Video e paparë nga sulmi në Nagasaki
Sulmi me bombë atomike i qytetit japonez të Nagasakit ka ndodhur më 9 gusht 1945. Xhirimi, deri tash i papublikuar i kësaj tragjedie, tregon...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/02/video-e-papare-nga-sulmi-ne-nagasaki.html
Sulmi me bombë atomike i qytetit japonez të Nagasakit ka ndodhur më 9 gusht 1945. Xhirimi, deri tash i papublikuar i kësaj tragjedie, tregon përgatitjet për sulm, e pastaj shfaqet momenti i eksplodimit nga një kënd deri tash i paparë. Videoja nuk ka ton, por tregon rrëfimin e vrasjes së mbi 100 mijë njerëzve.
Japonia në Luftën e Dytë Botërore ishte aleate e Gjermanisë naziste dhe Italisë fashiste. Në vitin 1945, në maj, Gjermania kapitulloi, por Lufta e Paqësorit ende vazhdoi.
Bombardimi u krye me vendimin e presidentit i SHBA-ve, Harry Truman. Urdhrat i zbatuan bombarduesit amerikanë. Kjo ishte hera e parë në histori që u përdorën armët bërthamore në luftë.
Ky akt edhe sot është kontrovers, edhe pse me këtë akt mbaroi Lufta e Dytë Botërore që solli dhjetëra milionë viktima, transmeton Telegrafi.
Bomba e parë u hodh në Hiroshimë më 6 gusht 1945. Efektet ishin të tmerrshme: mijëra të vdekur nga shpërthimi dhe valët e ngrohta. Por, më e keqja vinte pastaj: dhjetëra mijëra persona tjerë u shuan me vdekje të ngadalshme të shkaktuar nga rrezatimi.
Por, kjo nuk mjaftoi që të gjunjëzohet Japonia. Në Nagasaki më 9 gusht 1945, në ora 11:02, hidhet bomba atomike që në çast vret 39 mijë njerëz. 75 mijë të tjerë besohet se kanë vdekur më vonë nga rrezatimi.
Pikat e shiut të zi që bien kanë bartur rrezatimin që merr edhe më shumë jetë. Shumë të mbijetuar vdesin më vonë, apo ndoshta vdesin edhe sot nga pasojat e rrezatimit, si kanceri dhe leukemia. Prandaj, ende nuk dihet saktë numri i viktimave të hedhjes së bombës atomike. /Telegrafi/