Serbia dhe Bosnja vuajnë përmbytje të tmerrshme (VIDEO & FOTO)

Shumë qytete u mbuluan nga disa metra ujë duke mbytur dhjetëra banorë e duke shkatërruar qindra shtëpi Dhjetëra vetë vdiqën dhe mijëra të t...


Shumë qytete u mbuluan nga disa metra ujë duke mbytur dhjetëra banorë e duke shkatërruar qindra shtëpi

Dhjetëra vetë vdiqën dhe mijëra të tjerë janë evakuuar nga shtëpitë e tyre gjatë ditëve të fundit në Serbi dhe Bosnjë-Hercegovinë, nga përmbytjet që po konsiderohen si më të rëndat në një shekull. Qytetet e Zenicës në Bosnjë dhe Obrenovaçit në Serbi u goditën më rëndë. Por lumi Sava kapërceu shtratin e vet edhe në kryeqytetin serb, Beograd.
Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se së paku 12 vetë kanë vdekur në qytezën e Obrenovaçit, në jug të Beogradit ndërsa shprehu frikën se edhe shumë viktima të tjera nuk janë gjetur.
Njerëzit u detyruan në shumë qytete të ngjiten në çatitë e shtëpive të veta ndërsa u evakuuan apo morën ushqime nga ajri për të mbijetuar. Shiu ndaloi dje dhe situata filloi të përmirësohet, por rreziku është ende i lartë si pasojë e shkatërrimit të rrjeteve të furnizimit me energji elektrike apo ujë, përmbytjes së kanaleve të ujërave të zeza si dhe mbulimit të rrugëve nga uji, balta e gurët.
Një ushtri me vullnetarë u krijua për të ndihmuar qytetin e Obrenovaçit në Serbi ku pati raportime për trupa që pluskonin mbi ujë dhe ku evakuimi rezultoi i vështirë. Mbi 90 për qind e qytetit u mbulua nga uji i lumit Kolubara.
“Njerëzit po përpiqen të arrijnë varkat e shpëtimit dhe ne po bëjmë gjithçka të shpëtojmë çdokënd, por ne kemi nevojë për më shumë varka”, tha një punonjës i emergjencave civile.
Një grua e evakuuar të shtunën tha se pati kaluar dy ditë në katin e gjashtë të një ndërtese në qendër të qytetit para se ajo dhe fqinjët e saj të evakuoheshin. “Ne u shpëtuam në çastin e fundit sepse pas dy ditësh, kishim mbetur pothuajse pa ushqim dhe ujë. Ne nuk mund të komunikonim me askënd pasi nuk kishte elektricitet dhe celularët nuk punonin. Njerëzit e bllokuar në Obrenovaç nuk ia kishin idenë se çfarë po ndodhte rreth tyre”, tha ajo.
Qeveria e Serbisë hapi llogari bankare dhe i bëri thirrje popullsisë të kontribuojë për operacionet e shpëtimit dhe rindërtimit pas përmbytjeve.
Ministria e Brendshme tha se 24 mijë njerëz janë evakuuar por mijëra të tjerë po presin ende të bllokuar.
Tetë vende anëtare të BE-së kanë ofruar ndihma për zonat e përmbytura.
Ambasada e SHBA-së në Beograd ofroi 100 mijë dollarë ndihma, ndërsa Izraeli ka dërguar me avion ilaçe, dyshekë, gomone dhe ushqime.
Njëzet e gjashtë ekspertë rusë mbërritën të parët në Serbi për të ndihmuar.
Autoritetet po përgatiten për t’u përballur me një përmbytje të mundshme në Beograd dhe mijëra vullnetarë janë duke mbushur thasë me rërë për të përforcuar brigjet e lumit Sava.
Qyteza Sabac, pranë lumit Sava u shpëtua pasi mijëra vullnetarë punuan për të ngritur barrierat në brigjet e lumit. Por pati kritika për keqorganizim nga ana e qeverisë. Pas thirrjes për vullnetarë, mijëra vetë mbërritën në qytet dhe punuan në mënyrë kaotike, ndërsa nevojiteshin vetëm 1500 vetë të organizuar mirë.
Mbi 135 mijë shtëpi në Serbi kanë mbetur pa energji elektrike. Qeveria ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në të gjithë vendin.
Autoritetet thonë se këta janë shirat më të rrëmbyeshëm që kanë goditur Serbinë në një shekull. Vetëm gjatë ditës së mërkurë, u regjistruan 55 litra shi në një metër katror dhe kjo është sasia që zakonisht bie në një muaj.
Në Bosnjë janë regjistruar gjithashtu dhjetëra të vdekur dhe dhjetëra mijë vetë të evakuuar. Balta dhe gurët kanë mbuluar rrugët dhe kanë dëmtuar rëndë shumë shtëpi. Në Bosnjë situata është përmirësuar pasi shirat kanë pushuar. Mijëra vetë në Sarajevë u nisën për të ndihmuar vullnetarisht në pastrimin e qyteteve dhe fshatrave të përmbytura.














Related

Video 6866071292071810855

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item