Kultura dhe mungesa e mendësisë shoqërore për ta zhvilluar atë
Nga Aida Bode Tashmë është një rutinë e përditshme të lexosh në shtypin shqiptar sesi monumentet e kulturës po vjetërsohen dhe po zhduken nj...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/02/kultura-dhe-mungesa-e-mendesise.html
Nga Aida Bode
Tashmë është një rutinë e përditshme të lexosh në shtypin shqiptar sesi monumentet e kulturës po vjetërsohen dhe po zhduken një nga një dhe kjo sepse shteti nuk ka mundësi financiare të mbështetë mirëmbajtjen dhe zhvillimin e tyre. Shembujt janë të shumtë dhe të dhimbshëm. Mund të kujtohet fare mirë Gushti i 2012 kur në Korçë u shkatërrua “Shtëpia e Flamurit”, një nga objektet më të rëndësishme të qytetit ku në vitin 1916 u shpall Republika autonome e Korçës. Edhe sot e kësaj dite, ende nuk ka ndonjë përgjigje në lidhje me këtë shkatërrim historik dhe kulturor. Në artikullin “Ndërtuesit Shkatërrojnë Objektet Historike të Shqipërisë” nga Fatmira Mikolli, gazeta “BallkanInsight” njofton se sipas Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve nga viti 1997 e deri në 2006 janë shkatërruar plotësisht rreth 17 për qind e 2564 monumenteve të regjistruara në vend dhe rreth 37 për qind janë dëmtuar ose rrënuar.
Në grupin e këtyre monumenteve dhe objekteve kulturore tashmë po futet dhe shtëpia e lindjes të të madhit At Gjergj Fishta. Sipas Admirina Peçit për gazetën Shqiptarja, “Kjo shtëpi është tani në prag rrënimi të plotë. Pa dyer e dritare, me fragmente muresh të rënë e të plasaritur, me çati të shkatërruar”. Arsyeja e kësaj gjendjeje është mungesa e fondeve që sipas njoftimit bërë tek Shqiptarja nga drejtori i Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare në Tiranë, Z. Arbër Kadia projekti i restaurimit do të kushtojë gati mbi 25 mijë euro. Po kështu, në listë përfshihet një tjetër viktimë kulturore, Muzeu Arkeologjik i Korçës me rreth 15 mijë objekte arkeologjike që datojnë që nga periudha prehistorike. Shkaku i mbylljes së tij është mospagesa e qirasë nga Ministria e Kulturës që nga tetori i vitit 2013.
Këto janë statistika të frikshme, por ajo që shkakton më shumë frikë është pandërgjegjësia shoqërore që nuk i lëviz qerpiku për këto humbje të traditës dhe kulturës. Ajo që bie në sy në gjithë këtë papërgjegjësi është mbi të gjitha injorimi shoqëror i pari, e më pas ai shtetëror. Në shumicën e rasteve, shkatërrimet janë bërë nga ndërtues privatë të cilët asnjëherë nuk janë vënë para përgjegjësisë. Sipas BallkanInsight, Artan Shkreli, ish drejtor i Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve në Shqipëri njofton se mungesa e investimeve nga qeveria për të ruajtur shtëpitë dhe monumentet historike ka bërë shumë persona të besojnë se nuk kanë asnjë vlerë dhe mund të rrafshohen. Ai shkon më tej dhe thotë: “Po humbasim disa nga objektet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në qytetet tona, sepse askush nuk interesohet për t’i mbrojtur ato”.
Në qoftë se shtetit i mungon ana financiare për të ruajtur këto monumente, shoqërisë i mungon sensibilizimi. Patjetër që qeverisë dhe organeve të saj u takon të organizohet dhe të krijojë mundësitë për këtë sensibilizim, por kur shoqëria shqiptare qëndron në gjumë dhe nuk e vret mendjen për humbjet që po pëson, qeveria duket se është dakord me një qëndrim të tillë dhe nuk lodhet të lëvizë as gishtin e vogël për të ruajtur historinë e një kombi.
Por ç’mund të sugjerohet që të bëhet ky sensibilizim dhe si mund të përfshihet vetë shoqëria shqiptare në ruajtjen e vetvetes? Kjo është një pyetje që ka shumë përgjigje dhe disa prej të cilave po përmend në vijim. Kështu, mund të krijohet një bashkëpunim mes ministrisë së arsimit dhe asaj të kulturës dhe nëpërmjet tyre të mund të organizohen ekskursione dhe vizita çdo semestër nga shkollat në këto objekte. Vizitat mund të bëhen me pagesa minimale nga nxënësit dhe studentet dhe këto të ardhura të shkojnë direkt në buxhetin e vetë ndërtesave. Kjo është një praktikë shumë e njohur në SHBA dhe monumentet lokale apo dhe rajonale ruhen nëpërmjet këtij bashkëpunimi. Gjithashtu, mund të jepet mundësia e krijimit të fondacioneve private brenda vetë objekteve kulturore. Një shembull i thjeshtë është Muzeu Metropolitan i Nju-Jorkut, ku çdo galeri mban emrin e sponsorit që e mbështet.
Ka ardhur koha, që gjithë shoqëria shqiptare të përfshihet në ruajtjen e objekteve të saj kulturore. Le të mos pimë një kafe jashtë dhe atë pagesë ta bëjmë kundrejt objekteve tona të kulturës. Qeveria duhet të krijojë organizmat e duhura që këto fonde “kafesh” të shkojnë në mirëmbajtjen dhe ruajtjen e traditës. Një komb pa histori kulturore është lypsar i kohës dhe jeton ditët e veta duke shpresuar se nuk do të vdesë. Qeveri, pa komb nuk mund të jesh as ti.