Ndarja e problemeve te rrathët viciozë
Psikologji/ Tri minuta terapi, libri i dy autorëve amerikanë që ndryshon të menduarit në shqip nga “Plejad”, përkthyer nga Aleksandër Loli M...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/02/ndarja-e-problemeve-te-rrathet-vicioze.html
Psikologji/ Tri minuta terapi, libri i dy autorëve amerikanë që ndryshon të menduarit në shqip nga “Plejad”, përkthyer nga Aleksandër Loli
Majkëll R. Edelshtajn
Dejvid Ramsej Stile
Kohët e fundit, një lexuese e librit tim: “Pyesni Dr. Majkun”, më njohu me këtë dilemë të zakonshme martesore: “Im shoq kalon aq shumë kohë të gjatë në punë, sa rrallë herë e shoh. Kur e shoh, ai nuk ka asgjë për të më thënë. Unë ndihem e inatosur dhe e lënduar. A mund të më ndihmoni?”
I thashë se ajo kishte dy probleme krejt të ndryshme. Problemi i saj praktik ishte sesi ta bënte të shoqin që të kalonte më shumë kohë me të e t’i tregohej më komunikues. Problemi i saj emocional ishte se ajo po e shqetësonte veten në mënyrë krejt të panevojshme.
Kurdoherë që dikush vuan emocionalisht, kam zbuluar se një procedurë e thjeshtë është jashtëzakonisht ndihmuese për sqarimin e situatës:
1. Identifiko Problemin Praktik.
2. Identifiko Problemin Emocional.
3. Bëje vuajtësin të shohë te lidhja mes problemit praktik dhe problemit emocional.
Kështu, i këshillova kësaj lexueseje të niste të merrej me problemin e saj emocional. Kjo gjë ka përherë në themelin e vet ndonjë kërkesë – ndaj vetes, ndaj të tjerëve ose ndaj një situate.
E menduara e saj ndiqte pak a shumë një vazhdë të tillë: “Im shoq DUHET të kalojë më shumë kohë me mua. Ai DUHET të kujdeset për mua. Unë nuk DUHET ta lejoj atë që të më trajtojë në këtë mënyrë. Unë DUHET të bëj diçka për t’ia rindezur dashurinë për mua”.
Ishte kjo lloj e menduare irracionale – e ndikuar nga DUHET e saja, që e shqetësonte atë dhe jo veprimet e papëlqyera të të shoqit.
Ajo do të ndalonte së shqetësuari nëse do t’i ndryshonte bindjet e saj, nëse do t’i spastronte DUHET e saj. Ajo mund t’i shihte krejt ndryshe ankimet e veta nëse do të thoshte: “Unë preferoj me gjithë zemër që im shoq të kalojë më shumë kohë me mua, por jam e vendosur që tu gëzohem punëve të mia, për sa kohë ai nuk ndodhet këtu. Mua s’më pëlqen kur ai më shpërfill, por nuk jam unë ajo që drejton apo komandon universin. Unë dëshiroj fort që ai të më trajtojë më denjësisht, por unë s’jam kurrë një krimb, edhe nëse ai nuk më trajton mirë. Mua sigurisht do më pëlqente që të ndikoja tek ai. Kështu pra, do të veproj me vendosmëri, por jo me dëshpërim.
Kjo e menduar më realiste do të qe mënyra më e mirë për zgjidhjen e problemit të saj emocional. Më pas, unë e këshillova që ta sulmonte pareshtur problemin e saj praktik:
1. Bëj një përpjekje të vendosur për ta diskutuar këtë çështje me tët shoq. Hapja atij shqetësimin tënd dhe zbulo sesi do të ndihet ai për këtë.
2. Në diskutimet e mëvonshme, sugjeroi zgjidhje të ndryshme ndaj problemit, derisa të gjesh disa prej tyre, të cilat ai do të dëshirojë t’i bëjë. Për shembull: bëje të flasë si e ka kaluar ditën ose të të pyesë si e kalove ti. Diskuto me të plane për mbrëmje të përbashkëta, për fundjavën, apo për pushimet. Kujtoji atij kohët e shkuara, kur rrinit bashkë.
3. Edhe sikur fillimisht ai të mos dojë t’i marrë parasysh këto modifikime apo të flasë për to, ti këmbëngul në evidentimin e tyre.
Pas disa përpjekjeve të përbashkëta, nëse nuk do të keni arritur ende gjëkundi, mendo e përpiqu me anën e disa mënyrave të tjera:
1. Merre me të mirë tët shoq dhe bëja marrëdhënien martesore aq qiellore, sa të vendosë që të përmirësohet.
2. Sugjeroji plot gjëra dhe prano të ndryshosh edhe vetë disa prej sjelljeve të tua, në këmbim të pranimit të tij për të ndryshuar disa prej të tijave.
3. Zëre sikur ai nuk do të ndryshojë kurrë. Ti thjesht rregullo jetën tënde.
4. Vlerësoje me gjakftohtësi idenë e divorcit. Nëse minuset e martesës i tejkalojnë pluset dhe nëse kjo s’mund të ndryshohet, divorci është një mundësi logjike. Në këtë rast, jepi atij një ultimatum si mjet të fundit (dhe përgatitu t’i qëndrosh kësaj), diçka si: Megjithëse të dua, por, po s’i more seriozisht të gjitha këto që them, të bësh ndryshime apo të kryesh terapi, unë do të të lë.
Ndërkohë që përpiqesh me strategjitë e mësipërme, nëse e sheh veten se po të pushton dëshpërimi apo ndihesh e zemëruar ose e lënduar, kjo do të thotë se nga problemet praktike po i hap sërish vetes probleme emocionale. Atëherë përdor prapë të njëjtën teknikë: Gjej DUHET e tua irreale, pastaj iu kthe dhe iu kundërvu atyre, shkelmoi tutje dhe kthehu vendosmërisht te zbatimi i strategjive të problemit që kërkon të zgjidhësh.
Shpesh, njerëzit që e pranojnë këtë këshillë, shohin se nuk vonon dhe Problemi i tyre Praktik u bëhet shumë më i lehtë. Sapo nisin ta pyesin Kërkesën që fle nën problemin e tyre emocional, ata mund të ndalojnë së përdoruri një nga hapat e rrethit vicioz. Për shembull, lexuesja e këtij libri ka mjaft mundësi që ndaj qëndrimit larg shtëpisë të të shoqit, të ketë reaguar me disa sjellje, të cilat e nxitën atë edhe më keq për të ndejtur larg. Kjo sjellje mund të përfshijë të bërtiturat, lotët që mbase ka derdhur ose mospranimet për seks. Sapo ta ketë pranuar se bindja e saj që ai DUHET të kalojë më shumë kohë me të, është thjesht një budallallëk, ajo mund ta ndjejë veten duke u lehtësuar nga disa prej këtyre përgjigjeve jo ndihmuese.
Megjithatë, metoda e ndarjes së Problemeve Emocionale prej atyre Praktike është metoda më e mirë, pavarësisht nëse kjo arrin ta ndërpresë apo jo një rreth vicioz. Ekziston edhe mundësia që sjellja e personit tjetër të mos përmirësohet, madje edhe nëse ju keni vendosur të silleni në mënyrë më të arsyeshme! Prapëseprapë, veprimi në mënyrë të arsyeshme mbetet mënyra më e mirë./standard