Kasetë dhe prova të reja që fundosin Sali Berishën në vrasjen e Azem Hajdarit

Ish-truproja e Azem Hajdarit, aktualisht kreu i “Shoqatës Mbarëkombëtare Azem Hajdari”, Marjan Gryka, deklaron se ka prova, fakte dhe dëshmi...


Ish-truproja e Azem Hajdarit, aktualisht kreu i “Shoqatës Mbarëkombëtare Azem Hajdari”, Marjan Gryka, deklaron se ka prova, fakte dhe dëshmi të reja që kompromentojnë rëndë pozitat e Sali Berishës dhe Genc Pollos etj., në ekzekutimin e Azem Hajdarit, rivalit kryesor në Partinë Demokratike.
Gjatë një interviste për Gazetën “SOT”, Marjan Gryka, ka komentuar kërkesën e disa eksponentëve të së majtës shqiptare për rihapjen e dosjes së Azem Hajdarit, ndërsa ka sjellë për herë të parë dëshmi të reja rreth vrasjes së Azem Hajdarit. Gryka pohon se Genc Pollo ka komunikuar me Azem Hajdarin disa minuta para se të vritej. Po ashtu, ish-truproja e Azem Hajdarit ka deklaruar se prokurori Len Coniku, para se të lironte vrasësit e Azemit, ka dalë nga zyra e Sali Berishës. Kreu i “Shoqatës Mbarëkombëtare Azem Hajdari”, Marjan Gryka ka folur edhe për atentatet ndaj Azem Hajdari, ku sipas tij, fshihej dora e Berishës.
-Z. Gryka, eksponentë të së majtës shqiptare, dikur të akuzuar nga Sali Berisha si të implikuar në vrasjen e Azem Hajdarit, kanë kërkuar publikisht që të hapet dosja e Azem Hajdarit, pas disa dëshmive që keni dhënë ju rreth rrethanave të “vrasjes së shekullit”. Cili është komenti juaj? 
Në radhë të parë, eksponentët e së Majtës nuk janë ish të akuzuar nga Berisha por të akuzuar çdo ditë siç ishin edhe në datën 5 Maj nga vetë Saliu, dhe të dyja palët e akuzuara nga viti 1998 kanë bërë vetëm akuza dhe lojëra bashkëpunimi, ku shumë nga këta duhet të ishin përpara drejtësisë, dhe jo njëherë, por disa herë publikisht, Sali Berisha ka akuzuar si organizator në pushkatimin e Liderit të Dhjetorit Azem Hajdari, Thimio Kondin që liroi vrasësit me urdhër, Fatos Nanon, Skënder Gjinushin, Fatos Klosin dhe të gjithë këta në poste kyçe qeveritare! Dhe këta politikanë të akuzuar kanë mbajtur mbi shpatulla për gjithë këto vite akuzën më të rëndë ndër vite, megjithatë më vjen mirë që paskan marrë kurajon të shkojnë përpara drejtësisë që të kundërshtojnë akuzën, dhe të tregojnë vrasësin e vërtetë ose ta pranojnë akuzën publike të Sali Berishës! Dhe unë me të gjithë këta, dëshiroj dhe shpresoj të takohem në gjykatë, pra të bëhet një Gjyq popullor me dyer të hapura dhe me juristë dhe vëzhgues të huaj që ky popull të shikojë një ditë të vetme Drejtësi dhe të qetësojë shpirtin për liderin e tyre që ja vranë.
-Mendoni se ka prova, dëshmi dhe fakte të reja që nuk janë marrë në konsideratë nga drejtësia, të cilat mund të rëndojnë pozitat e Sali Berishës në vrasjen e Azem Hajdarit?
