Teknologjia e Lirisë së Emocioneve
“Një teknologji mjekësore, që zbatohet nga vetë pacienti dhe që realizon lidhjen ndërmjet trupit e mendjes, si dhe largimin brenda disa minu...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/01/teknologjia-e-lirise-se-emocioneve.html
“Një teknologji mjekësore, që zbatohet nga vetë pacienti dhe që realizon lidhjen ndërmjet trupit e mendjes, si dhe largimin brenda disa minutave të qindra emocioneve negative dhe shqetësimeve trupore”Intervistë me prof. dr. Xhelo SULO
Autori i librit: “Si të vetëshërohemi nga emocionet negative”
Pyetje: A mund ta përkufizoni shkurtimisht se çfarë përfaqëson e ashtuquajtura Teknologjia e Lirisë së Emocioneve?
Përgjigje: Teknologjia e Lirisë së Emocioneve ose shkurt TLE-ja, përfaqëson një metodologji të re mjekësore që zbatohet gjerësisht gjatë dekadës së fundit, që shëron pa ilaçe, pa injeksione, pa masazhe, pa prerje etj. Një emër alternativ i saj, mund të ishte: “Psiko-Terapia Alternative” ose “Psikologjia e Energjisë”.
TLE-ja bazohet në trokitjen apo goditjen metodike me gishta, në disa pika strategjike të trupit të njeriut nga vetë “pacienti” (në një numër rastesh edhe nga “specialisti”), proces ky që zgjat rreth 3 minuta. Shërimi, në shumicën absolute të rasteve, arrihet për rreth 5 minuta pas trajtimit.
TLE-në e përshkon ideja e mësimit të njerëzve për t’u vetëmjekuar dhe vetëshëruar nga një grup i madh sëmundjesh emocionale, si dhe nga disa dhimbje trupore.
Metoda në fjalë mund të mësohet dhe zbatohet lehtë nga nxënësit, studentët, mësuesit, trajnerët, si dhe nga të gjithë qytetarët që dëshirojnë ta mësojnë dhe përdorin atë, pavarësisht nga profesioni i tyre.
Autorët e teknologjisë në fjalë theksojnë se, “bota ndodhet para një shërimi të madh”.
Pyetje: A mund të shpjegoni se, kush e zhvilloi TLE-në dhe kur?
Përgjigje: Sigurisht. Një shkencëtar amerikan, dr. Geri Kreig (Gary Craig), e ideoi këtë teknologji shërimi rreth vitit 1993, por ajo u bë e njohur, sidomos gjatë dhjetë vjetëve të fundit.
Parimi themelor i TLE-së është se: “shkaku i të gjitha emocioneve negative është një prishje ose një përçarje që ndodh brenda sistemit të energjisë së trupit”.
Dr. Kreig e përcakton TLE-në si një zbulim të fuqishëm deri të jashtëzakonshëm, i cili kombinon mjekësinë e mendjes-trupit me mjekësinë agopunkturore, që njihet ndryshe si agopunktura kineze. Ajo është një produkt i përkryer, që ka rrjedhur nga kombinimet ndërmjet mençurisë së kohës së lashtë dhe shkencës së kohës moderne.
Nga mjekësia agopunkturore mësojmë se: “kur njeriu është i shëndetshëm, energjia lëviz nëpër trup pa pengesa, pa bllokime, pa mbyllje rruge”. Lëvizja normale e energjisë bën të mundur që, ajo të jetë në “harmoni”, në “ekuilibër” ose në “balancë”, te secila pjesë e trupit.
Kur rryma e energjisë bllokohet, zhvillohet “disbalanca” dhe shfaqet sëmundja. Rezulton që “balanca” është “shëndeti”, kurse “disbalanca” është “sëmundja”.
Pyetje: Si mundet që një metodologji shërimi kaq e gjerë, mund të mësohet dhe zbatohet nga vetë qytetarët, që mund të jenë: shkollarë, studentë, sportistë etj.?
Përgjigje: Procesi i të mësuarit të TLE-së ngjason me procesin e të mësuarit të makinës nga njëra anë, si dhe me procesin e të mësuarit të drejtimit të saj nga ana tjetër.
