Kim Mehmeti: BDI dhe PDSH janë duke ‘krijuar’ ushtritë e tyre! (VIDEO)

Në një intervistë për Tv “Art” të Tetovës,në kuadër të emisionit “Në Fokus”, analisti politik dhe publicisti i mirënjohur Kim Mehmeti, ka fo...


Në një intervistë për Tv “Art” të Tetovës,në kuadër të emisionit “Në Fokus”, analisti politik dhe publicisti i mirënjohur Kim Mehmeti, ka folur rreth zhvillimeve të fundit në skenën politike në Maqedoni, rrezultatet zgjedhore, kombinatorikat e VMRO-së për formim të Qeverisë mes BDI-së dhe PDSH-së e shumë të tjera. Po asht Mehmeti në këtë intervistë flet edhe për porblemet socio – ekonomike të shoqërisë shqiptare, të cilën e vlerëson se është bërë peng i partive politike.
Video – Intervista me Kim Mehmetin:


Më poshtë ju sjellim të plotë këtë intervistë:
“Këta dy parti disi e kanë kapur peng një pjesë të popullit.E kanë popullin e vet dhe ju çfarë do që të thoni dhe çfarëdo që t`ju nxirni si argument si psh:nuk bëjnë mirë për çështjen kolektive nëse i përkrahin këto dy parti ata prapë do ua japin votën”- Kim Mehmeti 
Si i komentoni rezultatet e zgjedhjeve të fundit në Maqedoni. Sërish,partitë në pushtet shënuan fitore absolute?
Kim Mehmeti: Mund t`a them shkurt që ndonjëherë absurdi nuk mund të shpjegohet me asnjë logjikë. Sidoqoftë,realiteti është ky. Ne e kemi tash partinë fituese,kemi partinë e dytë,të tretë e cila thuhej se është delegjitimuar krejtësisht dhe nëse e sheh nga ky këndvështrim përballesh me shumë paqartësi. Unë e pranoj,unë ende nuk kam takuar njeri që më ka thënë se është i kënaqur me këtë parti në pushtet,mirëpo nga ana tjetër unë s`mund ta mohoj realitetin se ajo parti ka 19 deputetë. Unë nuk mund ende ta kuptoj se si mund njeriu të shkoj pas atij drejtuesi që e ka PDSH-ja,mirëpo,nga ana tjetër,unë shoh se ajo parti pa ndonjë investim të madh në PR e saj,në ndërtimin e fushatës parazgjedhore i morri 70 mijë vota. Unë tani mundohem të jap shpjegime –PSE?Shpjegime kam dhënë edhe më parë. Më duket se i vetmi shpjegim është ky. Këta dy parti disi e kanë kapur peng një pjesë të popullit. E kanë popullin e vet dhe ju çfarë do që të thoni dhe çfarëdo që t`ju nxirni si argument si psh:nuk bëjnë mirë për çështjen kolektive nëse i përkrahin këto dy parti ata prapë do ua japin votën.Logjikisht unë ndjej vetëm një shpjegim timin që nuk do të thotë se është ai. BDI i ka kapur peng me anë të të punësuarve që i ka. Thjesht,merreni me mend psh se i ka 40 mijë të punësuar në administratën shtetërore,në arsim e në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike dhe nëse ato 40 mijë i detyroni t`u sjellin vetëm nga dy vota,atëherë ju i keni 40 mijë plus 80 mijë vota,dmth 120 mijë vota të garantuara.
“Në BDI,në PDSH ka njerëz të mrekullueshëm. Nuk mundtë shkelë mbi rininë e Shkodrane Dardhishtës,e cila si vajzë e re ka flijuar çdo gjë të veten për shqiptarinë. Nuk mund të shkel mbi atdhetarizmin e ish-kryetarit të Komunës së Tetovës Hazbi Lika. Për fat të keq, mbi gjithë këtë dalin ato politikanë të cilët politikën e kuptuan si mënyrë më të shpejtë për t`u pasuruar edhe të cilët interesin e popullit,vullnetin politik të popullit e bënë si pronë e cila u mundëson,që ata të djeshmit  këmbëzbathur,sot të jenë njerëz që të shkelin me veturat që kushtojnë me qindra mijëra euro” – Kim Mehmeti
Logjikisht,a mund që këta parti fituese si në kampin shqiptar poashtu edhe në atë maqedonas të mposhten nëpërmjet zgjedhjeve?
