Rizgjim i krishterë në Europën Lindore

Nga Filip Mazurczak Në Hungari, Kroaci dhe gjetiu në Europën Lindore, po ndodh një revolucion pro familjes, pro jetës dhe një rizbulim i rrë...

Nga Filip Mazurczak

Në Hungari, Kroaci dhe gjetiu në Europën Lindore, po ndodh një revolucion pro familjes, pro jetës dhe një rizbulim i rrënjëve të krishtera. Megjithëse pak nga media në Amerikë e kanë vënë re, kjo prirje duhet t’i bëjë të mendojnë ato që vajtojnë shëndetin e keq moral të Europës. Pa rënë në sy, pas hijes së perëndimit të shekullarizuar, roli publik i fesë në Lindje është rritur që me rënien e komunizmit.
Me të ardhur në pushtet në vitin 2010, Kryeministri Viktor Orban – veteran karizmatik i lëvizjes klandestine antikomuniste në Hungari – ka qëndruar triumfalisht në ballë të asaj që amerikanët e quajnë luftë kulturash. Në vitin 2011, qeveria e Orban ratifikoi një kushtetutë të re e cila e përkufizon martesën si bashkim mes burrit dhe gruas, flet për të drejtat e Hungarezëve akoma të pa lindur dhe bën lidhje mes Krishtërimit dhe kombësisë Hungareze. Në vitin 2013, qeveria e Orban futi përsëri – për herë të parë që nga ardhja e komunizmit – edukimin fetar në shkolla publike. Vetë Orban (baba i pesë fëmijëve) ka kodifikuar legjislacionin e taksave në favor të familjeve me shumë fëmijë.

