ARSIMI SHQIPTAR NË MAQEDONI – SHKALLA TRONDITËSE E DEGRADIMIT
Xhelal Zejneli Rezultatet e maturës shtetërore në Maqedoni nga lënda e gjuhës shqipe dhe e letërsisë, për shkak të mënyrës se si realizohet...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/02/arsimi-shqiptar-ne-maqedoni-shkalla.html
Xhelal Zejneli
Rezultatet e maturës shtetërore në Maqedoni nga lënda e gjuhës shqipe dhe e letërsisë, për shkak të mënyrës se si realizohet provimi, as prej së largu nuk janë tregues objektivë dhe të saktë të cilësisë së arsimit shqiptar në Maqedoni. Në disa shtete të rajonit, provimi i maturës shtetërore zbatohet nën mbikëqyrjen e kamerave dhe pa telefona celularë. Përqindja e nxënësve që nuk e kalojnë maturën shtetërore, p.sh. në Shqipëri dhe në Kosovë është tejet e madhe. Sikur edhe në Maqedoni të viheshin në përdorim kamerat dhe të eliminoheshin telefonat celularë, përqindja e nxënësve që nuk do ta jepnin këtë provim, do të kishte përmasa dramatike dhe tronditëse. Në vitin shkollor 2010-2011, në afatin e qershorit provimin nuk arritën ta japin vetëm 1 % e maturantëve. Pas dy muajve, pra në afatin e gushtit, kaluan të gjithë. Sivjet, provimin nuk arritën ta japin 3,6% e maturantëve.
Politizimi dhe partizimi i skajshëm i arsimit shqiptar në Maqedoni – Faktori politik shqiptar në Maqedoni, në lëmin e arsimit zbaton përzgjedhje negative. Për t’u punësuar si mësues, si arsimtar, si profesor në shkollë të mesme, apo edhe si asistent dhe ligjërues në universitet, medoemos të jesh anëtar partie, ose të jesh në shërbim të partisë. Përndryshe, s’ke gjasa të punësohesh as edhe si mësues në ndonjë shkollë katundi. Pa kaluar nëpër listat e strukturave të mesme partiake, nuk mund të punësohesh as edhe si shërbëtor shkolle.
Në këtë mes pra, nuk merren parasysh kriteret profesionale dhe morale të kandidatit i cili dëshiron të punësohet si edukatore në çerdhen e fëmijëve, si mësues, si arsimtar, si profesor shkolle të mesme, si asistent dhe si ligjërues. Kriter i vetëm është përkatësia partiake. Të jesh anëtar partie, veprimtar, d.m.th. aktivist partie, militant partie, emisar politik i partisë, vjedhës votash i partisë, mbushës kutish votimi, agjitprop i partisë; të kesh varur flamurë nëpër shtylla elektrike, të kesh ngjitur nëpër mure dhe ekspozitura parulla, pankarta, banderola, billborde; të kesh shpërndarë afishe dhe material propagandues partiak nëpër çajtore, byrektore, qebaptore, bastore dhe taverna; ta kesh sharë sa më shumë partinë oponente, të kesh shkruar dhe të kesh botuar shkrime denigruese për partinë oponente dhe ta kesh lëvduar partinë vetanake; të kesh marrë pjesë - bashkë me familjen (me nënën 80-vjeçare të marrë nga shtrati i lëngimit, me bashkëshorten dhe me fëmijët) - nëpër mitingje dhe tubime partiake, duke qëndruar shpeshherë në reshtin e parë të tubimit...
Partitë politike e politizojnë dhe e partizojnë arsimin edhe duke emëruar drejtorë shkollash. Më pas, prej drejtorëve të shkollave partitë kërkojnë të jenë të dëgjueshëm, të jenë instrumente të tyre, t’i zbatojnë urdhrat, kërkesat, dëshirat, nevojat dhe interesat meskine të tyre. Ndryshe, drejtorin, ose e ndërrojnë, ose nuk e rizgjedhin.
Partitë politike shqiptare në Maqedoni, në fund të vitit shkollor hartojnë lista me emra nxënësish të cilët kanë prej 7 deri në 12 nota të dobëta dhe të cilët, për interes të partisë, nuk duheshkan të përsërisin. Në këto lista përfshihen dhjetëra dhe qindra nxënës të dobët. Si rezultat i këtij angazhimi partiak, në shkollat që kanë mijëra nxënës, ndodh të përsërisin një numër simbolik i nxënësve, për të mos thënë asnjë.
Kur nxënësit e shohin se nuk ngel pothuajse askush dhe se kalon edhe ai me 12 nota të dobëta, shpeshherë edhe pa shkuar në riprovim, ata akoma më shumë i shpërfillin detyrimet shkollore.
Nuk përsërit nxënësi i cili katër vjet me radhë ka pasur 12 apo edhe 14 nota të dobëta, i cili çdo vit ka pasur nga 100 mungesa dhe ka munguar kur ka dashur, i cili kurrë s’ka marrë çantë në shkollë, i cili kurrë s’ka mbajtur uniformë shkollore, i cili kurrë s’ka pasur stilolaps gjatë orës së mësimit, i cili në një fletore të vetme “ka mbajtur” shënime për 12 lëndë të ndryshme, d.m.th. për të gjitha lëndët.
Po të jetë fjala për një, dy, apo tre nxënës, disi do t’i dilej në krye çështjes. Por fjala është për dhjetëra dhe qindra nxënës të tillë.
Nxënësit e tillë rijnë në të njëjtën klasë me nxënësit e dalluar.
Kjo ndikon që cilësia të ulet në mesatare, për të mos thënë të bjerrë edhe nën mesatare. Në të tilla rrethana, pesa e nxënësit të dalluar (tanimë “të dalluar”), të jetë relative dhe e diskutueshme.
