Mbi të rëndësishmen …Opinion nga Majlinda Bushja

Majlinda Bushja   E rëndësishmja është boshti ku gjithçka jona si individ dhe shoqëri vërtitet dhe gjen mbështetjen aty, është domethënia e ...

Majlinda Bushja
 E rëndësishmja është boshti ku gjithçka jona si individ dhe shoqëri vërtitet dhe gjen mbështetjen aty, është domethënia e ekzistencës sonë shumëshekullore, e përfillshmja që kërkon përuljen në emër të vlerës që mbart, vlera që kushtëzon në emër të jetës. E rëndësishmja përkufizon vetveten mes subjektivitetit të këndvështrimit njerëzor, dhe objektivitetit të pranimit absolut për shkak të vlerës që përcjell. Pse ndodh kështu?
Ne jemi të ndryshëm mes nesh si individ, pasi gjykojmë nisur nga këndvështrimi ynë mbi të drejtat, detyrimet, dëshirat dhe vlerat e shoqërisë në botë, prandaj secili prej nesh nuk ka të njëjtin bosht të të rëndësishmes, e kështu individualiteti mbi të rëndësishmen ndryshon rregullatorin për çdo njërin nga ne. Të gjitha boshtet tanë të vegjël të të rëndësishmeve rrethohen e sigurojnë egzistencën e tyre rreth boshteve epokal të rëndësishmeve njerëzore, shtyllat e mbijetesës që në të gjithë kohërat sigurojnë egzistencën. Pikpamja e gjithsecilit për atë që, ai, e konsideron të rëndësishme, e bën të rëndësishmen me shumë ngjyra përball nesh, e nga ana tjetër këndvështrimi ynë personal sjell zhvillimin e shoqërisë që nga koha në kohë evolon. Evoluimi i shkencës në fusha të ndryshme të jetës është dëshmi e asaj sesi diversiteti i të rëndësishmes dhe thërrmimi i saj ka sjell progres të kënaqshëm për ne. Faktet janë të shumta, por prirjet e gjithsecilit prej nesh në një fushë të caktuar e vërtetojnë këtë fakt, pasi jo çdo gjë mes nesh ka lindur si nevojë e domosdoshmërisë, por edhe si pasojë e asaj që ne e quajmë të rëndësishme sipas këndvështrimit tonë. Egoja për të shfaqur vetveten në një drejtim të caktuar ku dhe të tjerë kanë të njëjtën ngjashmëri përveçse rrit konkurencën brenda grupit, me kohën e ashpërson atë përherë e më shumë. Ky qendrim joni nga njëra anë e përforcon vlerën e të rëndësishmes në sytë e të tjerëve të cilët janë thjeshtë spektator duke e bërë atë të pranueshme, por nga ana tjetër krijon dhe një tension brenda llojit për shkak të garës. 
 Çdo individ në shoqëri lufton për atë që ai e konsideron të rëndësishmen e vet, por ajo që, ai, e konsideron më të rëndësishme për një tjetër individ është pak ose aspak e rëndësishme, sepse çdo individ është një univers më vete. Mirëpo mes nesh, ne bëjmë kompromise të vazhdueshme për t’i dhënë hapsirë të rëndësishmes sonë, por kjo vetëm në këmbim të të pranimit të rëndësishmes së tjetrit, duke vendosur shpesh paqe për hir të vetvetes. Ne përgjithësisht luajmë me objektiva specifikë përsa i përket të rëndësishmes personale dhe i japim asaj trajtën që ne duam sipas botkuptimit tonë për jetën, dëshirat, ambicjet dhe rrugët e së ardhmes. Unikë sipas mënyrës sonë të të menduarit dhe konceptuarit të gjerave ne përpiqemi gjithmonë për t’i dhënë kuptim dhe qendrueshmëri të rëndësishmes sonë, sakrifikojmë për ta mbajtur në jetë atë me qellimin e vetëm për t’i dhënë ushqim egos sonë që është ndjeksja jonë deri në fund të jetës.
E rëndësishmja ka pjesën e vet absolute (boshtin) brenda tërësisë së saj dhe atë të ndryshueshme, ku koha është përcaktuesja e momentit. E rëndësishmja momentale është një prej fragmenteve të ndryshueshme në tërësinë e të rëndësishmes së çdo njeriu, por vlera e saj është e madhe sepse është një hallkë që na mban lidhur me të rëndësishmen e një momenti tjetër që vjen më pas. Çdo hallkë e këputur na flet për një sfidë të humbur dhe çdo sfidë e humbur e bën më të komplikuar udhëtimin jetësor.
Shumkujt mund t’i duket absurde sesi shumë konflikte mes nesh si individë apo shoqëri lindin mbi atë që ne quajmë të rëndësishme, apo të parëndësishme e për të cilat nuk biem dakort ndonjëherë. Madje ndonjëherë mes nesh lind dhe urrejtja po për këtë gjë. Në çdo kohë diversiteti i mendimeve mbi atë që quajmë të rëndësishme është aq i larnishmëm sa shpesh na është dashur të heqim dorë nga ato që quajmë të rëndësishme ne si individë, por që përçmohet nga pjesa më e madhe e shoqërisë, e kjo vetëm për t’iu përshtatur shumicës së saj. Rrallë mund të ndodh që të jemi dakort të gjithë për të njëjtën gjë, e për gjithçka kjo nuk mund të ndodh asnjëherë. Ndaj për këtë shkak mes nesh që herët lindi opozitarizmi, veçandërisht ai politik i cili spikat në llojin e vet për shkak të vendimeve të rëndësishme që dalin prej tij të cilët vendosin për fatin e mijëra njerëzve në të gjithë botën. Për këtë arsye luhet beteja më e fuqishme mes kundërshtarëve, ku dominon “uni” i secilit aktor, e ku e rëndësishmja personale përpiqet të zbehet në dukje përpara të rëndësishmes kolektive. Rreth betejës politike luhen betejat e vogla të jetës së përditshme, të cilat ndikojnë njëra-tjetrën, pse jo përmes intrigave të cilat janë më të mëdha sa më lart ngjit shkallët në  shoqëri. 
