Kriza: Përplasja në Ukrainë rikthen frikën e Luftës së Ftohtë
Amerikanët dhe europianët duket se kanë pak mundësi për të ndikuar rezultatin e krizës aktuale në Ukrainë. Putin duket i vendosur të bëjë gj...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/02/kriza-perplasja-ne-ukraine-rikthen.html
Amerikanët dhe europianët duket se kanë pak mundësi për të ndikuar rezultatin e krizës aktuale në Ukrainë. Putin duket i vendosur të bëjë gjithçka që të mbajë nën sferën e vet të ndikimit ish-Republikën Sovjetike
WARREN STROBEL dhe MATT SPETALNICK, Reuters
Pasi Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, vizitoi Ukrainën korrikun e kaluar, diplomatët amerikanë morën një përmbledhje private të mesazhit që ai dorëzoi pas dyerve të mbyllura për udhëheqësit e vendit. Ukraina, paralajmëroi Putini, nuk do të lejohet të dalë nga orbita e Moskës.
Komentet e hapura të Putinit qenë një shenjë e papritur, për faktin se sa fort do ta luftojë Moska ndikimin e perëndimorëve mbi Ukrainë, thonë zyrtarët amerikanë, gjë që nxiti Uashingtonin dhe kryeqytetet e Europës që të përshkallëzojnë kontaktet me qeverinë dhe forcat e opozitës së Ukrainës.
Shtatë muaj më vonë, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia janë bllokuar në një test të llojit të Luftës së Ftohtë mbi dëshirat që lidhen me këtë vend, me një pozicion strategjik dhe me 45 milionë banorë, që është nën zgripin e protestave antiqeveritare dhe dhunës sporadike.
Tensionet SHBA-Rusi dhe akuzat e ndërsjella për përzierje po e bëjnë më të vështirë gjetjen e një zgjidhjeje për Ukrainën, ku SHBA-ja ka frikë se dhuna mund të përshkallëzohet, ndërsa shenjat janë të qarta se Presidenti Barak Obama ka bërë shumë pak progres në politikën e tij për përmirësimin e marrëdhënieve të Uashingtonit me Rusinë.
Në Ukrainë, ish-zyrtarë amerikanë dhe analistë thonë se Rusia mban shumicën e letrave në dorë, përfshirë afërsinë gjeografike, furnizimin me energji, nga i cili Kievi ka varësi të lartë, si dhe një paketë shpëtimi nga falimenti financiar me vlerë 15 miliardë dollarë, karta që e ka bindur Presidentin e Ukrainës, Viktor Janukoviç, të qëndrojë larg një marrëveshjeje të mundshme për tregti të lirë me Bashkimin Europian.
Obama është ngurrues të veprojë ashpër në një zonë që Rusia gjithmonë e ka konsideruar si sfera e vet e ndikimit. Por ai ka edhe pak gjëra në dorë për të ndikuar dhe shumë pak opsione të vlefshme.
Gjithsesi Uashingtoni ka vendosur të përdorë krizën e Ukrainës si një rast për të mbajtur qëndrim, së paku diplomatikisht, kundër asaj që Shtëpia e Bardhë e sheh si sjellje “shqetësuese dhe turbulluese” të Rusisë ndaj fqinjëve të vet, tha një zyrtar i lartë i SHBA-së.
“Ukraina do të bëhet një test” i marrëdhënieve të përmirësuara SHBA-Rusi, tha zyrtari që nuk është autorizuar të flasë publikisht. Administrata ka një panoramë realiste të asaj që është e mundshme përballë Rusisë, pas entuziazmit fillestar të krijuar nga mundësia e të punuarit bashkë.
“Ne kuptojmë formën dhe dimensionet e Rusisë me të cilën po merremi dhe kjo gjë e bën më të vështirë të gjejmë mënyra për bashkëpunim.”