Partitë politike shqiptare në Maqedoni, në kohën e regjistrimit të nxënësve, hartojnë lista dhe ua dorëzojnë drejtorëve të shkollave, duke kërkuar prej tyre që në shkolla elitare të regjistrohen pa kritere edhe nxënësit të cilët nuk i plotësojnë kriteret e regjistrimit, pra nxënësit të cilët do të duhej të orientoheshin nëpër shkolla profesionale. Që në tremujorin e parë, kjo kategori e nxënësve mbushen me nga shtatë nota të dobëta. Si “rezultat”, nxënësit me 12 nota të dobëta do të jenë katër vjet në të njëjtën klasë me nxënësit e dalluar.
Kjo përzgjedhje skajshmërish negative është në dëm të arsimit, në dëm të cilësisë në arsim, e sidomos në dëm të nxënësve të dalluar. Mirëpo, partive politike shqiptare në Maqedoni, kjo nuk u intereson fare. Atyre u interesojnë votat, u intereson marrja e pushtetit, qoftë në shkallë vendore, qoftë në atë qendrore.
Në sistemin monist drejtorët emëroheshin prej komitetit komunal të partisë komuniste. Sot emërohen prej degës së partisë – demokratike. Në thelb, midis emërimit të drejtorëve në kohën e monizmit dhe emërimit të të njëjtëve në kohën e pluralizmit, d.m.th. të demokracisë, nuk ka asnjë dallim. Madje, ka që thonë se në komunizëm disi i kushtohej rëndësi cilësisë së kuadrit arsimor dhe atij drejtues. Sot ndërkaq, përzgjedhja negative e kuadrit arsimor dhe atij drejtues, ka marrë përmasa dramatike. Partizimit dhe politizimit të arsimit sot, të zbatuar nga partitë politike shqiptare në Maqedoni, do t’ia kishin zili edhe emisarët e arsimit të Josip Visarionoviç Xhugashvili Stalinit.
Shqiptarët nuk duhet të presin se cilësinë e arsimit në Maqedoni do t’ua përmirësojnë maqedonasit.
Partitë politike shqiptare në Maqedoni ndërhyjnë në punët e shkollave edhe për çështje të tjera, si: shëtitjet njëditëshe në natyre apo në ndonjë qytet tjetër; ekskursionet pesëditëshe në vitin e tretë të shkollës së mesme; kremtimi i mbrëmjes së maturës. Shpesh ndodh që agjencinë apo ndërmarrjen transportuese e cila e zbaton shëtitjen apo ekskursionin e nxënësve, ta caktojë partia, përkatësisht individë influentë të pushtetit vendor, d.m.th. komunal. Restorantin apo motelin ku do të drekojnë nxënësit apo arsimtarët me rastin e shëtitjes njëditëshe në natyrë apo në ndonjë qytet tjetër, ndodh ta caktojë partia apo individë influentë të pushtetit vendor. Hotelin ku do të vendosen nxënësit që shkojnë në ekskursion – po ashtu e cakton partia, përkatësisht individë influentë të pushtetit vendor, d.m.th. komunal. Kur është fjala për kremtimin e mbrëmjes së maturës, partia apo individë influentë të pushtetit vendor ndërhyjnë në caktimin: e studios që do ta kryejë fotografimin e nxënësve; të grupit muzikor; të restorantit apo të sallonit ku do të kremtohet mbrëmja e maturës. Në pikëpamje ligjore, çdo gjë duket në rregull, por, çdo lloj tenderi është i kotë. Tenderimi nuk përfillet fare, pothuajse në asnjë shkollë. Shkollat furnizohen edhe me material konsumues. Ka raste kur edhe furnizuesi i shkollës me material konsumues caktohet me kritere partiake.
Nga sa më sipër rezulton se partive politike shqiptare në Maqedoni nuk u intereson fare cilësia në arsim, por votat, ardhja në pushtet, vendor apo qendror.
Atëherë shtrohet pyetja: kush do ta rregullojë arsimin, si do ta rregullojë dhe kur?! Shoqëria civile në Maqedoni është në shkallë të ulët. Asaj as që i dëgjohet zëri. Prindërit kurrë nuk e kanë çelur gojën për dobësitë në arsim. Shumë shpesh qëllon të dëgjosh në çarshinë e qytezës apo të kasabasë refrenin: “Sot s’ka arsim. Arsimi është i shkatërruar...” Ndonjëri nga këta që ka ardhur në konstatime të këtilla, mbase është edhe prind. Prindërve ndërkaq, u intereson vetëm një gjë: Fëmija i tyre të kalojë shkëlqyeshëm, d.m.th. me pesë. A janë të merituara pesat dhe sa janë të merituara, kjo çështje, asnjë prindi fare nuk i intereson. Prindi ndërhyn që fëmija i tij të kalojë me pesë, apo, po qe se është i dobët dhe ka 12 nota të dobëta – të mos përsërisë. I njëjti prind, pas dy ditëve, të ndalë në rrugë dhe të thotë: “Sot s’ka arsim. Arsimi është i shpartalluar...” Ai harron se një prej rrënuesve të arsimit është edhe vetë ai, ngase kërkon që treshi i fëmijës së vet të bëhet pesë.
Partitë politike shqiptare në Maqedoni merren: me politikë kombëtare apo me kalimin e nxënësve që notojnë në nota të dobëta?! Preokupim e kanë: çështjen shqiptare në Maqedoni, apo mosngeljen e nxënësve që vlojnë nga mungesat?!
* * *
Cilësia në arsim varet nga politika e shtetit. Ky është thelbi i problemit. Kush orientohet sot në arsim? Në arsim orientohen sot kryesisht nxënësit e dobët. Nxënësi që kalon me mjaftueshëm, d.m.th. me dysh, ose me mirë, d.m.th. me tresh, shkon në arsim. Kuptohet, me përjashtime të caktuara. Duke qenë se universitetet tona funksionojnë me kritere të diskutueshme, i njëjti nxënës, pas katër vitesh, me ndërhyrjen e partisë, punësohet në shkolla të mesme elitare, siç janë gjimnazet. Mund të merret me mend se çfarë kuadri është ai ose ajo. Çfarë cilësie mund të presësh prej tij apo prej saj. Ky farë profesori partiak, kur e shkruan njësinë mësimore në regjistër apo kur shkruan vërejtje për ndonjë nxënës, brenda 4-5 rreshtave të shkurtër, bën tre gabime drejtshkrimore dhe një gabim sintaksor. E shkruan shqipen sikur të jetë kinez.
