Kthesa e gabuar e Turqisë

New York Times K ryeministri i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ishte javën e kaluar në Bruksel, duke synuar ripërtëritjen e marrëdhënieve me ...

New York Times

Kryeministri i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ishte javën e kaluar në Bruksel, duke synuar ripërtëritjen e marrëdhënieve me Evropën, por në radhë të parë, gjetjen e zgjidhjes duhet ta kërkojë brenda vetvetes.

Dikur Erdogan, i lavdëruar si lider i modelit të demokracisë myslimane, e ka krijuar një katastrofë politike në shtëpi, duke e transformuar Turqinë në një shtet autoritar, që paraqet rrezik jo vetëm për vetveten, por edhe për aleatët e saj në NATO, përfshirë Shtetet e Bashkuara.
Trazira e fundit i ka rrënjët në luftën politike ndërmjet Partisë së Drejtësisë dhe Zhvillimit të z. Erdogan, dhe ish-aleatëve të tij të afërt, të cilët janë mbështetës të intelektualit të moderuar islamik, Fethullah Gulen, i cili jeton në Pensilvani të Shteteve të Bashkuara.
Tensionet kanë shpërthyer në konflikt të hapur muajin e kaluar, me hetimet për korrupsion, që çuan në dorëheqjen e katër ministrave të qeverisë dhe kërcënuan që ta fusin në grackë familjen e z Erdogan.
Këtë hetim, kryeministri e ka quajtur “përpjekje për grushtshtet” dhe e ka fajësuar një “organizatë sekrete” brenda sistemit të drejtësisë dhe policisë, të udhëhequr nga lëvizja Gulen dhe duke u shërbyer “fuqive të jashtme”, siç janë Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli.
Prej atëherë, qeveria i ka spastruar qindra zyrtarë të policisë dhe prokurorë dhe ka synuar të krijojë kontroll ndaj sistemit të drejtësisë.
Po ashtu, ka propozuar legjislacion për zgjerimin e autoritetit të qeverisë, për t’i nominuar gjyqtarët dhe prokurorët, duke e cenuar më tutje pavarësinë e sistemit të drejtësisë, dhe i ka parandaluar gazetarët që të raportojnë lirisht.
Hetimi dhe reagimi i z. Erdogan mund të jetë i motivuar politikisht. Por z. Erdogan do të duhej të insistonte që hetimi të jetë korrekt dhe transparent, e jo të përpiqej ta pengonte. Mënyrat e tij të pamëshirshme dhe përpjekja e tij për t’i goditur ata që mendojnë ndryshe, nuk janë gjëra të reja, siç ka treguar edhe goditja kundër demonstruesve gjatë protestave të qershorit të kaluar.
Aksionet e tilla i shkelin reformat demokratike, që kërkohen nga Bashkimi Europian në kuadër të synimit të Turqisë për anëtarësim, që mund të jetë në rrezik më tepër se kurrë më parë, dhe veprimet e tij janë gjithnjë e më tepër në kundërshtim me parimet themelore të anëtarëve të NATO-s.
Ministri i Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier, kishte të drejtë kur tha në Bruksel se europianët duhet të kërkojnë që Turqia t’i kthehet sundimit të ligjit.
Administrata e presidentit Obama, po ashtu, duhet të dërgojë mesazh të fuqishëm për kursin dëmtues të cilin po mban z. Erdogan.
Nëse Turqia kujdeset për demokracinë e fituar me vështirësi, që ka kontribuar në rritjen impresive ekonomike, ose do të kthehet në regjim autoritar, është po aq kritike për stabilitetin rajonal dhe për aleatët e NATO-s, sa është edhe për turqit./mapo

Related

Shtypi i huaj 5949700033363855216

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item