Skuadrat shqiptare, në pritje të Europës
Klubet fillojnë të interesohen për kundërshtarët e mundshëm në Ligën e Kampioneve dhe Europa League Pikët - Skënderbeu është skuadra shqipt...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/05/skuadrat-shqiptare-ne-pritje-te-europes.html
Klubet fillojnë të interesohen për kundërshtarët e mundshëm në Ligën e Kampioneve dhe Europa League
Pikët - Skënderbeu është skuadra shqiptare që ka grumbulluar më shumë pikë në renditjen e UEFA-s, duke mbajtur vendin e 276-të në klasifikimin e saj me 4.6 pikë
Premio - UEFA jep 120 mijë euro për pjesëmarrjen në turin e parë eliminator të Europa League, ndërsa në Ligën e Kampioneve, shifra arrin 200 mijë euro
Shorti - Ekipet shqiptare do të njohin kundërshtarët e tyre më datë 23 qershor, kur në zyrat e UEFA-s në Nion, do të hidhet shorti për turnetë ndërkombëtarë
Ermal Kuka
Ndonëse kampionati shqiptar i futbollit ka vetëm dy ditë që ka përfunduar, klubet shqiptare nuk e kanë mbyllur punën e tyre, pasi kanë filluar që tani të interesohen për pjesëmarrjen në Kupat e Europës të edicionit 2014-2015. Skënderbeu, Kukësi dhe Laçi, kanë filluar që tani të monitorojnë skuadrat e mundshme me të cilat do të përplasen në turet e para paraeliminatore, ndonëse ka ende shumë kohë deri në hedhjen e shortit të aktiviteteve ndërkombëtare. Ndërkohë, finalja e Kupës ka lënë në pritje si Flamurtarin finalist, ashtu edhe Teutën, që shpreson te një humbje e vlonjatëve përballë Kukësit, për të siguruar vendin e mbetur në Europa League.
Skënderbeu është i ndërgjegjshëm se do të jetë përsëri në vazon e ekipeve jofavorite në shortin e Ligës së Kampioneve. Korçarët renditën në vendin e 276-të në klasifikimin e UEFA-s për klube, me 4.6 pikë në total të siguruara. Por duhet thënë se me 1.9 pikët e siguruara në edicionin 2013-2014, skuadra e Josës renditet në vendin e 114-të për edicionin e kaluar, ashtu si Kukësi i rekordeve. Megjithatë, kjo mbetet shumë pak për t’i kaluar ata në vazon e më të mirëve në turin e dytë paraeliminator të turneut, për të shmangur përballjet me ekipe shumë të njohura si Steaua Bukuresht, Sëlltik, BATE Borisov, Sparta Pragë, Dinamo Zagreb, Ludogorets, Makabi Tel-Aviv apo cilëndo skuadër që shpallet kampione në vende si Serbi, Slloveni e Hungari. Këto janë skuadrat që kanë koeficientin më të lartë në UEFA dhe si rrjedhojë do të vendosen në vazon e favoritëve. Ndaj drejtuesit korçarë kanë filluar menjëherë punën për të siguruar sa më parë përforcime cilësore, në mënyrë që të gjejnë lojtarët e duhur për të synuar kalimin e turit, ashtu si në edicionin e kaluar.
Në Europa League, situata mund të jetë shumë më e mirë për nënkampionët e Kukësit, që po monitorojnë ecurinë e kampionateve të ndryshme, sidomos atë serb, kroat e hungarez. Në varësi të përfundimit të tyre dhe klasifikimit të skuadrave, Kukësi, mund të fitojë vendin në vazon e favoritëve në shortin e turit të parë paraeliminator të turneut. Gjithçka është meritë e ecurisë së jashtëzakonshme të verilindorëve në edicionin e kaluar, kur ata shkuan deri në turin e katërt të këtij turneu, duke siguruar 2.6 pikë që në vitin e debutimit në Europë. Kalimi në vazon e pretendentëve, do ta ndihmonte për përsëritjen e një paraqitje të tillë, pasi do të evitoheshin emra të njohur si Rosenborg, CSKA Sofje, Liteks Loveç, Ekranas, Goteborg, Sarajeva, Shakhter Karagandi e Aberden, ekipe të cilat kanë një të kaluar në këtë turne dhe kanë arritur shpesh të dhurojnë rezultate mjaft të mira. Nëse verilindorët janë në pritje, për Laçin, objektivi i kalimit në vazon e më të mirëve është thuajse i pamundur, pasi kurbinasit kanë vetëm 1.6 pikë në renditje. Një shans të tillë mund ta ketë Flamurtari nëse fiton Kupën, pasi vlonjatët kanë 2.35 pikë në renditjen e UEFA-s, duke mos qenë shumë larg Kukësit në këtë klasifikim. Ndërsa Teuta është me pikë të barabarta me Laçin, që do të thotë se dy skuadrat kanë një mundësi shumë të madhe të jenë në të njëjtën vazo gjatë hedhjes së shortit. Konfirmimi zyrtar i pozicioneve të skuadrave shqiptare në Europa League do të vijë vetëm në fillimin e muajit qershor, kur UEFA të publikojë listën përfundimtare të skuadrave pjesëmarrëse në turnetë e saj.