SHBA / Murdoch në mbështetje të Rand Paul. Objektivi: Shtëpia e Bardhë

Në mars, gjatë një serie vizitash tek kompanitë teknologjike të Silicon Valleyt, ka marrë dy duartrokitje të gjata nga Universiteti i Berkel...


Në mars, gjatë një serie vizitash tek kompanitë teknologjike të Silicon Valleyt, ka marrë dy duartrokitje të gjata nga Universiteti i Berkeley, i famshëm që nga kohët e protestave të studentëve majtistë në vitet gjashtëdhjetë të shekullit që kaloi, me një fjalim gjatë të cilit kritikoi teprimet policorë të qeverisë Obama. Më pas, në fund të muajit prill, shkoi të flasë për të drejtat civile dhe lirinë në Institutin e Studimeve Politikë të Harvardit, ku u bëri thirrje republikanëve që të ndalojnë së propozuari dëbimin e miliona imigrantëve klandestinë.
Një eksponent i të majtës studentore? Një intelektual radikal që flet nga një pozicion liberali? Aspak. Protagonisti i kësaj historie është vërtetë radikal, por nuk është aspak progresist. I adhuruar nga e djathta integraliste e Tea Party, Rand Paul (senatori i Kentuckyt, biri i Ron Paulit, heroi i libertarëve amerikanë që në vitet 2008 dhe 2012 provoi pa sukses të garonte për Shtëpinë e Bardhë), për shumë çështje i ka idetë të tilla që i fusin të dridhurat të majtës. Për shembull, deklaron se nuk është detyrë e politikës që të korrigjojë mekanizmat që shkaktojnë pabarazi sociale gjithnjë e më të mëdha. Por Paul, ashtu si babai i tij, është gjithashtu një libertar izolacionist që i pëlqen të majtës radikale, sikurse dhe disa mendjeve teknologjike për shkak të antimilitarizmit të tij, për dënimin absolut që i bën spiunazhit informatik të NSA-së dhe madje edhe për vlerësimin që ka për Bitcoinin, monedhen elektronike me të cilën dikush dëshiron të zëvendësojë dollarin.
Ashtu si Ron, edhe Rand dëshiron të garojë për në Shtëpinë e Bardhë. Deri pak javë më parë, analistët mendonin se ashtu si babai, ai ka bërë një hap përpara vetëm për hir të trashëgimisë politike. Por, ndërkohë në skenën republikane po mungojnë personazhet me peshë, pas vetëfundosjes së Chris Christiet. Dhe senatori i Kentuckyt është ndër të paktët personazhe të njohur, bashkë me Jeb Bushin.
Rand ka filluar të besojë dhe po e zgjeron bazën e tij të zgjedhësve potencialë përtej kufijve të konservatorizmit radikal: kështu, okulisti nga Kentucky që ka hyrë në politikë, ka filluar të bredhë Amerikën nga njëra qoshe në tjetrën, duke kërkuar mbështetje mbi të gjitha në zonat më progresiste të vendit, California dhe New England. Por goditjen më të fortë Paul e ka dhënë fundjavën që kaloi, kur arriti që të ketë mysafir në Kentucky Derby, aktiviteti i hipizmit më i shumëpritur i vitit, vetë Rupert Murdochun: konservatorin e madh, pronarin e një perandorie planetare botimesh, i cili me televizionet, gazetat dhe kompanitë kinematografike që zotëron, është në gjendje të ushtrojë një ndikim shumë të rëndësishëm në politikën e SHBA.
Takimi i Louisville u rrëfye dje me detaje pikantë nga Jason Horowitz i New York Times: “Nuk e kisha parë asnjëherë këtë garë, Rand më ftoi një muaj më parë”, rrëfen botuesi australian me nënshtetësi amerikane. A do të mjaftojë ky takim për ta bërë manjatin e mediave një mbështetës të senatorit radikal? Murdoch u bë kurioz për personazhin, kaloi shumë kohë me të dhe bashkëshorten Kelley, por nuk mund të thuhet që mes të dyve ka konfidencë. Në një moment, ajo e pyeti nëse kishte fëmijë. “Po, dy djem dhe katër vajza, por jam martuar disa herë”, u përgjigj Rupert. Dhe a punon ndokush me ju në kompani?-ka vazhduar pa u ndalur Kelley, përpara gazetarëve. “Përpiqemi të krijojmë një skuadër”, iu përgjigj Murdoch. I cili sigurisht nuk ka dashur t’u rikthehet grindjeve të brendshme të familjes së tij, që zënë titujt e mëdhenj të gazetave të gjysmës së botës. (Corriere della sera)

Related

Botë 9002253083544089633

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item