Gjermania, nevojë urgjente për emigrantë!

Për emigrantët nga shtetet më të varfëra anëtare të BE, Bullgaria dhe Rumania, po diskutohet shumë në Gjermani. A janë ata kryesisht emigran...

Për emigrantët nga shtetet më të varfëra anëtare të BE, Bullgaria dhe Rumania, po diskutohet shumë në Gjermani. A janë ata kryesisht emigrantë të varfërisë, apo sjellin gjallërim të tregut të punës?

Viti 2013 u mbyll me rezultate të favorshme për tregun e punës. Numri i të papunëve u rrit më pak se zakonisht në këtë kohë të vitit, me rreth 67.000 duke arritur shifrën e përgjithshme 2.873.000. Kështu shkalla e papunësisë në mbarë vendin u rrit me 0.2 pikë në 6.7 për qind. Situata relativisht e mirë në tregun e punës reflekton aftësinë e lartë inovative të ekonomisë gjermane, deklaroi eksperti i tregut të punës Gerhard Bosch nga universiteti Duisburg-Essen në një intervistë me DW. Përveç eksporteve në Gjermani është rritur edhe tendenca për konsum për shkak të shtimit të pagave. “Problemi është megjithatë, se në vitin 2013 nuk është investuar shumë, për shkak se kompanitë ishin të shqetësuara, nëse do të kishte perspektiva afatgjata”, thotë Bosch. Megjithatë me vendimet e qeverisë së re duket se do të ketë përmirësime, sepse do të shpenzohen më shumë para në infrastrukturë dhe arsim. Edhe konsumi do të forcohet nga rritja e pensioneve dhe e pagave minimale.
Do të vazhdojë të ulet numri i të papunëve?
Për vitin 2014 ekspertët e Agjencisë Federale të Punës në Nyremberg presin sërish një rënie të lehtë të numrit të të papunëve. Më skeptikë janë zërat nga Instituti i Ekonomisë gjermane, i afërt me punëdhënësit. Në fakt sondazhi aktual i shoqatave të mëdha ekonomike në fund të vitit konstaton se ekziston një frymë përgjithësisht mjaft e mirë, thotë drejtori i institutit Michael Hüther. Megjithatë, sipas tij, nuk krijohen vende të reja pune. “Nuk ka shtim. Ne kemi një punësim të historikisht të lartë me 42 milionë të punësuar. Por vrulli po shteron.”
Debati për migracionin
Agjencia Federale e Punësimit ndjek me qetësi debatin për mundësinë e shtimit të emigracionit në kërkim të punës nga të dy shtetet më të varfëra anëtare të BE, Bullgarisë dhe Rumanisë. Edhe në vitet e mëparshme njerëz nga këto vende kanë ardhur në tregun gjerman të punës: si punëtorë sezonalë në bujqësi, apo në fushat, ku ka nevojë shumë të madhe për personel, në kujdesin shëndetësor, infermieri dhe hotelieri. ”Shumica e bullgarëve dhe rumunëve, që jetojnë këtu në Gjermani, janë emigrantë të punës dhe jo emigrantë të varfërisë”, thotë Herbert Brücker nga Instituti i Studimeve të Tregut të Punës për DW. Martin Wansleben, shefi ekzekutiv i Dhomave Gjermane të Industrisë dhe Tregtisë (DIHK), paralajmëron nga rreziku i dëmtimit të ekonomisë prej debatit aktual mbi imigracionin. Në një intervistë ai tha, “nga debati i nxehtë politik nuk duhet hedhur një dritë negative mbi emigracionin në përgjithësi.” Për shkak të zhvillimit të saj demografik Gjermanisë i nevojiten në vitet e ardhshme deri në 1.5 milion punëtorë të kualifikuar nga jashtë vendi. Kjo do të ndihmonte “për të siguruar zhvillimin dhe për të stabilizuar sistemin social”, thotë Wansleben. Megjithatë diskutimi aktual tregon se ka nevojë për të punuar në shoqërinë gjermane: “Ne duhet të vazhdojmë të punojmë për një kulturë, që mirëpret emigrantët. Kjo është një detyrë e të gjithë shoqërisë, e politikës, e kishës, sindikatave, e biznesit, të gjithë duhet të japin kontributin e vet…”
Nevoja e një integrimi më të mirë
155.000 rumunë dhe bullgarë janë të punësuar aktualisht në Gjermani, shkalla e papunësisë së tyre është më e ulët se e punëtorëve të tjerë të huaj. Tani rumunët dhe bullgarët mund të fillojnë punë në të gjitha degët e industrisë. “Prandaj ne kemi mundësi më të mira për integrimin e njerëzve nga këto dy vende, për të cilët tani nga 1 janari ka hyrë në fuqi liria e lëvizjes”, thotë Heinrich Alt nga bordi i Agjencisë Federale të Punësimit.
Alt, i cili në krye të Agjencisë së Punësimit është përgjegjës për qendrën e vendeve të punës, si dhe për ndihmën sociale Hartz IV, thotë megjithatë, se “ne aktualisht kemi një problem, që imigrimi nga këto dy vende përqëndrohet në rajone të caktuara dhe atje lindin probleme, të cilat komunat Duisburg, Dortmund, Berlin, Mannheim, Offenbach, nuk mund t’i zgjidhin të vetme.”

Related

Ekonomi 4839142527076765646

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item