Unë, si ish-truprojë i Azem Hajdarit dhe sot si President i Përgjithshëm i Shoqatës Mbarëkombëtare Azem Hajdari, rideklaroj se drejtësia nuk ka ekzistuar fare në seancat e një gjyqi fallso siç ishte gjyqi “Hajdari”. Prova ka plot, dhe kryesorja është ajo që, Berisha ka deklaruar vrasësit dhe organizatorët me emra. E dyta, Genc Pollo si ish-eksponent dhe dëshmitar, ka komunikuar disa sekonda me Azemin para se të vritej. Një tjetër i bënte pyetje dëshmitarit (truprojës Neza) tek koka e krevatit bashkë me Saliun ku Neza, në besim e sipër, ju ka treguar shumë gjëra edhe ai i mban të fshehura me mikun e tij Sali. Ish prokurori Len Coniku, pasi në fshehtësi shkoi në zyrën e Saliut dhe tregoj shumë gjëra për vrasësit e liruar nga burgu para se të vritej Azemi! Dhe më pas doli se këta e vranë Azemin! Dhe të gjithë ata policë oficerë që ishin aktor në vrasje dhe dolën thjesht dëshmitar në gjyq duke gënjyer siç ju tha vetë Saliu dhe siç u pa kur mori pushtetin, i vuri në poste policie etj”.
-Ish-kreu i Shërbimi Informativ Shtetëror, Fatos Klosi, ka deklaruar se vrasja e Azem Hajdarit mund të parandalohej, nëse do të ishin marrë seriozisht informacionet e ardhura nga Tropoja për planin për ekzekutimin e tij. Cili është komenti juaj? 
Në lidhje me z. Fatos Klosi, unë mendoj se të jesh Shef i Shërbimit Informativ në një kohë kur ti je në këtë post vritet Lideri i Dhjetorit, Deputeti i Parlamentit, kur para kësaj vrasje Azemi me ne kishte kaluar disa atentate dhe kishte lajmëruar strukturat e shtetit me në krye ministrin e Rendit Perikli Teta, kur në këtë Shef Shërbimi ka një mal me akuza nga Berisha, vetë besoj se nuk do shumë koment: Klosit i ka ardhur koha të flasë!
-Ka pasur një deklaratë nga ish-truproja e Azemit, se një plak i Haklajve disponon një kasetë komprometuese për Berishën. Si qëndron e vërteta?
E kam thënë dhe rithënë që njeriu që duhet të dalë përpara drejtësisë për vrasjen e “Shekullit” ku ka një mal me akuza nga 80% elita politike është Sali Berisha. Ky Sali, e di mirë se kaseta e Haklajve ekziston. Ky e di shumë mirë se askush nuk donte të vriste Azemin, por Saliun! Ky Sali me Gazideden për shumë vite nuk i lanë gjë pa bërë Azemit dhe ne bashkë me të, deri në atentate të kurdisura nga SHIKU i UDB dhe Gazidede me urdhër të Saliut (Penicilina agjent i vjetër i kësaj kupole vrasëse). Berisha dhe UDB e dinin se, po t’u vriste Azemi u vriste Çamëria, Kosova? Dhe Shqipëria prandaj duhej vrarë se, Saliun me mafien e partisë nuk i donte më askush, por donin dhe adhuronin liderin e tyre Azem Hajdarin. Ndjejmë keqardhje për Prokurorin e Përgjithshëm që e futi veten në qorrsokak duke i vënë njolla vetes dhe duke e humbur ky popull plotësisht besimin tek drejtësia e tij private. Ne i jemi drejtuar publikisht të dalë e të rihapë çështjen, ndërsa ai bashkë me Saliun shpresojnë akoma tek ato lakej që fusin çdo ditë të na kërcënojnë ne dhe familjet tona! Por gabohen rëndë, sepse Azemi nuk falet çfarëdo që të bëni, këdo që të blini, të afërm apo të largët. Shoqata Azem Hajdari nuk njeh kompromis me askënd.
-Pse e sulmonte Berisha, Azemin? 