Po të testoheshin mësuesit, arsimtarët dhe profesorët me një ese 500 fjalësh, d.m.th. dyfaqëshe e gjysmë, me një temë të lirë të zgjedhur prej vetë atyre, do të rezultonin rezultate shqetësuese. Një përqindje e madhe e profesorëve, përfshi edhe ata të gjuhëve të huaja, në esenë prej dy faqe e gjysmë do të bënin mbi 20 gabime drejtshkrimore dhe tre-katër gabime sintaksore. Nëpër zyrat e arsimtarëve shpesh vihen njoftime apo lajmërime. Një njoftim përmban diku rreth katër-pesë rreshta. Në ato pak rreshta, rregullisht ka tre-katër gabime drejtshkrimore dhe të paktën një gabim sintaksor. Rrallë ndodh që të vihet ndonjë njoftim pa gabime gjuhësore.
Përse kjo gjendje?! Kjo determinohet nga një sindrom faktorësh. Ka mësues, arsimtarë dhe profesorë të cilët romanin e fundit e kanë lexuar si lektyrë shkollore para shumë vitesh kur kanë qenë nxënës. Që atëherë, s’kanë prekur përmbledhje poezish, roman apo dramë. Pjesë teatrore s’kanë parë kurrë, gazetë s’kanë blerë asnjëherë. Ç’pret shoqëria prej një mësuesi, arsimtari apo profesori të tillë?! Po ta lexosh një akt juridik të hartuar prej një numri të caktuar të avokatëve apo të noterëve shqiptarë në Maqedoni, do të habitesh me shkallën e ulët të njohjes së gjuhës amtare.
Nxënësit e dalluar nuk orientohen në arsim. Ata orientohen në degët që mendojnë se janë më të leverdishme, si mjekësia, stomatologjia...
Nga kjo që u tha më sipër, del se politika e shtetit mbi arsimin është shkurajuese. Shoqëria shqiptare duhet t’i nxitë në arsim, jo nxënësit mesatarë dhe të dobët, por të dalluarit. Në shkollat shqipe në Maqedoni ka shumë nxënës të talentuar, madje në lëmenj të ndryshëm. Me veprimet e papërgjegjshme të faktorëve vendimmarrës si dhe të institucioneve vendore dhe atyre qendrore, nxënësit e talentuar pësojnë. Çdo shoqëri e organizuar, nxënësit e talentuar i përgatit për ta zhvilluar shoqërinë dhe institucionet e tij. Shqiptarët në Maqedoni ndodhen larg këtij synimi. Nuk mund të jesh mësues, arsimtar apo profesor i mirë, po qe se arsimin s’e ke në zemër. Nuk mund të jesh punëtor i mirë i arsimit, po qe se nuk je idealist.
Fati i arsimit, kudo në botë, varet nga politika e shtetit mbi arsimin, d.m.th. nga politika arsimore e shtetit.
Prindi duhet të dijë se suksesi i fëmijës, përkatësisht i nxënësit ndërlidhet me faktorë të caktuar, si janë: ndërtimi gjenetik i nxënësit, baza materiale dhe harmonia në familje, shprehia për punë e nxënësit, mjedisi ku rritet nxënësi (po qe se fëmija rritet në një familje ose në një lagje me shumë fëmijë, mundësia e humbjes së kohës është më e madhe), kapaciteti profesional i mësuesit dhe i arsimtarit të shkollës fillore, kapaciteti profesional i profesorit të shkollës së mesme, kushtet në shkollë. Populli thotë: “Nuk është me të thënëme, por të dhënëme”.
Nuk ka mësues, arsimtarë, profesorë, pedagogë, metoda pedagogjike, shkolla dhe institucione në rruzullin tokësor – as që do të ketë ndonjëherë - që mund të bëjnë mrekulli me nxënës. Druri i shtrembët nuk drejtohet lehtë Nxënësi i dobët kurrë nuk mund të marrë dituri të madhe. S’ka dyshim se me punë dhe me disiplinë edhe nxënësi me sukses të dobët mund të bëjë hapa para. Mirëpo ai, kurrë nuk mund të arrijë ndonjë shkallë të lartë diturie. Fëmija, mësimin fillon ta marrë dhe shprehinë e punës fillon ta krijojë qysh në moshën 5-6 vjeçare. Zbrazësitë e shkaktuara në shkollën fillore dhe në të mesmen njeriu nuk arrin t’i kompensojë gjatë tërë jetës. Natyrisht, nxënësi një ditë piqet, por jo paralelisht me gjeneratën e vet. Fatmirësisht, çdo nxënës, me aftësi mendore dhe trupore normale mund të jetë i suksesshëm në ndonjë degë të caktuar. Nuk është e thënë që secili të dijë matematikë. Shumë njerëz pa shkollë janë afaristë të suksesshëm. Nxënësi që ka qenë mesatar në shkollë fillore dhe të mesme kurrë nuk mund t’i arrijë majat e dijes. Tërë jetën ai do të jetë mesatar. Mbase mund të ketë përjashtime.
Prindi duhet të dijë: “Me para mund ta bësh edhe të pamundurën, por vetëm një gjë jo – të blesh dituri”.
