KUR ÇEKET DASHURONIN SHQIPTARËT
Marketa Hejkalová/ Ish-diplomatja dhe shkrimtarja e njohur çeke sjell në një roman historitë e dashurive të vajzave çeke me djemtë nga Kosov...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/01/kur-ceket-dashuronin-shqiptaret.html
Marketa Hejkalová/ Ish-diplomatja dhe shkrimtarja e njohur çeke sjell në një roman historitë e dashurive të vajzave çeke me djemtë nga Kosova/ Çfarë solli komunizmi në ish-Çekosllovaki dhe ndryshimi me të cilin përballen sot vendet që janë ndarë nga konfliktet e së shkuarës dhe një kritikë për diplomacinë që bëhet sot…
Alda Bardhyli
Në Çekosllovakinë komuniste, shumë vajza ëndërronin të martoheshin me të huaj, pasi kështu mund të largoheshin nga vendi i tyre. Pjesa më e madhe e tyre ëndërronte një perëndimor, por kishte dhe nga ato që e shihnin ish-Jugosllavinë si një zgjedhje. E tillë ishte Jolana, personazhi i romanit “Një kosovar në jetën time” i shkrimtares dhe ish-diplomates çeke Marketa Hejkalová. Ajo u njoh me një djalë nga Kosova dhe ra në dashuri me të, pa e kuptuar se rruga për të shpëtuar nga atdheu i saj kishte qenë rruga drejt dashurisë. Por në rrugëtimin e saj për të treguar këtë histori, Hejkalová gërsheton historinë e dashurisë, me histori të fateve shtetërore dhe diplomatike, duke sjellë intrigat që bëhen në vendet që sapo kanë dalë nga histori luftërash apo tranzicioni. Libri është botuar në Kosovë nga shtëpia botuese “OM” dhe do të ketë prezantim gjatë ditëve të Panairit të Librit. Marketa Hejkalová është shkrimtare, përkthyese, botuese, nënkryetare e PEN Qendrës në Çeki, anëtare aktive e PEN-it ndërkombëtar dhe themeluese e Panairit Vjeshtor të Librit, që është panairi i dytë më i madh në Çeki. Ka studiuar finlandisht dhe rusisht në Charles University në Pragë. Ka punuar si këshilltare dhe atashe kulturore në Ambasadën Çeke në Helsinki. Nga viti 2009, ka punuar në Ministrinë Çeke të Punëve të Jashtme. Ajo ka shkruar romane, tregime dhe libra publicistikë, të cilët janë përkthyer në disa gjuhë. Disa nga veprat e saj janë: “Gjithmonë një natë”, “Magjistari i Pekinit”, “Dëshmi nga jeta e saj” (për lexuesin tonë: Një kosovar në jetën time) etj.
“Një kosovar në jetën time”. Pse ky titull?
Ky është titulli shqiptar i romanit tim, i cili u vendos nga botuesi i“OM” Xhejmal Avdyli. Titulli i librit në origjinal në çekisht është “Dëshmi nga jeta e saj”. Titulli në shqip, që mua më pëlqen shumë, shpreh më mirë dhe linjën kryesore të romanit, që është një histori dashurie. Diku nga fundi i viteve 1980, apo 1988-1989 një grua e re çeke Jolana, takon një djalë të ri (Zamirin) nga Kosova, atëherë pjesë e ish-Jugosllavisë. Nga lidhja e tyre lind një fëmijë. Në roman historinë e tyre e tregojë pas shumë vitesh nga koha e dashurisë. Lexuesi deri në fund të librit nuk është i sigurt se e kujt është kjo histori dashurie, pasi shumë gra çeke kanë rënë në dashuri me burrat nga Kosova. Historia e dashurisë e gruas çeke me burrin kosovar nuk është linja e vetme e romanit, edhe pse ajo është më tërheqësja, dhe besoj do ngjallë shumë kureshtje tek lexuesi në Shqipëri apo Kosovë. Djali kosovar është një personazh pozitiv në libër. Ai e shpëton gruan çeke duke i qëndruar pranë në një moment të dëshpëruar të jetës së saj.
Në fakt, libri ka dhe linja të tjera, në njërën prej të cilave ju jeni kritike ndaj diplomacisë që bëhet sot?
Por historia e dashurisë është vetëm njëra nga linjat e librit, pasi janë dhe dy linja të tjera që shpresoj të jenë po kaq interesante. Linja e dytë është diplomacia dhe Bashkimi Europian, pasi Jolana martohet me një diplomat çek. Gjatë kohës së komunizmit ai kishte studiuar diplomaci në Moskë dhe ishte një komunist. Ai punoi në diplomaci dhe pas revolucionit të vitit 1989. Kur Çekia u bë pjesë e Bashkimit Europian, ai punoi në Bruksel.
