ANALIZË – Rusia me egocentrizëm vazhdon lojën e saj

Rusia e Vladimir Putinit ka dhënë shenja qetësimi në prag të zgjedhjeve presidenciale të 25 majit në Ukrainë, por ka shfaqur rezerva të mjaf...


Rusia e Vladimir Putinit ka dhënë shenja qetësimi në prag të zgjedhjeve presidenciale të 25 majit në Ukrainë, por ka shfaqur rezerva të mjaftueshme për të mos garantuar një votim që do të riforconte pushtetin pro-perëndimor të Kievit.
“Rusia nuk do t’i njohë këto zgjedhje”, theksoi Nikolai Petrov, profesor i Shkollës së Lartë të Ekonomisë në Moskë. “Rusia do të jetë e kënaqur vetëm me një lloj kontrolli mbi mbarë Ukrainën ose mbi Lindjen e vendit.
Kremlini hodhi poshtë fillimisht zgjedhjet presidenciale të parakohshme, organizuar pas largimit të presidentit prorus Viktor Janukovitç, pas tre muajve të një konteste properëndimore që përfundoi me gjakderdhje në Kiev.
- Zgjedhje nën ”oshëtimën e topave” -
Pas aneksimit të gadishullit ukrainas të Krimesë në Rusi në muajin mars, kryengritësit prorusë kanë marrë kontrollin e disa rajoneve në Lindje të Ukrainës duke shkaktuar një ndërhyrje të forcave luajaliste ukrainase dhe duke mundësuar në Moskë vendosjen në dyshim të legjitimitetit të zgjedhjeve të mbajtura nën ”oshëtimën e topave”.
Duke u rezervuar dhe frenuar për të shprehur nëse do të njohë rezultatin e zgjedhjeve, presidenti Vladimir Putin ka shfaqur së fundi një ton më të qetë duke pranuar se zgjedhjet do të shkojnë mirë.
Ekspertët e kanë interpretuar si një ndryshim toni duke treguar një taktikë që parashikon veçanërisht shmangien e sanksioneve të tjera perëndimore që mund të prekin jo më disa zyrtarë të lartë, por sektorë të ekonomisë ruse.
Konjuktura ekonomike është në fakt negative për Rusinë, hyrë në recesion sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), që parashikon rrjedhje të kapitaleve prej 100 miliardë dollarë (73 miliard euro) në vit dhe rënie të investimeve në një klimë pasigurie.
“Ekziston pikëpamja se Evropa nuk kërkon të vendosë sanksione shumë të rënda për Rusinë dhe Putini dëshiron të japë një argument për ata që vendosin sanksione”, shprehet Maria Lipman, analiste në Qendrën Carnegie, në Moskë.
“Kjo nuk do të thotë se Rusia mbështet zgjedhjet në Ukrainë… Ky është një kompromis, por ky bën vetëm pak diferencë.
Për analistët, taktika e Rusisë është gjithashtu mundësi për kryengritësit, të armatosur rëndë, për konsolidimin e kontrollit të tyre të rajoneve industriale në Lindje të Ukrainës.
- Objektiv afatgjatë -
Rusia konsideron se perëndimorët kanë drejtuar largimin e Viktor Janukovitçit dhe po mbajnë tashmë paqëndrueshmërinë në lindje të vendit me qëllim për të bërë të pamundur qeverisjen në Ukrainë për qeverinë pro-perëndimore”, sipas Maria Lipman.
“Objektivi i Rusisë është afatgjatë”, shtoi ajo dhe bëhet fjalë për vendosjen e një qeverie që mund të kontrollohet.
”Objektivi i saj afatshkurtër, aneksimi i Krimesë në Rusi, tashmë i përfunduar, Vladimir Putin mund ti lejojë vetes të jetë i duruar me pjesën tjetër të Ukrainës”, nënvizojnë ekspertët.
Popullariteti i presidentit rus ka arritur maja hiperbolike, stimuluar nga një valë patriotizmi e ushqyer nga media e kontrolluar nga Kremlini. Sipas një sondazhi në muajin prill nga qendra e pavarur e sondazheve Levada, 82 për qind e rusëve mbështesin presidentin.
Kremlini shpreson përveç të tjerave që Ukraina të jetë një shembull për ish-Republikat e tjera që mund të kërkojnë t’i  afrohen perëndimit, ashtu si lufta kundër Gjeorgjisë në vitin 2008 që ishte një reagim për përpjekjet e saj për t’iu bashkuar NATO-s.
Për ”International Crisis Group”, me bazë në Bruksel, Vladimir Putin, i cili ndjen një përgjegjësi për të luftuar atë që e konsideron si një dominim perëndimor dhe një rënie morale në Evropë, është shumë i vendosur për të vazhduar strategjinë e tij në Ukrainë. Edhe pse kjo nënkupton se për një gjeneratë të paktën, ukrainasit do ta konsiderojnë Moskën si një të plotfuqishme, fqinje të rrezikshme dhe jo një mike apo një aleate.  (Nga Michael Mainville)

Related

Top Lajm 7003268883009142702

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item