Të mësuarit e makinës kërkon vite, të mësuarit e drejtimit të makinës kërkon disa ditë.
Edhe TLE-ja, megjithëse është një metodologji tërësisht mjekësore e thellësisht shkencore, zbatimi i saj mund të mësohet shumë shpejt, brenda disa ditëve.
Metodologjia e TLE-së është e lehtë në të kuptuar, e thjesht në të mësuar dhe tepër e thjeshtë në të zbatuar. Prandaj slogani qendror i saj është: “Mëso të shërosh veten, mëso tjetrin të vetëshërohet”.
Ideatori i TLE-së ka përdorur dijet e tij në dobi të thjeshtëzimit të saj. Për ta formuluar atë në formën më të thjeshtë të mundur, ai është udhëhequr pikërisht nga slogani në fjalë.
Prirja e thjeshtëzimit pa kaluar në thjeshtim, për sa i përket transmetimit dhe përdorimit të dijeve, është karakteristikë pozitive e kohëve moderne. Çdo ditë, ne shohim mësuesit/pedagogët që i përdorin dijet te studentët e tyre, mjekët që përdorin dijet te pacientët e tyre, trajnerët që i përdorin dijet te sportistët e tyre, si dhe prindërit te fëmijët e tyre, në një nga format ose mënyrat e thjeshtëzimit.
Të gjithë mund dhe duhet të synojnë thjeshtëzimin e mësimeve dhe teknikave, në mënyrë që njerëzit t’i kuptojnë ato lehtë dhe t’i përdorin pastaj vetë, duke i shërbyer vetvetes.
Pyetje: Cili është mekanizmi i këtij shërimi të madh, me pak fjalë?
Përgjigje: Mekanizmi i këtij shërimi të madh dhe të shpejtë lidhet me fenomenet elektrike në trupin tonë dhe me rivendosjen e balancës së prishur në sistemin e energjisë. Ekzistojnë shumë arsye dhe shkaqe që prishin balancën e energjisë në trup dhe përçajnë rrjedhën e lëvizjes së saj.
Gjendjet e ndryshme emocionale të tilla si, stresi i tepruar, shqetësimi/meraku, zemërimi/inatosja, frika/frikësimi, hidhërimi/pikëllimi/brengosja, vuajtjet shpirtërore etj., janë disa nga emocionet negative që prishin rrjedhën e rrymës së energjisë, duke krijuar në tru vatra të “ngecjes ose përçarjes” së rrymës së energjisë.
Nëpërmjet TLE-së, ne adresohemi te truri, pikërisht te pika e përçarjes së rrymës së energjisë, duke e riparuar atë “defekt”.
Pas kësaj p.sh., zemërimi ndaj dikujt kthehet në objektivitet, kthehet në zemërgjerësi, hidhërimi ndaj vdekjes së një njeriut të dashur kthehet në qetësim etj.
Lidhur me këtë, dr. Geri thekson se: “Fakti që TLE-ja prodhon shërimin e shpejt të problemeve emocionale, përfshi dhe nga më të vështirët në dukje, tregon se ajo përfaqëson tashmë ‘ilaçin e vërtetë’ për trajtimin e tyre...”
Pyetje: Si mund të përcaktohet një emocion negativ?
Përgjigje: Emocioni është një eksperiencë psiko-fiziologjike komplekse e mendjes së njeriut, që shfaqet si rezultat i bashkëveprimit midis influencave biokimike të mjedisit të brendshëm dhe influencave të ndryshme të mjedisit të jashtëm.
Njeriu mban në vetvete bagazhin e përhershëm të emocioneve të tij. Emocionet në përgjithësi e bëjnë jetën e njeriut më reale dhe me më kuptim.
Emocioni lidhet fort me: gjendjen shpirtërore (humorin, mërzinë), temperamentin, personalitetin, predispozimin (gatishmërinë), si dhe me motivimin (arsyen).
