A do kthehen skuadrat e pushkatimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës?

Nga Regan Morris,  BBC Vdekjet me skuadra pushkatimi janë të rralla në SHBA- i fundit ekzekutim i tillë ndodhi katër vjet më parë në Utah. Q...

Nga Regan Morris, BBC


Vdekjet me skuadra pushkatimi janë të rralla në SHBA- i fundit ekzekutim i tillë ndodhi katër vjet më parë në Utah. Që prej atëherë, më shumë se 150 njerëz janë ekzekutuar me injeksione vdekjeprurëse.
I dënuari me vdekje, Ronnie Lee Gardner, zgjodhi skuadrën e pushkatimit si metodë ekzekutimi.
Më 17 qershor 2010, këmbët, krahët dhe koka e tij u lidhën pas një karrige metalike dhe katër plumba- të dalë nga armët e pesë snajperëve, një prej të cilëve kishte plumba manovër- depërtuan në trupin e tij përmes një shënjestre të vendosur në zemër.
Ishte një ekzekutim i shpejtë, por kritikët thanë se ishte barbari.
Por dështimi i një injeksioni vdekjeprurës në Oklahoma muajin e shkuar, ka risjellë në skenë diskutimet për skuadrat e vdekjes.
I dënuari për vrasje dhe përdhunim, Clayton Lockett ishte lidhur në krevat. Ilaçi i parë, pjesë e injeksionit me tre ilaçe, duhej ta qetësonte.
Por shikuesit u tronditën kur panë se Lockett ngriti kokën dhe më pas nisi të shtrëngonte dhëmbët dhe të përpëlitej.
Lockett vdiq nga një atak në zemër, 43 minuta pasi zyrtarët ndaluan marrjen e injeksionit.
Mbrojtësit e dënimit kapital thanë se Lockett mori atë që meritonte dhe vuajti më pak se viktimat e tij.
Por kundërshtarët thonë se ishte qartësisht rasti i një ndëshkimi mizor dhe të pazakontë, që ndalohet nga Kushtetuta amerikane.
Bashkimi Europian ka vendosur kontrolle strikte për eksportin e të tilla ilaçeve, për t’u siguruar që nuk do përdoren për ekzekutime në SHBA apo diku tjetër. Kjo ka bërë që të ketë mungesa të këtyre ilaçeve, që përdoreshin më parë për ekzekutimet.
Shtetet amerikane iu janë drejtuar kompanive farmaceutike për ilaçe të reja, që nuk janë dhe aq precize.
Aktivistët kundër dënimeve me vdekje thonë se këto ilaçe mund të shkaktojnë dështimin e ekzekutimit, si në rastin e Dennis McGuire, një i burgosur në Ohio, që vdiq pas 25 minutash. Një tjetër i dënuar tha se po e ndjente trupin teksa i digjej, ndërsa ilaçi kalonte në vena.
Tani disa ligjvënës janë duke propozuar rikthimin e metodave të tjera të ekzekutimit, në mënyrë që të vazhdojnë dënimet me vdekje.
“E kuptoj që mund të duket e ashpër,” tha kongresmeni nga Oklahoma, Mike Christian për gazetarët pas vdekjes së Lockett.
“Por si baba dhe njeriu i ligjit, nuk më bëhet vonë nëse është injeksion vdekjeprurës, karrige elektrike, skuadër pushkatimi, varje, gijotinë apo nëse ia hedhin luanëve për ushqim”.
Në Oklahoma është e ligjshme që të përdoren skuadrat e pushkatimit si metodë rezervë për ekzekutimit, por injeksionet vdekjeprurëse duhen deklaruar si të paligjshme nga shteti ose gjykatat federale.
Edhe në Missouri është duke u marrë në konsideratë rikthimi i skuadrave të pushkatimit.
“Kjo nuk është një përpjekje për t’u rikthyer në vitet 1850 apo në perëndimin e egër,” tha kongresmeni nga Missouri, Rick Brattin. “Por unë parashikoj një problem dhe duhet të gjejmë një zgjidhje, që duhet të jetë humane, por edhe ekonomike”.
Një ligj i ngjashëm është rrëzuar nga ligjvënësit në Wyoming.
Që pas Luftës Civile ka pasur vetëm tre vdekje me skuadra pushkatimi në SHBA- të gjitha në Utah. Shteti e shpalli të paligjshme diçka të tillë në vitin 2004, por mbetet si opsion për ata pak të dënuar me vdekje, vendimi për të cilët është dhënë përpara se ndalimi të bëhej ligj.
Richard Dieter, drejtor ekzekutiv i Qendrës për Informacion për Dënimet me Vdekje, tha se debati për rikthimin e skuadrave të pushkatimit është një teatër politik.
Ai thotë se një gjë e tillë duket e pamundur.
Franklin Zimring, një pedagog i drejtësisë penale në Universitetin e Kalifornisë, beson se shtetet do kenë probleme për të gjetur njerëz për skuadrat e pushkatimit.
“Është një ngarkesë shumë e madhe të marrësh përsipër diçka të tillë. Ne kemi probleme për të gjetur njerëzit që injektojnë ilaçin vdekjeprurës, jo më për të gjetur tetë njerëz që do qëllojnë në të njëjtën kohë. Do bëhej një çështje e sekretit shtetëror,” tha ai.
“Shumë pak familje do donin që fëmija e tyre të ishte ekzekutues”.
Ekzekutimi i radhës në SHBA është planifikuar për 21 maj në Missouri.

Related

Shtypi i huaj 7069709877750506487

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item