Në këto faqe të librit, jam mjaft kritike dhe ironike për disa diplomatë çekë por edhe të Bashkimit Europian. Problemi me disa diplomatë çekë, por jo vetëm çekë, që kanë studiuar në Moskë është se ata ishin komunistë dhe për më tepër ata nuk e kuptonin plotësisht se ata do të përfaqësonin interesat e vendit tonë, Çekisë. Gjatë periudhës së komunizmit, ata përfaqësonin interesat e Bashkimit Sovjetik, ndërsa tani shumë prej tyre përfaqësojnë interesat e Bashkimit Europian, Brukselit, e jo interesat e Pragës.
Ata nuk mendojnë rreth kësaj çështje nëse është vërtet e dobishme për njerëzit në Çeki e vendet e tjera të BE-së. Shumë zyrtarë të BE-së nuk mendojnë rreth shteteve në vetvete, kombeve dhe jetëve të qenieve njerëzore, por rreth protokolleve, axhendave, kapitujve, projekteve, për ta është e rëndësishme çfarë është shkruar në raporte, të cilat nuk i lexon askush, më shumë, se çfarë ndodh në të vërtetë, në jetë dhe në botë.
Për shumë diplomatë dhe zyrtarë të Bashkimit Europian (jo të gjithë prej tyre sigurisht) gjëja më e rëndësishme është karriera, jeta pa taksa, një jetë pa probleme, një jetë jashtë realitetit të përditshëm. Duhet të pranoj, se ndihem krenare se shumë burra, kolegë të mi në diplomaci e pëlqejnë këtë linjë të librit, veçanërisht ata që nuk kanë studiuar në Moskë. Linja e tretë e librit për mua është më e rëndësishmja, më emocionuesja, pasi tregon historinë e fëmijës. Nuk është një histori dashurie, por na tregon ne rreth dashurisë dhe sa e rëndësishme është dashuria për jetën tonë.
Ata që dëgjojnë historinë e librit tuaj, do të pyesnin, përse një burrë nga Kosova, dhe jo një çek, dhe pse një histori dashurie?
Dashuria është një nga gjërat më të rëndësishme në botë, dhe jo vetëm në këtë libër. Pse një burrë shqiptar nga Kosova? Në kohën e komunizmit, për shumë vajza nga ish-Çekosllovakia, e vetmja mundësi që të lëvizin të lira, ishte që të njiheshin e më vonë të martoheshin me një të huaj nga vendet perëndimore, ose nga ish-Jugosllavia. Jugosllavia nuk ishte aq e lirë e perëndimore sa Perëndimi i vërtetë, por ishte më afër nesh, gjithashtu edhe për shkak të gjuhës së afërt. Burri nga Kosova përfaqëson në roman gjithashtu paradokset e historisë moderne, sesi jetët dhe fatet e njerëzve dhe kombeve po ndryshojnë me shpejtësi pas vitit 1989.
Ju them unë disa shembuj të ndryshëm: në korrikun 1989, isha bashkë me bashkëshortin tim (çek) me pushime në ish-Jugosllavi. Për mua ishte parajsa dhe nuk dëshiroja që të kthehesha në Çekosllovakinë tonë komuniste dhe gri. Në nëntorin e vitit 1989, gjithçka ndryshoi, Çekosllovakia u lirua, shumë shpejt ajo u nda në Çeki dhe Sllovaki… dhe luftërat në ish-Jugosllavi filluan. Në vitin 1996 unë u bëra diplomate dhe punova si konsull dhe atashe kulturor në ambasadën çeke në Finlandë, në Helsinki (unë flas gjuhën finlandeze). Në vitin 1999, Republika Çeke iu bashkua NATO-s dhe pak ditë më vonë, NATO filloi bombardimin e Serbisë, për shkak të Kosovës. Si një diplomate, unë u përfshiva në të gjithë këto gjëra, më duhej të shkruaja raporte, etj. Një herë, policia finlandeze nga aeroporti i Helsinkit më telefonoi në numrin e konsullatës: Eja në aeroport, kemi këtu dy qytetarë çekë të cilët kanë disa pasaporta diplomatike. Unë shkova në aeroport, në makinën time amerikane, Chrysler, dhe nuk kisha kohë pasi dëshiroja të dilja bashkë me miqtë mi diplomatë për darkë në një restorant etnik… por kur mbërrita në stacionin policor të aeroportit, i pashë këta dy qytetarë: ishte një nënë, pak a shumë në moshën time dhe vajza e saj shumë e bukur. Pasaportat e tyre ishin të falsifikuara, ishte e qartë në pamje të parë. Ata ishin nga Kosova dhe gruaja më tregoi se ata kishin paguar shumë para (1500 marka gjermane secila nëse më kujtohet mirë, rreth 1 mijë euro të sotme), dhe ato duhej të shkonin në Gjermani te familjarët apo miqtë e tyre. Por ato kishin ardhur në një vend të panjohur Çeki) dhe kishin kaluar aty disa javë në një shtëpi të izoluar – ishin transportuar në Finlandë dhe ato nuk e dinin se ku ishin, ndërsa trembeshin nga gjithçka. Ajo më tha gjithashtu se ushtarët serbë i kishin vrarë babain dhe burrin, ndërsa ne flisnim bashkë në një “mishmash sllav” – ajo fliste me siguri një lloj serbishteje, unë gjysmë çekisht, gjysmë rusisht… që ishte shumë e dyshimtë për policinë finlandeze, i cili nuk po e kuptonte se si ne merreshim vesh. Ky ishte një moment shumë i fortë, se si botë të ndryshme takohen… për të përmbyllur përgjigjen e gjatë të pyetjes tuaj të shkurtër. Kosova është në këtë roman një simbol i ndryshimeve.
