APPLE / Muzika ka ndryshuar
Për të fituar, tani blen kompanitë e tjera. Blerja e kufjeve “Beats” tashmë shënon një kthesë. Teknologjia për “t’u veshur” përbën prioritet...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/05/apple-muzika-ka-ndryshuar.html
Për të fituar, tani blen kompanitë e tjera. Blerja e kufjeve “Beats” tashmë shënon një kthesë. Teknologjia për “t’u veshur” përbën prioritet
Nëse do t’i shkohet deri në fund blerjes së “Beats electronics’ për 3.2 miliardë dollarë nga ana “Apple”, atëherë kemi të bëjmë me blerjen më të madhe të kryer ndonjëherë nga kompania e Cupertinos, dhe për një kthesë të vërtetë në historinë e saj. Themeluesi Steve Jobs nuk kishte blerë asnjëherë një tjetër markë të famshme, duke menduar ta lërë të pavarur. Por tani Tim Cook, drejtori i përgjithshëm prej tre vitesh, pasi ka marrë fund radha e gjatë e produkteve të menduar dhe projektuar nga paraardhësi i tij, duhet të marrë vendime kurajozë dhe të lançojë nisma të reja.
Për t’u veshur
Teknologjia e lartë “për t’u veshur” është një prej tendencave që konsiderohet më premtuesja sot dhe “Beats electronics” – prodhues kufjesh dhe pajisjesh të tjera audio, si dhe një shërbimi muzike në internet – mund të shihet prej Cookut si mënyra e duhur për të hyrë në këtë sektor. Në fakt deri tani, teknologjia e këtij lloji ka qenë përqëndruar vetëm tek orat e dorës smart dhe pajisjet si për shembull byzylykët teknologjikë për të bërë sport, por asnjëri prej produkteve ekzistues nuk i ka entuziasmuar konsumatorët. Sipas The Economist, kufjet Beats mund të shndërrohen në një platformë e teknologjisë së lartë “për t’u veshur” që furnizon të gjithë serinë e materialeve interaktivë, në konkurrencë me “Google Glass” dhe me “Oculus VR” të Facebookut.
Wall Street është e pavendosur nëse duhet të përqafojë këtë interpretim pozitiv të blerjes së “Beats” apo nëse duhet ta konsiderojë një gabim, një shenjë dobësie e lidershipit të Cook.
Kështu aksionet e Apple, pasi kaluën 600 dollarëshin të hënën e 6 majit, janë ulur dhe më pas kanë vazhduar të luhaten lartë e poshtë. Por vlera në Bursë e “Mollës” ka mbetur fortësisht mbi 500 miliardë dollarët, duke e konfirmuar si kompaninë me kapitalizimin më të lartë në botë, me mbi 70 miliardë më shumë se kompania që renditet e dyta, Exxon Mobile. (Pershtatur ne shqip nga bota.al)
Lidershipi
Rikthimi i “Apple” në vendin e parë – pas rënies një vit e gjysmë më parë, kur aksionet e saj vlenin 385 dollarë – sjell kënaqësi sidomos për Angela Ahrendts, e cila që nga fillimi i majit ka marrë detyrën e përgjegjëses për shitjes si në internet ashtu dhe në 424 dyqanet e “Apple” në 15 vende të botës. Për ta bindur që të linte detyrën si drejtore e përgjithshme e kompanisë së modës “Burberry”, Cook i kishte dhënë në fakt një paketë prej 113 mijë aksionesh, që me çmimet e sotëm vlejnë afro 68 milionë dollarë.
Ahrendts, që është amerikane, ishte përqëndruar tek mediat sociale dhe tek teknologjia për të rivitalizuar markën britanike të veshjeve dhe për të pushtuar tregjet në zhvillim. Detyra e saj parësore tek “Apple” do të jetë lancimi i produkteve të rinj që priten këtë vjeshtë, për të cilët qarkullojnë një mijë zëra: është e mundur që iPhone 6 i ri do të ketë një ekran më të madh për të konkuruar me serinë Galaxy të Samsungut dhe me Androidët e tjerë të nivelit të lartë. Ndërkohë, mund të shtyhet sërish debutimi i iWatch (orës së dorës smart) si dhe një iTV (televizori inteligjent). (Pershtatur ne shqip nga bota.al)
Në radhë
iPhone i vetëm ka vazhduar të jetë burimi kryesor i të ardhurave të “Apple”: 57 përqind e tyre në tremujorin e parë të vitit 2014. Herën e fundit që një model ka patur ekran më të madh ka qenë në vitin 2012, me iPhone5: në atë vit aksionet e “Apple” arritën maksimumin e 700 dollarëshit. Tani, pavarësisht një ngritjeje me 23 përqind që nga 23 prilli, dita kur Cook bëri publikë rezultatet tremujorë, aksionet e “Apple” janë ulur në krahasim me shumë prej konkurentëve: kushtojnë vetëm 13 herë më shumë se sa fitimet e parashikuar për 12 muajt e ardhshëm. Pra kanë një potencial të lehtë rritjeje, duke marrë parasysh edhe nismat speciale të Cook për drejtuesin e ri financiar, italianin Luca Maestri: nga 9 qershori do të fillojë këmbimi në Bursë i aksioneve të rinj frut i ndarjes për shtatë dhe zakonisht pas një ndarjeje (split) – që bën më të përballueshëm cmimin për investitorët e vegjël – aksionet pësojnë rritje. Veç kësaj, është rritur me 8% dividenti. Të gjitha masa që i pëlqejnë shumë Wall Streetit. (Pershtatur ne shqip nga bota.al)
Qëndrueshmëri
Por përveç operacioneve financiarë, prapa rimëkëmbjes së “Apple” në Bursë qëndron edhe konfirmimi i qëndrueshmërisë së biznesit të saj, që në muajt e fundit ka përgënjeshtruar zërat për një ngadalësim. Kompania e Cupertinos merr 60% të fitimeve të tregut botëror të smartphone-ve, ndonëse shet vetëm 15 përqind të aparatëve. Dhe vëllimi i shitjeve të saj në internet vitin që kaloi, sipas revistës “Internet retailer” është rritur me 24 % duke shkuar 18.3 miliardë dollarë, gjë që e sjell në vendin e dytë të të mëdhenjve të eCommerce, pas Amazon.com. (corriere economia)
Pershtatur ne shqip nga bota.al