Kim Mehmeti:  Edhe më herët e kam theksuar se,BDI-në dhe VMRO-në askush më nuk mund t`i ndërrojë me vota,askush nuk mund t`i deligjitimojë me zgjedhje të lira. Ne gjithmonë do t`i kemi zgjidhje ato,sepse më ne nuk votojmë,por ato na kanë zgjedhur neve si votues,kanë kompletuar listat dhe mbështeten në atë. Tash si mund të dilet nga kjo?Unë nuk e dijë. Mirëpo,unë e dijë një gjë. Kjo është spirale shumë e rrezikshme për ne shqiptarët. Unë, mund ta them edhe këtë. Se këta dy parti mund të shndërrohen në fatkeqësinë tonë më të madhe dhe këtë e mbështes në këtë fakt. A e vëreni ju se sa më shumë forcohen partitë,sa më shumë pasurohen partiakët aq më shumë varfërohet populli dhe aq më shumë zhbëhet forca e popullit edhe vullneti politik i popullit tonë. Këtë mund t`ua shpjegoj edhe ndryshe. Ne,me të drejtë flasim se mandatari ka të drejtë ta respektojë votën shumicë të popullit tonë,posaçërisht në një demokraci e cila është organizuar në bazë të partive etnike. Mirëpo,ne asnjëherë nuk kemi kërkuar garancë nga partitë tona se ata drejtë do ta përdorin  vullnetin tonë politik apo thënë ndryshe vullnetin politik të një populli nuk mund ta shkel askush sikurse ai që e ka. Posaçërisht kur atë vullnet e ka në dorë politikanë injorant dhe të korruptuar. Në BDI,në PDSH ka njerëz të mrekullueshëm. Nuk mund t`a mohoj p.sh nuk mundtë shkelë mbi rininë e Shkodrane Dardhishtës,e cila si vajzë e re ka flijuar çdo gjë të veten për shqiptarinë. Nuk mund të shkel mbi atdhetarizmin e ish-kryetarit të Komunës së Tetovës Hazbi Lika. Për fat të keq,mbi gjithë këtë shkelen ato politikanë të cilët politikën e kuptuan si mënyrë më të shpejtë për t`u pasuruar edhe të cilët interesin e popullit,vullnetin politik të popullit e bënë si pronë e cila u mundëson,që ata të djeshmit  këmbëzbathur,sot të jenë njerëz që të shkelin me veturat që kushtojnë me qindra mijëra euro. Nëse këtë nuk e sheh populli im,unë s`kam ç`të bëj. Unë, përkulem para vullnetit politik të popullit tim. Mirëpo,për dallim nga populli im, i cili ka të drejtë të gabojë dhe askujt s`ka nevojë t`i përgjigjet,unë nuk kam të drejtë ta bëj këtë gabim. I them popullit tim që dalëngadalë ne kemi hyrë në periudhën kur vullneti ynë politik shndërrohet në punësim të përjetshëm të disa ministrave dhe disa deputetëve tanë. Se vullneti ynë politik e legjitimoi vazalizmin e partive shqiptare ndaj sunduesit maqedonas,se vullneti ynë atyre vazalëve shqiptarë i lejoi këtij sunduesi që atyre vazalëve shqiptarë t`u lejojë vetëm të mbledhin haraç tek ne shqiptarët. Nëse këtë populli im nuk e sheh,unë nuk mund të shpallem më i mençur se i tërë populli. Unë nuk ndjehem më i mençur as edhe ndaj disa miq që i kam në Tetovë, Salajdini, Fatmiri etj.
Pse RDK-ja pati rezultat kaq të dobët në këto zgjedhje?
Kim Mehmeti: Kohëve të fundit shpesh takoj edhe miq nga Tetova,të cilëve u them;si është e mundur,që p.sh sipas vlerësimit tim,nuk kishte lista me emra, me individë më të vlefshëm,si në kontekst profesional ashtu edhe në kontekst njerëzor,se sa RDK-ja. Mirëpo,t`i marrësh të gjithë këto të BDI-së ,p.sh dhe ti shkrishë, nuk mund ta bësh një  sa Izet Zeqiri. Mirëpo, Izet Zeqiri nuk morri shumë vota atje. Përgjigjen më të shpeshtë që e marr është kjo; po e dinim që nuk do të fitojë . E dini cili është ky mentalitet ?Ky është mentaliteti i robit,që e përkrah vetëm të fortin,të pasurin dhe atë që ka pushtet. Që nuk ka guxim të jetë në anën e më të dobëtit. Unë kam qenë dhe përjetë do mbetem në anën e më të dobëtit ngaqë e dijë që i dobëti është i drejtë,se i forti dhe i pasuri dhe ai që ka pushtet ,rëndom shumica prej tyre janë njerëz që pushteti u mundëson që të mos shihet se ata nuk kanë sundim as mbi vetveten dhe mbi atë që bëjnë.
Z.Kim, gjithë kjo që po ndodh,përse çdoherë fitojnë partitë në pushtet?Këtu a mund të amnistohet opozita?A mund të amnistohen OJQ-të,Lëvizjet Qytetare. Pse po na ndodh kjo?
Kim Mehmeti: Këtu nuk mund të amnistohet askush. As Kim  Mehmeti as ata që nënshkruajnë letra që i drejtojnë Kryeministrit, me të drejtë që të mos e shkelë vullnetin politik-shumicë shqiptarë. Mirëpo,nuk kanë guxim t`i dërgojnë letra të këtilla Kryetarit të BDI-së dhe t`a pyesin;Kush të lejon ty që legjitimitetin që e ke ta përdorësh në këtë mënyrë?E këtu është problemi. Ne e kemi lehtë që ti tregojmë Gruevskit se çka do të bëjmë. Por,ne tonit asnjëherë nuk i tregojmë. Shihni,më lehtë luftohet padrejtësia që ta bën tjetri,se sa përbuzja që ta bën i joti. Më e lehtë është kjo. Pse?Se ti kur i drejtohesh atij të huajit që të bën padrejtësi len përshtypjen e një njeriu të drejtë dhe nuk rrezikon asgjë. Mirëpo,kur i drejtohesh tëndit…
“Angazhimi që shqiptaria të jetë në NATO nuk është çështje partiake,është çështje mbarëpopullore. Anëtarësimi në NATO nuk varet nga BDI-ja por varet nga NATO-ja dhe anëtarësimi në NATO më shumë varet nga maqedonasit se sa nga ne. Cka nëse maqedonasit nuk duan në NATO dhe në BE?”-Kim Mehmeti
Duhet t`i drejtohemi BDI-së?
