Protestë e bardhë kundër kronikës së zezë

Nga Elona Bano Elona Bano Nuk guxojmë as të ndezim televizorin, radion apo të hapim një faqe web lajmesh se kronika e zezë është kudo, në çd...

Nga Elona Bano
Elona Bano

Nuk guxojmë as të ndezim televizorin, radion apo të hapim një faqe web lajmesh se kronika e zezë është kudo, në çdo faqe, në çdo kryeartikull, në çdo edicion lajmesh. Duket se në këtë vend profesioni me i suksesshëm dhe i sigurt është ai i të qenit gazetar i kronikës së zezë. Madje duket me shume perspektive si profesion, pasi duke qenë se realisht kemi një inflacion diplomash të arsimit të larte, edhe pse pjesa më e madhe e gazetarëve tanë për fat të keq mezi arrijnë të shkruajnë korrekt shqip, mbarojnë edhe fakultetin e drejtësisë dhe ja: vete zot e vete shkop. Unë gjej lajmin, e servir atë e madje deri sa të merren “me burokracinë e zakonshme organet e drejtësisë”, Unë kam dhënë edhe verdiktin. Ndërsa në si shoqëri ballkanike deri në provincializëm që jemi, duket sikur plot cinizëm dhe në mungesë të plotë të ndjenjës së empatisë, kënaqemi që ka ndodhur diçka pasi kështu do të kemi material “për të grirë” në kafet tona të pafundme.
Thjesht me titull shembulli po ju rendis kronikën e zezë të djeshme:
1.   E dashura e Julian Sinanajt: Nuk e dija që ishte vrasës, armët i fshehu.
2.   Bashkëshortja: Lena më vrau burrin se i zbuloi tradhëtinë, po doli do t’i ngul 5 thika.
3.   Dy persona tentojnë të grabisin një banesë, dhunojnë familjarët me mjete të forta.
4.   Tiranë, arrestohet 29 vjeçari, u kap duke situr armë zjarri pa leje.
5.   Zbulohet baza e tritolit në Sarandë, dyshimi i policisë: përdorej për atentate?!
6.   Piktori i masakrës së Golemit, 35 vite burg për dy vrasje.
7.   Greku kanos gruan: s’dua qe vajza të mësojë shqip
8.   “Gjahtarët e natës”, arrestohen 6 të rinj. Ja si grabisnin karburantet – Video
Dhe duhet nënvizuar që këto lajme ishin deri në gjysmën e ditës, pra deri në orën 12.00.
E ndjejmë dita ditës se si massmedia e sidomos televizioni po na imponojnë një kulturë të standartizuar, duke zvogëluar ndjeshëm shpirtin kritik, diskutimet kultororo-sociale dhe racionale, duke i zëvendësuar këto emisione edukative me formatin e debat show ku individë të caktuar, herë të fushës e herë jo manipulojnë opinionin publik.
Duket se formati i lajmeve, emisioneve të televizioneve sidomos jopublike është aq i ngjashëm dhe promovon aq pak vlerat e vërteta saqë kanë arritur në pikën e uniformizimit të kulturës, duke e “dembelosur mendjen e teleshikuesit”, dhe fatkeqësisht fraza “mendoj pra ekzistoj” tashmë në këtë epokë të re mediatike, konsiderohet të jetë kthyer në „shoh televizion, pra ekzistoj”.
Por të rikthehemi tek protesta që dua të bëjmë së bashku kundër kronikës së zezë le të fikim për një ditë televizorët nga çdo kanal i cili transmeton këto lajme non stop, le të mos blejmë ne të parët asnjë gazetë qoftë dhe për një ditë të vetme, le të mos hapim asnjë web lajmesh vetëm për një ditë dhe do shohim se edhe vetë gazetarët e producentët do marrin një goditje ashtu si dashje pa dashje na e japin çdo ditë. Pse e kërkoj këtë?! Për të mirën e shëndetit tonë psikik; për qetësinë tonë shpirtërore, të fëmijëve tanë të cilët ndër fjalët e para po mësojnë: grabitje, vrasje, tritol etj.
Po ju rradhis më poshtë vetëm disa efekte që ka në nënkoshiencën tonë ekspozimi i shpeshtë përpara kronikës së zezë:
