Demokracia e dirigjuar

Sheval Memishi Sistemi qeverisës demokratik (pluralist) është një sistem laramanie vlerash dhe qeverisjeje të vet popullit (demosit) dhe si ...

Sheval Memishi

Sistemi qeverisës demokratik (pluralist) është një sistem laramanie vlerash dhe qeverisjeje të vet popullit (demosit) dhe si i tillë duhet të pranohet, të respektohet dhe në vazhdimësi të kultivohet.
Është vet demosi ai, i cili jo vetëm që vendos për nivelin, kapacitetet dhe cilësinë e cila do e qeveris atë, por obligohet që këtë vlerë shoqërore ta ngrit në nivele më të larta komunikimi, përzgjedhjeje dhe avancimi, si një trashëgimi e begatë për gjeneratat pasuese, që t’i krijoj hapësirë të merituar: dijes, kulturës, humanizmit dhe zhvillimit të harmonizuar të shoqërive demokratike në tërë botën.
E arritura më e çmuar e demokracisë, padyshim se është pranimi dhe respektimi i mendimit ndryshe dhe ideve të ndryshme shoqërore, të argumentuara dhe korrektësisht të mbështetura nga shumica e popullit.
Në hapësirën ballkanike, sidomos në disa shtete të dalura nga ish Jugosllavia (Bosnja, Serbia, Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia), si trashëgimtare të ish sistemit komunist dhe atij ish socialist, shndërrimi apo tranzicioni qeverisës i tyre, edhe pse kaluan dy dekada, vështirë se merr kuptimin e drejtë dhe të domosdoshëm demokratik të fjalës, që në vete ngërthen atributet e lartëpërmendura, të nevojshme dhe të domosdoshme demokratike.
Në Maqedoni në përgjithësi, e në veçanti në mjediset shqiptare, ky nocion është shumë vështirë të perceptohet, madje në shumë raste ai barazvlerësohet me: anarki shoqërore, dominim despotik, uzurpim hapësirash garuese, ngulfatje ideshë progresive, përvetsim vlerash dhe të mirash shoqërore si dhe gjithëçkaje tjetër që aspak nuk korespondon me sistemin demokratik të vlerave dhe të të arriturave, por barazvlerësohet me ish sistemet komuniste dhe ato diktatoriale.
Të vazhdosh të fundosesh fund e krye dhe të rrezikosh të ardhmen tënde, ndërsa “demokratikisht” të legjitimosh keq qeverisjen, duke përkrahur ide dhe platforma që nuk dallojnë aspak nga ato të Millosheviqit, nuk është asgjë tjetër përveç se aktrim i dhunshëm i imponuar demokracie që ndodh në këtë vend ballkanik.
Një veprim të till jo vetëm që është duke e bërë dhe përsëritur rradhazi populli “demokratik” i këtij vendi, por është duke e kultivuar me lloj-lloj imponimesh dhe dirigjimesh edhe vet lidershipi (jo)demokratik i këtij vendi.
Ky “lidership” që me metoda jodemokratike, vazhdon të gëzoj dhe shfrytëzoj benifitet e sistemit në të cilin vet ai thirret, vazhdon të jetë pengesa kryesore e zhvillimit progresiv dhe demokratik të shoqërisë në përgjithësi dhe institucioneve të sistemit në veçanti në tërë hapësirën horizontale dhe vertikale të këtij vendi.
Ky lidership, të dikton nivelin dhe tonit e tingujve të orkestruar. Ky lidership të ofron arë aty ku nuk mbillet farë. Ky lidership të imponon antilajmin aty ku duhet të mësosh të vërteten. Ky lidership, të ngrit zërin aty ku duhet të heshtësh. Ky lidership nga atdhetar të shndërron në tradhëtar e nga tradhëtar në atdhetar. Ky lidership e kultivon servilizmin mizantrop, ndërsa ngulfat vlerat dhe kapacitetet progresive filantrope. Ky lidership nuk është i zgjedhuri i zgjedhësve, por i dirigjuari i dirigjentëve, ndërsa me veprimet e projektuara sistematike manifeston egocentrizëm dhe promovon nepotizëm duke shkelur ligje e duke sajuar rrethana kontroverze për të arsyetuar këto veprime antiligjore.
Një fjalë e vjetër popullore thot: “kur Mbreti ka zgjeben, populli kruhet”.
Sot populli në Maqedoni, jo vetëm që është duke u kruajtur që nga koka deri te shputat e tij, por është duke rrezikuar që të izolohet në “karantinë” sepse është infektuar nga zgjebja shumëvjeçare e Mbretit si pjesë e një mbretërie të zgjebosur.
Ky popull i paimunizuar, edhe sikur të karantinizohet, do të kruhet për aq kohë të gjatë gjersa mbreti i tij të vazhdoj të ketë zgjeben. Prandaj për të shpëtuar nga kruarja shumëvjeçare, ose duhet ta “karantinizoj” Mbretin ose vet të “flaket” nga kjo “mbretëri e zgjebosur” ?!

Related

Opinione 8451317059778312108

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item