Shënimet e Gjon Palit II botohen si libër

Kardinali polak Stanislav Dzivisz, për vite me radhë sekretar i Papës Gjon Pali II, ka nxjerrë një libër me letrat private të Papës. Në bazë...

Kardinali polak Stanislav Dzivisz, për vite me radhë sekretar i Papës Gjon Pali II, ka nxjerrë një libër me letrat private të Papës. Në bazë të testamentit ato duhet të digjeshin.


“Unë jam i tëri në dorën e Zotit. „Shënime private 1966-2003“, quhet botimi. Në të del në pah një anë deri tani e panjohur e Papës polak Gjon Pali II. (1920 -2005). Librin e ka botuar shtëpia botuese katolike “Znak“ dhe arqipeshkvia e Krakovit. Megjithëse libri del në shitje me 5 shkurt, ai ka shkatuar shumë polemika. Papa e kishte përcaktuar në testamentin e tij të fundit, që të digjeshin „të gjitha shënimet e tij private“.
Zbatuesi i testamentit, sekretari i tij shumëvjeçar dhe miku i Gjon Palit II, kardinali i sotëm i Krakovit Stanislav Dzivisz, vendosi, siç thotë ai, “me vetëdije”, që t’i ruajë shkrimet nga harresa duke i publikuar. “Ato, që duhej të digjnim, i dogjëm, shënimet e tjera nuk i kam djegur, sepse ato përbejnë çelësin për të kuptuar qënien e tij dhe spiritualitetin e tij, atë që është më e brendshmja e njeriut. Marrëdhënia e tij me Zotin dhe me vetveten”, shkruan kardinali Dzivisz në parathënien e librit.

Në dorën e Zotit
Shënimet private, që Karol Wojtyla i bëri 40 vjet me rradhë, dokumentojnë jetën e tij shpirtërore dhe hedhin dritë në të fshehtat e shpirtit të tij. Wojtyla si peshkop, pastaj si kardinal dhe në fund si papë, bënte shënime personale gjatë ekzercicieve. Në ditarin e tij ai ka përmbledhur mendimet meditative, situata prekëse dhe lutje. “Nga lutja të marrësh fuqinë për të punuar“, shënonte ai për shembull diku.
Në shënime mungojnë referencat direkte për ngjarjet politike. Shënimet e tij kanë një karakter të pastër spiritual. Kështu për shembull ai shpesh lut shën Mërinë. “Së fundi e kam ndjerë veten krejtësisht në duart e Marisë“, rrëfen ai. „Falenderoj Zotin për Jezu Krishtin dhe i lutem, që të jetë gjithmonë me mua, megjithëse jam kaq i dobët“, shton ai në një vend tjetër.
„Ne njihemi me papën, që lufton me dobësitë e tij, duke u mbështetur gjatë gjithë kohës tek Zoti. Ne e shohim Papën në momentet më të ngushta me Zotin“, mendon një nga redaktorët përgjegjës të shtëpisë botuese “Znak”. Në shkrimet dhe skicat e tij tregohet se si papa kujdeset për miqtë dhe punonjësit e kishës. Më së qarti del në pah shqetësimi për kishën në Poloni dhe në mbarë botën, si dhe problemet dhe sfidat e saj.
“Të gjitha shqetësimet dhe gjërat e tij, si dhe vetveten, ai i ka lëshuar në dorën e Zotit”, shkruan në parathënie kardinali Dzivisz.
Shkrimet janë publikuar të paredaktura. Dy fletore të manuskriptit janë shtypur në më shumë se 600 faqe. Në leximin e tekstit ka punuar një ekip me katër gjuhëtarë. “Kjo ka qenë sfida më e madhe e të gjithë botimit”, thotë njëri prej tyre Artur Czesak: “Mund ta vësh re, se si nga mosha dhe sëmundja Papa e ka patur gjithnjë e më të vështirë të shkruajë. Për të deshifruar një fjali, na është dashur nganjëherë një ditë”. Sipas shkencëtarëve libri është një dëshmi mbresëlënëse, se si Papa ishte i angazhuar në punën e tij dhe se si ai e kuptonte pozicionin e tij. “Ai nuk pushoi kurrë së shkruari, edhe pse shënimet në fund të jetës së tij u bënë gjithnjë e më të shkurtra”, thotë Artur Czesak.

Diskutim në Poloni
Vendimi Dzivisz-it ka habitur shumë njerëz në Poloni, edhe qarqet katolike. “Botimi kundër vullnetit të Papës ishte mungesë respekti”, shkruhet në forumin e internetit të një portali katolik. Edhe disa klerikë e konsiderojnë të papërshtatshëm publikimin. Në konferencën e shtypit për publikimin e librit kardinali Dzivisz i kundërshtoi të gjitha akuzat duke i quajtur “interpretime të ekzagjeruara”.
Kardinali theksoi se korrespondenca private e Papës është djegur. Shkrimet e publikuara përmbajnë vlerësime dhe mendime spirituale. Ai shtoi se Gjon Pali që në të gjallë të tij i kishte rregulluar të gjitha gjërat dhe çështjet e tij. Ai kishte ndarë mënjanë, gjithçka që ishte për t’u djegur. Shënimet e publikuara tani nuk bënin pjesë në to.

“Një vepër e mrekullueshme“
Artur Sporniak, kryeredaktor i revistës javore katolike „Tygodnik Powszechny“, është i bindur nga argumenti i Dziviszit.”Nuk mund të përmbushësh vullnetin e njerëzve, veprat e të cilëve janë pjesë e trashëgimisë botërore. Sikur t’i kishim djegur këto shënime, do të kishim humbur një dëshmi me vlerë të paçmueshme”, thotë Sporniak, që e ka lexuar tashmë pjesërisht librin. Sipas mendimit të tij kjo vepër tregon shpirtin e vërtetë të Papës, i cili ndërroi jetë në vitin 2005.
Shënimet na dëshmojnë, se sa i madh ka qenë Papa dhe jeta e tij dhe se si është zhvilluar rruga e e tij deri në shenjtëri”, thotë Dzivisz. Ironi e historisë, pikërisht këto shkrime luajnë rolin më të madh në shpalljen shënjtor nga Papa Françesku. Me të ardhurat nga shitja e librit do të financohen projekte publike, ndër të tjera ndërtimi i “Qendrës Gjon Pali” në Krakov. Publikimi do të përkthehet së shpejti në gjuhë të tjera./standard

Related

Libri 7643830677460828137

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item