Gyl: Të respektohet shteti i së drejtës
“Ne duhet të qëndrojmë larg nga të gjitha qëndrimet e sjelljet, që mund ta dëmtojë shtetin tonë demokratik kushtetues”, paralajmëroi preside...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/01/gyl-te-respektohet-shteti-i-se-drejtes.html
“Ne duhet të qëndrojmë larg nga të gjitha qëndrimet e sjelljet, që mund ta dëmtojë shtetin tonë demokratik kushtetues”, paralajmëroi presidenti turk Abdullah Gul në mesazhin e tij e Vitit të Ri dhe vazhdoi: “Është detyra jonë për të shmangur çdo gjë, që mund të dëmtojë pavarësinë dhe paanshmërinë e drejtësisë.”
Pleduaje për ndarjen e pushteteve
Ndërsa udhëheqja politike mund të ndryshohet vetëm përmes zgjedhjeve demokratike, gjyqësori është përgjegjës për të gjitha kontestet juridike. Asnjë institucion s’mund të pretendojë të dalë mbi rregullat e Kushtetutës, tha presidenti turk. Gyl është aleati politik i Rexhep Taip Erdoganit, por me qëndrime më liberale sesa kryeministri konservator islamik. Në fjalën e tij Gyl nuk u shpreh drejtpërdrejtë lidhur me skandalin e korrupsionit.
Qeveria e Erdoganit është tronditur që nga mesi i dhjetorit nga një skandal korrupsioni, i cili çoi në dorëheqjen e tre ministrave. Hetimet e prokurorisë janë fokusuar në dhënien e rryshfeteve të paligjshme për leje ndërtimi dhe në shkeljen e sanksioneve tregtare ndërkombëtare kundër Iranit. Kritikët e akuzojnë Erdoganin për pengim të hetimeve të drejtësisë mbi skandalin.
Daljet e para nga partia
Në javët e fundit, sipas informacioneve të medias, në polici janë shkarkuar qindra funksionarë drejtues. Që nga zbulimi i skandalit të korrupsionit prej “Partisë për Drejtësi dhe Liri” në pushtet (AKP) janë larguar gjashtë deputetë. Ata e argumentuan këtë hap me presionin, që Erdogani ushtron ndaj policisë dhe gjyqësorit në lidhje me aferën. Megjithatë AKP vazhdon të ketë në parlament një shumicë të qartë. Kryetari i qeverisë i sheh hetimet dhe arrestimet si fushatë, me të cilën shpifet kundër tij personalisht, kundër qeverisë së tij dhe Turqisë. Përkrahësit e Erdoganit dyshojnë kryesisht se prapa hetimeve të korrupsionit qëndron lëvizja e predikuesit islamik Fethullah Gylen, që jeton në SHBA. Gylen duket se ka shumë përkrahës pikërisht në polici dhe gjyqësor. Ka kohë që kryeministri përpiqet të kufizojë ndikimin e kësaj lëvizjeje.