Motivimet aktivizojnë mënyrën e sjelljes, kurse emocionet aktivizojnë pjesët cilësore të motivimit, “negative” ose “pozitive”. Mbi këtë bazë, emocionet mund të ndahen në dy grupe: grupi i emocioneve negative dhe grupi i emocioneve pozitive.
Kur themi “emocione negative”, kemi parasysh problemet që prishin ritmin e jetës sonë, si p.sh.: ritmin e punës, gjumit, oreksit, mendimit, përqendrimit, humorit, gëzimit etj., etj.
Thuhet se, rreth 85% e sëmundjeve tona trupore, shkaktohen nga emocionet negative kronike, si dhe shërimi sistematik i emocioneve shkakton shërimin e thelluar të trupit.
TLE-ja ka lindur pikërisht, si metodika që largon emocionet negative dhe hap rrugën e dominimit të emocioneve pozitive dhe të shëndoshjes së psikologjisë individuale, në dobi të rritjes së cilësisë së jetës së secilit.
Pyetje: A mund të specifikoni disa nga emocionet negative që mund të “goditen” nëpërmjet TLE-së?
Përgjigje: Nëpërmjet TLE-së mund të arrihet çlirimi nga: zemërimet, brengat, vetëdyshimet, vetëkundërshtimet, pikëllimet e forta nga humbja e njeriut të dashur, pikëllimet e forta nga humbja e dashurisë së dikujt, kujtimet e këqija nga rrëmbimet, përdhunimet dhe format e tjera të abuzimit.
Nëpërmjet saj gjithashtu, mund të arrihet çlirimi nga: format e ndryshme të anktheve, pasionimeve (si pirja e duhanit, pirja e alkoolit, tejngrënia, mbipesha etj.), manitë, ndrojtjet, frikësimet, pasiguritë, dyshimet, depresionet, vetëfajësimet etj.
Në të gjitha këto diagnoza, TLE-ja mund të ndryshojë në mënyrë dramatike të shikuarit dhe të kuptuarit e botës, rrjedhimisht dhe jetën e njeriut.
Shumica e problemeve emocionale negative, sikurse e theksuam dhe më parë, shuhet dhe zhduket brenda pak minutave. Shuarja e shpejtë e tyre arrihet sidomos, kur pacienti ka pak probleme që lidhen me ngjarjet negative të jetës së tij.
Disa probleme duan një kohë pak më të gjatë, që mund të shkojë në 2-3 seanca të shkurtra.
Disa probleme më të vështira kanë prirje të kërkojnë disa ditë ose disa javë. Për fat të mirë, rastet e vështira janë shumë të rralla.
Pyetje: A mund të thoni (më shumë për kuriozitet), se sa mund të arrijë numri i emocioneve negative që goditin mendjen dhe trupin e një pacienti?
Përgjigje: Në një nga seminaret që dr. Geri zhvillonte shpesh për trajnimin e qytetarëve me teorinë dhe praktikën e TLE-së, u kërkoi pjesëmarrësve (që shumica ishin gra), që të shkruanin në një fletë të bardhë, të gjitha emocionet negative që ndiente secila te vetvetja.
Pas një ore, ai ndalon te tavolina e fundit e klasës, ku një zonjë vazhdonte të mbushte fletën e saj me emrat e problemeve emocionale, dhe e pyeti atë: Zonjë, sa ka arritur numri rendor te lista e juaj?
Ajo u përgjigj: Doktor, ka arritur te 50-a, por nuk ma merrte kurrë mendja se vuaja nga kaq shumë emocione të këqija. Dr. Geri, për t’i dhënë asaj kurajë, por edhe për të treguar një të vërtetë, tha:
Zonjë e nderuar, Ju jeni me fat, sepse lista e zonjës që ndodhet te tavolina e kreut, pak çaste më parë, kishte arritur te 270-a.
Pyetje: Si mundet që një metodë e vetme të adresohet si metodë shëruese, te një numër i madh problemesh?
