Kush e vrau Sokolin Olldashin?

Kastriot Myftaraj Që e kanë vrarë nuk ka asnjë dyshim. Nuk dua të përsëris këtu gjithë të dhënat që kanë dalë në shtyp për versionin e vrasj...

Kastriot Myftaraj

Që e kanë vrarë nuk ka asnjë dyshim. Nuk dua të përsëris këtu gjithë të dhënat që kanë dalë në shtyp për versionin e vrasjes. Unë e kam vizituar vetë vendin e “aksidentit” para se atë ta tjetërsonin me ekskavator. Është e sigurt se në atë vend, me atë lloj automjeti ultramodern, Olldashi jo vetëm që nuk mund të ketë gjetur vdekjen me ato plagë që pati, por vështirë se do të ishte lënduar më tepër se për të kaluar një natë në spital. Që nuk duan të zbulohen vrasësit as për këtë gjë nuk ka dyshim. Parakushti që të zbulohen vrasësit është që të pohohet zyrtarisht se bëhet fjalë për vrasje dhe jo për “aksident”. Këtu nuk është problemi tek praktika e punës me pista e Policisë dhe Prokurorisë. Në rastin e vdekjes së Olldashit është e vështirë që të konsiderohet çdo pistë tjetër veç asaj të vrasjes. Por Policia e Shtetit dhe Prokuroria nuk duan që t’ a zbulojnë vrasjen e Olldashit. Pse? Shumë socialistë thonë si nën zë se Olldashin e kanë vrarë, por e vërteta nuk mund të zbulohet se në Polici dhe në Prokurori ka akoma shumë njerëz të Berishës. Kjo më tepër është një alibi për moszbulimin e së vërtetës. Nëse do të donin Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Brendshme, të cilët me këtë Polici që kanë mbyllën në një ditë gjithë lokalet e lojërave të fatit të Shqipërisë, shembën pallate me tritol dhe bënë gjithë ato punë të tjera me të cilat mburren çdo ditë, do të kishin krijuar fare lehtë një grup ekspertësh në Polici për të hetuar vrasjen e Olldashit. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Prokurorinë. Përderisa Edi Rama gjeti prokurorë që pranuan të lëshojnë urdhër arresti për kryetarin e Bashkisë së Kamzë, në kohën që kryetari i Bashkisë së Vlorës, që është në ndjekje penale gjithashtu, drekon me Kryeministrin, fare lehtë do të kishin gjetur një ekip prokurorësh për t’ u marrë siç duhet me çështjen e Olldashit.
Përse Edi Rama nuk do që të zbulohet e vërteta e vdekjes së Olldashit? Për të njëjtën arsye që nuk do që të zbulohet e vërteta e shpërthimit te shtylla e tensionit të lartë në Kurbin. Këtu lind pyetja: Kujt i interesonte politikisht vdekja e Sokol Olldashit? Vdekja e Olldashit u interesonte njërit nga dy politikanëve kryesorë në vend: Lulzim Bashës (Sali Berishës), ose Edi Ramës. Në pamje të parë duket se vdekja e Olldashit i konvenoi Bashës dhe Berishës. Olldashi qartësisht ishte duke e përçarë PD-në dhe duke krijuar një fraksion, duke pasur mbështetjen e një numri jo të vogël deputetësh brenda grupit parlamentar të PD-së. Ky fraksion do të krijonte një parti të re. Në rrethana të tjera Basha dhe Berisha do ta shihnin këtë gjë si shumë të dëmshme, por në rrethanat që është PD sot, fraksioni i Olldashit do të ishte alibia perfekte për humbjen e paevitueshme të dy palë zgjedhjeve që e pret PD-në: zgjedhjet vendore të vitit 2015 dhe zgjedhjet parlamentare të vitit 2017. Partia e re e Olldashit do të përdorej nga Basha dhe Berisha ashtu siç u përdor partia e Pollos në kohën kur PD ishte herën e parë në opozitë, pra si një alibi për humbjen e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2011 dhe të zgjedhjeve vendore të vitit 2003. Ashtu si Pollo, edhe Olldashi ishte i krishterë ortodoks, pra i përkiste një komuniteti vetëm një pakicë e të cilit e mbështet PD-në. Prandaj ai nuk mund të shkëpuste ndonjë gjë të madhe nga anëtarësia dhe votuesit e PD-së. Olldashi mund të bëhej i rrezikshëm nëse bashkohej me partinë e Bamir Topit, por Basha dhe Berisha e dinin se Olldashi ishte ambicioz dhe nuk do të pranonte kurrë që të bëhej nr. 2 në partinë e Topit, gjë që nuk e pranoi as Kreshnik Spahiu. Ashtu siç i shërbeu Berishës dalja më vete në zgjedhje e Topit dhe Spahiut, ashtu do t’ i shërbente dhe dalja më vete e Olldashit dhe Topit.
Por në lojën politike ishte dhe faktori Edi Rama. Arsyeja kryesore që Sokol Olldashi po shkëputej nga PD ishte që ai të siguronte nga Edi Rama imunitetin faktik, pra që nuk do të arrestohej për shpërdorimet që kishte bërë me detyrën gjatë tetë viteve që kishte qenë ministër, me një ndërprerje prej dy muajsh kur kandidoi për kryetar bashkie në Tiranë, në 2007. Dhe Olldashi kishte qenë në ministri me shumë para, ku ishin bërë shumë abuzime. Vërtet që nuk ishte Edi Rama ai e nxiti Olldashin që të kandidonte përballë Lulzim Bashës për postin e kryetarit të PD-së, por ishte Edi Rama ai që e nxiti Olldashin të bënte provokatorin, duke thënë se zgjedhjet në PD qenë të manipuluara. Që nga korriku kur Olldashi shpalli kandidaturën dhe deri në nëntor kur vdiq, janë mbi 300 telefonata midis tij dhe Edi Ramës dhe kuptohet që tema e bisedës nuk ka qenë eksperienca e tyre e përbashkët si kandidatë për Kryetarë Bashkie në Tiranë në 2007. Por Edi Rama për ta nxitur Olldashin i premtoi atij para për të financuar përçarjen e PD-së, si dhe i premtoi që ta lejonte të fitonte bashkinë e Tiranës nëse do të kandidonte në 2015. Olldashi natyrisht nuk besonte shumë në premtimet, dhe më tepër donte paratë.

