Ekonomia e Turqisë goditet nga kriza
Problemet politike të qeverisë së Erdogan tronditin bursat dhe monedhën vendëse Kur një biznesmen i njohur i Turqisë kritikoi publikisht ban...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/01/ekonomia-e-turqise-goditet-nga-kriza.html
Problemet politike të qeverisë së Erdogan tronditin bursat dhe monedhën vendëse
Kur një biznesmen i njohur i Turqisë kritikoi publikisht bankën qendrore se nuk po bënte sa duhur për të stabilizuar monedhën vendëse lira, ai shënjestroi njëkohësisht një nga kolonat më të forta të qeverisë: reputacionit të vet për menaxhim të fortë ekonomik.
Politika monetare “po shkakton humbje për kompanitë që bëjnë transaksionet e tyre duke pasur besim te Banka Qendrore”, u ankua Mehmet Bujukeksi, kreu i Asamblesë së Eksportuesve të Turqisë, një organizatë me 52 mijë kompani anëtare.
I emëruar me miratimin e Kryeministrit Erdogan, kreu i Bankës Qendrore, Erdem Basci, ka ndjekur një politikë të interesave të ulëta të lidhur ngushtë me politikën e qeverisë për të ndërtuar Turqinë si një fuqi industriale. Kritikat ndaj tij janë një shenjë që Turqit, të ardhurat reale të të cilëve janë rritur me 50 për qind gjatë qeverisjes 11-vjeçare të Partisë për Drejtësi (AK) dhe Zhvillim, mund të jenë duke humbur besimin te mënyra se si po qeveriset.
Rënia e lirës në nivele rekord po dobëson kompanitë që kanë këste të larta kredish në valutë që i patën marrë gjatë viteve të mira. Një bum ndërtimi, të cilën qeveria e nxiti për të përmirësuar rritjen ekonomike, tashmë duket më pak impresivë pas skandaleve të korrupsionit që shpërthyen muajin e kaluar.
Skandali që solli dorëheqjen e tre ministrave e bën më të vështirë për qeverinë të pretendojë se kriza botërore ka shkaktuar vështirësitë ekonomike dhe jo punën e saj. Më shumë sesa ideologjia e saj e islamizmit të lehtë, AK është mbështetur te suksesi ekonomik për të ruajtur pëlqimin e popullsisë. Përkeqësimi i papritur i ekonomisë për rrjedhojë po e çon Turqinë drejt destabilitetit më të madh politik në një dekadë, ndërsa vendi do të mbajë zgjedhje vendore më 2014 dhe zgjedhje kombëtare më 2015.
“Në mjedisin politik të Turqisë, ecuria ekonomike është thelbësore për të garantuar pranimin e qeverisë”, thotë Emre Erdogan, themelues i një kompanie të vrojtimit të opinionit publik.
Gjithsesi, askush nuk parashikon që Turqia të përballet me ndonjë kolaps të investimeve të ngjashëm me atë që pësuan ekonomitë fqinje arabe më 2011. Megjithëse lira ka rënë me 17 për qind gjatë vitit të fundit kundrejt dollarit, interesi për investime në kompanitë turke ka vijuar të jetë i fortë. Blerjet dhe bashkimet e kompanive arritën vlerën totale prej 15.7 miliardë dollarësh më 2013, 9 për qind më pak sesa në 2012, por gjithsesi të larta.
Turqia ka nevojë për rifinancime të huaja këtë vit me vlerë 217 miliardë dollarë, nga të cilat, 164 miliardë janë borxhe që maturohen ndërsa 53 miliardë janë deficiti tregtar dhe i shërbimeve. Por këto financime mund të gjenden dhe tregjet ndërkombëtare nuk duhet se po ngurrojnë të investojnë në Turqi.
“Unë do të vija në dukje dallimin e madh mes situatës politike dhe asaj financiare në vend. Unë nuk shoh ndonjë arsye për t’u alarmuar nga situata financiare”, tha një analist i “Societe Generale”. Sipas tij, dobësimi i lirës nuk reflekton një largim masiv të investitorëve, por më shumë dëshirën e kompanive për të diversifikuar paratë e tyre në valutë të fortë.
Rënia e lirës mund të ndihet shpejt në drejtim të inflacionit. Në dhjetor, inflacioni u rrit me 7.4 për qind në bazë vjetore, ndërsa këtë vit taksat shtesë mbi makinat, pijet alkoolike, duhanit dhe telefonave celularë pritet ta rrisin me së paku 1 për qind tjetër