Shembujt janë në mendjen e njerëzve të thjeshtë, pasi vetë Azemi ishte në ballë të shumë demonstrimeve anti-Berishë që atëherë, deri sa u bë njësh me grevën e urisë së minatorëve në 1996 dhe me Sindikatat e Pavarura, për të rrëzuar qeverinë e PD, kur Berisha e përjashtoi Azemin nga PD, e shkarkoi nga funksioni i Kryetarit të Komisionit të Rendit e SHIK-ut, i hoqi imunitetin si deputet. Dhe Azemi u deklarua deputet i pavarur dhe me plot sulme të egra e survejime nga i ndjeri Bashkim Gazidede, derisa arriti kulmin dhe forcat e rendit ndërhyjnë në një takim me sindikatat në Korçë, për ta arrestuar, ku situata degjeneroi deri aty sa Azemi kaloi në përleshje fizike. Urdhri ishte dhënë nga lart, pra nga ish-Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha i cili synonte të ‘asgjësonte” politikisht Azemin.
-Çfarë dini ju për lidhjet e UDB me Sali Berishën? 
Sipas informatave, UDB përdori të gjitha metodat dhe format që Sali Berisha të zgjidhej kryetar i PD ( duke përdorur Rajersonin ), për shkak se atëherë CIA financonte Jugosllavinë me fonde për të ushtruar propagandë për të tërhequr bashkëpunëtorë në vendet e Ballkanit. UDB ka rekomanduar edhe Sali Berishën. Në garën për kryetar partie midis Meksit, Vejsiut, Cekës dhe Sali Berishës, u ndërhy që të fitonte Berisha por në fakt si kryetar u zgjodh Meksi. Është dashur këmbëngulja e Eduart Selamit që zgjedhjet të përsëriteshin duke dhënë dorëheqjen Meksi dhe për të dalë në krye Berisha. Meksit i premtuan postin e kryeministrit dhe zëvendës të bëhej Pashko në Qeverinë e Stabilitetit. Pashko ishte ai që gjatë vizitës në Greqi, në takimin me Micotaqisin, tha se Qeveria Shqiptare nuk ka pretendime për Çamërinë.
Sali Berisha ishte beniamin i Amerikës ndër udhëheqësit e lindjes, por ai nuk e justifikoi këtë, për shkak se ai drejtohej nga UDB-ja dhe, pas ardhjes në pushtet, e ktheu Shqipërinë në një vend ku strehohej fundamentalizmi islamik dhe në bashkëpunim me Gazideden strehoi terroristë shumë të rrezikshëm. Për këtë, ai e lejoi Gazideden të krijonte shoqatën islamike dhe të bëhej kryetar i saj si dhe e anëtarësoi Shqipërinë në Konferencën Islamike. Nga fondamentalizmi islamik ai ka marrë qindra mijëra dollarë bakshishe e shumë dhurata të çmuara për gruan e tij, që i mbajnë vetëm gratë e sheikëve dhe që shkojnë me miliona dollarë. Këto probleme i di ish ambasadori ynë në Malajzi, Ferit Hoti. Sali Berisha ka marrë miliona dollarë për t’u çuar armë palestinezëve më 1996.
Ai i nisi avionët me armë, të cilët zbritën me detyrim në Çad dhe u ndaluan të vazhdonin më tej. Urgjentisht ka ardhur në mënyrë sekrete në aeroportin e Rinasit Arafati dhe ka biseduar për gati 1 orë me Sali Berishën, ku e ka kërcënuar se në rast të mos mbërritjes së armëve ose parave të paguara, do ta likuidonte fizikisht. Në këtë kohë dollarët ishin përdorur për qëllime të tjera. Për të larë këtë borxh ai ndërtoi strategjinë për t’i gjetur këto para. Në shtator 1996 Saliu jep konferencë për shtyp ku deklaron se paratë e shqiptarëve në firma janë më të pastrat, ndërsa disa ditë më parë, FMN kishte dhënë sinjalin për mbylljen e tyre. Pas kësaj pati një vërshim të parave të popullit në firmat piramidale, lekët e të cilave u morën nga qeveria për të shlyer Arafatin. Të tjerat u grabitën nga brenda oborrit të Saliut.
