Pas dehjes në alkool, ekzekuton shokun

Dehen në lokal me alkool dhe më pas përfundojnë në akt tragjik. Ekzekuton me “Kallashnikov” shokun e tij të ngushtë pas një sherri banal dhe...


Dehen në lokal me alkool dhe më pas përfundojnë në akt tragjik. Ekzekuton me “Kallashnikov” shokun e tij të ngushtë pas një sherri banal dhe tenton të arratiset. Viktimë e plumbave mbeti Altin Koçeku, 24 vjeç, kurse dy orë pas krimit, uniformat blu arrestuan të dyshuarin Alban Lulashi, vetëm 17 vjeç. Ngjarja ndodhi rreth orës 15:40 të ditës së djeshme në fshatin Hot i Ri në Shkodër. Policia njoftoi se ka zbardhur të gjithë dinamikën e krimit dhe siguruar provat që do i kalojnë prokurorisë. Gjatë marrjes në pyetje, i mituri që kishte kaluar në situatë shoku, ka thënë se nuk mbante mend çfarë kishte bërë për shkak se ishte shumë i dehur.
Ngjarja
Sipas dëshmitarëve, dy shokët e ngushtë kanë qenë duke pirë që në orët e para të mëngjesit së bashku në lokalin e fshatit Hot i Ri në komunën Rrethina. Pronari i lokalit ka thënë se të rinjtë kanë konsumuar birra dhe raki, derisa kanë kaluar në fyerje me njëri-tjetrin dhe sharje të rëndomta pa ndonjë shkak konkret. Pasi kanë dalë nga lokali, i mituri Alban Lulashi ka shkuar në banesë duke marrë armën automatike dhe është kthyer për të qëlluar mbi Koçekun teksa hipte në makinë. Policia tha se Altin Koçeku, banues në këtë fshat, është qëlluar me armë zjarri ndërsa ndodhej në një mjet tip “Benz” metalizato, me targë AA860GN, dhe ka marrë plagë të rënda. Ai është dërguar në gjendje të rëndë në spitalin e Shkodrës, por nuk ka mundur të shpëtojë, duke gjetur vdekjen në sallën e operacionit. Autor i dyshuar është denoncuar menjëherë Alban Lulashi, që është arratisur nga vendngjarja. Në lokal ka pasur edhe klientë të tjerë, që i rrëfyen policisë çfarë kishte ndodhur.
Hetimet
Mësohet se 24-vjeçari ka qenë në një lokal në fshatin Hot i Ri së bashku me shokun e tij me të cilin sipas personave të pranishëm aty është grindur. Lulashi është ngritur më përpara për të shkuar në banesë dhe marrë armën e zjarrit. Sapo ka dalë prej lokalit dhe është futur në mjet, u dëgjua edhe breshëria e armës, kurse 17-vjeçari është parë të vraponte me armën në dorë. Policia ka shoqëruar disa persona për t’i pyetur për ngjarjen. Ndërsa në kërkim u shpall i mituri i dyshuar, që u rrethua pak kilometra nga vendngjarja dhe më pas u arrestua në përpjekje për t’u arratisur. I ndaluari si i dyshuar njihet për lidhje shoqërore me viktimën dhe është banor i fshatit Hot i Ri. Ndaj Lulashit është ngritur akuza e “vrasjes me dashje” dhe “armëmbajtjes pa leje”. Në pyetje po merren edhe familjarët, që do dëshmojnë se si e ka gjetur i mituri armën e zjarrit automatik. Kurse mjekët thanë se 24-vjeçari kishte disa plagë tejshpuese në trup, një prej të cilave me dëmtime të organeve jetësore, që i shkaktoi vdekjen.

Related

Kronika e zezë 6298406183602102658

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item