15 vjet pas Rambujesë, 15.000 rrena

Nga Milaim Zeka Zakonisht edhe në emisionin tim, por edhe në ato pak shkrime që i bëj, mundohem të mbetem besnik i temave të së kaluarës. Do...

Nga Milaim Zeka
Zakonisht edhe në emisionin tim, por edhe në ato pak shkrime që i bëj, mundohem të mbetem besnik i temave të së kaluarës. Do të thoni pse? Sepse e tashmja është bastarduar dhe e nesërmja nuk po duket se po vjen, kur edhe ujë nuk do të kemi pas një muaji.
Kurse e kaluara mund të thuhet, ose e vërtetë, ose me gjysmë rrena, ose krejt e rrejshme, sikurse po e bëjnë shumë aktorë të asaj kohe. Ashtu sikurse për luftën, edhe për konferencën e Rambujesë, po shkruajnë e flasin njerëz periferikë, ose të atillë që nuk kanë qenë fare në ngjarje.
Të tilla janë edhe pesë shkrimet e Baton Haxhiut rreth Konferencës së Rambujesë. Ai e quajti Fejton, me pesë vazhdime, dhe shkrimi u dedikohet atyre që kanë harruar apo që e dinë rrëfimin ndryshe, thotë Batoni i cili na tregon një rrëfim tërësisht të tijin.
Si fillim dëshiroj të them që Batoni, përmes shumë akrobacive, është munduar të vihej në kontakt me krerët e UÇK së.
Kështu një ditë, në verën e vitit 1998, po punoja në zyrën time në RTV publik të Suedisë, siç jemi mësuar tash t’i themi, kur më telefonon Arbër Vllahiu, i cili në atë kohë punonte për Kohën Ditore. Po fliste me gjysmë zëri, dhe me pak ndrojtje, duke thënë që Batoni kishte një porosi për mua. Kërkonte në emër të kryeministrit të Kosovës, Bujar Bukoshit, që të takonte njeriun kryesor të UÇK-së. Duke mos dashur ta vija në siklet Arbër Vllahiun, i thashë se Batoni mund të më merrte edhe vetë në telefon. Nuk vonoi shumë, dhe ai telefonoi, e më tha se Bujar Bukoshi ishte i interesuar të takohej më kreun e UÇK-së. Batonit i thashë se takimi mund të koordinohej në Tiranë, edhe ashtu u bë.
Pasi e ndërpreva bisedën telefonike, mendova për dy gjëra: E para: Si ka mundësi që Batoni më telefonon nga redaksia e Kohës Ditore, kur dihej se telefonat e saj përgjohen 24 orë?! Dhe e dyta: Mos kjo kërkesë vjen me porosi të dikujt dhe e kurdisur nga dikush?!
E përmenda telefonatën pasi dua të tregoj së në verën e vitit 1998 Batoni ishte një njeri shumë periferik i cili nuk dinte pothuajse asgjë për UÇK-në, apo për njerëzit që qëndronin pas saj. Lirisht mund të them se nga njerëzit e paktë gazetarë, në Kosovë, të cilët kanë ditur për organizimin e UÇK-së brenda Kosovës, ka qenë Arbër Vllahiu, të cilit i pata dhënë kontakte shumë të rëndësishme, thjesht për t’ia lehtësuar punën atij dhe disa gazetarëve të tjerë të cilët raportonin nga terreni.
Nejse, po dalim tek diçka që më la përshtypje të hidhur në shkrimin e Batonit. E para se gjoja edhe ai paska qenë i caktuar të ishte anëtar i delegacionit, e që as nuk mund ta pohoj, as ta mohoj. Dhe e dyta që gjoja Veton Surroi paska dashur ta nënshkruante marrëveshjen, gjë që për fat të keq, është 101 për qind rrenë e pastër e thyerje e matematikës së thjeshtë për ata që dinë së një e një bëjnë dy, dhe e treta: udhëtimi nga Parisi për në Tiranë…
Si ndodhi ky udhëtim?
Ishte ora tre e mëngjesit. Kishim shkruar në një bazë ushtarake franceze. Unë kisha vendosur të kthehesha në Kosovë, o përmes aeroportit, ose në këmbë. Unë e zhvillova një bisede telefonike me komandantit e UÇK së, Sylejman Selimin prej Rambujesë. Meqë ishim bashkë, Hashim Thaçi tha se dëshironte të fliste me të. Hashimi e informoi Sulltanin se amerikanët dhe të gjithë perëndimorët i kishin premtuar se do të fillonin bombardimet. Dëshiroj të them me këtë rast, se gjatë kohës në Rambuje, kam funksionuar si një urë komunikimi në mes grupit të UÇK së edhe shumë komandantëve në terren, sepse së pari kisha një telefon mobil që lidhte direkt delegacionin me Kosovën dhe mobilat satelitorë të komandantëve, dhe së dyti isha i vetmi që i njihja praktikisht krejt anëtarët kryesorë të Komandës së UÇK-së duke qenë se me ta kishim qenë pjesë e ilegales prej vitit 1981.
Si urë kam funksionuar edhe për komunikimin me Adem Demaçin, për të cilin me Pen Klubin dhe Shoqatën e Shkrimtarëve të Suedisë e kemi ndërkombëtarizuar çështjen e burgosjes së tij.
