Të majtët, të djathtët dhe fondamentalistët
FATOS LUBONJA Po “fus hundët” edhe unë në një debat që më tërhoqi vëmendjen, pasi me temën e tij jam marrë jo pak. E kam fjalën për koment...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/02/te-majtet-te-djathtet-dhe.html
FATOS LUBONJA
Po “fus hundët” edhe unë në një debat që më tërhoqi vëmendjen, pasi me temën e tij jam marrë jo pak. E kam fjalën për komentet që ngjalli batuta e Ramës mbi të majtët dhe të djathtët në Shqipëri, që u pasua nga një shkrim i Fevziut kundër tij. Kryeministri, duke cituar Bernard Shaw-n, tha se “jo të gjithë të djathtët janë budallenj, por shumica e budallenjve janë djathtas” (duke nënkuptuar se këtë shumicë në Shqipëri e gjen te PD). Fevziu, në një shkrim të botuar në “Panorama”, pasi i kujtoi se edhe vetë dikur ka pretenduar se është i djathtë, i përmendi një thënie të Eleanore Roosvelt (që gabimisht ia atribuoi Shaw-t), sipas së cilës “mendjet e mëdha merren me idetë, mendjet mesatare me ngjarjet dhe mendjet e vogla me njerëzit”. Sipas Fevziut, të djathtët shqiptarë janë marrë me ide, jo me njerëz, siç janë marrë të majtët dhe siç bëri edhe Kryeministri vetë me batutën që lëshoi – (por ai nuk na tha se çfarë është, sipas tij, Berisha, sepse, nëse ka njeri që është marrë me njerëzit, është ish-kryeministri).
Më intereson ky debat pasi më ndihmon të argumentoj një tezë së cilës i mëshoj prej kohësh, sipas së cilës në Shqipëri ende nuk ka “të majtë” dhe, për pasojë, as edhe “të djathtë” – pasi këto nuk mund të ekzistojnë pa njëra-tjetrën – në kuptimin libertar. Por përpara se të përgjigjem se çfarë janë këta tanët, le ta marrim me radhë arsyetimin duke nisur me Bernard Shaw-n.
Sigurisht, çdo thënie ka kontekstin e vet. Për të kuptuar se në ç’kontekst e ka thënë Shaw atë që citoi Rama, do t’i referohesha një thënieje të një bashkëkohësi të Shaw-t, po aq i rëndësishëm sa ai, edhe ai i majtë, Bertrand Russell-it. Ai thotë është pak a shumë një ide të tillë: në këtë botë ka dy kategori njerëzish, ata që i adoptohen botës ku jetojnë dhe ata që kërkojnë ta adoptojnë botën sipas vetes/ideve të tyre – dhe prandaj bota u përket këtyre të dytëve. Me fjalë të tjera – sipas Russellit – janë këta të dytët që sjellin ndryshimin e botës. Dhe ashtu siç e kuptoj unë Rusell-in (duke e lidhur edhe me Shaw-un), këta, sipas tyre, janë të majtët, pasi, përgjithësisht, të majtët njihen si progresistë dhe të djathtët si konservatorë. E në këtë ndarje mendoj se ata kanë parasysh edhe politikanët, por mbi të gjitha mendimtarët e majtë e në përgjithësi njerëzit me qëndrim të majtë që, në kohën e tyre, kërkonin me ngulm të ndryshonin botën.
Po t’i referohemi psikologjisë dhe sociologjisë, këtë që thotë Russell mund ta shprehim edhe duke interpretuar dy karakteristika psiko-sociale që ka qenia njerëzore. Njëra është ajo që quhet “sensi i adoptimit”, që është shumë i rëndësishëm te njeriu, pasi nëpërmjet këtij ai mbijeton (për mirë dhe për keq) duke iu përshtatur rregullave e ligjeve të shoqërisë e ambientit ku jeton. Madje thuhet se njeriu është qenia më e adoptueshme në botë. Por njeriu ka edhe atë që e quajnë “sensi i mundësisë”, që do të thotë aftësia e tij për të mos e pranuar realitetin, për ta ndryshuar atë, për të krijuar gjëra që s’kanë ekzistuar më parë, për të ndryshuar botën me një fjalë – e që e ka vetëm njeriu dhe asnjë qenie tjetër në botë. Në sajë të këtij sensi ka ndodhur edhe evolucioni i shoqërisë njerëzore.