Kryqëzimi që i bëjmë të rëndësishmes mes nesh si individ e si shoqëri, e fragmenton atë, në miliona të rëndësishme të tjera ku secili aktor skalit gjithë kohës atë, që ai konsideron të rëndësishmen e vet. Për këtë arsye përplasja që ndodh mes nesh si individëve, ndodh për t’i dhënë prioritet vetëm asaj që ne e konsiderojnë të rëndësishmen tonë, e cila sjell mes nesh një sërë prapaskenash aq më tepër kur në skenë hyn fuqishëm “uni”. E kur “uni” është i fuqishëm fillojnë të rriten dhe kundërshtitë në adresë të tij, pasi pranimi i tjetrit është më shumë çështje kompromisi, sesa dëshire aq më tepër kur tjetri dominon.
Koha ka vërtetuar se disa gjera janë të rëndësishme për tërësinë e individëve e në çdo kohë përqafohet nga kjo tërësi me shumë dëshirë, ndaj nuk njohin kufi pranimi. Duke u konsideruar si gjerat më të rëndësishme e që shërbejnë si rregullator asaj, për këtë arsye vet shoqëria i ka dhënë të drejtën që në çdo kohë të kenë po të njëjtën vlerë. Një nga gjerat më të rëndësishme që çdo komb, popull, shoqëri, individ e kërkon me vendosmëri është: Liria, në këmbim të saj është vështirë të bëhen kompromise. Liria konsiderohet vlera, ku pa atë, të rëndësishmet e tjera ndrydhen dhe transformohen deri në atë pikë sa mund të pushojnë së egzistuari, apo mund të deformohen. Meqenëse të rëndësishmet tona si individ nuk njohin limit, pse egoizmi ynë qendron hapa përpara arsyetimit tonë, atëherë liria që i jep frymëmarrje çdo të rëndësishmeje tjetër jepet vetëm atëherë kur ne meritojmë për ta gëzuar atë, dhe e gjitha kjo bëhet që shoqëria të mos përfundoj në kaos. Gjithsesi ne gjithmonë ushqehemi me idenë se jemi të lirë përndryshe vet ideja e të kundërtës do të shërbente për të na skllavëruar psikologjikisht e për të ndalur vrullin tonë drejt progresit. Meqenëse si njerëz nuk mund të zotërojmë gjithçka dhe perfeksioni nuk është joni si qenie njerëzore, atëherë është e logjikishme të na jepet vetëm liria e merituar. psh Nëse fokusohemi tek aspekti profesional logjikisht e drejta duhet të jetë kjo ( të na jepet liria e merituar), sepse vendos rregullin e domosdoshëm, mirëpo realiteti na qas me shpërdorimin e lirisë pasi e drejta gjithmonë e më shumë po nëpërkëmbet si një e padëshiruar për kohën që jetojmë, pasi meritokracia e sotme shpesh kërruset nga brrylat e të paaftëve në shoqëri dhe liria nëpërkëmbet po për këtë shkak. Ky është një fakt që bind, që liria shpesh nuk është përdorur, por është keqpërdorur, egoizmi i të paaftëve ka njollosur rëndësinë e saj,  ndërkohë që, vetëm liria e përdorur me sqim është dëshmi që ne ia dimë vlerën lirisë, e duke ia ditur vlerën ne duhet t‘i marrim vetëm frytet pa i shqyer degët asaj. Realiteti i sotëm nuk përkon me këtë fakt, ai është pasqyrë e shpërdorimit të lirisë dhe mos respektimit të vlerave të saj universale deri në ekstrem.
Në të vërtetë në të gjithë oazin e të rëndësishmeve njerëzore, ku secili prej nesh mban të gjallë me fanatizëm të rëndësishmet e veta, ajo për të cilën të gjithë biem dakort e thuajse mendja jonë bëhet një, përsa i përket të rëndësishmes është: Jeta. Gjithçka duket se bëhet në emër të saj, dhe e gjithë bota vë në lëvizje vetveten po për këtë shkak. Të gjitha trajektoret e të rëndësishmeve të tjera vërtiten rreth këtij boshti qendror. Kështu, e rëndësishmja Jetë mban të mbërthyer rreth boshtit të saj të gjitha të rëndësishmet njerëzore të cilat i kanë rrënjët e egzistencës së vet tek ajo.
Jeta dikton historinë tonë të së shkuarës, të sotmen dhe të nesërmen, pasi vazhdimësia i atribohet asaj, sepse e rëndësishmja tek ajo kalon çdo të rëndësishme tjetër. Mirëpo,  ajo që vemë re gjithmonë e më shumë në ditët e sotme në shoqëri është mungesa e dëshirës për ta respektuar atë, pasi ngjarje të shumta shokuese, po ndodhin rreth nesh. Ne çdo ditë si individë dhe shoqëri dëshmojmë se boshti i egsistencës sonë po tronditet, pse këndvështrimi ynë mbi atë që konsiderojmë të rëndësishme është i ndryshëm, madje deri në atë masë, sa më e rëndësishmja Jeta, ikën shumë lirë.

Related

Opinione 1771176855335670127

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item