Partizimi i arsimit - Partitë politike shqiptare në Maqedoni, në shumë raste ndjekin politikë kadrovike diletante dhe joprofesionale. Në sektorë të caktuar të arsimit, qoftë në shkallë vendore, qoftë në atë qendrore, caktojnë persona apo individë të cilët janë nën çdo nivel profesional. A mund të bëhet ministër i shëndetësisë profesori i gjuhës, për t’u bërë ministër i arsimit mjeku?! Në institucionet e arsimit, të shkallës vendore dhe asaj qendrore, partitë i caktojnë kuadrot, në kundërshti të plotë me kriterin profesional. Në vend të profesionalizmit, për to vlen interesi koniunktural brenda-partiak, interesi i grupeve, kriteri rajonal, i katundit dhe i mëhallës. Duke qenë se emërimet bëhen në mënyrë sharlatanike, askush nga ata të partsië nuk e përcjell punën e “kuadrit” të emëruar nëpër institucionet e arsimit, arritjet dhe dështimet e tyre. Për më tepër, partitë edhe nuk dinë se çfarë rezultatesh duhet të arrihen dhe mund të arrihen në lëmenj të caktuar të arsimit.
Në institucionet shtetërore të arsimit, si të shkallës vendore ashtu edhe asaj qendrore, numri i funksionarëve shqiptarë me njohuri në fushën e arsimit, është simbolik, për të mos thënë është inekzistent. Ka raste kur partitë politike shqiptare nëpër detyra dhe funksione të caktuara emërojnë persona jokompetentë. Personat jokompetentë që dinë fare pak për çështjet e arsimit, më kot prononcohen për problemet e sipërthëna. Të tillët, në pozitat që kanë, shërbejnë vetëm për të marrë rroga dhe për ndonjë privilegj tjetër që ofron çdo pushtet në botë.
Nën veprimin e partive politike, në arsimin shqiptar në Maqedoni – fillor, të mesëm dhe universitar - ka raste të shpeshta të diferencimit mbi baza partiake. Në disa shkolla, fillore dhe të mesme, pa vendim pune për kohë të pacaktuar, punon një numër i konsiderueshëm i kuadrit arsimor. Drejtorët e shkollave, në bazë të listave të hartuara nga partia politike shqiptare, përkatësisht nga individë influentë të pushtetit vendor, kanë për detyrë t’i largojnë nga puna, d.m.th. nga shkolla, të gjithë mësuesit, arsimtarët dhe profesorët të cilët janë apartiakë apo të cilët i përkasin partisë politike oponente. Me këto veprime të turpshme dhe absurde merren kryesisht strukturat e mesme të partive politike – degët partiake. Duke qenë se përjashtimet nga puna, të shqiptarëve nga vetë shqiptarët hasin në qëndresë, tendencat e sipërthëna nuk realizohen gjithaq. Largimi nga shkolla i arsimtarëve apo i profesorëve të partisë oponente bëhet pra me kritere partiake dhe jo me kritere morale apo profesionale.
Largimi nga shkolla i kuadrit arsimor apartiak apo i atyre që janë anëtarë ose ithtarë të partisë oponente, të përkujton të ashtuquajturin diferencim ideopolitik të boshtit antishqiptar të krimit Shkup-Beograd-Titograd, të zbatuar ndaj mësuesve, arsimtarëve dhe profesorëve shqiptarë në Jugosllavi, në periudhën e viteve 1945-1991. Në komunizëm, shqiptarët diferencoheshin prej sllavëve. Sot ndërkaq, diferencohen prej vetvetes.
Po qe se nuk i takon tarafit të drejtorit të shkollës mund të ndodhë të ta marrin klasën e kujdestarisë, të ta çrregullojnë orarin e mësimeve, të ta ndërrojnë ndërresën e punës, të t’i japin klasat jopërkatëse, të ta ndërpresin përcjelljen e gjeneratës duke të dhënë klasa të reja, të ta ndërrojnë objektin shkollor, të të lënë jashtë komisioneve shkollore, mos të të japin angazhime të caktuara etj.
Partizimi i skajshëm i arsimit dhe përmasat tronditëse të shpërdorimeve nëpër shkolla, ndikojnë që arsimtarët dhe profesorët, para të keqes të rijnë indiferentë dhe të thonë: “Për çdo gjë vendosin të tjerët, neve s’na pyet kush”. Sidoqoftë, shumë arsimtarë apo profesorë janë edhe oportunistë dhe konformistë. Si të tillë, ata i përshtaten gjendjes përplot abuzime dhe para keqpërdorimeve i mbyllin sytë. Si pasojë, abuzimet nëpër shkolla, shndërrohen në gjendje normale. Shoqëria duhet ta dijë se çelësi partiak në punët profesionale që kanë të bëjnë me arsimin është shkatërrues për të. Para parregullsive dhe padrejtësive nëpër shkolla, mësuesit, arsimtarët dhe profesorët i mbyllin sytë, për arsye të caktuara, si: janë oportunistë dhe konformistë; janë demagogë; janë me kapacitet moral dhe profesional të kufizuar; kanë shkallë të ulët të vetëdijes; kanë psikologji provinciale; janë poltronë dhe, për interesa personalë, gjithmonë e mbajnë anën e drejtorit, të cilitdo drejtor dhe nga cilado anë që të vijë ai; e mbështesin drejtorin abuzues, për shkak të përkatësisë partiake.
Në shoqërinë shqiptare në Maqedoni, si në asnjë vend tjetër të rajonit, mungon mendimi kritik publik. Mungesa e mendimit kritik është karakteristikë e shoqërive të prapambetura dhe provinciale. Në qytezë s’ka mendim kritik, ka thashetheme. Në shoqëritë e prapambetura mungon edhe gazetaria investiguese.
Abuzimet financiare - Arsimtarët dhe drejtorët e shkollave duhet ta dinë se çështje financiare të caktuara duhet të realizohen përjashtimisht nëpërmjet xhirollogarisë së shkollës ose të paktën në relacionin: nxënës - arkëtar i klasës - përgjegjës i ndërresës (ndihmësdrejtor). Çdo akt financiar midis nxënësit, në një anë, dhe arsimtarit, profesorit apo drejtorit të shkollës, në anën tjetër, është komprometues dhe diskreditues për arsimtarin, profesorin dhe drejtorin. Çfarëdo akti financiar në shkollë që bëhet jashtë xhirollogarisë së shkollës, ngjall dyshime për abuzime të mundshme.
