Moska bën pëgjegjës Perëndimin për përshkallëzimin e dhunës në Kiev
Rusia akuzon perëndimin për ndërhyrjen në Ukrainë. Moska mban një qëndrim të tërhequr ndaj krizës në vendin fqinj. Por me sa duket ajo tërhe...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/02/moska-ben-pegjegjes-perendimin-per.html
Rusia akuzon perëndimin për ndërhyrjen në Ukrainë. Moska mban një qëndrim të tërhequr ndaj krizës në vendin fqinj. Por me sa duket ajo tërheq gjithnjë e më shumë fijet në prapaskenë.
Kjo është një “pasojë direkte” e politikës perëndimore ndaj opozitës ukrainase, njoftoi Ministria e Jashtme ruse të martën (18.02.2014). Në pjesën e qytetit të Kievit, ku janë vendosur ndërtesat qeveritare, kanë ndodhur përleshjet me të ashpra mes protestuesve dhe policisë që nga fillimet e protestave në fund të nëntorit 2013.
Moska deri tani është përmbajtur në rastin e Ukrainës, të paktën zyrtarisht. Politikanët kryesorë rusë nuk shkojnë në Kiev. Presidenti Vladimir Putin dhe kryeministri i tij Dmitri Medvedev nuk i bënin çdo ditë thirrje për dialog palëve në konflikt në Ukrainë. Me fjalë të tjera rusët e shmangin atë, që bëjnë përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara.
Në Moskë shihen me sy kritik udhëtimet e politikanëve perëndimorë në Kiev. “Nuk më duket mjaft korrekte dhe e sjellshme, kur për ditë dërgohen emisarë”, tha ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov në takimin e fundit me homologun e tij gjerman Frank-Walter Steinmeier në Moskë. Presidenti Putin tha në janar, se Rusia nuk do të “përzihet kurrë” në Ukrainë. Me këtë ai kishte parasysh këshillat për jashtë.
Në fakt Moska në Ukrainë është më aktive nga ç’ka qenë ndonjëherë në 20 vitet e fundit, kështu e shohin çështjen vëzhguesit. Vetëm se rusët e tregojnë më pak publikisht ndikimin se sa evropianët. Aktiviteti rus zhvillohet në disa nivele. Me politikanët ukrainas rusët kanë tendencën të flasin në vendin e tyre. Kështu presidenti ukrainas Viktor Janukoviç u takua me homologun e tij rus Vladimir Putin në ceremoninë e hapjes së Olimpiadës Dimërore në Soçi në fillim të shkurtit. Për rezultatet e bisedës së tyre nuk dihet asgjë. Në janar disa prej ministrave të Ukrainës vizituan Moskën. Në fund të shkurtit ministri i Jashtëm i Ukrainës do të shkojë në Rusi.
Që nga fundi i janarit Andrij Klujew drejton zyrën e Presidentit në Kiev. Disa media ukrainase dhe ekspertë perëndimorë besojnë se me këtë është rritur ndikimi rus në politikën ukrainase. Sipas ekspertit suedez për Ukrainën Anders Aslund, Klujev është shumë pranë Kremlinit. Shefi i zyrës presidenciale punon direkt me Vladislav Surkovin, tha Aslund në një inervistë me gazetën online të Kievit “Ukrainska Pravda”. Surkov është këshilltari i Putinit për marrëdhëniet me bashkësinë e shteteve të pavarura, CIS.
Edhe një tjetër këshilltar i shefit të Kremlinit, Sergei Glasjev, është prej muajsh aktiv në Ukrainë. Glasjev përgjigjet për integrimin në hapësirën postsovjetike. Në një intervistë ai i bëri indirekt thirrje udhëheqjes ukrainase, që të përdorë dhunën kundër demonstruesve opozitarë.
Zyrtarisht nuk dihet asgjë për lidhjet e Klujevit me Kremlinin. Si alelat i tij konsiderohet Viktor Medvedçuku, i cili nën Leonid Kuçmën ishte në krye të administratës presidenciale. Medvedçuk është mik i ngushtë personal i presidentit Putin. Në Ukrainë Medvedçuk drejton lëvizjen “Zgjedhja e Ukrainës”. Ajo angazhohet për afrimin e Ukrainës me Rusinë. Politologu gjerman Andreas Umland, që jeton në Kiev, thotë për Medvedçukun ë një intervistë me Deutsche Wellen: “Projekti i tij i madh shihet si i koordinuar me Kremlinin dhe i financuar nga Rusia.”
“Skenar gjeorgjian” në Krime?
Shumë e dukshme bëhet rritja e ndikimit rus republikën autonome të Krimesë në jug të Ukrainës. Rusët etnikë përbëjnë atje dy të tretat e popullsisë. Përveç kësaj në Sevastopol është e stacionuar flota e Detit të Zi. Organizata joqeveritare “Komiteti Koordinues i Sevastopolit” miratoi pak ditë më parë një deklaratë mbi shkëputjen mundshme të Krimesë nga Ukraina, nëse në Kiev do të ketë “një grusht shteti”. Deputeti i parlamentit rus dhe kryetari i partisë së Mëmëdheut Aleksej Shuravljov shkoi në Krime, për të themeluar atje një “Front antifashist sllav”. Me “fashistë” nënkuptohen demonstruesit opozitarë në Kiev.
Në këtë kontekst politikanët e Krimesë udhëtojnë gjithnjë e më shumë për bisedime në Moskë. Më 20 shkurt, për shembull, kryetari i Parlamentit të Krimesë, Vladimir Konstantinov, shkon në Rusi. Politologu gjerman Christian Wipperfuerth, që punon ndër të tjera edhe për Shoqatën Gjermane për Politikë të Jashtme (DGAP) në Berlin, i konsideron të ekzagjeruara frikërat për një shkëputjeje të mundshme të Krimesë. “Askush nuk e vë në dyshim integritetin territorial të Ukrainës”, tha ai për DW. Rusia nuk është e interesuar për një ndarje të Ukrainës, sepse nga ajo mund të marrin shembull vendet e tjera postsovjetike.
Rusia raporton mbi Ukrainën si kurrë më parë
Edhe përsa i përket mediave Rusia luan një rol të madh në Ukrainë. Sipas një anketimi më shumë se 22 përqind e ukrainasve shikojnë televizionin rus, për t’u informuar për ngjarjet në vendin e tyre. Stacionet ruse flasin për një “përpjekje për grusht shteti” në Ukrainë të inspiruar nga perëndimi. “Rusia nuk i ka kushtuar kurrë më parë kaq shumë kohë transmetimit për Ukrainën, sa tani”, thotë për DW Diana Duzyk nga revista e Kievit “Telekrytyka”. “Kjo tregon se është me rendësi strategjike për Rusinë, që ta mbajë Ukrainën në sferën e saj të interesit”, mendon Duzyk.
Në javët e ardhshme ndikimi rus në mediat ukrainase ka të ngjarë të rritet. Një stacion radiofonik lajmesh me valë FM do të transmetojë në Kiev dhe qytete të tjera. Shefat e programit vijnë nga Rusia.