Mes të tjerëve kam komunikuar edhe me Albin Kurtin, dhe për informacion të Batonit (sepse besoj se e di), edhe vizitën tek Ismail Kadare në Paris, në gjysmë të natës, e kam koordinuar po unë. Nuk është ndonjë gjë për t’u lavdëruar, ndoshta, por është e vërtetë, dhe nëse rrej apo flas pa mbulesë, mund të dalë një prej emrave të përmendur këtu e të më demantojë. Unë nuk flas kurrë pa mbulesë siç është rasti i Batonit.
Mbasi Hashimi foli me Sulltanin, hipëm në aeroplan dhe pak para nisjes, na treguan se destinacioni ishte Tirana, dhe jo Prishtina. Pas gjashtë orësh udhëtimi, kemi arritur në Rinas. Posa u ndal aeroplani, Adnan Merovci më tha se Plaku, ashtu siç e thërriste ai Rugovën, nuk dëshironte të zbriste. Ai do të priste aeroplanin që të nisej direkt për në Shkup.
Ne të tjerët jemi nisur për në sallën ku po na priste presidenti Rexhep Mejdani. Hymë brenda dhe filluam të përqafoheshim. Profesorin e njihja prej shumë kohësh. Biseda filloi direkt mes tij dhe Hashim Thaçit. Unë isha ulur mes të dyve, sikur të isha ndonjë përkthyes shqip-kosovarçe. Ashtu duke biseduar, ndoshta 15 apo 20 minuta, erdhi Rugova, i cili sa hyri, u përshëndet me Mejdanin edhe e luti që ta vazhdonin bisedën. Thjesht nuk dëshironte ta ndërpriste bisedën pasi Rugova e njihte protokollin shumë mirë. Mirëpo presidenti Mejdani u ngrit në këmbë, e përqafoi dhe i kërkoi dikujt nga njerëzit e protokollit të tij që të sillte një raki shumë të mirë, ndërsa e luti presidentin Rugova të ulej pranë tij. Me sa kuptova, Mejdani këtë raki e kishte planifikuar që para se të nisej për aeroport, pasi atë kualitet pije nuk mund ta gjeje në aeroport në atë kohë, as tek salla e VIP-ve. Piva edhe unë në kurrizin e Rugovës një gotë nga ajo raki, dhe e di që Mejdani, bashkë me disa të huaj, e lutën Rugovën që të mos kthehej për në Kosovë. Mirëpo Rugova në mënyrë kategorike tha se donte të kthehej. Dua të jem atje, le të ndodhë çka të dojë.
Kjo ka qenë e tëra. Nuk është e vërtetë që Mejdani, apo dikush nga delegacioni e ka nxjerrë Rugovën nga aeroplani. Rugova ka zbritur thjesht për shkak të pastrimit dhe kontrollit rutinor që i bëhet çdo avioni para se të startojë për në fluturimin tjetër. Sigurisht që presidenti Mejdani e priste një takim me presidentin Rugova, por në asnjë mënyrë nuk ka tentuar vetë apo nëpërmjet njerëzve të tij ta detyrojë Rugovën të dalë nga ai aeroplan. As Mejdani, as Hashimi, as Adnani, as Kosumi, as Jakup Krasniqi apo Azem Syla as kërkush nuk e ka detyruar askënd për asgjë.
Prandaj thjeshtë është për t’u shokuar kur lexoj rrëfimin e Batonit për një fluturim ku nuk ka qenë vetë prezent dhe nuk ka informacion të saktë, ashtu sikurse unë që nuk mund të flas për takimet e Batonit me ambasadorë të huaj nëpër shtabet e Drenicës dhe fshatrave të Malishevës. Kam dëgjuar histori trishtuese nga krerët e UÇK së, që ndërlidhen direkt me Batonin, por nuk di a janë të vërteta. Kam dëgjuar së Abedin Rexha – Sandokani, ka dashur edhe ta vrasë. Edhe Ramushi, edhe Fatmiri e kanë kërcënuar dhe fyer, por të gjitha këto munden me qenë gënjeshtra, ashtu sikurse është gënjeshtër rrëfimi i Batonit edhe për Rambujenë, edhe për udhëtimin nga Parisi deri në Tiranë.
Për ketë janë të gjithë dëshmitarë që nga Hashim Thaçi, Adnan Merovci, Jakup Krasniqi, Rexhep Mejdani, Bajram Kosumi, e plot të tjerë. Për të gjitha këto ka edhe incizime filmike.
Kam qenë në dilemë të madhe a të shkruaj apo të mos shkruaj, në këtë kohë kur rrena po shitet si e vërtetë, kur spiuni u bë patriot, kur rrugaçi u bë veteran, kur motra medicinale u ba doktor shkence në gazetari, kur kumara i Borës shan nënat e të tjerëve, kur prostituta të shet moral, e kur gjithkush shkruan nga një pjesë të historisë të cilën thjesht e ka dëgjuar keq prej disave me nga një gotë shlivovicë përpara e me mish derri në pjatë për me u tregu përparimtar e qytetar.

Related

Opinione 4802992350308179115

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item