërriti në kryeqytetin indian nga shteti perëndimor i Gujaratit, të cilin ai e ka qeverisur që nga viti 2001.
Ish-udhëheqësi i opozitës, tani është duke u përgatitur të fillojë mandatin e tij pesë vjeçar në postin e kryeministrit të vendit, pasi Partia e tij Bharatiya Janata – BJP, siguroi fitoren më të madhe nga një parti e vetme në 30 vjet, duke mundur Partinë e Kongresit me shumicë dërrmuese votash:
"Merita më e madhe për këtë fitore i takon 1.2 miliardë njerëzve të vendit. Së dyti, merita i takon edhe njerëzve të cilët kanë jetuar me idenë për të dhënë gjithçka për vendin e tyre, që nga viti 1952. Kjo fitore u bë e mundur në sajën e tyre".
Në fjalimin e tij të lamtumirës, Kryeministri në largim Manmohan Singh u bëri thirrje qytetarëve që të mbështesin udhëheqësin e ri të vendit.
"Secili nga ne duhet të respektojë rezultatin. Zgjedhjet e sapo përfunduara kanë forcuar themelet e politikës sonë demokratike".
Zoti Modi mori urime edhe nga jashtë, duke përfshirë Uashingtonin.
"Ne urojmë zotin Narendra Modi dhe Partinë Bharatiya Janata për fitoren në këto zgjedhje historike. Pas formimit të qeverisë, ne jemi të gatshëm të punojmë ngushtë me kryeministrin dhe kabinetin e tij për të çuar përpara marrëdhëniet tona të forta dypalëshe, bazuar në vlerat e përbashkëta demokratike".
Kryeministri i zgjedhur dje iu drejtua një turme mbështetësish, duke u zotuar se qeveria e tij do të kujdeset për "të gjithë" njerëzit në Indi./VOA