-    Ngurtëson sensin e jetës duke prodhuar një ndjenjë përdorimi të secilit prej nesh duke sjellë kështu frustrim
-    Krijojnë një ndjenjë boshllëku, mospërmbushjeje, depresive pasi individi që mund të ketë probleme të ngjashme fillon të adhurojë atë që sipas tij e ka gjetur zgjidhjen kurse ky- spektatori – vazhdon të mos e zgjidhë dot dhe nuk është aq trim sa për tu kthyer në kriminel
-    Ofrojnë një model dhune të lehtë por edhe të „denjë” për tu ndjekur
-    Japin ide të cilat në moment të parë duken si zgjidhja më e shpejtë, e duhur dhe përfundimtare e problemit
Nëpërmjet videove të ndryshme nuk është aspak habi që një pjesë e këtyre lajmeve rreth krimeve të ndryshme ti ofrojë “zgjidhje” të ndryshme madje edhe ide të cilat copy paste merren nga individë le të themi të gjendur në udhëkryq dhe i zbatojnë ato jo vetëm kundër pronës së tjetrit, po çka është akoma dhe më e dhimbshme, kundër jetës së dikujt, i cili sado armik qoftë, ka një jetë e cila nuk duhet të varet kurrë nga askush.
Lajmet e kronikës së zezë e kanë ngopur aq shumë mbarë opinionin publik, saqë askush nuk reagon më kundër dhunës, dhe nga një anë nuk ka më kohë kur të reagosh dhe ndaj cilit argument apo ngjarje të reagosh më parë. Kësisoj fëmijët tanë janë të ekspozuar ndaj sjelljeve agresive, dhunës apo mungesës së tolerancës saqë ngjyrat e bukura të fëmijërisë po predominohen jo nga emisionet televizive, të cilat fatkeqësisht janë të pakta apo thuajse inekzistente, por nga e kuqja e gjakut dhe e zeza e krimit.
Shpeshherë i është bërë thirrje gazetarëve të demonstrojnë më shumë etikë profesionale, të mos e kthejnë antivlerën në vlerë vetëm për hir të komercializmit, por me sa duket edhe etja për informacion drejtohet dhe manipulohet nga etja për para. Ndaj edhe një herë në shenjë solidariteti le të bëjmë një bojkot mediatik nga lajmet e zeza, le të protestojmë në emër të paqes sonë shpirtërore, të shëndetit mendor tonit dhe të fëmijëve tanë, duke i fikur televizorët për një ditë në oraret e lajmeve qendrore, duke mos blerë një gazetë e le të shohin këta gazetarë e producentë se nëse vazhdohet kështu, efekti bumerang më në fund po ndihet tek të ardhurat e tyre. Është një mësim mbase ekstrem ky, por që i duhet dhënë shoqërisë nga vetë shoqëria pasi përndryshe informacioni që në përgjithësi përbën pushtet duhet të jetë cilësor të klasifikohet i tillë dhe jo makabër, fyes ndaj viktimave apo deri diku përhapës paniku, pasi po bëhemi pre dhe të manipuluar prej tij.
Në krahasim me ilaçet e ndryshme të cilat i nënshtrohen një kontrolli farmaceutik dhe po ashtu blihen vetëm në bazë të një recete të lëshuar nga mjeku, mediat prodhojnë dhe furnizojnë secilin prej nesh me përmbajtje lajmesh të cilat jo vetëm janë shpeshherë të pakontrolluara por çfarë është më shqetësuese ka të bëjë me efektet që prodhon tek secili prej nesh. Fatkeqësisht legjislacioni shqiptar por edhe institucionet të cilat janë parashikuar për të mbikqyrur median nuk kanë parashikuar norma dhe instrumente konkrete për të mbrojtur përdoruesin e lajmit, pra në të gjithë që në këtë rast jemi konsumatorë lajmesh.