Kim Mehmeti: Me iu drejtuar ti kryesuesve të BDI-së dhe t`i pyesësh, përse e bojkotuat presidentin?Pse gjithë këto premtime dhe më në fund,marrëveshje për pjesëmarrje në Qeveri u shndërrua në atë që do të angazhohen për në NATO. Për në NATO të gjithë jemi të angazhuar. Angazhimi që shqiptaria të jetë në NATO nuk është çështje partiake,është çështje mbarëpopullore. Anëtarësimi në NATO nuk varet nga BDI-ja por varet nga NATO-ja dhe anëtarësimi në NATO më shumë varet nga maqedonasit se sa nga ne. Çka nëse maqedonasit nuk duan në NATO dhe në BE?Cilën variante ata do të na ofrojnë?Ne këto pyetje nuk ua shtrojmë njerëzve tanë. Ne harrojmë që ata,si na ndanin në tradhtarë nëse do votonim për Kryetarin,nëse nuk do e bojkotojmë, se ajo është çështje mbarëshqiptare,se ajo është referendum për një kauzë të madhe,të prijësit që sheh përtej maleve. Ne ,mund të paguajmë çmim shumë të madh ngaqë lejuam të bëhemi pengje të këtyre dy partive. Fajin për këtë e kemi të gjithë. Kemi dështuar të gjithë. Unë e pranoj, edhe kur flas kështu për politikanët tonë,për pjesën e korruptuar dhe injorante,unë në njëfarë mënyre e pranoj edhe atë se edhe ne nuk vlejmë gjë,se edhe ne shpeshherë  përfaqësohemi,duam të dukemi para publikut tonë ashtu siç nuk jemi .Nuk është problemi këtu pse u korruptuan disa politikanë. Problemi është këtu se të gjitha segmentet e shoqërisë tonë u korruptuan. Të gjithë ne që dridhemi;mos vallë BDI-ja mbetet jashtë qeverisë,fillojmë atëherë t`a kritikojmë kur na lajmërojnë se do të bëhen pjesë të qeverisë,kur jemi të sigurtë se jemi të mbrojtur. Shumica prej nesh u korruptuam. Pse u korruptuam? Unë nuk dua të jem gjyqtari i rreptë. Njeriu lehtë korruptohet kur e dinë se punëdhënësi në këtë shtet është partia në pushtet.
Të jesh intelektual shqiptar në Maqedoni duket se është shumë vështirë?
Kim Mehmeti: Ne të gjithë kemi familje. Unë edhe në këtë moshë si 60-vjeçar punoj ende si gazetar. Çfarë mendoni Ju se do të mbetesha si gazetar nëse nuk do t`i kisha këto qëndrime? Si mendoni Ju,ku do të punësohesha unë sikur të mos ekzistonte Tirana e cila të ofron zgjidhje të mbijetesës në kontekstin më të gjerë. Këto të lënë të vdesësh dhe madje më të lumtur janë kur të shohin të gjunjëzuar. Është e vërtetë se shqiptari kur të sheh të gjunjëzuar e njeh mëshirën. Mirëpo, shqiptari kurrë s`ta pranon suksesin dhe aftësinë sepse çdonjëri  prej nesh dëshiron të jetë babai i popullit,më i mençuri. Për këtë unë kam edhe dëshmi. Shkoni dhe pyetni liderët tanë partiak se a kanë këshilltarë?Nëse i kanë,do të vëreni se këshilltarët duhet të jenë për tri shkallë më budallenj se ata. Sepse ai ka ndjenja të të rrezatojë mençuri. Ai donë të të sheh vetëm të përkulur. Ne nuk jemi rritur natyrshëm. Boshti jonë nuk është kalitur me të fortit është kalitur me të dobëtit. Kjo ndodh në të gjitha sferat. Shihni  se ku e kemi ne arsimin, posaçërisht arsimin e lartë. Si prodhohen asistentët, si prodhohen profesorët tjerë. Unë mendoj se problemi i shqiptarëve të Maqedonisë është shumë më i thellë se sa ta shpjegosh përmes partive politik.
A është koha për një opsion të tretë,për një Vetëvendosje në Maqedoni. I pari që më bie në mend,në këtë kontekst, është Ziadin Sela?