Sali Berisha dha urdhër të arrestohej Sudja, iu morën lekët, pjesa më e madhe e të cilave u fut në bodrumet e Presidencës, një pjesë u bllokua dhe një pjesë tjetër u grabit nga funksionarë të tjerë. Mbas disa ditësh, ndërhyn tek Meksi ( kryeministër ) në emër të Sali Berishës, Tritan Shehu, ish Ministër i Jashtëm dhe kryetar i PD, për ta liruar Suden, por Meksi u përgjigj se nuk e kishte futur ai në atë burg. Sali Berisha është krijues i firmës piramidale Gjallica, me Shemsije Kadrinë, e cila ka qenë shoqe e ngushtë me motrën e Liri Berishës. Ndërsa Gani Kadrija ka qenë oficer i zbulimit dhe përfaqësues tregtar në Split të Jugosllavisë, mik i ngushtë i Sokrat Plakës ( ish ambasador në ish Jugosllavi dhe ish zv/ministër i jashtëm ) dhe ka të dhëna se ishte tërhequr në bashkëpunim nga UDB. Pikërisht me këtë lidhet fakti që motra e Liri Berishës ( në Jugosllavi ) ishte shoqe e ngushtë me Shemsije Kadrinë, e cila, pas një udhëtimi në Jugosllavi e më pas në Gjermani, si dhe lidhja me ish veliun e Stambollit, të cilit i kishin falimentuar bizneset e tij, bëri të mundur krijimin e firmës piramidale Gjallica. I gjithë ky operacion u iniciua dhe u kamuflua nga UDB-ja. Ndaj Sali Berishës ka vepruar dhe vepron me intensitet UDB-ja.
Zbulimi serb dhe ai grek, në bashkëpunim me njëri tjetrin dhe ndihmën e Sali Berishës, kanë shkatërruar dhe po shkatërrojnë Shqipërinë. Ata nuk shkatërruan vetëm ekonominë nga veriu në jug, por krahas kësaj duan të shkatërrojnë edhe kombin shqiptar. Serbët nga veriu dhe grekët nga jugu filluan zbatimin e planit të tyre. UDB përgatiti 2 Prillin 1991 dhe vrau në Shkodër, në bashkëpunim me politikanë të PD, Arben Brozin. Përpara se të niste protesta, kur sheshi para Komitetit të Partisë së Punës ishte ende bosh, ishin vendosur aty në gatishmëri aparatet e filmimit dhe të televizionit, çka tregonte se diçka do të ndodhte. Gjatë protestës, kur Brozi është qëlluar me një pistoletë, një person i quajtur Islam, që ishte afër më Arben Brocin, dëgjoi këto fjalë: “ Zef (i gjatë) pse ma bëre këtë ”?
Kur ky person pa që Broci ra në tokë i mbuluar me gjak, e mori në krah dhe e çoi në spital, ku mjek roje ishte, Ali Spahia. Sipas Islamit, deri në spital Broci nuk kishte vdekur, por ishte gjallë. Ai dyshoi te Spahia, sepse Spahia tha “ vdiq, çojeni trupin në shesh”! Të gjitha këto fakte flasin për një plan të parapërgatitur në mënyrë të hollësishme. Jo më kot, pas disa ditësh, në të gjitha muret e Shkodrës u shkruajtën parrulla se Arben Brocin e vranë Pjetër Arbnori dhe përfaqësues të Berishës. Sali Berisha futi hasmërinë dhe gjakmarrjen midis fiseve të cilat, për dhjetëra vjet, UDB nuk kishte mundur t’i bënte agjentë të saj. Të vrarët në Tropojë nga kjo armiqësi janë me dhjetëra. Pse nuk shkon Sali Berisha në vendlindjen e tij ? Ndërsa grekët në jug filluan të shkatërrojnë ekonominë dhe të bëjnë gjithçka sipas synimeve të tyre aneksioniste. /SOTNEWS

Related

Shqipëri 6713592148754531630

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item