Luis Suarez: Brazili është favoriti i madh i Botërorit

Luis Suarez ka arkivuar humbjen e betejës për titullin e “Premier League” me Liverpulin, çka ia atribuon më së shumti mungesës së përqendrim...


Luis Suarez ka arkivuar humbjen e betejës për titullin e “Premier League” me Liverpulin, çka ia atribuon më së shumti mungesës së përqendrimit në disfatën 2-0, të pësuar në shtëpi nga Celsi, dhe tanimë ka hedhur vështrimin drejt Kupës së Botës, ku bashkë me Edinson Kavanin do të formojë ndoshta dyshen sulmuese më spektakolare të kompeticionit për Uruguajin. Ndeshja e parë e skuadrës së Oskar Tabarez është ajo ndaj Kosta Rikës, më 14 qershor, me Uruguajin që është shortuar në një nga grupet më të vështirë të turneut, ku bëjnë pjesë Anglia dhe Italia. Luis Suarez e bën të qartë, pavarësisht se nuk është favorit, se askush nuk duhet ta fshijë Uruguajin nga lista e pretendentëve për trofeun.
“Natyrisht që në një Kupë Bote ka gjithmonë disa kandidatë më të kuotuar. Brazili është favoriti i madh këtë herë, pasi janë të zotët e shtëpisë, ndaj dhe duan të fitojnë me çdo kusht. Gjithashtu, favorite mund të konsiderohet edhe Argjentina, pasi kanë një nga lojtarët më të mirë në botë dhe kanë luajtur shumë mirë në fazën eliminatore. Por, njerëzit nuk mund të përjashtojnë as Uruguajin, apo dhe skuadra të tjera si Spanja, Gjermania, Italia apo Anglia”, – u shpreh Suarez.
Momenti më i lavdishëm i Uruguajit në futboll përkon me tragjedinë më të madhe futbollistike për Brazilin. Në vitin 1950, “Celeste” mposhti 2-1 Brazilin në finalen e “Marakana”-s, duke fituar titullin e dytë Botëror për Uruguajin, që synon të bëjë sërish mrekullinë këtë vit në Kupën e Botës, por Suarez kërkon të jetë i sigurt që shokët e tij të skuadrës të mos e hedhin vështrimin shumë larg, por të fokusohen në ndeshjet e para. “Nuk e di nëse do të ishte një mrekulli. Në futboll kurrë nuk e di se çfarë do të ndodhë. Ne tani jemi të fokusuar te grupi unë, ndoshta grupi më i fortë i Kupës së Botës. Ne na duhet të mendojmë shumë se çfarë do të bëjmë në këto tri ndeshje dhe pastaj të shohim se çfarë do të ndodhë me skuadrat e tjera. Një Kupë Bote nuk është një kompeticion i lehtë”, – tha ai.
Para Botërorit, Suarez mund të marrë një tjetër kënaqësi personale, atë të fitimit të “Këpucës së Artë”, pasi ka shënuar 31 gola me Liverpuli, po aq sa Ronaldo me Realin e Madridit, i cili mund t’ia rrëmbejë trofeun nëse shënon këtë fundjavë dhe uruguajani nuk e kursen një batutë thumb në drejtim të tij, por dhe të Mesit. “Natyrisht që për mua është një krenari e madhe që të kandidohem për çmimin e “Këpucës së Artë”. Por me shaka po iu them se Mesi dhe Ronaldo mërziten, duke shënuar gola kaq lehtë, ndërsa mua më duhet të bëj kaq shumë sakrifica për të shënuar. Për këtë arsye është një privilegj që të jem aty, duke konkurruar me ta. Por, qëllimi është të ndihmoj skuadrën si duke shënuar, apo dhe duke dhënë asisite për shokët e ekipit”, – tha Suarez.
Suarez ishte në Barcelonë, qytet pranë të cilit jeton dhe familja e tij, dhe perferoi t’i driblonte pyetjet për një transferim të mundshëm të tij te katalanasit apo Reali i Madridit. “Barça e di se për çfarë lojtarësh ka nevojë trajneri. Por këtë nuk më takon mua ta them. Nuk e di nëse stili im i lojës është veçanërisht i përshtatshëm për ndonjë skuadër të veçantë”, – përfundoi Luis Suarez.

Related

Sport 8705377101984156581

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item