Duan ta vrasin
Edison Ypi I pari që do ta vrasi, është kasapi. Ky i kërkon kasapit mish pa kocka ose kocka pa mish. Kasapi i thotë nuk kam as kocka as mi...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/02/duan-ta-vrasin.html
Edison Ypi
I pari që do ta vrasi, është kasapi. Ky i kërkon kasapit mish pa kocka ose kocka pa mish. Kasapi i thotë nuk kam as kocka as mish si të teket ty. Ky i thotë kasapit; Ore ta paguaj sa të bëjë edhe kockën edhe mishin, ama i dua veç e veç. Kasapi jo që jo. Dhe këtij nga kjo këmbëngulje e kasapit që mallin s’di ta shesi dhe rrjedhimisht kapitalizmin s’di as ta bëjë as ta përsosi, i vjen me plas, ndonjëherë edhe me vdek. Që domethënë se kasapi do ta vrasi. Apo s’ka edhe veglat kasapi.
Ka ca kohë bleu një makinë për pjekje buke në shtëpi. Një ditë j’u mburr një miku se buka e makinës është më e mirë se buka e dyqanit. Mos llap lart e posht’ o idiot, i tha miku. Kam të dhëna se pronarët e dyqanit të bukës që nuk e kanë hallin te ty dhe te makina jote por te kjo lloj propagande që ti bën nëpër lagje që mund tua paksojë blerësat e bukës, kanë vendosur të të vrasin, prandaj ruaju po të them. E kapën të dridhurat kur mori vesh se veç kasapit edhe pronarët e furrit të bukës duan ta vrasin.
Një ditë po hante një pilaf të shijshëm te një restorant. Duke ngrënë pilafin i tha një tjetri që po hante groshë tek e njëjta tavolinë; Sa i mirë ky pilafi. I zoti i restorantit që e dëgjoi komplimentin për pilafin, i tha; Haje pilafin dhe mos fol o budalla se ma shpife. Më kanë thënë që ti ha pilaf edhe te konkurrenti im matanë rrugës, ku edhe atje bën të njëjtën lojë të ndyrë komplimentash të neveritshëm. Tash e tutje pilaf do hash tek njëri nga ne të dy, o te unë, o te tjetri matan’ rrugës. Se po vazhdove kështu, njëri nga ne të dy, o unë o konkurrenti im, që e kemi të qartë se ti bën lojë të dyfishtë, me plot të drejtë do të vrasi.
Shitsja e zarzavateve gjithashtu do ta vrasi. Shitsja ka një tarbiat, mban gjithë kohës celularin në vesh. Flet me çupën që e ka të martuar në Shangai me një filipin.Kësaj lloj shitseje me celular në vesh ky nuk i bën dot pyetje lidhur me llojin dhe cilësinë e fruta-perimeve. Nga kjo sjellje kaq e poshtër i vjen kaq inat sa shitsen do ta vrasi. Por po ta vrasi ky shitësen, me siguri burri i shitëses do ta vrasin këtë. Pra, pavarësisht se në mënyrë të tërthortë, e ka të qartë se shitësja, me sjelljen e saj në dukje të padjallëzuar, do ta vrasi. Mund të ndodhi që pasi burri i shitses ta vrasi këtë, dikush tjetër do vrasi burrin e shitëses, dhe mund të pasojë një seri vrasjesh. Po ç’rëndësi ka vrasja e të tjerëve karshi vrasjes time, as dielli as hona mos lefshin po më vranë mua, thotë me vete heroi ynë, ç’më lypsen mua vrasjet e tyre që kokat hëngshin, vrasja më e rëndësishme në botë është vrasja ime. Duhet të kuptohem drejt në këtë pikë. Nuk po merakosem për jetën time por për vrasjen time.
Graria e lagjes dhe e fisit, edhe ato duan ta vrasin. Ky, ushtrisë së të palumturave u kërkon spjegime të qarta për gatime, ato i thonë, merr një dorë fasule, hidhi pakëz kripë, një majë luge piper. Pra në vend të këshillave të sakta, i thonë gjëra krejtësisht aproksimative, totalisht të paqarta. Është më se e kuptueshme se, si të parealizuarat e lagjes dhe ato të farefisit, përmes paqartësisë së tyre kulinare, të lidhura me njëra-tjetrën me fijet e padukëshme të një komploti kriminal, janë vënë të gjitha në garë kush e kush ta ngordhi për të ngrënë, domethënë ta vrasi sa më parë.
Pasditeve pranverore kur moti zë e ngrohet, në lagjen e tij dalin e shetisin gjithato goca. Ca ulur nëpër stola, ca në kafene, njëra më e bukur se tjetra. Ky mahnitet duke i parë. Gocat i duken si mjegulla. Flokët e tyre si ylbere, si ujvara. E merr këtë si një spektakël spontan, dhe jeta i duket më e bukur. Nuk e di ky bandill se ato goca para se të dalin shetitje janë përgatitur me orë të tëra para pasqyrës si e si të bien në sy për tu pëlqyer sa më tepër nga djemtë apo në përgjithësi të interesuarit eventualë. Pra e gjitha është një treg, një tezgë, një teatër i studiuar imtësisht. Një natë kur s’e zinte gjumi duke menduar rreth këtij fenomeni, i ra hiles. Kujtoi, dhe kuptoi, se gocat e lagjes kanë prindër, vëllezër, kushurinj. Këta vëllezër e ata prindër, për lojën, tregun, tezgën, teatrin, dinë gjithçka. Po të ngatërrohej sadopak, edhe me një vështrim të vetëm, me ndonjërën nga këto shtojzavalle pranverore pa qëllim martese, pra vetëm sepse pranvera është e këndëshme, jeta është e bukur, etj. etj., ndonjëri nga ata do ta vriste. Dhe përpara sysh i dolën, jo një kasap, një shitëse, ca gra, por aq vrasësa sa goca të bukura ka lagja.
Ka një mikeshë. Ka ca kohë mikesha i thotë se ka vendosur të bëhet porno-aktore. Kur ky e pyet pse? ajo i thotë; Sepse është i vetmi vend pune ku shefi nuk ta lyp. I vjen kaq për të qeshur nga vendi i ardhshëm i punës së mikeshës, sa i hyp një gaz aq i madh sa gati i pushon zemra. Që do të thotë se edhe mikesha e sotme porno-aktorja e ardhëshme, me anë të një ataku kardiak thjesht kërkon ta vrasi.
Kohët e fundit, nga frika se e vrasin, i është bërë zakon ta kthejë kokën pas. Një ditë lexoi në një gazetë një shkrim ku thuhej; “Ne shqiptarët nuk duhet të shohim nga e kaluara, nuk duhet ta mbajmë kokën pas, duhet të shohim vetëm nga e ardhmja, kokën duhet ta mbajmë vetëm para”. A zagar-zagar, tha me nofulla të shtrënguara. Iu kujtua se, sipas përvojave, asnjë dhe asgjë nuk e kërcënon nga para, por të gjithë dhe gjithçka vetëm nga pas, dhe u bind se edhe ky i gazetës e kishte bërë atë shkrim me të vetmin qëllim që ta vrasi.
E ç’rëndësi ka nëse me hanxhar apo me celular, me fjalë apo me vegla, duke qeshur a duke qarë. Rëndësi ka që të gjithë duan ta vrasin.