Profesionet më të mira dhe më të këqija
Anestezistët janë absolutisht më të shpërblyerit për studimet e gjata dhe të shtrenjta. Në anën tjetër, ndihmësparukeret nuk kanë nevojë pë...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/01/profesionet-me-te-mira-dhe-me-te-keqija.html
Anestezistët janë absolutisht më të shpërblyerit për studimet e gjata dhe të shtrenjta. Në anën tjetër, ndihmësparukeret nuk kanë nevojë për shkollë, por janë edhe më të keqpaguaratPagat në SHBA
Megjithëse menaxherët e kompanive financiare kanë fituar urrejtje për shkak të pagave të tyre të ekzagjeruara, statistikat tregojnë se ata që paguhen më shumë në SHBA në fakt punojnë nëpër salla të mbyllura të operacioneve kirurgjikale. Njerëzit e veshur me rrobat e mjekut fitojnë mesatarisht më shumë sesa ata me kostum e kollare. Kjo është ajo çfarë tregon departamenti i punës në SHBA, që i ka mbledhur të dhënat përmes një vrojtimi.
Anestezistët janë profesionistët më të paguar në Amerikë. Ata fituan gjatë vitit të kaluar mesatarisht 112 dollarë për orë pune ose për një vit rreth 233 mijë dollarë. Anestezistët, njësoj si mjekët e tjerë, janë në gjendje të përfitojnë pagesa deri në mbi 1 milion dollarë në vit, në rastet kur puna e tyre del e suksesshme dhe ata shpërblehen për mungesën e gabimeve.
Vrojtimi për nivelin e pagave është kryer me mbi 1 milion biznese në të gjithë Amerikën. Nëntë nga dhjetë profesionet më të paguara në SHBA janë në fushën e mjekësisë, përfshirë kirurgët, mjekët e përgjithshëm, ortodontët etj.
Pagat e mjekëve janë kaq të larta, jo vetëm për shkak të kërkesës dhe ofertës, por edhe për shkak se kostoja e investimit të tyre në arsimim është gjithashtu shumë e lartë, ndërsa ata paguajnë një siguracion për të mbuluar përgjegjësinë në rast praktikash të këqija dhe marrin shpërblime nga ky siguracion nëse praktikat e këqija kanë munguar. Në SHBA ka rreth 30 mijë anestezistë, të cilët punojnë shpesh me turne të gjata dhe kanë një rol vendimtar në mbajtjen e pacientëve të gjallë gjatë operacioneve. Natyrisht puna e tyre shpërblehet mirë. Sipas Shoqatës së Anestezistëve, paga e lartë reflekton përgjegjësinë dhe rrezikun e kësaj pune.
Njësoj si mjekët e tjerë, anestezistët duhet të paguajnë shumë për ta fituar këtë profesion. Ata mbarojnë katër vjet shkollë të lartë, pasuar me katër vjet specializim, një vit praktikë pune dhe së paku tre vjet provë. Ata mund të trajnohen më tej në ndonjë nëndisiplinë duke kaluar një apo dy vjet të tjera.
Numri i anestezistëve është dyfishuar përgjatë dekadave të fundit në SHBA, gjë që ka sjellë reduktim të numrit të vdekjeve. Pesë dekada më parë, një në 1500 njerëz në operacion vdisnin si pasojë e anestezisë, ndërsa tashmë ky rrezik është ulur në një në 200 mijë.
Puna e dytë më e paguar në SHBA është kirurgu i përgjithshëm. Gjithsej 42 mijë amerikanë fitojnë 111 dollarë në orë dhe 230 mijë dollarë përgjatë një viti pune. Në vend të tretë janë gjinekologët, gjithsej 20 mijë, që fitojnë 104 dollarë në orë ose 216 mijë në vit.
Drejtorët ekzekutivë janë të vetmit që u afrohen disi mjekëve. Ata fitojnë 177 mijë dollarë në vit. Natyrisht ka përjashtime. Drejtori ekzekutiv më i mirëpaguar në SHBA dërgoi në shtëpi vitin e kaluar 131 milionë dollarë. I dyti, drejtori i Ralph Lauren, mori 67 milionë dollarë në formë bonusi dhe stoku.
Në anën tjetër të spektrit, të punësuarit në shërbimet e ushqimit rezultojnë më të keqpaguarit. Përgatitja e ushqimit, kamerierët dhe ndihmësparukeret, janë tri profesionet më të keqpaguara. Punëtori më i keqpaguar në SHBA, ndihmësparukerja që lan kokën e klientëve, fiton 8.94 dollarë në orë ose 18 600 dollarë në vit. Rreth 13 mijë amerikanë kanë këtë profesion. Ka edhe rreth 3 milionë punëtorë në përgatitjen dhe servirjen e ushqimeve. Ata fitojnë vetëm 9 dollarë në orë ose 18 700 dollarë në vit për punë me kohë të plotë.
Hendeku mes më të mirëpaguarve dhe më të keqpaguarve, zgjerohet në rast se shtohen edhe kontributet për sigurimet shoqërore e shëndetësore. Sigurimet, për shembull, përfaqësojnë një të tretën e pagës së punëtorëve, por shumë shpesh nuk ofrohet fare për punët e keqpaguara. Paga mesatare për të gjithë të punësuarit në SHBA vitin e kaluar ishte 45 mijë dollarë në vit.