Kim Mehmeti: Nuk ishte opsioni i tretë RDK-ja? Me çka nuk ishte? Kur RDK-ja përafërsisht i thoshte këto të njëjtat gjëra që po i themi edhe ne, faktorizimin, bashkëqeverisjen, bashkëdrejtimin e shtetit. Mund të mos më besojnë njerëzit,por gjithmonë kam qenë për të rejën. Pse? Sepse mund të lavdërohem pak,se unë këtë vjetrën nuk më duhet shumë kohë që ta kuptoj se në cilin drejtim shkon. Mua më duheshin dy vite që ta kuptoj se mendësia e BDI-së ,e atyre që drejtojnë BDI-në,kryesisht është leniniste. Njerëzit do të pyesin,por ç’është ajo?Ajo është kur ju mendoni se atë që ju thonë prej Brukseli që prej nesër do të hani vetëm kashtë,ju më nuk duhet të shtroni pyetje se përse ndodhi. Ju duhet të filloni të harxhoni kashtën që iu është dhënë. Kur do të thotë Uashingtoni,se prej nesër ju duhet të fleni të veshur me gjithë këpucë,ju s`duhet të lodheni se përse. Duke harruar se në këtë botë globale, ka politika globale që edhe unë nuk do t`i kisha mundur dhe që s`duhet t`i kundërshtojmë. Mirëpo, një pjesë të lojës se si ju do e ndërtoni USHT-në, nuk ta përcakton Brukseli. Se sa ju do të merrni hise nga buxheti nuk ta cakton Brukseli apo Uashingtoni nëse ti nuk je i aftë. Se si do ta zgjedhësh presidentin konsensual nuk varet nga NATO dhe BE,nëse ti nuk e kupton se para se ta kërkosh këtë duhet të bësh ndryshime kushtetuese. Derisa populli voton,është qesharake dhe përtej injorancës politike të dalësh e të thuash ne kërkojmë president konsensual. Kush mund të sjell konsensualitet popullor?
Si do të jetë pozicioni i BDI-së në Qeveri,kur nuk e njeh presidentin?
Kim Mehmeti: Do të jetë ky i njëjti që është. Në çdo 6 muaj do të na tregojnë se edhe 6 muaj u nevojiten. 4 vite nuk janë shumë të gjata. 4 vite mund t`i kalosh duke dalë në TV në çdo 6 muaj duke u kënduar rapsodi dhe popullit i thoni,pritni se do të hyjmë në BE. Tani vijmë sërish tek ajo mendësia leniniste. Nuk e shikon oborrin tënd por meresh me gjëra globale,me anëtarësimin e RM në BE dhe NATO. Unë them, nëse Maqedonia mbijeton si shtet, që gjithnjë e më shumë është në pikëpyetje, ajo gjithsesi do të anëtarësohet në BE dhe NATO edhe atë nëse ne qytetarët do të jemi kundër kësaj. Prandaj kryesuesit e BDI-së merren me diçka të sigurt. Mirëpo ata nuk flasin për zgjidhje kushtetuese që do të mundësojnë konsensusin dyetnik. Përse nuk flasin për këtë? Sepse kjo është diçka konkrete dhe duhet të ulet me partnerin qeverisës dhe t`a zgjidh. Këtë s`mund ta zgjidh, kur në ndërkohë,ai tjetri ju ka kuptuar se interes parësor keni të shihni deri tek kabineti ministror dhe deri tek interesi juaj personal dhe kur të gjithë të mirën e popullit e matni me thellësinë e xhepit tuaj. Kur e sheh ai që ju jeni të këtillë, ai e ka shumë të lehtë dhe ju manipulon si të dojë. Zgjedhjet e parakohshme parlamentare ishin të koordinuara në mes BDI-së dhe VMRO-së. PSE? Nëse BDI-ja do të dëshironte që ata të mos dukeshin si të atilla, nuk do të lejonte që zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbaheshin në të njëjtën ditë me ato presidenciale. Do ta kishte bojkotin më të sigurtë, por ajo nuk donte bojkotim. Donte bojkotim që ne ashtu të mendojmë, se ai është hidhëruar me Gruevskin. Mirëpo nga ana tjetër nuk e donte këtë, se po që se e donte zgjedhjet presidenciale do të mbaheshin në ditë tjetër e ato parlamentare në një ditë tjetër dhe bojkoti do të ishte më i pastër. Këto lojëra janë gjëra aq të pista dhe që e përbuzin inteligjencën tonë sa që ndonjëherë them kështu; si është e mundur që ata kryesues partiak të mendojnë se në këtë shtet, nuk ka shqiptarë të gjallë që dinë të mendojnë, se kur del Kryetari i BDI-së na e tregon të vërtetën, themi sa budallenj kemi qenë se si nuk e kuptuam. Unë edhe në këtë çast kam një droje, se ka plot njerëz që ti zbulojnë gabimet,se ka plot njerëz që i kuptojnë më mirë se ti. Unë,me konsideratë ndaj atyre,ndaj inteligjencës kolektive të popullit tim,mundohem që mos të jem më i mençuri, sa të mendoj se të gjithë më kuptojnë, se të gjithë mezi presin të më dëgjojnë dhe se unë jam ai zëri i së vërtetës. Jo, në politikë më e rrezikshme është kur futesh në spiralen dhe nuk e sheh se mund të hysh si fitues,por herë do kurdo mund të dalësh si hero i hipur mbi gomar. Unë e them publikisht. Nëse vazhdojnë në këtë rrugë disa nga drejtuesit e BDI-së, të cilët unë i çmoj për të kaluarën e tyre, do e harxhojnë vetë atë të kaluarën që e kanë dhe do të përfundojnë në të vërtetë si heronj të hipur mbi gomar.