E nëse do të bënim një paralelizëm midis faktit të qenit konsumator ushqimesh, të cilët i kontrollojmë me shumë kujdes nëse janë të skaduara apo jo, nëse kanë përmbajtjen e duhur për të mos na krijuar probleme shëndetësore, dhe nga ana tjetër faktit e të qenit konsumator lajmesh, do të vëmë re një sjellje shumë më të pakujdesshme dhe më të pandërgjegjshme nga ana jonë. E nëse në rastin e konsumit të ushqimeve të dëmshme rreziku kufizohet tek një numër i kufizuar personash, rreziku i intoksikimit publik nga lajmet bëhet qëllimisht edhe për shkak të misionit që kanë mediat, drejtuar publikut të gjerë. Por nëse një intoksikim ushqimesh shërohet me anë të disa serumeve dhe vitaminave ushqimore, intoksikimi mendor nga lajmet prodhon efekte të cilat sipas piskanalistëve mund të flenë për vite në nënkonshiencën e individit duke u rizgjuar vrullshëm dhe dhunshëm në momente nga më të papriturat.
Akoma edhe më problematik është fakti se sa herë ngrihen pretendime mbi skena, imazhe, tekste apo programe që kanë një cilësi të ulët, mungesë misioni edukativ etj, po këto media ngrejnë me të madhe të drejtën e lirisë së shtypit dhe të drejtën e shprehjes. Të dashur gazetarë përfitoj nga rasti që si juriste t’ju rikujtoj se vërtetë një nga dokumentet bazë ndërkombëtare siç është Karta Evropiane për të Drejtat e Njeriut, apo Kushtetuta jonë apo ligji për mediat e parashikon lirinë e shtypit dhe të drejtën e fjalës si e drejtë themelore, universale dhe e patjetërsueshme por, dhe ju me apo pa dashje harroni pikërisht këtë “por” sipas së cilës në një formulim më të gjerë në nenin 10 të KEDNJ-së, paragrafi i dytë, neni i referuar lirisë së shprehjes parashikon se: Ushtrimi i këtyre lirive që përmban detyrime dhe përgjegjësi, mund t’u nënshtrohet atyre formaliteteve, kushteve, kufizimeve ose sanksioneve të parashikuara me ligj dhe që janë të nevojshme në një shoqëri demokratike, në interes të sigurisë kombëtare, integritetit territorial ose sigurisë publike, për mbrojtjen e rendit dhe parandalimin e krimit, për mbrojtjen e shëndetit ose të moralit, për mbrojtjen e dinjitetit ose të të drejtave të të tjerëve, për të ndaluar përhapjen e të dhënave konfidenciale ose për të garantuar autoritetin dhe paanshmërinë e pushtetit gjyqësor. Besoj se kemi arritur në limitin kur shëndeti ynë mendor dhe morali si shoqëri është dëmtuar mjaftueshëm nga këto lajme pa kriter, ndaj nuk ka më kohë për të qenë pasivë.
Gjithsesi kam bindjen e plotë se edhe ky marshim i kronikës së zezë është kalimtar, mediat shqiptare si të gjitha mediat ballkanike do të gjejnë një mënyrë tjetër të bërit para. Kësisoj më kujtohet në vitet 2003-2006 tek shihja televizionet rumune dhe kisha të njëjtën tablo, e deri sa të lodhur nga këto lajme fatmirësisht intelektualët rumunë propozuan modifikimin e ligjit për mediat audio-vizuale, modifikim revolucionar do të thoja unë i cili solli përqendrimin në një edicion lajmesh të të gjithë kronikës së zezë. Aktualisht lajmet e orës 5 pasdite njihen në të gjithë televizionet rumune si lajmet e kronikës së zezë. Nga ana tjetër besoj që do vijë edhe këtu moda e show bizzit të çifteve shqiptare VIP-e të cilat pajtohen apo ndahen që do shfaqen vend e pavend duke arritur të kthehen në modele jetese për rininë e mediat s’do e humbin rastin e “shitjes së lajmit të rradhës”. Mbase në pikën e tejngopjes do ta sulmojmë dhe atë fenomen, por deri atëherë le të jemi të kujdesshëm për lajmet që konsumojmë dhe ndaj të cilëve jemi aq vulnerabël.

Related

Opinione 478294987330272505

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item