Përgjigje: Përgjigjen e kësaj pyetje e jep vetë parimi kryesor i TLE-së. Sikurse u theksua më sipër, ai parim na mëson se: “shkaku i të gjitha emocioneve negative, është një përçarje ose një disbalancë që ndodh në sistemin e energjisë së trupit”. Pra, të gjitha problemet emocionale kanë të njëjtën rrënjë shkakësore, janë me një emërues të përbashkët.
Në këtë kuadër, të gjitha problemet emocionale dhe shqetësimet fizike të njeriut, mund të normalizohen, duke balancuar sistemin e energjisë së trupit, me ndihmën e TLE-së.
Tashmë dihet që, truri “ruan” të gjitha eksperiencat ose kujtimet tona, pozitive dhe negative, njëkohësisht.
Kur ne jemi duke zbatuar “goditje” në pikat energjetike të trupit, jemi duke “zgjuar” pikërisht kujtimet negative në ruajtje, që kanë bllokuar rrjedhjen e rrymës së energjisë për gjatë meridianëve të trupit.
Pas balancimit të sistemit të energjisë, depresioni apo shqetësimi largohet, ankthi neutralizohet dhe dhimbja fizike lehtësohet. Kësisoj, organizmi shkon menjëherë te shëndeti, urtësia, paqja, dashuria, gëzimi etj.
Pyetje: A ka ndonjë kundërpërdorim ose kundërindikim në përdorimin e TLE-së?
Përgjigje: Jo. TLE-ja është një metodë: e sigurt në të shëruar, e lehtë në të mësuar dhe pa asnjë problem në të dëmtuar. Ajo shëron shumëkënd dhe nuk dëmton askënd.
Kjo nuk do të thotë se ju p.sh., nuk mund të provoni asnjëherë ndonjë efekt anësor. Si efekt anësor, deri tani njihet vetëm një lloj lodhjeje ose përgjumjeje minimale dhe rastësore, që mund të shfaqet te pacienti pas zbatimit të TLE-së.
Megjithatë, në qoftë se synoni të përdorni këtë teknologji, ju duhet të pranoni marrjen përsipër të të gjitha përgjegjësive, në drejtim të rezultatit të trajtimit dhe mirëqenies suaj fizike dhe emocionale.
Ndërkohë, nëse dëshironi, ju mund të konsultoheni edhe me ndonjë specialist të TLE-së, në kontakt të drejtpërdrejtë ose nëpërmjet të ashtuquajturës “Telemjekësia”.
Pyetje: Si shpjegohet që, kjo metodologji e thjeshtë prodhon një shërim kaq të madh?
Përgjigje: Shumë njerëz që kanë përdorur TLE-në, thonë të njëjtën gjë. Ata me habi, pyesin shpesh: “Si ka mundësi që, një diçka kaq e thjeshtë të krijojë këtë përmirësim kaq të madh tek unë”.
Të tjerë theksojnë se: “TLE-ja qëndron vërtet brenda emrit që ka dhe brenda asaj që bën”.
Tashmë dihet gjerësisht se, TLE-ja prodhon rezultate mjekësore të habitshme. Madje, ajo vazhdon të habitë ende autorët e saj, megjithëse janë duke e zbatuar atë prej vitesh.
Ndërkohë, autorët e TLE-së theksojnë se, ndodh që një person i shëruar mund të harrojë intensitetin e dhimbjeve që kishte para shërimit. Madje, pas një kohe ata mendojnë se, ndjesia ose gjendja më e mirë e tyre nuk kishte të bënte me “goditjen e pikave strategjike” të trupit.
Kjo veçori e psikologjisë së njeriut është konstatuar disa herë nga autorë të ndryshëm. Atë e kam konstatuar edhe unë tek ime shoqe. Megjithëse dhimbja në qafë dhe te njëra shpatull e mundonte keqas atë prej kohësh, por që u zhduk menjëherë pas seancës së parë të TLE-së, tani pas afro dy vjetëve pa dhimbje, më thotë për dhimbjen e dikurshme se: “nuk ishte kushedi se çfarë”.
Prandaj thuhet se, ndërsa shëndeti dhe mirëqenia shkojnë para, ish-pacientit nuk bie në mend se sa i trishtuar, brengosur, mjeruar, shqetësuar, nervozuar ose izoluar ndihej dikur.