Ka prindër, kryesisht mjekë, stomatologë ... të cilët dy javë para mbarimit të vitit shkollor i vënë në veprim telefonat celularë për t’i përmirësuar notat e fëmijëve të tyre. Ata thonë: “ Djalin do ta çoj në mjekësi (në stomatologji). Për ta regjistruar më lehtë duhet t’i ketë notat 5.00”. Kur u hedh një sy notave të fëmijës së këtij farë pseudo-intelektuali do të vëresh një apo dy dysha dhe dy a tre tresha. Dhe ky fëmijë i këtij farë mjeku apo stomatologu më 10 qershor kalon me 5.00. Nga kjo mund të konstatohet se edhe vetë ai mbase ka dalë mjek apo stomatolog me ndërhyrje të ngjashme.
Institucionet qendrore të arsimit duhet të dinë se plan-programet mësimore janë të papërballueshme nga nxënësit. Në disa shkolla të mesme, në vitin e parë nxënësit kanë: 15 lëndë, 9 lektyra në gjuhën amtare dhe 6 lektyra në maqedonisht. Romani “Lumi i vdekur” i Jakov Xoxës ka 670 faqe. Vëllimore janë edhe poemat e Homerit, “Komedia hyjnore” e Dantes, “Fausti” i Gëtes, “Krim dhe ndëshkim” i Dostojevskit, “Njëqind vjet vetmi” i Markezit.
Si t’ia dalë në krye nxënësi?! A ka nxënës në rruzullin tokësor që për nëntë muaj gjithë këtë materie me përmasa oqeanike dhe dinosaurike mund ta realizojë për notën 5,00?! Kur këtij plan-programi mësimor t’i shtohen edhe orët të cilat një numër i madh i nxënësve, në mos të gjithë, e kalojnë në facebook, çështja atëbotë bëhet akoma më e ndërlikuar.
Ka nxënës që shtrojnë pyetjen: “Kujt i nevojitet sot Epi i Gilgameshit i shkruar para 4000 vjetësh”?! Gilgameshi, sot vërtetë s’i duhet kujt, por ëndrra e njeriut për përjetësi dhe pavdekësi është e përjetshme. Kohët e fundit plan-programeve të gjimnazeve iu shtuan edhe do lëndë të tjera, si: biznesi dhe menaxhmenti, ekonomia, fillet e së drejtës etj. Lëndët e sipërthëna për nxënësit e gjimnazeve paraqesin ngarkesë shtesë. Mbase është më mirë që lëndët e lartpërmendura të jenë pjesë vetëm e plan-programeve të shkollave profesionale.
Në plan-programet mësimore të gjimnazeve janë të përfshira pesë gjuhë, si: gjuha shqipe dhe letërsia, gjuha maqedonase, gjuha angleze, gjuha gjermane (apo frënge) dhe latinishtja. Pas katër vitesh mësimi, nxënësi asnjërin prej tyre nuk e përvetëson si duhet. Të komunikosh anglisht apo gjermanisht, nuk do të thotë se i di këto gjuhë. Gjuhë të huaja dinë edhe gastarbajterët.
Maqedonia me festa zë ndër vendet e para në botë. Për shkak të numrit të madh të festave, vihet në dyshim edhe realizimi i plan-programeve mësimore. Kur drejtuesi i mbledhjes së këshillit të klasave, nën pikën Të ndryshme i pyet arsimtarët apo profesorët: A e keni realizuar plan-programin mësimor, të gjithë njëzëri brohorisin: “Po, e kemi realizuar”. Askush nuk pyet: “Si u realizua plan-programi me gjithë ato ditë të humbura gjatë festave”!
Për të gjitha shkollat shqipe në Maqedoni, për lëndën e gjuhës shqipe dhe të letërsisë, ka mbetur vetëm një këshilltar. Institucioni kompetent, d.m.th. Byroja për Zhvillimin e Arsimit, vendin e zbrazët të këshilltarit për gjuhë shqipe dhe letërsi duhej ta kishte plotësuar menjëherë. Ministrisë së Financave të RM-së duhej t’i bëhej me dije – me vendosmëri dhe persistencë – se plotësimi i këtij vendi pune nuk paraqet punësim të ri. Problemi qëndron në faktin se askujt nuk i ka interesuar kjo çështje. Se po t’i kishte interesuar, ajo do të ishte zgjidhur kaherë.
Problemi me Ministrinë e Financave ka të bëjë: me mungesën e kapacitetit profesional të kuadrit shqiptar në institucionet vendore dhe qendrore të arsimit; si dhe me mungesën e kapacitetit politik të faktorit politik shqiptar përballë ministrisë së sipërthënë.
Organet e shkollës – Shkollat i kanë edhe organizmat e vet, siç janë: këshill i shkollës (pleqësia), këshilli i prindërve etj. Këto organe shkollore formohen kryesisht me kritere partiake. Shumica e anëtarëve të këtyre organeve shkollore janë instrumente të verbëta të drejtorit të shkollës. Ka raste kur i tërë këshilli i shkollës apo këshilli i prindërve është instrument i verbët i drejtorit. Anëtarët e këtyre këshillave shërbejnë vetëm për të ngritur dy gishta për t’u miratuar ndonjë propozim i drejtorit. Këshillat e shkollave dhe këshillat e prindërve, duke qenë instrumente të drejtorëve, me dëshirë apo pa të, bëhen pjesë e pandarë e shpërdorimeve në shkolla. Të tillë siç janë, këshillat e shkollave apo këshillat e prindërve, duke qenë se formohen me kritere partiake dhe janë instrumente të drejtorëve, është më mirë të suprimohen dhe të mos ekzistojnë fare.
