Pyetje pa përgjigje dhe përgjigje pa pyetje
A duhet të heqim dorë nga zakoni i të pyeturit? A do të ishte njëlloj njerëzore një botë që nuk ngre pyetje? Shumë besojnë se aftësia për t’...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/01/pyetje-pa-pergjigje-dhe-pergjigje-pa.html
A duhet të heqim dorë nga zakoni i të pyeturit? A do të ishte njëlloj njerëzore një botë që nuk ngre pyetje? Shumë besojnë se aftësia për t’u habitur dhe për të pyetur përbën themelin e ekzistencës
Filozofi
Nga Roger Scruton
Nëse pyes veten çfarë na bën njerëzorë, një përgjigje më del natyrshëm, ndonëse nuk është përgjigjja e vetme, është në një farë mënyre e shtyrë nga vetë pyetja. Ajo që na bën njerëzorë, është fakti se ne bëjmë pyetje.
Të gjithë kafshët kanë interesa, instinkte dhe koncepte. Të gjitha kafshët kanë një ide përkufizuese për botën në të cilën jetojnë. Por vetëm ne, ngremë pyetje rreth gjërave që na rrethojnë. Vetëm ne refuzojmë të përcaktohemi nga bota ku jetojmë, por në vend të kësaj përpiqemi ta përkufizojmë vetë natyrën tonë.
Historia intelektuale e species sonë është në një masë të madhe e përcaktuar prej kësaj përpjekjeje. A jemi ne kafshë si të tjerët? A kemi shpirtra ashtu siç kemi trupa? A jemi të lidhur në rendin e gjërave me engjëjt, demonët dhe zotat?
E gjithë filozofia, të gjitha shkencat, të gjitha artet dhe të gjitha fetë që ia vlejnë të përmenden, fillojnë me një pyetje. Kjo sepse ne kemi dyshime përse jeta njerëzore është kaq kënaqësi-prurëse dhe njëkohësisht kaq shqetësuese.
Jo të gjitha pyetjet kanë një përgjigje. Në matematikë dhe shkencë ne i zgjidhim problemet, po ashtu sikurse i krijojmë. Por në art dhe në filozofi, gjërat nuk janë kaq të thjeshta. Monologu i shkëlqyer i Hamletit fillon me vargun “Të jesh a të mos jesh, kjo është çështja!” I gjithë roli më pas vërtitet rreth kësaj pyetjeje.
Do të ishte më mirë të mos ekzistosh? A ka ndonjë gjë në jetën njerëzore që ia vlen? Kur ballafaqohemi me shkallën e tradhtisë njerëzore, ne biem në shpërfillje të plotë ndaj species sonë. A ka ndonjë mendim, perceptim, argument apo bindje ndaj ndonjë autoriteti më të lartë që do të kthente dëshirën për të jetuar?
Kur analizoj artistë të mëdhenj të së shkuarës, jam shpesh i habitur sesi puna e tyre ka evoluar në kuadër të përgjigjes së një pyetjeje. Poeti Xhon (John) Milton e pyeti veten se si bota me të meta në të cilën jetonte, mund të ishte punë e një Zoti superior dhe përgjigjja e tij ishte Paradise Lost.
Bahu (Bach) e pyeti veten se sa variante rrjedhin nga lëvizjet themelore në muzikë dhe përgjigjja e tij ishte The Art of Fugue (Arti i Fugës).
Rembrandt pyeti veten se si shpirti shfaqet në mish dhe çfarë tregojnë dritat dhe sfondet për trupat tanë dhe përgjigjja e tij ishin seritë e jashtëzakonshme të autoportreteve. Në art është pyetja ajo që ka shumë rëndësi dhe për të cilën bëhet vepra.
Poema e Miltonit shtron pyetjen e lidhjes së njeriut me Zotin në qendër të vetëdijes sonë. Ajo nuk i përgjigjet pyetjes, por në vend të kësaj krijon çudi dhe frikë ndaj saj. Çudia dhe frika janë dieta e një artisti dhe pa to bota do të ishte më pak kuptimplotë nga ç’është tani.
E njëjta gjë është e vërtetë për filozofinë. Pavarësisht se ekzistojnë filozofë që japin përgjigje, zakonisht janë pyetjet dhe jo përgjigjet, ato që mbijetojnë prej tyre. Platoni pyeti se si ka mundësi që ne mendojmë rreth pronësisë së të kuqes dhe jo rreth gjërave të kuqe. Si munden mendjet e fundme njerëzore të fitojnë qasje në realitetet universale? Pyetja e Platonit është akoma me ne sot, ndonëse përgjigjja e tij pranohet nga shumë pak njerëz.
Aristoteli pyeti sesi mund të ekzistojë koha dhe ndryshimi në një univers të përcaktuar. Përgjigjja e tij është shumë pak e vërtetë sot, ndërsa pyetja sesi mund të ekzistojë koha, ndryshimi, procesi dhe të bërit, në një botë që mund të ketë qenë gjithnjë e njëjta, vazhdon akoma të mundojë mendje.
Kanti pyeti sesi munden qeniet njerëzore, që janë pjesë e rregullit natyror, t’i dedikohen një gjëje në vend të një tjetre, si mund të marrin përgjegjësi për vendimet e tyre dhe të pranojnë pasojat që sjellin ato.
Kanti ishte i vetëdijshëm se pyetja shtrihej përtej kapacitetit tonë për t’u përgjigjur. Por meqë e bëmë këtë pyetje, sipas Kantit ne nuk e kuptojmë në të vërtetë gjendjen tonë.
Në manastiret, libraritë dhe gjykatat e Europës mesjetare, pyetje të mëdha janë debatuar vazhdimisht. Njerëz u dogjën në furrën e druve për pyetjet e tyre dhe të tjerë kaluan toka e dete për të ndëshkuar njerëzit që jepnin përgjigje.
Gjatë Rilindjes dhe Iluminizmit, pyetje të mëdha u shtruan dhe morën përgjigje dhe përsëri vdekja e shkatërrimi ishin përfundimi, ndërkohë që ndodhnin luftërat fetare të shekullit 16, 17 dhe Revolucioni Francez.
Komunizmi dhe fashizmi filluan të dy si pjesë e një filozofie, të dy premtuan përgjigje për të dhënë shpjegim ndaj pyetjeve të ngritura dhe të dy çuan drejt masakrave të mëdha.
Natyra jonë si qenie pyetëse duket se ka një kosto të madhe. Dhe mbase ne nuk jemi më të përgatitur për ta paguar atë. Sigurisht nëse shohim rreth vetes sot, do të hasim një shumicë përgjigjesh të bëra gati dhe shumë pak përpjekje që i justifikojnë ato përkufizime.