Pyetje: Çfarë mund ta pengojë funksionimin e TLE-së?
Përgjigje: Përcaktimi më i përgjithshëm është se: “TLE-ja funksionon te të gjithë njerëzit që marrin frymë”.
Ndërkohë, ka raste që, pacienti nuk e vendos problemin emocional fiks në “shënjestrën” e TLE-së, por e drejton atë në mënyrë shumë globale. Në këto kushte, TLE-ja nuk mund të godasë në shenjë dhe rrjedhimisht, shërimi nuk arrihet.
Në raste të tjera, për shkak të konsumit të ushqimeve me përmbajtje kimikatesh apo për shkak të përdorimit të vazhdueshëm të parfumeve, deodorantëve, sapunëve etj., ose të frymëmarrjes në mjedise me ajër të ndotur keq nga tymrat që nxjerrin autoveturat, kamionët, oxhakët industrialë etj., mund të ndodhë i ashtuquajturi “helmimi i energjisë” individuale të trupit.
Në kushtet e një energjie të helmuar, ndodh një lloj reaksioni alergjik e rrjedhimisht, shfaqet frenimi i efektit shërues të TLE-së ose mosfunksionimi i saj.
Pavarësisht nga kjo, specialistët e kualifikuar të TLE-së, janë të aftë të dallojnë dhe neutralizojnë këto reaksione, si dhe të mundësojnë efektin e pritshëm të shërimit.
Në parim, TLE-ja mundëson një sukses shërimi 100%, por shkalla e suksesit në praktikën e gjerë, ku përfshihen edhe specialistët fillestarë të saj, aktualisht luhatet në masën rreth 85%.
Pyetje: Si vepron TLE-ja në problemet emocionale që ekzistojnë prej dekadash apo që janë me natyrë të trashëguar?
Përgjigje: Lidhur me këtë pyetje, mund të themi se: TLE-ja lehtëson simptomat e cilitdo problemi, pavarësisht nga kohëzgjatja, shkaku ose historia familjare e tij.
Kohëzgjatja e problemit duket se, nuk lidhet as me numrin e nevojshëm të seancave të TLE-së dhe as me rezultatin përfundimtar të tyre. Për TLE-në, kohëgjatësia e problemit dhe intensiteti i tij, janë të parëndësishme.
Pyetje: Sa mund të zgjasë një trajtim ose një mjekim me TLE-në?
Përgjigje: Është e vështirë të parathuhet se, kur përfundon trajtimi për secilin rast të veçantë, por nga ana tjetër, mund të deklarohet se: në qoftë se TLE-ja përdoret teknikisht në mënyrë korrekte dhe nëse ajo “shenjestrohet” pikërisht në “zemrën” e problemit shqetësues, gjendja e shëruar zakonisht, vazhdon shumë gjatë.
Me fjalë të tjera, nëse një specialist godet me TLE-në “zemrën” e problemit shqetësues, shërimi me karakter afatgjatë, është një standard i garantuar.
Pyetje: A mundet që TLE-ja të përdoret në fëmijët?
Përgjigje: Po, edhe me rezultate shumë të mira. Meqenëse fëmijët, në pikëpamje nervore, janë më pak vendimmarrës se të rriturit, tek ata nuk është i domosdoshëm orientimi i brendshëm i sistemit të energjisë së trupit.
Kjo rrethanë, e ndihmon procesin e balancimit të energjisë të kryhet në mënyrë sa më lirisht dhe sa më natyralisht. Prandaj thuhet se, “TLE-ja te fëmijët është shumë e sigurt dhe shumë efektive”.
Në javët e ardhme, unë mund të përgatis për gazetën tuaj aspekte të tjera të TLE-së, përfshi dhe atë te fëmijët. Sidoqoftë, kohët e fundit janë publikuar shumë studime për zbatimin e TLE-së te fëmijët. Për t’u njohur sado pak me këta studime, mund të klikohet në adresat: (http://www.emofree.com/.)(http://www. EFT in children).