Por Rama kishte plane të tjera, dhe ato nuk ia zbulonte Olldashit që në fillim. Rama, duke e njohur shumë mirë PD-në nuk kishte ndonjë iluzion se Olldashi mund të bënte në këtë parti ndonjë diversion më të madh se ç’ bëri Genc Pollo në vitet 1999-2003. Rama e dinte se për të nxjerrë një rival të vërtetë ndaj Bashës, por edhe Berishës, në PD duhet një politikan që të jetë me origjinë autokton nga pjesa e Shqipërisë sipër Shkumbinit. Rama mendonte dhe ende mendon se këtë rol mund ta bëjë më mirë Bamir Topi. Prandaj Rama i kërkoi Olldashit që me mbështetësit e tij të mos krijonte një parti të re, por të shkonte në partinë e Bamir Topit, së bashku me grupin e mbështetësve të tij në PD. Olldashi duhet të shërbente më tepër si katalizator që nga PD të shkëputeshin të tjerë njerëz kur të shikonin se Olldashi dhe disa deputetë të PD shkuan te partia e Bamir Topit. Olldashi e kuptoi se Edi Rama donte ta përdorte thjesht për diversion, si “numëror Topi”, siç thuhet në artileri dhe që në këtë rast shkon mirë për shkak të mbiemrit të Bamirit. Prandaj Olldashi kërkoi që së paku t’ i jepeshin paratë që i ishin premtuar për të bëri diversionin. Por Edi Rama donte që paratë t’ i përdorte Bamir Topi që t’ i rritej autoriteti në PD. Rama e dinte se Olldashi ishte maniak i bixhozit dhe se kishte shumë mundësi që paratë e projektit për përçarjen e PD-së të përfundonin në kazinot e Malit të Zi. Kështu që marrëdhëniet mes Ramës dhe Olldashit u tensionuan shumë në javët e fundit para vdekjes së Olldashit. Mes tyre në këtë kohë ka pasur mbi njëqind telefonata dhe shumë sms nervoze. Olldashi ishte nervoz se kohët e fundit qëkurse kishte dalë në opozitë po humbte shumë në bixhoz. Gjithashtu e kishte tepruar shumë edhe me alkoolin. Rama e kuptoi se Olldashi duhej të nxirrej nga loja. Dhe Olldashi doli nga loja atëherë kur duhej. Tani Bamir Topi mbeti i vetmi lider i mundshëm për ata që duan të shkëputen nga PD. Aq me zell e ka marrë Bamiri këtë punë sa ishte i vetmi politikan që në natën e fundit të vitit, në 31 dhjetor 2013 doli në një intervistë të gjatë televizive ku i ftoi hapur deputetët e PD-së që të shkëputen nga grupi parlamentar i kësaj partie dhe t’ i bashkohen partisë së tij. Tani Edi Rama dhe Bamir Topi po enden në skenën politike me arkivolin e Sokol Olldashit mbi shpinë. Vargan i çuditshëm. Figura më groteske që u shkon pas është një deputete e PD-së e cila që prej vdekjes së Sokol Olldashit bën çmos për të treguar se ajo ka të drejtë të mbajë zi për “Kolin” më tepër se gruaja e të ndjerit. Njeriu që di më shumë përveç këtyre për vdekjen e Olldashit është Mero Bazja i cili ka thënë në një editorial se ai kohët e fundit kishte qenë një shoqërues i pandarë i Olldashit. Merret vesh se për ç’ qëllim. Mero Bazja nuk ishte me Olldashin vetëm natën e “aksidentit”./Kastriot Myftaraj

Related

Opinione 5161265694599104461

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item