Një politikë amerikane më aktive u zbulua pa dashje javën e kaluar, pasi në internet u publikua një bisedë sekrete telefonike mes ndihmëssekretares së Shtetit, Viktoria (Victoria) Nuland, dhe ambasadorit amerikan në Ukrainë, Xhefri Piat (Geoffrey Pyatt).
Të dy dëgjohen duke folur intensivisht mbi formimin e një qeverie të përkohshme me prirje për reforma dhe e trajtojnë Moskën si një kundërshtar. “Ti duhet ta kesh të qartë se, nëse (një marrëveshje për një qeveri të re) fillon të fitojë terren, rusët do të punojnë pas kuintave për ta mbytur këtë marrëveshje”, thotë Piat.
Zyrtarët amerikanë nuk akuzuan drejtpërsëdrejti Rusinë për publikimin e telefonatës. Rusia, nga ana e vet, mohoi të kishte dorë. Por mesazhi audio u publikua fillimisht në faqen “Twitter” të Dmitri Loskutov, një ndihmës i zëvendëskryeministrit të Rusisë, Dmitri Rogozin, tha një burim diplomatik.
Telefonata zbuloi edhe tensionet mes SHBA-së dhe BE-së mbi çështjen se sa të vendosur duhet të tregohen perëndimorët në lidhje me krizën, ku Nuland përdori fjalë të pista për të shpjeguar atë që zyrtarët amerikanë e shohin si sjellje tepër të kujdesshme të BE-së.
Zyrtarët amerikanë thonë se dëmi ndaj marrëdhënieve mes dy anëve të Atlantikut ishte i paktë, ndërsa sondazhet e kryera në Ukrainë pas publikimit të saj tregojnë një simpati gjithnjë e më të madhe të popullit të këtij vendi për Shtetet e Bashkuara.
Nisja nga e para është bllokuar
Zyrtarët thonë se po përpiqen të shmangin ndonjë përballje të drejtpërdrejtë me Rusinë për Ukrainën dhe pavarësisht kërcënimeve indirekte nga Moska, nuk ka ndonjë mundësi reale që Rusia të ndërhyjë ushtarakisht te fqinji i vet.
Por, privatisht, disa e përshkruajnë vendosmërinë e Putinit për ta mbajtur Ukrainën në orbitën e Moskës në terma të ashpër dhe besojnë se Putin ka dëshirë të rivizatojë kufijtë e Europës dhe të rihapë marrëveshjet e arritura pas kolapsit të Bashkimit Sovjetik më 1991-shin.
Përpjekja e Obamës për të “rinisur” marrëdhëniet me Rusinë në mandatin e tij të parë, ndërsa pati sukses me marrëveshjet për reduktimin e armëve bërthamore dhe me bashkëpunimin në Afganistan, nuk krijoi kurrë mjaftueshëm besim.
Uashingtoni dhe Moska janë ballë për ballë mbi Sirinë, ku Rusia mbështet Presidentin Bashar al-Assad. Të dyja vendet janë gjithashtu në armiqësi sa i përket shtypjes së disidencës së brendshme nga Putini, si dhe planeve amerikane për mbrojtje antiraketore, të cilat Rusia i shikon si kërcënim për sigurinë e vet kombëtare.
Marrëdhënia u acarua më shumë, kur Rusia i dha azil ish-punonjësit të sigurisë amerikane, Eduard Snouden (Edward Snowden), i cili publikoi dokumente sekrete që shkaktuan si shqetësime sigurie, ashtu edhe probleme politike për Obamën.
Obama, në një konferencë të përbashkët për shtyp në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin e Francës, Francois Hollande, kritikoi Moskën, duke thënë se Rusia po bllokon masat për të ndihmuar civilët që po vdesin urie në Siri.