Si i komentoni pohimet e vazhdueshme të PDSH-së,gjatë gjatë fushatës parazgjedhore,se ata me siguri do të jenë pjesë e Qeverisë. Ja që kjo nuk ndodhi?
Kim Mehmeti: Nuk është se nuk ndodhi. Mund t`ju them,në mënyrë figurative që PDSH-ja është gjithmonë pjesë e Qeverisë. Sepse PDSH-ja në të vërtetë është Kryetari i saj. Ai gjithmonë nxjerr përfitime. Ato 5-6 deputetë janë kredit-karta e tij që e fut na automat, sa herë që i nevojitet diçka,  për t`i mbrojtur bizneset e veta,për të mbrojtur vetveten. Ai është i vetmi Kryetar që unë,e uroj për atë,që nuk përfill asgjë, as vullnetin e popullit. Ai shpeshherë zbulon spiunë, bashkëpunëtorë shqiptarë me shërbimet sekrete. Ai, ulet publikisht me Drejtorin e shërbimeve sekrete të Maqedonisë. Ai e ka kuptuar se tek shqiptarët më nuk është asgjë e dëmshme në gjyqin publik të shqiptarëve. Ndoshta më së miri e ka lexuar mentalitetin e një pjese të shqiptarëve. Mos harrojmë,se deri dje,unë kam jetuar në një mjedis, ku, njerëzit tanë më të fortë ishin ata që e kishin shok “komandirin” e policisë dhe gjithë ne i frikësoheshim atij, se ai mund të na bënte edhe dëm por,mund edhe të na shpëtonte. Ndoshta këta udhëheqës e kanë kuptuar këtë mentalitet. Ata thonë; ne do të jemi pjesë e Qeverisë,sepse e kanë kuptuar se dominon ai mentaliteti i robit dhe e ka frikë të fortin. Ata duke e ditur se ka tek një pjesë e popullit një mentalitet i këtillë ata edhe mandej veprojnë kështu, sillen kështu, që të na bindin se ; kur vijë unë në pushtet, t`i mund të jesh i kooperativës bujqësore, por unë të bëj ministër,ti mund të jesh askush, por unë të bëj  Kryetar Komune. Sepse ne ende jetojmë me këtë mentalitet. Ruaju prej ujit, zjarrit dhe pushtetit. Këtë frikë ata e përdorin dhe e ushqejnë.
A keni patur përkrahje, së paku morale, nga shqiptarët për opinionet dhe reagimet tuaja?
Kim Mehmeti: Sot,është e vërtetë se nëse vendos partia në Qeveri ajo ju shkatërron për 24 orë. Këtu tashmë edhe hapur flitet për kurdisjen e krimeve. Vijnë veturës sime ia kurdisin në bagazh një qese me diçka dhe të nxjerrin në mbrëmje në lajme dhe fëmiu yt do të thotë: ”Po ndoshta e ka bërë”, po lëre më populli i cili do të thoshte “po edhe ky s`mund të jetë i larë”.Kur kam bërë disa reagime,kur kam rrezikuar shumë,asnjë shqiptar nuk më ka thënë se kisha të drejtë. Të gjithë më thonin “e ke tepruar”. A e dini pse e thonë këtë? Ashtu arsyetohet ai se përse nuk del krah teje, sepse po të mos e kishte tepruar këta do të të përkrahnin. Kështu edhe ti je fajtorë, nuk janë vetëm ata që ti i sulmon. Kurse nga pjesa maqedonase, duhet ta pranojë këtë , thonë – “nuk pajtohemi, por ke të drejtë”. Shqiptarët as edhe aq kaq nuk më kanë thënë. Më kanë thënë “e teprove”. Edhe këtu tek ne, në çastin kur ti je i sinqertë, kur i thua mendimet tua,pa pretendime të përjashtohesh, pa pretendime të diskreditohesh, meqë shndërrohesh në pasqyrë ku ndonjëri e sheh shëmtinë e vet edhe ai thotë ‘ky e tepron” apo “ai e ka lehtë”.gjithmonë tjetri e ka lehtë. Vetëm ai që hesht, tek ne e ka të vështirë dhe nga vështirësitë nuk i hapet goja.
“BDI dhe PDSH, kushtimisht të them, janë duke ndërtuar ushtri të veta, të cilët, mos e dhashtë Zoti, dikush mund t`i keqpërdorë ,për të na dëmtuar edhe më shumë”, – Kim Mehmeti
Ju pyeta për pozicionin e PDSH-së,shkaku i një postimi tuajin,kohë më parë në FACEBOOK,postim i cili në mesin e anëtarëve dhe simpatizantëve të PDSH-së shkaktoi një eufori të paparë?
