Surprizat na lënë gjithmonë gojëhapur

Na kanë ndihmuar të mbijetojmë, të zhvillojmë shkencën dhe janë “kripa” e barsoletave, romanëve, filmave, gjëegjëzave dhe reklamave… Pasi sh...

Na kanë ndihmuar të mbijetojmë, të zhvillojmë shkencën dhe janë “kripa” e barsoletave, romanëve, filmave, gjëegjëzave dhe reklamave…

Pasi shpiku teleskopin, Galileo e ktheu drejt qiellit dhe… surprizë! Ai vrojtoi se rreth Jupiterit rrotulloheshin katër objekte të vogla, kur dihej se të gjithë trupat qiellorë silleshin rreth Tokës. Kështu, vrojtimi i papritur çoi në krizë teorinë e Ptolemeut (me Tokën në qendër të gjithçkaje) dhe burgosi Galileon, sepse në atë kohë surprizat në fushën e shkencës nuk çmoheshin shumë, pasi rrezikonin që të minonin bindjet fetare. Nga ana tjetër, siç kujton historiani i shkencës Thomas Kuhn, “shumë zbulime të rëndësishme lindin nga marrja në konsideratë e një anomalie”. Ndaj duhet të kesh aftësinë që ta lësh veten të të habisë: “serentipità”, ose zbulimi i diçkaje të papritur, ndërkohë që po sheh diçka krejt tjetër, kërkon medoemos fleksibilitetin në mënyrë që të tërhiqesh nga surpriza. Për shembull, Aleksander Fleming harroi të pastronte disa kultura bakteriale mbi të cilat po punonte dhe pas kthimit nga pushimi vuri re se ishin sulmuar nga një myk i llojit “Penicillium”. Fleming u çudit shumë, por pas një studimi zbuloi vetitë antibiotike të penicilinës.

Për të shijuar deri në fund surprizën, jemi të gatshëm që të paguajmë çokollatën e “Kinder”-it deri në 300% më shumë

Tru i programuar

Për të kuptuar rëndësinë e atij myku duhej një gjeni, por sot njeriu do ta kuptonte se kishte ndodhur diçka e papritur. Truri ynë është krijuar për t’u aktivizuar para gjërave të reja, një aftësi të cilës i atribuojmë edhe suksesin tonë si specie. Mendoni për shembull për një shëtitje që bëni çdo ditë: a do të ishit në gjendje të thoshit se ç’ngjyrë ka pallati i tretë në të djathtën tuaj? Natyrisht që jo, por mjafton që të pritet një pemë për të na tërhequr vëmendjen se diçka ka ndryshuar dhe për t’u informuar. E njëjta gjë vlen edhe për tingujt: nuk i vëmë re zhurmat e vazhdueshme mjedisore, siç është ajo e frigoriferit, por arrijmë t’i shquajmë.

E njëjtë për të gjithë

Aftësia për t’u surprizuar daton që në kohërat e hershme. Që tri javë pas lindjes, foshnjat fillojnë të reagojnë ndaj gjërave të reja: nëse për tri javë janë mësuar me të njëjtat figura gjeometrike, zemra fillon t’u rrahë më shpejt kur shohin diçka të re. Emocioni i surprizës është konsideruar nga psikologët amerikanë një nga 6 ndjenjat e rëndësishme (bashkë me trishtimin, inatin, lumturinë, frikën dhe neverinë). Këto lloj ndjesish, ose emocionesh janë identike në çdo kulturë njerëzore. “Emocionet e tjera ndikohen nga kultura dhe rrjedhin nga kombinimi i dy ose më shumë emocioneve primare: për shembull xhelozia është një përzierje inati dhe trishtimi”, shpjegon Valentina d’Urso, docente e psikologjisë së përgjithshme në Universitetin e Padovas. Një studim tjetër i Universitetit Vanderbilt ka treguar se surprizat na “verbojnë” ndaj gjërave të tjera: stimujt e papritur thithin totalisht vëmendjen tonë, madje aq sa nuk na lejojnë më të mbledhim të dhëna të tjera nga mjedisi përreth.

Nga arti te poezia

Edhe arti vetë arrin të jetë stimulues, na emocionon, na lë pa fjalë. Për këtë arsye dizajni është gjithmonë në kërkim të formave të pazakonta. Sot riprodhimi identik i një fytyre ose i një mjedisi nuk na habisin më, ndaj artistët kanë filluar të zgjedhin rrugë gjithnjë e më pak figurative. Arti i viteve 1900 nga fytyrat e thyera të Pikasos, tek orët e zbutura të Dalisë, ka gjetur mënyra të tjera për të na befasuar. E njëjta gjë vlen edhe për poezinë. Është poeti ai që duhet ta mrekullojë lexuesin në fund.

Biznesi i të papriturës

Kënaqësia e të papriturës po shfrytëzohet edhe nga biznesi. Kjo është edhe një nga arsyet që reklamat po krijojnë efekte shokuese. Edhe marketingu ka filluar të “gudulisë” kuriozitetin me dhurata, që si gjithmonë nuk u dihet përmbajtja: për shembull suksesi i vezëve “Kinder” lindi me idenë për t’i habitur konsumatorët. E meqenëse jemi te veza, kush nga ne do ta refuzonte atë që përveç shijimit të asaj pak çokollate, të mos provonte fatin se çfarë do të fitonte?

E di të fundit?

Pa surprizat as humori nuk do të ekzistonte: çdo barsoletë, nga ajo më vulgare te më e ftohta, në fund na bën që të qeshim. Humori ynë shtohet më shumë kur një batutë është e papritur, na bën që t’i shohim gjërat krejtësisht ndryshe. Problemi është se surpriza është emocioni më i shkurtër që ekziston. Zgjat vetëm një sekondë. Menjëherë pas saj truri fillon të analizojë ngjarjen dhe në bazë të rezultateve, kalon te një emocion tjetër, që mund të jetë lumturia, frika, trishtimi…



Emocionet bazë janë 6: trishtimi, inati, lumturi, frika, neveria dhe… surpriza!



Personat që bëjnë dhurata duan t’i lënë gojëhapur ata që ua dhurojnë. Cili prej nesh nuk ka pranuar një surprizë? Dhuratat na pëlqejnë të gjithëve

Related

Psikologji 6481667491635510237

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item