Sa u përket Lojërave Olimpike Dimërore të Soçit, të cilat Putini po i paraqet si një arritje e rëndësishme në rimëkëmbjen e Rusisë postsovjetike, zyrtarët e lartë amerikanë nuk pranuan të shkojnë. Delegacioni i Obamës përfshinte atletë të njohur si gej, një ngacmim diplomatik ndaj ligjeve të Rusisë që ndalojnë të ashtuquajturën “propagandë homoseksuale”.
Thomas Graham, i cili ishte këshilltar i lartë për Rusinë për Presidentin Xhorxh Bush (George W. Bush), tha se administrata Obama po përpiqet të dallojë miqtë nga armiqtë në Europën Lindore, në një kohë kur marrëdhëniet SHBA-Rusi po përkeqësohen.
“Administrata ndjeu se duhej të ngrihej dhe të demonstronte se ka shtyllë kurrizore mbi këto probleme”, tha Graham. Por ai dhe të tjerë thonë se Shtetet e Bashkuara nuk janë në një pozicion të fuqishëm për të ndikuar rezultatin e krizës së Ukrainës.
“Fuqia është në anën e rusëve”, thotë Steven Pifer, një ish-ambasador amerikan në Ukrainë. “Është një problem i vështirë”, thotë ai. Nëse Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja i premtojnë Ukrainës 15 miliardë dollarë, “Putin do të thotë, në rregull, jap 25 miliardë. Ai është në pozicion për të na mposhtur në pazar”.
Zyrtarët amerikanë thonë se kanë gjithashtu çfarë të ofrojnë. Brukseli dhe Uashingtoni u përpoqën të tërheqin Janukoviçin te një marrëveshje tregtie me BE-në, tregu më i madh i botës, dhe premtimin për miliarda dollarë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, në rast se Ukraina ndërmerr reforma ekonomike.
Janukoviç është nën presion nga demonstruesit në rrugë, shumë prej të cilëve dëshirojnë që Ukraina të ecë drejt Europës dhe jo Rusisë. Megjithëse europianët nuk janë entuziastë, qeveria amerikane po mendon të vendosë sanksione kundër individëve përgjegjës për dhunë ndaj protestuesve në Kiev.
Pa atdhe në gjashtë muaj?
Protestat janë përhapur nga Kievi në pjesë të tjera të vendit. Angazhimi i SHBA-së është përshkallëzuar që kur kriza shkaktoi të vdekur më 22 janar. Nuland u takua me Janukoviç në Kiev javën e kaluar, për ta nxitur të marrë masa për uljen e tensioneve dhe për reforma kushtetuese, duke reflektuar frikën amerikane se Ukraina mund të pushtohet nga një rebelim civil në të gjithë vendin nëse kriza nuk zgjidhet.
Diplomatja amerikane thuhet se i është përgjigjur propozimit të Janukoviçit për një axhendë gjashtëmujore për të studiuar reformën kushtetuese, duke e paralajmëruar se, brenda gjashtë muajsh, ai mund të mos ketë më një atdhe për të qeverisur.
Ky është një argument që Uashingtoni po i jep gjithashtu Rusisë, ndërsa kërkon të anashkalojë qëndrimin e Putinit ndaj Ukrainës, i cili mendon se angazhimi më i madh i Kievit me Perëndimin do të vijë vetëm në dëm të Moskës.
Zyrtarët amerikanë gjithsesi kanë frikë se Putini nuk ka ndër mend të tërhiqet. Ai e sheh Ukrainën si pjesë thelbësore të ëndrrës së tij për një bashkim doganor euro-aziatik, për të rivalizuar SHBA-në dhe Bashkimin Europian.
“Putini ka nxjerrë një axhendë, ku dëshiron të ulet në tryezë me fuqitë e tjera të mëdha”, por pastaj kthehet pas te politikat e vjetra ndaj ish-satelitëve sovjetikë, thotë një zyrtar i lartë amerikan. “Udhëheqësi i Rusisë dëshiron të ketë copën e tij të tortës për të ngrënë.”