Pa dhimbje, s’ka fitore!
Gjërat që kanë vlera të mëdha nuk mund të arrihen kurrë nëse bën thjesht atë që të vjen për më kollaj. Ti do të jesh efikas në arritjen e sy...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/01/pa-dhimbje-ska-fitore.html
Gjërat që kanë vlera të mëdha nuk mund të arrihen kurrë nëse bën thjesht atë që të vjen për më kollaj. Ti do të jesh efikas në arritjen e synimit afatgjatë e të rëndësishëm (si: shkrimi i një romani apo ruajtja e martesës tënde), vetëm po punove me të edhe në ato raste kur e ndjen se nuk të pëlqen të merresh me të.
Tri minuta xhudo: Bëje inercinë të punojë për ty.
Sikurse shumë probleme emocionale, prokrastinacioni i paarsyeshëm mund të kurohet më mirë duke identifikuar paraprakisht DUHET e tua dhe duke i diskutuar ato, por ekzistojnë edhe teknika të tjera speciale që kanë dhënë rezultate mjaft pozitive. Një person, i cili i shtyn gjërat pa arsye, zakonisht është i vetëdijshëm se po vepron kundër logjikës së tij më të mirë. Ka strategji të provuara për ta kaluar balancën në favor të një kursi më të preferuar dhe më racional veprimi. Mund të nevojitet pakëz eksperimentim për të gjetur teknikën që do të jepte rezultate më të mira për ty.
Nëse problemi yt është vetëm një apo disa detyra që vazhdon t’i shtysh për më vonë, atëherë përpiqu të caktosh një kohë specifike çdo ditë ose çdo javë për t’iu përkushtuar këtyre detyrave. Supozo sikur je regjistruar në një kurs zanor italishteje dhe ke planizuar që vitin tjetër, kur të vizitosh xha Xhordanon në Milano, të kesh arritur njohuri të mira me gojë e me shkrim. Në ditarin tënd, përcakto kohën ekzakte për dëgjimin e këtyre kasetave. Mos i prano ftesat që bien ndesh me këto orare dhe në përgjithësi trajtoi seancat dëgjimore sikur të qenë seancat më të rëndësishme në jetën tuaj.
Koha që do tu caktosh seancave dëgjimore të kasetave mund të jetë tepër e shkurtër e megjithatë mjaft efikase. Supozo sikur i dëgjon kasetat dhe ndjek tekstin e shkruar për pesëmbëdhjetë minuta, në një kohë fikse të çdo dite. Askush nuk ka nxjerrë ndonjë dekret, ku të thuhet se nuk lejohet të vazhdosh pasi mbarojnë ato 15 minuta. Ti ndalon, kur bëhen 15 minuta! Atëherë mund të vendosësh që të vazhdosh edhe për tri apo 15 minuta të tjera. Nga ta dish? Mbase kjo gjë të tërheq dhe vazhdon t’i dëgjosh edhe me orë të tëra!
Kjo ilustron thelbin racional të shumicës së teknikave anti-prokrastinative: shfrytëzimin e inercionit për interesin tënd. Të gjithë ne, në shkallë të ndryshme, e kemi prirjen për ta shfrytëzuar inercinë; të gjithë e kemi më kollaj ta vazhdojmë një punë që kemi nisur, në vend që t’i ndryshojmë marshet e t’ia nisim diçkaje tjetër. Por ama, nëse vendosim t’ia nisim asaj diçkasë tjetër, inercia do të fillojë të punojë për të na mbajtur lidhur pas asaj pune. Racionalja i ngjan pak a shumë xhudos (jujitsu), ku luftëtari mëson mënyra sesi ta shfrytëzojë peshën e kundërshtarit në dizavantazh të vetë kundërshtarit.
Ky parim mund të zbatohet pikë për pikë edhe në teknikën: “Penguesi Treminutësh i prokrastinacionit”. Me këtë teknikë ju thjesht vendosni të kryeni tri minuta aktivitet për diçka, megjithëse këto tri minuta mund tu duken si harxhim i kotë kohe. Supozoni sikur keni disa kohë që po e shtyni për më vonë një detyrë të pakëndshme. Atëherë ju vendosni t’i kushtoni kësaj pune tri minuta.
“Por”, mund të kundërshtojë ndonjë prej klientëve të mi, unë s’do mund të bëja ndonjë gjë të vlefshme brenda tri minutave. Ç’kuptim do të kishte kjo?
Pikësynimi është që t’ia nisësh dhe prej kësaj të kesh si aleatin tënd forcën e inercisë. Edhe sikur seleksionimi dhe futja në dosje e dokumenteve tuaja t’u hajë katër minuta, ngaqë pa e bërë këtë punë përgatitore katërminutëshe nuk mund t’ia filloni dot nga puna e vërtetë, ju thjesht, harxhoni vetëm tre minuta. Por këtë pjesë luajeni në mënyrë bindëse: çdo gjë bëjeni sikur me këtë veprim do të shkonit e të punonit le ta zëmë gjashtë orë, të cilat i keni vlerësuar se do ju duhen për ta mbaruar tërë punën.
Por, ç’kuptim ka të harxhoj vetëm tre minuta, kur realisht unë nuk mund t’ia nis punës pa harxhuar katër minuta për këtë? A nuk është kjo një sjellje e pakuptimtë dhe e palogjikshme?
Jo! Pikë së pari askush nuk tha se juve jua kanë prerë si me gërshërë kohën vetëm për tre minuta. Ju keni plotësisht të drejtë të vendosni për të shtuar edhe një minutë të katërt apo të pestë. (Jo se duhet ta shtoni, por thjesht e keni mundësinë që ta shtoni). Së dyti, ato tri minutat e para apo katër minuta parapërgatitje, janë vërtet nisja e punës. Nëse ato janë hapëset e siparit, kjo është pjesë përbërëse e punës. E treta, roli i tre minutave është sepse duke qenë kohë tepër e shkurtër, ju do ta keni mbase vështirë të nisni e të ankoheni. Në fund të fundit, nuk do të nisnit të ankoheni se harxhuat tri minuta kohë për të ndihmuar një të verbër, të cilin s’e njihni, derisa të kalojë i sigurt matanë rrugës. Kështu, kur je përkohësisht i verbuar nga prokrastinacioni i paarsyeshëm, përse do të nisësh të ankohesh për ato tri minuta, me të cilat ndihmon vetveten për të dalë te trotuari tjetër, ku dëshiroje vërtet të shkoje? E katërta, sa më shumë që rezistoni për ta bërë veten tuaj të nisë nga detyrat e mërzitshme, aq më shumë mund t’ia shtoni vetes ngurrimin, duke menduar përmasat e tërë detyrës. Me qëllim që ta thyeni këtë model mendimi, ju e ndani këtë detyrë me përmasa mamuthi në copëza të vogla, të cilat mund t’i kapërdini me një kafshatë. Ju e bindni veten në praktikë për të vërtetën e proverbit të lashtë kinez “Çdo udhëtim prej një mijë miljesh fillon nga një hap i vetëm”./standard