Kim Mehmeti: Sado që njerëzit nuk kuptojnë,kurrë nuk i mati deklarimet e mija se sa i shkojnë për shtati një partie. E di që deklarimet e mija i shkojnë për shtati VMRO-së e lëre më partive shqiptare. E kam thënë, ajo ka qenë befasia ime më e madhe. Si mundet që një qytetar i kthjelltë, që të mos e votojë prof. Izet Zeqirin, kurse ta votojë Abdilaqim Ademin. Pra, nuk mund ta kuptoj dhe nuk ofendoj as atë që ka votuar njërin e as atë që ka votuar tjetrin. Mirëpo, për mua befasia më e madhe ka qenë rezultati i PDSH-së. Ja pse? Gjatë fushatës parazgjedhore kishte një makineri trishtuese të BDI-së. Juve fotografitë e tyre ju dilnin para syve edhe natën në gjumë. Nga ana tjetër PDSH-ja shkonte në tubime ashtu qetë dhe unë, të jem i sinqertë, mendoja se ky është fundi i tyre, sepse shihja edhe pak publikë,të jem i sinqertë. Pavarësisht dëshirës sime se e dëshiroja këtë. Por ndodhi ajo që unë nuk e prisja. 70 mijë votues, duke qenë i bllokuar nga mediet, i bojkotuar nga një pjesë shumë e rëndësishme e partisë – si Dega në Strugë dhe t`i marrësh 70 mijë. Kjo e dini se çka do të thotë? Tash do ta them në mënyrë figurative. Sikur të kesh 70 mijë të vaksinuar dhe në çastin e duhur e dinë se ku ta hedhin fletën e votimit. Kjo nuk ishte fryt i një makineria të madhe partiake që vepron,sepse kandidatët e tyre nuk pranonin as intervista të japin në media,sepse e kishin të ndaluar .Si u arrit kjo? Dmth Kryetari i kësaj partie ka 70 mijë ushtarët e vet. Pse e thashë këtë? Që ta dinë të gjithë. Të kesh 70 mijë veta që të mbështesin pa asnjë kusht, ata janë tifozët e vërtetë. Mirëpo, nga ana tjetër duhet ta dini, se ata tifozë, mund të përdoren për të mirë,por mund të përdoren edhe për të keq. Unë dua të paralajmëroj në diçka. BDI dhe PDSH,kushtimisht të them,janë duke ndërtuar ushtri të veta, të cilët, mos e dhashtë Zoti, dikush mund t`i keqpërdorë, për të na dëmtuar edhe më shumë. Kjo ishte qëllimi i atij postimi e jo ai që e morën simpatizantët e PDSH-së. Por, sërish e pranoj që ky është rezultat i vetëm një individi-i Kryetarit të kësaj partie. Jetoj sipas këtij parimi. Ju mund që kundërshtarin, atë që nuk ju do, mund që edhe ju mos ta doni,por,unë s`mund t`ia ha hakun,s`mund të mos ia pranoj atë që e shoh me sytë e mi.
“E them publikisht dhe vë bast publik. Nëse Maqedonia vazhdon kësaj rruge, ajo mund të anëtarësohet edhe në BE edhe në NATO, po do të kalbet nga brenda dhe fundi i saj do të jetë një shtet dyetnik” – Kim Mehmeti.
Nëse në shtator Maqedonia nuk merr ftesë për në NATO. A do ta rishikojë pozicionin vet në Qeveri BDI-ja. Të paktën në Komunikatën partiake kjo tingëllonte si ultimatum?
Kim Mehmeti: Kemi kërkuar ndonjëherë ne votuesit rishikim të asaj se çka ka ndodhur për këto 10 vite sa është në Qeveri. S`do ketë asnjë rishikim por do të ketë një paraqitje ku do të thuhet se “për shkak të interesit të shtetit, të shqiptarëve ne duhet të vazhdojmë me politikën tonë konstruktive që shteti të anëtarësohet në BE dhe NATO” dhe kurrgjë më tepër. Ata do të sundojnë ne do të jemi të sunduar. Këtë politikë do e kisha kuptuar,nëse BDI-ja ka për qëllim që të shkatërrohet ky shtet dhe kjo është rruga e mirë. Ai që ja do të keqen Maqedonisë,ai duhet vetëm ta lusë zotin që VMRO-ja të mbetet edhe nja 20 vite në pushtet dhe partner shqiptar t`a ketë BDI-në. Ajo do të kalbet, ajo është duke u kalbur nga brenda. E them publikisht dhe vë bast publik. Nëse Maqedonia vazhdon kësaj rruge,ajo mund të anëtarësohet edhe në BE edhe në NATO, po do të kalbet nga brenda dhe fundi i saj do të jetë një shtet dyetnik. Prandaj angazhohem unë që ajo sa më shpejt të ndodhë,do të jetë shtet ku do të ketë dy sisteme brenda, atë shqiptar dhe atë maqedonas. Nëse ky është qëllimi i BDI-së që kjo të arrihet, ngadalë, pahetueshëm, atëherë unë jam kundër asaj strategjie. Se unë jetoj sot dhe këtu dhe unë e dijë që shqiptarët e kanë politikisht këtë qëllim dhe kanë forca ta bëjnë. Paramendoni ju si do të vepronte Gruevski nëse Kryetari i BDI-së do të ulej në Reçicë, edhe ashtu ai në Shkup nuk vjen kurrë, dhe do të thonte “unë jam këtu. Dua këtu të më vijë mandatari dhe ta merr elaboratin tonë për pjesëmarrje në Qeveri”.
