14 mënyra joteknologjike për t’u ngrohur
Bota është gjithnjë e më e shqetësuar mbi rritjen e çmimit të energjisë që përdoret për ngrohje. Këtu po japim disa mënyra të lira dhe pa nd...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/01/14-menyra-joteknologjike-per-tu-ngrohur.html
Bota është gjithnjë e më e shqetësuar mbi rritjen e çmimit të energjisë që përdoret për ngrohje. Këtu po japim disa mënyra të lira dhe pa ndonjë teknologji të komplikuar për të kursyer para, ndërsa mbajmë ngrohtë shtëpitë tona
Dimri
Tom Heyden, BBC
Familjet rregullisht këshillohen të instalojnë dritare me xhama të dyfishtë, të mbështjellin me izolante shtëpitë apo të ndryshojnë sistemin e ngrohjes që mund të jetë i vjetruar dhe joeficent. Por përveç këtyre taktikave të kushtueshme, ka disa mënyra të thjeshta për të mbajtur ngrohtë shtëpinë.
1. Përdorni fletë alumini. Një mënyrë për të shmangur humbjen e panevojshme të nxehtësisë nga radiatorët, veçanërisht atyre që janë vendosur përgjatë mureve të jashtme, është që të përdoret një fletë alumini që reflekton ngrohtësinë pas radiatorit/kaloriferit në fjalë. Kjo parandalon zhdukjen e nxehtësisë përtej murit duke e reflektuar atë në dhomë, thotë Sofi (Sophie) Neuburg, një aktiviste mjedisore. Fletët aluminat të dizajnuara posaçërisht për këtë qëllim, mund të blihen shumë lirë, por njerëzit mund të përdorin edhe fletët aluminat të kuzhinës, mjafton të jenë paksa të trasha për të siguruar të njëjtin funksion.
2. Perdet e trasha janë një mënyrë e rëndësishme në mbrojtjen e shtëpisë nga humbja e ngrohtësisë. Ka edhe perde të posaçme me fije termale, por këtu rregulli është se sa më të trasha perdet, aq më mirë është. Në rastet kur bën me të vërtetë shumë ftohtë, perdet mund të vendosen edhe te dyert e jashtme për të shtuar një shtresë tjetër mbrojtëse.
3. Por gjatë ditës ka më shumë leverdi që drita e diellit të lejohet të hyjë brenda. Është shumë e rëndësishme të maksimizohet përdorimi i ngrohjes natyrore, e cila është falas në formën e dritës së diellit. Grilat dhe perdet duhet të mbahen të hapura gjatë ditës dhe të mbyllen në muzg.
4. Xhamat e dyfishtë janë shumë efikas për nxehtësinë, por janë relativisht të kushtueshëm. Nëse nuk je në gjendje të përballosh xhamat e dyfishtë, ka një zgjidhje. Ka disa mbështjellëse xhamash që mund të vendosen mbi dritaret me një fije xhami për të imituar efektin e dritareve të dyfishta. Rezultati është gjithsesi më i paktë në këtë rast. Një fije plastike mund të vendoset në xham dhe të fiksohet duke përdorur një tharëse flokësh. Si alternativë, një shkumë industriale që përdoret për të zënë hapësirat mes xhamave mund t’ju ndihmojë t’i mbyllni dritaret apo të izoloni më mirë vendin e puthitjes së xhamit me dërrasën.
5. Nëse keni një oxhak, duhet të mendoni si të ndaloni humbjen e nxehtësisë nëpër të. Është shumë e zakonshme sot pasja e oxhaqeve dekorative nëpër shtëpi. Në treg ka disa pajisje në formën e balonës së prodhuar me një laminat të posaçëm që vendoset brenda oxhakut dhe që ndalon ajrin e ftohtë të hyjë dhe ajrin e nxehtë të dalë. Por këto pajisje duhet të hiqen para se të ndizet zjarri dhe të vendosen vetëm pasi druri i djegur të jetë bërë tërësisht prush.
6. Mbyllni vrimat. Në shumë raste shtëpitë kanë vrima në formën e kutive postare apo dritareve të paputhitura mirë. Duhet të kihet kujdes që gjatë dimrit këto vrima të mbyllen. Ajrosja e shtëpisë është e domosdoshme si në verë ashtu edhe në dimër, por kjo ajrosje mund të bëhet ndryshe.
7. Qilimat e dyerve. Qilimat e vegjël që vendosen për të fshirë këmbët para se të hyjmë në shtëpi janë një zgjidhje tradicionale që vijon të funksionojë. Ato mund të puthiten mirë, në mënyrë që të zënë hapësirën mes derës dhe dyshemesë, e cila është gjithmonë një korridor ajri i ftohtë.
8. Pastroni kaloriferët dhe radiatorët. Metoda të thjeshta për të maksimizuar energjinë e përdorur për ngrohje janë të tilla si pastrimi i radiatorëve nga pluhuri apo shmangia e vendosjes së mobilieve para kaloriferëve. Përndryshe janë mobiliet ato që do të ngrohen, jo shtëpia.
9. Nëse keni shtëpi të lartë, një raft i vendosur mbi kaloriferë ndihmon në drejtimin e ngrohjes në vendin ku ju rrini. Askush nuk i kalon mbrëmjet në tavan, pra është dyshemeja ajo që duhet të ngrohet.
10. Mbyllni dhomat e papërdorura. Nëse i mbani dyert të mbyllura, ajri i ftohtë do të izolohet në pjesën e papërdorur të shtëpisë, ndërsa ajri i ngrohtë do të përdoret në një mjedis më të kufizuar.
11. Qilimat ndihmojnë shumë. Dyshemetë janë përgjegjëse për deri në 10 për qind të humbjes energjetike në rast se nuk janë të mbuluara me qilima, sixhade apo thjeshtë moket. Qilimat kanë lindur për një arsye materiale, jo thjeshtë për bukuri. Ata që kanë dysheme prej dërrase kanë normë të lartë të humbjes së ngrohjes. Qilimat ndihmojnë për këtë dhe kanë edhe bonusin që mbajnë këmbët tuaja dhe të fëmijëve ngrohtë.
12. Izolimi i të gjithë shtëpisë mund të jetë i kushtueshëm, por edhe për këtë ka zgjidhje të lira. Izolantet prej shkume mund të blihen lirë dhe të instalohen vetë me pak kujdes e me pak mundim për të mbajtur shtëpinë ngrohtë. Edhe leshi i xhamit apo izolantet e prodhuara me letër të ricikluar funksionojnë gjithashtu mirë. Çelësi i instalimit të tyre është lënia e një hapësire te pikat ku puthiten panelet, në mënyrë që të shmanget kondensimi.
13. Kini parasysh se tavanet shumë shpesh janë të vjetruara dhe joeficente. Ato të vjetrat prej dërrase mund të duken shumë të këndshme dhe të dashura, por mund të jenë jo shumë mirë të izoluara. Izolimi mund të bëhet me shkumë të thjeshtë të aplikuar në anën e sipërme të tavanit. Ia vlen gjithashtu të shohësh se mos ka ndonjë tjegull të lëvizur nga vendi për rastet e shtëpive me çati.
14. Vendosja e kohës te ngrohësit është e rëndësishme. Është thjesht një mit ajo që thotë se mbajtja e ngrohësve të ndezur përgjatë të gjithë ditës është një metodë e leverdishme për të ruajtur energji. Nëse është shumë ftohtë, ngrohja e shtëpisë duhet të nisë më herët në vend që të rritet temperatura për të ngrohur shtëpinë më shpejt.