Në raste të caktuara, shkollat krijojnë edhe komisione. Komisionet, jo gjithmonë formohen sipas përkatësisë partiake. Por, kur është fjala për çështje të rëndësishme, atëherë anëtarë të komisionit “zgjedhen” vetëm njerëzit e besueshëm të drejtorit. Anëtarët e komisioneve të ndryshme të shkollës “zgjedhen” sipas mënyrës vijuese: Drejtori i shkollës, me “ekipin e vet” (d.m.th. me njerëzit e vet të besueshëm) ulet në ndonjë byrektore, qebaptore, çajtore apo tavernë të qytezës. Në atë farë ndeje, caktohen anëtarët e këshillave apo të komisioneve. Caktohen edhe detyrat e pseudo-profesorëve, kush kë do ta propozojë. Në mbledhjen-farsë të Këshillit të arsimtarëve, anëtarët e komisioneve “zgjedhen njëzëri” sipas skenarit të parapërgatitur. Edhe mbajtës procesverbali nuk mund të bëhet kushdo. Po qe se lind nevoja e rishkrimit të procesverbalit, këtë do ta kishte bërë vetëm personi që është i afërt me ekipin e drejtorit.
Ç’pret prej një kolektivi të tillë?! Të tillët do të edukojnë breza?! Dihet mirëfilli se kësi skenari të zgjedhjes së anëtarëve të komisioneve të ndryshme, zbatohet në shumë vende të botës, e sidomos në ato me shkallë të ulët të zhvillimit. Të ashtuquajturat aktivitete të lira nëpër disa shkolla të mesme, nuk realizohen fare, apo realizohen jo më shumë se 1 %. Megjithëkëtë, në çdo regjistër figuron fjala: “u realizua”. Të ashtuquajturat orë plotësuese me nxënësit e dobët si dhe të ashtuquajturat orë shtuese me nxënësit e dalluar, realizohen vetëm në masën simbolike, për të mos thënë nuk realizohen fare. Megjithëkëtë, në të gjithë regjistrat figuron evidenca se orët plotësuese dhe ato shtuese janë realizuar pikë për pike. Për këto të ashtuquajtura aktivitete, nuk ka kurrfarë kontrolli, as të brendshëm, as të jashtëm.
Inspektimet nëpër shkolla që zbatohen nga jashtë janë kryekëput formale dhe rutinore. Deri më tash, këto farë inspektimesh nuk kanë pasur ndonjë efekt të madh. Se po të kishin pasur ndonjë efekt të njëmendët, arsimi shqiptar në Maqedoni do të kishte qenë më cilësor. Pa këto inspektime, situata në arsimin shqiptar në Maqedoni mbase do të kishte qenë akoma më brengosëse. In ultima linea, inspektorët që e zbatojnë inspektimin e shkollave, në pikëpamje profesionale duhet të jenë në një nivel me arsimtarët dhe me profesorët e inspektuar, në mos dhe mbi nivelin e tyre.
Në ngritjen e cilësisë në arsim, nuk kanë ndikuar gjithaq, për të mos thënë aspak, as të ashtuquajturat seminare apo trajnime që mbahen me arsimtarët apo me profesorët, kryesisht në ndonjë hotel të Ohrit. Jo rrallë, trajnuesit nëpër këto seminare, janë më pak të përgatitur se shumica e atyre që trajnohen.
Ç’mund të pritet prej këtyre seminareve me trajnues jokompetentë?!
Të ashtuquajturat provime shtetërore të cilave u nënshtrohen arsimtarët apo profesorët pa përvojë nuk janë veçse formalitet i kulluar. Numri i atyre që nuk arrijnë ta japin këtë karikaturë prej provimi, është simbolik. Ose më saktë, këtë provim nuk e ka dhënë vetëm ai që nuk e ka paraqitur atë.
Kandidati që i nënshtrohet këtij kuazi-provimi, komisionit të provimit është i detyruar t’i dorëzojë një punim me shkrim, në dy gjuhë, në gjuhën shqipe dhe në atë maqedonase. Një numër i madh i kandidatëve këtë farë punimi me shkrim nuk e punojnë vetë, por e gjejnë të gatshëm në gjuhën shqipe, apo ua përkthen ndonjë përkthyes nga maqedonishtja ose nga serbishtja. Ka raste kur kandidati këtë “punim” e blen prej ndokujt për 1000 deri 2000 denarë, por ka edhe kolegë zemërgjerë që “punimin” e japin falas. Ka raste kur punimi i provimit shtetëror i dorëzohet komisionit me dhjetëra gabime gjuhësore. Kjo të lë të kuptosh se këto farë punime nuk i lexon askush. Atëherë shtrohet pyetja: Kujt i duhet ky i ashtuquajtur provim shtetëror?!
Edhe të ashtuquajturat provime interne të maturantëve, në të shumtën e rasteve, nuk janë veçse formalitet i kulluar. Nxënësit maturantë, para të ashtuquajturit testator, i nxjerrin librat dhe kopjojnë. Në fund del ky rezultat: nxënësi i cili dy-tri ditë para mbarimit të vitit të katërt ka pasur 12 nota të dobëta, në dy provimet interne merr notën 4 ose 5. Askush nuk pyet: Si mund të ndodhë kjo?!
Po kështu qëndron puna edhe me të ashtuquajturat projektdetyra të maturantëve. Ka nxënës që këto farë projekt detyra i blejnë prej maturantëve të viteve paraprake me çmim prej 1000 deri 2000 denarë. Legjenda thotë se ka edhe profesorë që i shesin me po këtë çmim.
Me “reforma” të këtilla të ndërmarra nga organet shtetërore të arsimit, cilësia e arsimimit në Maqedoni nuk do të përmirësohet sa duhet.