A mendoni se ka parti maqedonase që do të kundërshtonte 19 deputetët?
Kim Mehmeti: Unë jam habitur kur tash kërkohej nga qarqe dhe individ të ndryshëm që pushtetari t`a respektojë vullnetin e shqiptarëve. Nëse në këtë shtet ka forcë maqedonase që nuk respekton vullnetin shumicë të shqiptarëve, nuk duhet për këtë të brengosen shqiptarët, duhet maqedonasit ta lusin e jo ne. Pse ne shqiptarët që jemi më të paktë në numër jetojmë me iluzionin se ne mund ta shpëtojmë këtë shtet, nëse ata këtë nuk e duan. Unë e them publikisht se tek ata shtohet numri i maqedonasve që mendojnë se nuk ia vlen të kesh shtet të përbashkët me shqiptarët. Doni dëshmi për këtë? Kryeministri,mandatari i tanishëm doli publikisht dhe kërkoi më shumë vota që të mund t`i paralizojë shqiptarët. Po si mund që ju të hyni në qeveri me këtë?Unë këtë nuk e kuptoj. Prandaj them; Nëse kam përballë vetes një të tillë që dëshiron të mbrohet nga unë,unë do t`ia lejojë mbrojtjen dhe do t`i them kështu;”Bën Qeveri me PDSH-në dhe me kë të duash,por,shqiptaria është kjo që kam unë. 150 mijë votat janë shqiptaria e jo,ata që i ke marrë ti. Kështu ti ia lejon atij që të bëhet edhe më i fortë madje edhe tek shqiptarët. Para se të formohej qeveria e gjithë shqiptaria merrej me atë se kush do të hyjë në qeveri e kush jo. Ajo çështje s`duhet të shtrohet , dihet kush do hyjë në qeveri.
Është interesante një prononcim i zëdhënësit të BDI-së natën që u arrit marrëveshja VMRO-BDI. Ai tingëllonte në atë mënyrë se po që se BDI nuk do të hyjë në qeveri, mund të plasë lufta. Stabiliteti i vendit dhe siguria e qytetarëve ishin pohimet e zëdhënësit të BDI-së Bujar Osmani në MTV2?
Kim Mehmeti: Nëse dëshironi diçka të arsyetoni,çdo gjë arsyetohet. Mund t`ju shpjegoj se edhe lufta e dytë botërore ishte pozitive pasiqë pas asaj u zhvillua shumë ndërtimtaria. Njeriu çdo gjë mund të mbulojë me arsyetime të rrejshme, por sipas meje, e vërteta është kjo. Që ju nuk dini t`a përdorni vullnetin shumicë të popullit tuaj. Që duke mos ditur si t`a përdorni atë, ngaqë jeni të kapur, se logjikë tjetër nuk ka. Nuk mund ta besoj se kryesuesit e BDI-së nuk e dinë se të jesh 30% në një shtet dhe të jesh përfaqësuese e atij vullneti, ti je më i fortë se ai që ka 60%, se ti ke 30% dhe ke zgjidhje tjera, por ai nuk ka. Si i këtillë ti nënshtrohesh unë nuk mund të gjejë shpjegim logjik se ti je i kapur disi. Nuk them unë personalisht për Kryetarin, por ndoshta, njerëzit rreth atij. Publikisht garantoj se në BDI,ka njerëz që janë më kritik se unë ndaj kësaj. Nuk dua t`i keqpërdori thëniet e tyre. E dijë që BDI-ja është peng i disa politikanëve të korruptuar. Por ky nuk e arsyeton kryesinë e asaj partie. Pse? Sepse ai është që i mbulon këta. Në realitet këta e mbulojnë  atë, mirëpo në publik kur del, unë e shoh se ç`thotë kryetari, se ç`thotë zëdhënësi i cili shpjegon se këtë e kemi bërë sepse mund të kishte trazira. Cilat Trazira? Po kjo të çon drejt trazirave dhe unë e dini se përse flas kështu. Sepse kam frikë që fëmijët e mijë do të jetojnë më keq se unë. Se fëmijët e mijë nuk do të guxojnë nga shqiptari tjetër të dalin në rrugë e jo nga maqedonasi. Se nëse vazhdojnë punët kështu,ne do të rruhemi nga njëri-tjetri. Tani ka ardhur momenti që ne shqiptarët letra t`u shkruajmë drejtuesve tanë partiak dhe ku duhet të kërkojmë nga ata shpjegim se si e keqpërdorët vullnetin politik-shumicë? Cilën garancë na jepni se ju dini atë t`a përdorni? ;und të jap njëmijë argumente se ata këtë nuk dinë ta përdorin, ose dinë e nuk guxojnë ta përdorin se ai tjetri shkon atje me atë që duhet t`ua tregojë. Po, si guxon ti të marrish në qafë një popull shkaku i interesit të një rrethi. A nuk është më e ndershme të thuhet,unë me ju nuk mund të përballem, që më keni mbuluar dhe prandaj dal i tregoj këtij populli .Mirëpo, del Kryetari i BDI-së dhe thotë se këtu e kam ekipin tim, ata që do të fitojnë. Menjëherë pasi përfundojnë zgjedhjet shqiptarët ndjehen si të papërfaqësuar. Në ditën e zgjedhjeve fillon ajo beteja se kush do të fitojë e kush jo. Prej të hënës fillojnë muhabetet; si me këta, prapë me këta. Të njëjtit ministra, të njëjtë deputetë dhe ç`mund të presësh. Sa më shumë BDI-së i rriten votat, aq më shumë shqiptarët ndjehen të papërfaqësuar. Kjo është çështja që duhet ta brengos atë parti. Mua më brengos si shqiptarë, si prind, si njeri që këtu e ka lidhur fatin a gjithnjë më shumë e ndjen, këtë e them intimisht, se këtu nuk ia vlen më të jetohet, sepse këtu është ndërtuar një diktaturë dypartiake. Diktaturat nuk mund të luftohen nëpërmjet mendimit të lirë, sepse nuk ke mendim të lirë. Ne u shndërruam në shoqëri ku askush askujt nuk i beson. Nuk u besojnë politikanëve,nuk na besojnë edhe neve opinionistëve. E dini pse? Edhe kanë të drejtë. Shkaku i asaj që thashë më parë, të gjithë u korruptuam. Kush duke mos patur zgjidhje tjetër dhe fundja të gjithë ne kemi familje.