Mund të thuhet se vetë Orban simbolizon një rizgjim të Hungarisë. I lindur në vitin 1963 nga një familje kalviniste në emër (Hungaria është një vend me popullsi katolike dhe protestante), Orban nuk ka pasur fare edukim fetar në fëmijëri përveç të qenurit i pagëzuar. I ati ishte komunist i devotshëm dhe, ndërsa krishtërimi luajti një rol kyç në rrëzimin e komunizmin në mbarë Bllokun Lindor, në Hungari nuk pati ndonjë rol.
Pasi Vatikani nuk arriti të mbrojë Kardinalin guximtar Hungarez Jozsef Mindszenty dhe zëvendësoi ipeshkëvit anti-komunistë me bashkëpunues sahanlëpirës si pjesë e politikave të viteve 1960 të njohura me emrin Ostpolitik, Kisha Katolike (e ndjekur nga vëllezërit e tyre protestant) ose u kthye në lëvizje klandestine, ose u bë bashkëpunëtore e regjimit. Disidentët antikomunistë të Hungarisë ishin shumica kundër klerit.
Sidoqoftë, që me rënien e komunizmit, shoqëria hungareze, ashtu si vetë Orban, ka filluar të rizbulojë rrënjët e saj. Orban iu kthye origjinës së tij kalviniste në sajë të gruas së tij Katolike. Lexoi me zell për Krishtërimin dhe në vitet 1990 u krezmua.
Një figurë tjetër që simbolizon rilindjen shpirtërore të Hungarisë është Kardinali Peter Erdo, një nga anëtarët më tëri të Kolegjit të Kardinalëve, i lindur në vitin 1952, nga një familje e devotshme e cila e ushtronte besimin fetar fshehurazi. Me t’u bërë argjipeshkëv i Budapestit, Erdo ka aktivizuar vullnetarë të rinj që të trokasin derë më derë në mbarë Hungarinë për të inkurajuar katolikë të larguar nga feja të rikthehen në kishat e tyre. Zëri i tij ka influencë të madhe në shoqërinë hungareze, duke dënuar me zë të lartë shekullarizimin, konsumizmin, varfërinë, anti-Semitizmin, si dhe diskriminim e minoritetit Roma në Hungari.
Një dëshmi e forcës së kësaj rilindjeje shpirtërore në Hungari është se,ndërsa Papa Françesku ka planifikuar pak udhëtime jashtë shtetit deri tani, ai ama ka pranuar ftesën të vizitojë Hungarinë në vitin 2016.
Kroacia
Revolucioni i krishterë i ligjit natyror në Hungari, është së pari nga lart poshtë (ndërsa një numër i madh i hungarezëve po rizbulojnë rrënjët e tyre, numri i atyre që shkojnë në kishë mbetet i vogël). Nga ana tjetër, Kroacia fqinje është një shoqëri ku njerëzit kanë mbrojtur familjen duke iu kundërvënë politikanëve shekullarë. Që me fitoren e pavarësisë në vitin 1991, kroatët kanë rizbuluar identitetin e tyre katolik në sajë të rolit që ka luajtur Kisha për të mbrojtur të drejtat e kroatëve nën sundimin Jugosllav.
Francisco Javier Lozano — ish-nunci i Vatikanit në Kroaci – e quan Kroacinë “shteti më katolik në Europë”. Nuk ishte i tillë njëzet vjet përpara. Sipas studimeve të sociologes Anica Marinovic-Bobinac, proporcioni i kroatëve që besojnë në Zot është rritur nga 39 për qind në vitin 1989 në 75 për qind në vitin 1996 dhe 82 për qind në vitin 2004. Në dy dekadat e fundit, popullsia e Kroacisë ka pësuar një rënie rreth gjysëm milion nga 4.8 milion në total, e ardhur nga numri i vogël i lindjeve shkaktuar kryesisht nga papunësia dhe numri i madh i të rinjve që kanë dalë të kërkojnë një të ardhme më të mirë materiale jashtë shtetit, duke formuar komunitete të mëdha në Amerikën Veriore, Kili, si dhe Australi. Pavarësisht nga kjo rënie demografike, numri i të rinjve që studiojnë për priftëri në Kroaci ka ngelur pak a shumë njësoj. Që në vitin 1991 ky numër ka mbetur pak a shumë i pandryshuar, mes katërqind dhe pesëqind.
Sidoqoftë, forca e revolucionit kroat u vu re muajin e kaluar, kur shumica e kroatëve – 65 përqind – votuan për ndryshimin e kushtetutës së tyre kombëtare për të përkufizuar martesën si një bashkim i burrit dhe gruas. Kjo ndodhi pasi 700,000 njerëz – një e pesta e popullsisë së rritur kroate – firmosën peticionin “Në Emër të Familjes” për të mbajtur referendumin. Ipeshkëvit kroat e mbështetën me forcë, pavarësisht se Ivo Josipovic, presidenti kroatishte më i interesuar t’i bënte qejfin Bashkimit Europian se sa të mbronte virtytet; ai u detyrua të ndryshonte kushtetutën kroate pas referendumit.
Dyshimet e Perëndimit
Për fat të keq, udhëheqësit në Bruksel dhe Washington kritikojnë Hungarinë (Hillary Clinton ka shprehur “shqetësimin” e saj për demokracinë në Budapest) ndërsa opinioni publik tregon se Orban do rizgjidhet përsëri në zgjedhjet e vitit që vjen. Qindra e mijëra hungarezë kanë dalë rrugëve për të mbrojtur qeverinë e tyre. Departamenti i Shtetit Amerikan e ka bërë tashmë zakon t’i bëjë presion shteteve Europiane Lindore (duke përfshirë edhe vende të tjera katolike si Polonia dhe Sllovakia) të legjitimizojë dhe inkurajojë aktivitetet publike me natyrë homoseksuale. Pas votimit në Kroaci, media Perëndimore u shpreh se supermaxhoranca në fakt pasqyronte “polarizimin e thellë” dhe citonte vëzhgues të cilët e shpjegonin këtë fenomen “radikal” si rezultat të “problemeve ekonomike.”
Ndërsa është e vërtetë se anti-Semitizmi dhe diskriminimi kundër minoritetit të Romëve është rritur në Hungari në vitet e fundit, nuk ka arsye të fajësohet qeveria. Pasionet nacionaliste janë të ndezura nga partia radikale e djathtë Jokkik, e cila është në opozitë. Qeveria e Orban, në të kundërtën, ka marrë masa ambicioze kundër racizmit, duke përfshirë ndihmën financiare dhënë arsimit për minoritetin e Romëve dhe krijimin e lidhjeve të ngushta me komunitetin Hebre Hungarez. Fajësimi i Kryeministrit Orban për radikalizmin e djathtë është moskokëçarje intelektuale.
Ndërsa shumë akademikë flasin për Europën si një kontinent uniform shekullar, dy dekada pas rënies së komunizmit është më e saktë, ndonëse prapë tepër e thjeshtë, të flasësh për dy Europë: Perëndimi që pak a shumë i ka braktisur rrënjët fetare dhe Lindja e cila po rizbulon prejardhjen e saj.
Hungaria dhe Kroacia janë vetëm dy shembuj nga shoqëritë postkomuniste ku roli publik i fesë po rritet. Ndërsa Hungaria dhe Kroacia po përjetojnë një rilindje të Krishtërimit Perëndimor, Kishat Ortodokse po ashtu janë duke u shtuar në anën lindore të lumit Elb.
Rusia po e rizbulon Ortodoksinë e vet. Ndikimi i Patriarkut Kirill është në rritje; manastire dhe famulli të reja po hapen; numri i rusëve që shprehin besim tek Zoti dhe atyre që zgjedhin të bëhen priftërinjë shtë në rritje. Ndërkohë, Ortodoksia po rigjallërohet në Gjeorgji. Dëshmi e kësaj është fakti që tregon për suksesin që kanë pasur peshkopët e vendit për t’i bindur bashkëkombësit e tyre të bëjnë më shumë fëmijë.  Pas kësaj fushate të peshkopëve, Gjeorgjia u kthye nga një vend me përqindje shumë të ulët në lindje, tek një nga vendet ish-komuniste me përqindje më të lartë. Ndërsa Rumania po ndërton kishën më të madhe Ortodokse në Bukuresht, qyteti i sunduar pak kohë më parë nga pikëpamja totalitare e Nicolae Ceausescu-t.
A mund të ndodhë një rizgjim i tillë në Europë?
Optimistët mund të na referojnë tek miliona katolikë francezë – si dhe hebre, myslimanë, dhe jo-besimtarë vullnetmirë – të cilët dolën në rrugë për të protestuar ripërkufizimin e martesës të propozuar nga Presidenti Francois Hollande. Sidoqoftë, kombet Perëndimore Europiane zgjodhën një rrugë tjetër politike nga ajo e vendeve Lindore në shekullin e 20-të, kështu që analogjia ndërlikohet.
Akoma nuk është e qartë nëse Hungaria apo Kroacia, apo vende të tjera do hapin rrugën për një rizgjim fetar në mbarë Europën. Sidoqoftë, këto fakte japin shpresë, të paktën për Lindjen. Ndoshta Zoti nuk është edhe aq i harruar në Europë.

*Filip Mazurczak është redaktor asistent i revistës New Eastern Europe.
Vizitoni www.FirstThings.com për më shumë informacion.
Përktheu: Nesti Gjeluci

Related

Shtypi i huaj 6187717660882727699

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item