Vajza që provonte ushqimin e Hitlerit

Nga Michelle Martin Margot Woelk i kaloi vitet e fundit të Luftës së Dytë Botërore duke ngrënë ushqime nga më të zgjedhurat e më të shijshme...

Nga Michelle Martin



Margot Woelk i kaloi vitet e fundit të Luftës së Dytë Botërore duke ngrënë ushqime nga më të zgjedhurat e më të shijshmet, e njëkohësisht duke u dridhur se çdo kafshatë që fuste në gojë mund t’i sillte vdekjen.

Puna e e saj në jetë ishte të provonte e para gjellët e përgatitura për Adolf Hitlerin, të cilat i shërbeheshin në një pjatë ushqim, që ajo ishte e detyruar ta hante çdo ditë mes orës 11 dhe 12 për më shumë se 2 vite e gjysëm të fundit të jetës së udhëheqësit nazist gjerman.



Nëse gjithçka shkonte mirë dhe ajo nuk sëmurej, ushqimi i paketuar në kuti i dërgohej Hitlerit në “Strofkullën e Ujkut”, siç quheshin zyrat qendrore ushtarake që gjendeshin në thellësi të pyllit aty ku sot gjendet Polonia verilindore.

“Hitleri ishte vegjetarian, kështu që gjithë gama e ushqimeve ishte vegjetariane –ushqim shumë i zgjedhur si shparguj të bardhë, fruta të mrekullueshme, speca e lulelakër,” thotë për Reutersin 96-vjeçarja berlineze.

Woelk, si dhe 14 vajza të tjera në të njëzetat, jetonin nën frikën se çdo pjatë që hanin mund të ishte e fundit.

“Ishim gjithnjë të terrorizuara nga ideja që ushqimi mund të ishte i helmatisur, sepse në Angli donin ta helmonin Hitlerin dhe ai e kishte marrë vesh këtë gjë nga spiunët e tij, kështu që kishte punësuar vajza të reja që të provonin ushqimin”, tha ajo.

“Qanim shumë dhe përqafonim njëra-tjetrën. Pyesnim: “A do të jemi vallë ende gjallë nesër”?

Woelk, e cila vazhdon të torturohet nga makthet e shkaktuara nga roli i saj i dikurshëm si kavie testuese e ushqimit të diktatorit dhe që ka heshtur për këtë përvojë të saj për shumë dhjetëvjeçarë me radhë, që prej mbarimit të luftës, tha se ajo dhe familja e saj ishin kundër nazistëve dhe që këtë punë e zuri “si rrjedhim i një numri koinçidencash”.


E detyruar të linte apartamentin e saj në Berlin, kur bombardimi nga aleatët e shndërroi atë në të pabanueshëm, Woelk la punën si sekretare dhe shkoi të jetonte me prindërit e burrit në fshatin Gross-Partsch, atëherë pjesë e Gjermanisë Lindore e aktualisht pjesë e Polonisë.

“Kryetari i bashkisë së atjeshme ishte një nazist me peshë dhe që kishte lidhje me esesët (organizatë paraushtarake naziste) kështu që më detyruan menjëherë të bëj këtë punë. Duhet të punoja për të fituar para”, tha ajo.

Asnjëherë nuk e pa Hitlerin, por rastisi të shihte qenin e tij.

Woelk tha se e kishte dëgjuar shpërthimin e 20 korrikut, 1944, të shkaktuar nga një bombë e vënë në “Strofkullën e Ujkut”, nga gjeneralët e ushtrisë me qëllim vrasjen e Hitlerit.

Në atë kohë ajo bashkë me disa ushtarë po shihnin një film brenda një tende jo shumë larg zyrave ushtarake.

“Dëgjuam këtë bum të madh dhe ramë nga stolat e drunjtë ku ishim ulur. Dikush thirri ‘Vdiq Hitleri’, por më vonë doli se kishte plagosur vetëm dorën”.

Pas këtij atentati të dështuar, Woelk tha se iu desh të zhvendosej në një vend që mbahej nën mbikëqyrje dhe ajo vetë mbahej si e burgosur, i ishte ndaluar përdorimi i telefonit dhe mund të vizitonte prindërit e të shoqit vetëm nëse ishte e shoqëruar nga oficerë esesë.



Kur Hitleri vrau veten, në prill të 1945-ës, Woelk u arratis në Berlin ku qëndroi e fshehur. Forcat sovjetike po i afroheshin kryeqytetit gjerman dhe pak kohë më vonë ushtarët rusë e nxorën me forcë vajzën nga një strehim sulmesh ajrore dhe e përdhunuan për dy javë rresht.

14 vajzat e tjera që provonin ushqimin dhe që mbetën aty, u vranë që të gjitha, tha ajo.

Pas luftës Woelk nisi punë në një zyrë sigurimi pensionesh dhe u habit kur, një ditë, i shoqi, të cilin e kishin kapur rusët dhe ajo e dinte të vdekur, u shfaq papritur. Për dy vjet nuk kishte marrë asnjë lajm prej tij dhe kur e pa nuk e njohu.

“Kam pasur një jetë të mbushur me ngjarje dramatike, dhe tani, në moshën 96-vjeçare, jam kthyer të jetoj në të njëjtën shtëpi ku kam jetuar para luftës”, thotë ajo.


Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item