Në këto vite të qeverisjes së këtij pushteti, si mendoni, si ka ndikuar në ndërgjegjen e qytetarëve të Maqedonisë ky pushtet, si shoqëri jemi më tolerantë apo më jotolerantë?
Kim Mehmeti: Ne jemi bërë vetëm si shoqëri e pandjeshme ndaj fatit tonë. Ne, ku morra pjesë edhe unë,e ndërtuam mitin të quajtur BDI, të lindur nga UCK-ja. Kisha shpresën se e vetmja ajo trashëgimi ai simbol i madhërishëm i UCK-së, mund t`iu mundësojë drejtuesve të saj të bëjnë një parti të mirë, ku do të fillojmë të çmojmë edhe vlera, ku do të kompletohemi si shoqëri. Se shoqëri e plotë është ajo që i ka të gjitha. I ka Shoqatat e mirë të shkrimtarëve, OJQ-të të mira, Shoqatën e Mjekëve, Universitetet autonome e jo një parti që i kontrollon të gjitha. Shpesh mua më pyesin se përse u tërhoqe? Në çastin kur e vërejta se ne bëjmë një PDSH tjetër, aq më shumë madje edhe më të rrezikshme, ngaqë ka një emblemë shumë të madh pas vetes. Nëse keni vërjetur në çdo fushatë parazgjedhore përmendet gjaku i dëshmorëve që është i vërtetë. Mirëpo nuk përmendet se si u përdor ai gjak i dëshmorëve. Se atë gjak nuk e dha rinia shqiptare që dikush të pasurohet e gjithë populli të varfërohet. Unë mendoj se ne gjithnjë e më shumë futemi në këtë diktaturë dypartiake, ku BDI-së nuk i konvenon assesi shkatërrimi i PDSH-së, dhe nëse e keni vërejtur këto dy parti ia nxjerrin sytë njëri-tjetrit, mirëpo të dyja bashkë e luftonin RDK-në, dhe të dyja bashkë do të pamundësojnë këtu organizimin e cilitdo subjekt të tretë, derisa është kështu. Se kanë pushtetin prapa, kanë policinë prapa. Ajo polici madje është futur në këto parti, dhe normalisht kanë pasurinë prapa. Prandaj mua edhe në Tiranë edhe në Prishtinë më pyesin; përse është e pamundur të del një lëvizje e tretë? Nuk është e mundur në rrethana, kur ju punëdhënës të vetëm e keni BDI-në, vend ku mund të bëheni shkrimtarë e keni BDI-në, ku institucion që të jep diplomë fakulteti e ke BDI-në, ku të bën rektor BDI-ja,ku të rrëzon BDI-ja, ku të bën redaktor BDI-ja, ku ta mbyll medien BDI-ja. Në këto rrethana, ai i riu,fillon t`i injorojë edhe prindërit e vet. Sepse ai thotë; të gjitha këto cili prind mund t`ia ofrojë fëmiut të vet . Cili prind mund t`i thotë fëmiut të vet; Shiko bir unë t`a garantoj doktoraturën. A prijësi partiak këtë mundet t`ua bëjë çdo fëmiu tonë. Kështuqë dalëngadalë këto na u futën edhe në familje. Këta filluan të na përbuzin përpara fëmijëve tanë, sepse fëmijët tanë e shohin se sa të paaftë jemi kundrejt tyre. Sa i varur është fati i tyre nga prijësit partiak. Ne e ndërtuam prapë mitin e Enver Hoxhës-që kush e shanë bacën Enver e ka sharë popullin. Andaj ne e ndërtuam këtë mit me duart tona. Mitet kanë dy faza. Kanë fazën e ndërtimit që është shumë i lehtë dhe i shpejtë, por, rrënimi i tyre është shumë i rëndë. Këtë që bëj, dua t`a shlyej mëkatin tim në ndërtimin e atij miti. Ata na kuptuan se ne u futëm në atë mit e tash si do të dalim një Zot e din. Unë nuk e di…

Related

Video 4004780856576591337

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item