Apartamentet në Tiranë, çmimet bien me 100 euro
100 euro për metër katror janë ulur mesatarisht çmimet e apartamenteve në Tiranë gjatë 2013-ës, pothuajse në çdo zonë 400 euro metri katro...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/01/apartamentet-ne-tirane-cmimet-bien-me.html
100 euro për metër katror janë ulur mesatarisht çmimet e apartamenteve në Tiranë gjatë 2013-ës, pothuajse në çdo zonë
400 euro metri katror është çmimi më i ulët në Tiranë, kryesisht në zonën e Freskut; Yzberishtit dhe Astirit
2000 mijë euro metri katror është mesatarisht çmimi i apartamenteve në zonat e shtrenjta si në ish-Bllok; Qendër apo pranë te Liqeni Artificial
Yzberishti dhe Fresku janë zonat me të lira për shtëpi, ndërsa ish Blloku, Qendra dhe Liqeni; zonat më të shtrenjta
Çmimet e apartamenteve në Tiranë janë ulur me gati 15 % muajt e fundit. Madje edhe në zona të shtrenjta si ish Blloku, Qendra apo Liqeni, vihet re një zbritje prej 100 euro për metër katror.
Ulja e çmimeve
Kjo tendencë në rënie që u shtri përgjatë gjithë 2013-ës preku edhe zonat brenda unazës së kryeqytetit. Të dhënat e raportuara nga agjencitë imobiliare dhe të reflektuara edhe në një raport të Bankës së Shqipërisë flasin për uljen e çmimeve në ndërtim. “Gjatë momentit të nënshkrimit të kontratës së shitje-blerjes së shtëpive, çmimi i tyre pëson rënie nga ai i deklaruar më parë. Brenda perimetrit të unazës së madhe mund të blesh një banesë edhe për 700 apo 750 euro për metër katror. Ndërsa një vit më parë çmimi arrinte të paktën 100 euro më shtrenjtë,”raportojnë agjentët imobiliarë.
Zonat më të lira
Megjithatë më të lira shtëpitë janë jashtë unazës së madhe, ku ofertat kanë arritur mesatarisht 500 euro për metër katror. Si zona më me leverdi për të investuar për një shtëpi të re aktualisht konsiderohen zona e Freskut dhe ajo e Yzberishtit.
Por zona të “përballueshme” janë edhe Kashari, “Casa Italia” apo edhe “Misto Mame”. Çmimet janë të njëjta me “Astirin” dhe “Freskun”, pra mund të gjenden apartamente nga 400-600 euro për metër katrorë. Kostoja lidhet me fazën e ndërtimit, nëse është në themel mund ta gjesh edhe 350 euro metri katror, gjithnjë në zonat e periferisë së Tiranës, sikurse mund të përfitosh ulje në rast se i paguan të gjithë shumën në një dorë. Ndërkohë, kohët e fundit ka pasur interesim për të blerë apartamente edhe në zonën e “Don Boskos”. Infrastruktura dhe afërsia me qendrën e Tiranës e kanë bërë të preferuar nga shumë familje. Çmimet janë nga 650-850 euro metri katror.
Zona të shtrenjta
Ndryshe nga zonat e sipërpërmendura zona e ish-Bllokut, stadiumi “Qemal Stafa” apo dhe pranë Liqenit Artificial, konsiderohen më të nxehta për shkak të çmimeve, të cilat variojnë nga 1800 deri në 2000 euro për metër katror. Për më tepër pallatet shumë pranë Liqenit Artificial shiten edhe 2500 euro m2. Pra për të gjithë ata që duan të blejnë shtëpi në Tiranë; më lirë mbeten zonat e Freskut dhe Yzberishtit, dhe më të shtrenjta qendra dhe ish Blloku.
Qiratë
Ulje kanë shënuar edhe qiratë, ku rënies nuk i kanë shpëtuar as apartamentet luksoze në qendër të Tiranës. Megjithatë më të kërkuarat mbeten shtëpitë e vogla me mobilim modest të cilat kërkohen më së shumti nga studentë të universiteteve në kryeqytet. Ekspertët e tregut imobiliar argumentojnë se shkak për këtë rënie çmimesh është bërë kriza ekonomike e cila ka ulur kërkesën për blerje, duke lënë stok një numër të madh apartamentesh. Por gjithashtu në këtë treg ka ndikuar negativisht edhe shtrëngimi i dhënies së kredive nga bankat si pasojë e rritjes së nivelit të huave të pashlyera.