Pyetje: Përse TLE-ja është e prirur të fokusohet kaq shumë te negativja? Mundet TLE-ja p.sh., të më dëmtojë mua?
Përgjigje: Në mënyrë që TLE-ja të funksionojë, duhet fillimisht që ju të akordoni veten tuaj me problemin ose shqetësimin tuaj, d.m.th. vetëdija nga njëra anë dhe problemi shqetësues nga ana tjetër, të vendosen në një vijë ose në ujdi nervore.
Për shembull, ju keni disa shqetësime, ankthe, tharje goje etj. Vendosja e vetëdijes në një vijë nervore me problemin shqetësues, i jep mundësi TLE-së të “shenjestrohet” saktësisht te vatra nervore e shqetësimit dhe të qëllojë në shenjë problemin, ta neutralizojë atë.
Për një studim të hollësishëm të këtyre aspekteve, mund të klikohet në adresat:
Pyetje: Çfarë duhet të kem parasysh unë p.sh., kur vendos të trajtoj veten time me anën e TLE-së?
Përgjigje: Së pari, ju dhe cilido person tjetër i vullnetshëm, mund të vetëmjekohet me anën e TLE-së, madje me mundësi të madhe shërimi ose me një normë të lartë suksesi.
Së dyti, në qoftë se ju apo të tjerët, jeni vërtet besimplotë dhe plotësisht të motivuar për TLE-në, ndiheni të qetë në kuptimin emocional dhe i gjykoni mirë problemet që adresoni tek ajo, ju sigurisht do të keni sukses të plotë, në drejtim të asaj që kërkoni dhe prisni të arrini.
Sigurisht, shumë njerëz e kanë të domosdoshëm që të konsultohen me ekspertët e vërtetë të TLE-së, në dobi të një vetëmjekimi të suksesshëm, edhe për të ashtuquajturit “raste të vështira”.
Pyetje: Si mundet një lexues të gjejë më shumë informacion ose një informacion sa më të plotë për këtë teknologji shërimi dhe sidomos për metodikat e trajtimit të emocioneve negative e dhimbjeve trupore?
Përgjigje: Autori i këtyre radhëve ka botuar dhe hedhur në qarkullim librin e parë në këtë fushë, të cilin e ka emëruar: “Si të vetëshërohemi nga emocionet negative-Teknologjia e Lirisë së Emocioneve”.
Pas shfrytëzimit të këtij botimi, të interesuarit mund të gjejnë qindra artikuj plotësues dhe manualë të ndryshëm për TLE-në dhe psikologjinë e energjisë, që janë në shitje nëpërmjet internetit. (http://www.emofree.com)
Pyetje: Profesor, a keni ndonjë apel, këshillë ose dëshirë, për të theksuar tani në përfundim të kësaj interviste?
Përgjigje: Pokam një dëshirë dhe ajo është: “Dëshiroj të shikoj mësimin dhe zbatimin e TLE-së edhe në shkollat dhe klinikat e vendit tonë, ashtu si në qindra vende të tjera të botës”.Për të arritur te ky progres, mund të ndiqen dy ose tre strategji të thjeshta.
Duke mësuar këtë teknologji dhe duke e zbatuar atë te vetvetja, secili akumulon provat dhe përvojat që i duhen.
Gazetari: Profesor, unë dëshiroj t’ju falënderoj për kohën dhe përqendrimin që përdorët me mua. Besoj se, praktikuesit e ardhshëm të TLE-së, si dhe terapistët e tjerë të energjisë, do të gjejnë te puna e juaj shpërblimin dhe përfitimin e pasionit, humanizmit dhe praktikës së tyre.
Libri juaj: “Si të vetëshërohemi nga emocionet negative-Teknologjia e Lirisë së Emocioneve”,që tashmë keni botuar dhe është vënë në qarkullim, uroj të prodhojë sa më shumë shëndet dhe lumturi në familjet shqiptare.
Përgjigje: Ju falënderoj shumë për intervistën e këndshme, si dhe bashkohem me urimin tuaj: “Për më shumë shëndet dhe lumturi në familjet shqiptare”.