Lulzim Basha: Bashkë me avionin, ra edhe Qeveria
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, akuzoi Qeverinë si të lidhur me rrjetin kriminal të narko-trafikantëve, ndërsa theksoi se bllo...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/05/lulzim-basha-bashke-me-avionin-ra-edhe.html
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, akuzoi Qeverinë si të lidhur me rrjetin kriminal të narko-trafikantëve, ndërsa theksoi se bllokimi i avionit të drogës në Divjakë, nxori në pah të vërtetën, përkundër tentativës së qeverisë për të pastruar skenën e krimit dhe fshehur provat.
Në konferencën për mediat, kreu demokrat u shpreh se bashkë me avionin e drogës ka rënë edhe qeveria e mashtrimit. Basha akuzoi Qeverinë se tentoi të fshihte ngjarjen duke terrorizuar dëshmitarët okularë, duke mos lejuar për më shumë se dy orë mediat të filmonin dhe duke pastruar vendin e krimit.
“Terrorizuan për të mbyllur gojën me dhjetëra dëshmitarë okularë, por e vërteta e trafikut të drogës iu plasi mbi kokë politikanëve, narkotrafikantëve të krimit të organizuar”, tha Basha.
Sipas tij, ngjarja në Divjakë nuk është skandali i radhës, por e jashtëzakonshme për nga përmasat dhe pasojat. Ajo na tregon se sa larg ka shkuar dhe sa shumë fuqi ka marrë karteli i drogës me suport dhe mbështetje politike qeveritare në vend.
“Por ngjarja shërben pa më të voglin dyshim për transparencën e trafikut të drogës, problemi më madhor që Partia Demokratike, opozita dhe opinioni publik kanë identifikuar e kanë vënë në qendër të vëmendjes gjatë javëve të kaluara. Zullumi këputet kur trashet. Zullumi me trafikun e drogës, sipas gjithë informacioneve tona dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë, ishte trashur e po trashej kaq shumë, sa që sot u këput. Nuk është thjesht rasti që bëri transparencën e parë të madhe, që i dha publikut shqiptar provën e parë të madhe të pushtimit me leje qeveritare edhe të hapësirës ajrore, pas pushtimit të hapësirës tokësore e detare, nga narkotrafikantët. Sot konfirmohen informacionet dhe indiciet që kanë dhënë punonjësit e ndërgjegjshëm e patriotë të shërbimeve shqiptare, shërbimet partnere dhe qytetarët e thjeshtë sa në Gjadër, Divjakë, Kardhiq e gjetkë për trafikun e drogës edhe me avionë të vegjël me dijen, lejen, pjesëmarrjen dhe symbylljen kundrejt shpërblimit të qeverisë dhe autoriteteve qeveritare. Sot konfirmohen shqetësimet dhe akuzat që ka ngritur PD dhe opozita në një betejë të vështirë, por të pakthyeshme me papërgjegjshmërinë, shurdhërinë dhe përpjekjet e qeverisë për të shmangur me çdo çmim transparencën. Sot, ata që më demek janë tallur e kanë qeshur me akuzat e opozitës, janë vetëpaditur para opinionit publik si bashkëpunëtorë të hapur me narkotrafikantët”, tha ai.
Sipas tij, “me gjithë përpjekjet e mëdha të kartelit të drogës, ministrit të Brendshëm dhe shefit të tij Edi Rama për pastrimin maksimal të skenës së krimit në Divjakë, duke penguar me dhunë për më shumë se 2 orë praninë e mediave në vendgjarje, duke larguar dhe fshehur me sa mundën ngarkesat dhe paratë e drogës nga vendi i ngjarjes, duke qepur shkel e shko deklarata plot kundërthënie dhe vetëdikretituese sikur avioni që ra nuk kishte të bënte me drogën e tyre dhe paratë e tyre, prapëseprapë e vërteta e trafikut të lëndëve narkotikëve me avionë në territorin dhe hapësirën ajrore Shqipërisë, sot u plasi mbi kokë qeveritarëve, zyrtarëve dhe narkotrafikantëve të bashkuar në bandën më të rrezikshme të krimit të organizuar që Shqipëria ka njohur në 23 vite demokraci”.
“Publikut shqiptar i dhanë provën e madhe të pushtimit me leje të hapësirës ajrore. U vërtetuan akuzat e opozitës dhe so janë shembur kufijtë e narkotrafikantëve dhe Qeverisë. Qeveria është bërë një me narkotrafikantët”, akuzoi Basha.
Basha shtoi se “Partia Demokratike dhe opozita po e ndjekin nga afër me përgjegjësi të madhe ngjarjen e jashtëzakonshme të sotme dhe mbështesin pa asnjë rezervë, inkurajojnë fuqishëm punonjësit e ndërgjegjshëm të gjithë shërbimeve ligj-zbatuese në vend në misionin e tyre fisnik në shërbim të ligjit, sovranitetit dhe imazhit të vendit”.