Ka raste kur në shkolla afatet, të caktuara sipas ligjit apo sipas agjendës së shkollës, nuk respektohen fare. Ka raste kur nxënësi nuk e di se ka ngelur në riprovim. Ka nxënës që nuk e dinë se në cilat lëndë kanë ngelur në riprovim. Ka nxënës që nuk e dinë afatin e paraqitjes së riprovimeve. Bëhet fjalë kryesisht për nxënës të dobët dhe me shkallë të ulët të përgjegjësisë dhe të interesimit. Disa prej tyre qëllon të jenë diku në kurbet: në Kroaci, në Itali, në Zvicër, në Gjermani. Ka raste kur në vend të tyre, provimet i paraqet vetë arsimtari apo profesori, madje duke shkelur edhe afatin e caktuar me ligj apo të caktuar në agjendën e shkollës. Në raste të tilla, arsimtari apo profesori shndërrohet në argat të nxënësve të pandërgjegjshëm, të shkollave të mesme elite (tashmë “elite”). Me kalimin e kohës, veprimet e këtilla bëhen normale dhe shndërrohen në dukuri dhe praktikë. Për këtë grup nxënësish, për arsye nga më të ndryshmet, shkelen rregullat, normat dhe ligjet, duke u lejuar atyre që provimet t’i paraqesin edhe pas afatit të caktuar. Dhe dëgjohen fjalët: “Sa mirë që drejtori është shqiptar...Në komunizëm drejtorët ishin maqedonas. Tani do punë i kryejmë më lehtë...” Drejtori shqiptar duhet të respektohet dhe jo të keqpërdoret afria e tij.
Nëpër shkollat shqipe në Maqedoni, ka raste kur nxënësit i shënohet në procesverbal nota e riprovimit, pa qenë ai i pranishëm në provim.
Nëpër shkolla të mesme shqipe, ka raste kur, për lëndë të caktuara dhe për interesa të caktuar, punësohen si profesorë edhe individë me tre vjet studim universitar (sipas parimit 3+2) dhe të refuzohen kandidatët që kanë të kryer studime universitare katërvjeçare. Në raste th tilla, punësimi është bërë ose me ndërhyrjen e partisë, ose ka luajtur mita, d.m.th. ryshfeti.
Abuzimet e sipërthëna dhe mosrespektimi i afateve dëshmojnë se shqiptarët në Maqedoni nuk manifestojnë kapacitet të duhur për t’i udhëhequr me përgjegjësi institucionet shkollore.
Nëpër shkolla të caktuara mbase ndodhin edhe abuzime që paraqesin shkelje të rëndë të ligjit. Abuzimet eventuale financiare apo dhënia e dëftesave ose e diplomave të dyshimta, që do të ishin bërë nga një rreth i ngushtë i personave të shkollës, nuk janë objekt interpretimi i këtij shkrimi.
Disiplina në shkolla - Në shkollat tona ora mësimore qëllon të zgjatë më pak se 45 minuta; arsimtarët rëndom shkojnë në klasë me 5 minuta vonesë; shpesh ndodh që të shkohet në orë edhe me 10 minuta vonesë; ka raste kur ziles i bihet 3 deri 5 minuta para kohe (Në vendet e zhvilluara zilet e llojit tonë ka kohë që janë hequr nga përdorimi. Në ato vende zilja është e programuar të funksionojë në mënyrë automatike); pushimi i gjatë që zgjat 20 minuta, ndodh të zgjatë 30 minuta. Ka shkolla në të cilat ora e fundit, d.m.th. e gjashta apo e shtata, sidomos ajo e ndërresës së dytë, mbahet jo më shumë se 20 minuta, për të mos thënë nuk mbahet fare. Ka shkolla fillore shqipe në të cilat në klasat e teta gjatë gjithë gjysmëvjetorit të dytë zhvillimi i njësive mësimore zëvendësohet me bisedat rreth kremtimit të mbrëmjes së gjysmëmaturantëve. E tmerrshme. Drejtoria e një shkolle të tillë, arsimtarët, këshilli i shkollës dhe ai i prindërve duhet të dënohen. Ka edhe shkolla të mesme shqipe në të cilat mësimi në gjysmëvjetorin e dytë, te paralelet e viteve të katërta, nuk mbahet sipas orarit. Nxënësit nuk hyjnë fare në orë. E po qe se ndodh të hyjnë, gjatë tërë orës flasin, ose për kremtimin e mbrëmjes së maturës, ose për degët që do t’i studiojnë. E tmerrshme. Edhe këto farë të ashtuquajtura shkolla të mesme duhet të ndëshkohen.
Dukuri jo e rrallë e disa shkollave të mesme është ikja nga ora e tërë klasës. Kjo ndodh për arsye të ndryshme, por më së shpeshti për shkak të testit. Asnjëherë nuk është kërkuar përgjegjësi prej askujt për këtë veprim kryekëput të paarsyeshëm. E vetmja masë që merret është thyerja e notës së sjelljes prej shembullore në mirë ose në pakënaqshëm. Në fund të vitit shkollor, nota e thyer e sjelljes e çdo nxënësi rikthehet në shembullore. Nxënësit e dinë mirë se arusha nuk trembet prej lodrës. Një shkollë e këtillë nuk meriton të quhet shkollë.
Ka raste kur në kafenetë që ndodhen në afërsi të shkollës profesorët ulen në një tavolinë me nxënësit dhe pinë cigare bashkërisht. Profesori dhe nxënësi nuk janë shokë dhe nuk duhet të jenë shokë. Midis tyre duhet të ekzistojë largësi e caktuar. Distanca midis profesorit dhe nxënësit duhet të jetë e tillë që bën të mundur ruajtjen e dinjitetit dhe të integritetit të nxënësit, por edhe të autoritetit të profesorit.
Në shkollat tona ka profesorë të cilët u mbajnë kurs nxënësve të tyre. Kurset mbahen kryesisht nga lëndët, si: matematika, gjuha angleze, gjermanishtja (dikur edhe maqedonishtja), informatika, fizika, kimia.
T’u mbash kurs nxënësve tu, do të thotë t’ua shesësh notën me para.