Ka pasur gjithnjë një tërheqje ndaj letërsisë, nga diplomatët. Shumë diplomatë në botë kanë shkruar libra, dhe në Shqipëri kemi raste të tilla. Si do ta shpjegonit lidhjen mes diplomacisë dhe letërsisë?
Është e vërtetë, por tashmë unë i jam përkushtuar letërsisë dhe nuk jam më diplomate. Kam qenë diplomate në vitet 1996-1999 në Helsinki. U ftova të shërbeja në diplomaci, pasi flisja finlandisht, kisha përkthyer e vazhdoj të përkthej letërsi finlandeze dhe kam shumë kontakte kulturore në letërsinë e këtij vendi. Në këto kushte, pas vitit 1989, shumë përkthyes dhe të tjerë “persona të kulturës”, u ftuan t’i bashkoheshin diplomacisë për të përsëritur historinë e vjetër të komunistëve diplomatë. Babai im, i cili është profesor i historisë dhe një ekspert i gjuhës hungareze dhe letërsisë, ka qenë ambasador i Çekisë në Hungari. Pas punës sime si diplomate në Helsinki unë u ktheva në Çeki ku punova në Ministrinë e Punëve të Jashtme në vitin 2009 por vetëm për një kohë të shkurtër. Kur Çekia ishte vendi që kryesonte Presidencën e BE-së, organizova një aktivitet ku ftova për të vizituar Çekinë ambasadorët dhe diplomatë të vendeve të BE-së. Kur isha diplomate shkruaja më shumë raporte dhe pak letërsi. Por bota e diplomacisë shërben për mua si një inspirim i fortë për të shkruar.
Ju jeni dhe botuese në Çeki. Si do ta vlerësonit tregun e librit sot në botë?
Përgjigjja ime do të jetë e shkurtër por e trishtueshme: Shumë i vështirë. Njerëzit lexojnë libra, por numri i atyre që i blen ata sa vjen e bëhet më i vogël. Brezi i ri sot nuk lexon më aq sa ne lexonim dikur. Por, nga ana tjetër, puna e një botuesi është emocionuese dhe tepër interesante: atij i duhej të gjejë libra që do të kthehen në bestseller, apo që do të lënë shije të mirë tek lexuesi. Është interesante si punë, pasi t’i asnjëherë nuk je e sigurt se sa i suksesshëm do të jetë një libër. Tregu i librit çek është shumë i pasur dhe i gjerë, ka botues të mëdhenj, por edhe të vegjël, dhe është e vështirë të gjesh se sa lexues do të ketë çdo botim i ri. Shpeshherë ka libra që më befasojnë. Ndonjëherë këto surpriza janë të mira, ndonjëherë jo.
Çfarë ju inspiron të shkruani?
Jeta. Romanet e mia nuk janë autobiografi. Unë e di që shumë lexues nuk e besojnë këtë, ata mendojnë se ne shkrimtarët shkruajmë vetëm për jetët tona (ndonjëherë dhe im shoq nuk e beson se unë mund të kem këtë imagjinatë), por në librat e mi janë ëndrrat e mia, makthet e mia dhe çfarë ndodh me mua, apo njerëzit rreth meje. Shpesh historitë e mia kanë lidhje me fatin e grave dhe historitë e tyre vendosen në vende të ndryshme.
Lexoni vetëm letërsi çeke? Cilët janë autorët tuaj të preferuar?
Unë lexoj shumë, gjithë kohës dhe gjithçka. Lexoj letërsi çeke, letërsi të përkthyer, letërsi serioze, apo histori me detektivë. Mendoj se leximi i librave është një nga gjërat më emocionuese që mund t’ë ndodhi një njeriu. Më pëlqejnë shumë shkrimtarë, por nëse do të veçoja një shkrimtar dhe një libër, ai do jetë një, romani “Krim dhe ndëshkim” i klasikut rus Dostojevski.
E njihni letërsinë shqipe?
Më pëlqejnë shumë librat e Ismail Kadaresë dhe mendoj se ai duhet ta marrë çmiminNobel. Kam pasur fatin ta takoj personalisht këtë shkrimtar bashkë me të shoqen, gjatë një Konference Ndërkombëtare “Pen club” në Slloveni disa vite më parë.
Kam lexuar disa libra poetikë të autorëve nga Shqipëria dhe Kosova, si Entela Kasi dhe Basri Capriqi, i cili dhe është botuar në çekisht. Shpresoj që tani që romani im është në shqip, i përkthyer nga Kestrina Peza, të kem mundësi të njoh më mirë kulturën e vendit tuaj.