Nuk ka dyshim se shumë njerëz të ndritur, që nga koha e Revolucionit Frëng e këtej, – kur lindi edhe e majta dhe e djathta – i përkasin kategorisë së progresistëve që kanë ndryshuar/transformuar botën. Dhe këtu duhet të kemi parasysh se mendimi i Shaw-ut i përket vazhdimësisë së Iluminizmit, që konsiderohet si moderniteti, që ka jo pak lidhje, por edhe diferenca, me postmodernitetin që jetojmë. E them këtë pasi moderniteti solli edhe shumë deluzione në ndërmarrjen e tij për të transformuar botën e se postmoderniteti lindi pikërisht si reagim apo korrigjim i gabimeve të modernitetit. Nuk mund të harrojmë p.sh. se kampionë të tillë të modernitetit, si komunistët, dolën shumë “budallenj” në përpjekjen e tyre për të ndryshuar botën në raport me konservatorët, edhe pse ëndrra e tyre u mbështet nga ndoshta shumica e mendjeve më të ndritura të shekullit XX, duke përfshirë edhe Shaw-un dhe Russell-in. Prandaj e kam vështir ta them se cilët janë më të mençur, progresistët apo konservatorët. Personalisht preferoj qasjen e të parëve ndaj realitetit, si kërkim i çlirimit ndaj zgjedhave të tij, por them se, si shoqëri, kemi nevojë për mençuritë e të dyja kategorive, që janë të ndryshme e që, për fat të keq, mendoj se te ne, më së shumti mungojnë.
* * *
Le t’i kthehemi tani realitetit shqiptar nën filtrin e thënies së Shaw-t për të parë se kë do të quajmë “të majtë” dhe “të djathtë” në Shqipërinë tonë e për të gjetur se me kë është shumica e budallenjve. A vlen t’i etiketojmë kësisoj ish-komunistët dhe antikomunistët – siç u ndanë shqiptarët në vitin 1990. Sipas meje, ky është një konvencion që është ruajtur me sforco për të mbajtur gjallë një pluralizëm të rrejshëm. Vetë fakti se në krye të PD-së deri tani kemi pasur një ish-komunist dhe në krye të PS-së kemi një ish-demo-kristiano–islamik, flet jo pak për këtë. Unë i mëshoj idesë sipas së cilës në Shqipëri, pas viteve ‘90, kanë lulëzuar dy të djathta, por jo të stilit libertar, por të stilit fondamentalist.
Le të përpiqem ta argumentoj këtë duke iu referuar disa ideve kyçe që dallojnë sot e kësaj dite të majtën nga e djathta.
Së pari, duke pasur parasysh “sensin e adoptimit” (të lidhur më shumë me konservatorët) dhe “sensin e mundësisë” (të lidhur më shumë me progresistët), mendoj se partitë që lindën me pluralizmin nuk kanë dallim midis tyre. Si Partia Demokratike në vitin 1991, edhe Partia Socialiste në vitin 1992 (pra në një diferencë kohe të papërfillshme) iu adoptuan menjëherë ideologjisë së djathtë neoliberiste që kishte triumfuar në Perëndim pa asnjë lloj dyshimi. Po ashtu ato nuk u përpoqën të ndryshojnë kulturën e zhvilluar përgjatë një historie të tërë në mungesë lirie që ka zhvilluar te ne vetëm sensin e adoptimit, që sintetizohet në thënien/moto të shqiptarit: “Bëj siç bëjnë”. Ato më së shumti iu adoptuan mendësinë e popullit shqiptar të kultivuar në kohën e Hoxhës e më parë në kërkim të votës së shumicës. Mjaft të kesh parasysh gjuhën e Sali Berishës që vazhdon sot e kësaj dite t’i gjykojë njerëzit me familje, vetëmburrjen tonë në vend të sensit kritik dhe vetëkritik, kultin e të fortit dhe të dhunshmit etj. Ose faktin se si Edi Rama i braktisi të gjitha idetë e tij antikonformiste të para vitit ‘97 për t’iu përshtatur turmës së votuesve socialistë. Pa dyshim ka pasur edhe ndryshime kulturore po të kesh parasysh p.sh. hartimin e një kushtetute të standardeve perëndimore, instalimin (nga pikëpamja formale) të institucioneve demokratike, heqjen e dënimit me vdekje, heqjen e dënimit për homoseksualët, por gjithkush do të pranojë se këto janë bërë nën diktat perëndimor apo për t’iu përshtatur Perëndimit, dhe jo nën shtysat progresiste të partive që kemi në vend.
Së dyti, në këtë ravë, unë gjykoj se një kriter tjetër që dallon “të majtën” nga “e djathta” dhe që besoj se e ka pasur parasysh Shaw, është qëndrimi ndaj nacionalizmit dhe luftës apo paqes. Sikurse dihet, të majtët në emër të një bote tjetër pa kolonializëm dhe pa shfrytëzim kapitalist hodhën parullën “proletarët s’kanë atdhe” dhe janë shprehur kundër luftës në emër të paqes. Përsëri kemi të bëjmë me një kërkesë për ndryshim të botës. Edhe në raport me këto vlera të së majtës, sigurisht të riformuluara në kohën tonë, te ne nuk kemi dallim midis të ashtuquajturve “të majtë” dhe “të djathtë” shqiptarë. Sikurse e kam shtjelluar edhe herë tjetër, të gjitha partitë tona ruajtën nacionalizmin që kishte kultivuar Hoxha në ideologjinë nacional–komuniste të pushtetit të tij, duke zëvendësuar mekanikisht komunizmin me europianizmin. Po ashtu ato kanë qenë përherë të gatshme të shkojnë të gjitha së bashku, pa dallim idesh, në luftërat që hapte Amerika, madje edhe përpara vetë amerikanëve.
Së treti: gjykoj se një kriter tjetër që ka pasur Shaw është qëndrimi ndaj pabarazisë ekonomiko-sociale, qenia si të thuash e të majtëve me shtresat e varfra, për emancipimin e tyre, kundër idesë të pranuar gjerësisht nga të djathtët konservatorë se pabarazia është gjendje “natyrore” apo e natyrshme e njeriut. Edhe në këtë aspekt, të ashtuquajturit të majtë dhe të djathtë në Shqipëri nuk kanë bërë dallim. E kanë demonstruar këtë si në retorikat e tyre politike, edhe në praktikë, madje në këtë të dytën edhe më shumë po të kesh parasysh se deri vonë Partia Socialiste ka pasur numrin më të madh të të pasurve në Parlament.
* * *
Prandaj gjykoj se t’i ndash politikanët tanë në kategoritë “të majtë” e “të djathtë” dhe të kërkosh të aplikosh pastaj thënien e Bernard Shaw-t për t’iu diferencuar atyre aftësitë intelektuale, është pa vend. Por edhe të thuash se ata që vetëquhen “të djathtë” në Shqipëri janë marrë me ide kurse ata që vetëquhen “të majtë” me njerëz, nuk më duket aspak e vërtetë. Sipas meje, të dyja palët janë marrë “me ngjarje” dhe “njerëz”, dhe jo me debat idesh, sepse idetë, siç u përpoqa ta shpjegoj, i kanë të njëjta.
Madje do të thosha se për politikanët tanë (kam parasysh ata që diktojnë frymën e partive, jo gjithkënd) nuk flitet për ide në shumës, por për ide në njëjës. Sepse pa mohuar disa ndryshime, ata i bashkon në gjërat kryesore, siç u përpoqa ta vë në dukje, një qëndrim i djathtë ndaj realitetit shqiptar dhe mbi të gjitha fondamentalizmi. (Ndryshe do t’i quaja edhe proto-fashistë). Pse them fondamentalistë, ose ç’kuptoj me fondamentalistë? Po i referohem Zigmund Baumanit, i cili, duke folur për fondamentalizmin, citon një besimtar të devotshëm që thotë: “Sigurisht që ka shumë gjëra të ndryshme në këtë botë, por njëra është më e rëndësishme se të gjitha dhe, në momentin që ke pranuar atë, të gjitha problemet zgjidhen”. Fondamentalisti – vijon Baumani – e zgjidh kompleksitetin e botës dhe të problemeve të saj me një ide të vetme. Po besove te kjo ide, ajo disiplinon gjithë të tjerat: këtu qëndron forca e fondamentalizmit. Kjo bën që në një vend të ketë pastaj vetëm engjëj dhe demonë, të mirë dhe të këqij që luftojnë me njëri-tjetrin. Dhe për sa kohë që i ke fokusuar njerëzit te kjo luftë, të gjitha problemet e tjera njerëzore zgjidhen.
Po të kesh parasysh realitetin tonë, fondamentalistët tanë e kanë fokusuar gjithçka në një ide të vetme: gjithçka për luftën për pushtetin dhe pasurimin e tyre. Dhe militantët e tyre i kanë fokusuar te ky problem me të cilin kanë “zgjidhur” të gjitha problemet e tjera. Kjo ka legjitimuar pastaj glorifikimin e vetes më një anë dhe demonizimin e kujtdo që s’është me ta, më anën tjetër.
Sot flitet aq shumë për mungesën, paaftësinë e klasës sonë politike për të bërë dialog, për të arritur konsensus. Por kjo është e pamundur pikërisht pasi kokat e tyre janë fondamentaliste. Ata nuk mund të merren me idetë, sikurse thotë Fevziu, sepse fondamentalistët njohin vetëm një ide, e cila nuk përmban dhe nuk lejohet të përmbajë asnjë dyshim. Kjo i pengon ata të pranojnë diversitetin, prandaj edhe të majtën dhe atë djathtën si dy rrugë të mendimit dhe veprimit politik. Prandaj ata s’mund të merrem me ide, por vetëm me luftë ndaj njerëzve me synimin që të demonizojnë ata që mendojnë pavarësisht prej tyre më një anë, si dhe të asgjësojnë aftësinë e militantëve të tyre për të menduar dhe dyshuar, më anë tjetër. Sepse mendimi dhe dyshimi janë gjërat të cilave u tremben më së shumti fondamentalistët.
“Shkaku kryesor i problemeve është se në botën ku jetojmë budallenjtë janë super të sigurt, kurse inteligjentët plot me dyshime”, thotë Bertrand Russell. Mëse e vërtetë. Shikoni sigurinë me të cilën sulmojnë njëri-tjetrin politikanët tanë, sigurinë e atyre që i ndjekin në luftërat fondamentaliste që provokojnë dhe gjejini vetë budallenjtë. Prandaj, sipas meje, politikanëve tanë do t’u shkonte më mirë një perifrazim i Bernard Shaw-t: Jo të gjithë fondamentalistët janë budallenj, por me siguri shumica e budallenjve janë fondamentalistë./panorama