Ka profesorë të cilët u shesin nxënësve tekste të fotokopjuara dhe libra me vlerë të dyshimtë, e që nuk janë në përputhje me plan-programet mësimore. Nxënësi i cili e blen tekstin e fotokopjuar apo librin prej profesorit merr edhe notë të parapëlqyer. Ka raste kur nxënësit detyrohen ta blejnë tekstin që ua shet profesori. Me nxënësit nuk duhet bërë tregti. Komercializimi i arsimit dhe shndërrimi i tij në biznes fitimprurës është rrënues për të. Ka raste kur arsimtari apo profesori - për çështje private - komunikon me nxënësit nëpërmjet facebook-ut. Arsimtari apo profesori që komunikon me nxënësit për çështje private nëpërmjet facebook-ut, vë në dyshim vlerat morale të tij. Të tillët nuk meritojnë të jenë punëtorë arsimi. Ka mësimdhënës që nuk duan të dinë se ora mësimore nuk shërben për shpëlarjen e trurit të nxënësve mbi baza ideologjike, politike, kuazi-nacionaliste, ksenofobike, partiake apo fetare. Ora e mësimit nuk shërben për të debatuar për partitë politike. Ora e mësimit nuk shërben për të diskutuar për Barcelonën, Realin e Madridit, Lionel Mesin, Kristiano Ronaldon dhe për dashnoren ruse të tij. Ora e mësimit nuk shërben për të festuar me tortë ditëlindjen e nxënësit, të mësuesit, të arsimtarit apo të profesorit. Ka pasur raste kur arsimtari ka vajtur - me çizme - prej fushe drejt në shkollë, pa u përgatitur fare për njësinë mësimore.
Një numër i nxënësve, kryesisht të shkollave të mesme, një javë para se të përfundojë viti shkollor, me lejen e drejtorëve të shkollave, “për letra” ose për të punuar, shkojnë në Itali, në Zvicër, në Gjermani apo në Kroaci. Me fjalë të tjera, kjo kategori e nxënësve e ndërpret shkollimin me lejen e drejtorit të shkollës, një javë para mbarimit të vitit shkollor. Ka raste kur disa nxënës, për arsye të sipërthëna, shkollimin e ndërpresin edhe dhjetë ditë apo dy javë para mbarimit të vitit shkollor. Nxënësit të cilët pothuajse çdo vit e ndërpresin shkollimin një deri dy javë para përfundimit të vitit shkollor, e privojnë veten nga mundësia e përvetësimit të plan-programit mësimor. Asgjë nuk e arsyeton mungesën njëjavëshe, për të mos thënë dyjavëshe të nxënësit.
Ka shkolla të mesme ku numri i mungesave arrin në dhjetëra mijë. Ka paralele me mbi dymijë mungesa për një vit shkollor. Ka nxënës me 182 mungesa. Përkundër këtij numri astronomik të mungesave, asnjë nxënës nuk është përjashtuar nga shkolla, ose të paktën të jetë udhëzuar dhe orientuar në ndonjë shkollë tjetër profesionale.
Një numër nxënësish, kryesisht me sukses të dobët, krahas shkollimit, janë të angazhuar edhe me futboll. Duke ushtruar dhe duke luajtur për klube futbollistike të ndryshme, këta nxënës, një pjesë të konsiderueshme të kohës e kalojnë jashtë bankave shkollore. Edhe këta, si pasojë e mungesave të shpeshta, e privojnë veten nga përvetësimi i një pjese të njësive mësimore. Nxënësit me ambicie sportive, mbase do të kishte qenë më mirë të ndiqnin shkollat e mesme të edukatës fizike.
Një kategori e nxënësve ndërkaq, kryesisht të viteve të katërta të shkollave të mesme, për të marrë patentë ngasësi regjistrohen në auto-shkollë. Bëhet fjalë për një numër të konsiderueshëm nxënësish. Askush nuk e shtron pyetjen: Përse auto-shkollat, për nxënësit që duan të marrin patentë ngasësi, nuk organizojnë ligjërata dhe provime ditëve të shtuna apo të dielave, kur ata janë të lirë?!
Nëpër disa shkolla, kryesisht shkolla të mesme, ka nxënës apo grupe nxënësish, sidomos të viteve të treta apo të katërta, të cilët pothuajse çdo ditë i drejtohen arsimtarit, përkatësisht profesorit me fjalët: “Profesor, a bën të na lëshoni këtë orë, ngase kemi një punë...” Arsimtari, përkatësisht profesori, duke qenë se nuk posedojnë autoritet të duhur për ta mbajtur në klasë këtë kategori nxënësish problematikë, të papërgjegjshëm dhe të pandërgjegjshëm, zbatojnë strategjinë e vijës së rezistencës së ulët dhe u thonë nxënësve: “Shkoni...”. Kjo sjellje e kësaj kategorie të nxënësve, një ditë shndërrohet në dukuri shqetësuese. Në shkollat e mëdha, numri i nxënësve që nuk hyjnë në orë të mësimit është shqetësues. Me këtë dukuri nuk ballafaqohen vetëm shkollat profesionale, por edhe gjimnazet që në shoqëri konsiderohen si shkolla elite.
Ka nxënës që gjatë orës së mësimit, nëpërmjet telefonit celular merr mesazh prej ndonjë nxënës tjetër. Sapo e lexon mesazhin, i drejtohen profesorit: “A bën të dal pak...” Kjo është bërë dukuri. Prindi e di se fëmijën e ka në klasë, nxënësi ndërkaq ri në oborrin e shkollës apo në ndonjë kafeteri.
Në një shkollë të mesme profesionale, brenda vitit shkollor nxënësit kishin thyer një numër të caktuar bankash dhe karrigesh. Në mbledhjen e Këshillit të arsimtarëve, midis tjerash, drejtori kishte thënë: “Çfarë shkolle është kjo...?! Një profesor i ishte përgjigjur: “Kjo s’është shkollë, kjo është shtëpi ndëshkimore-përmirësuese.
Grafitet nëpër shkolla janë problem në vete. Ato shkruhen në dyert dhe në muret e klasave dhe të korridoreve si dhe në muret e jashtme të ndërtesës shkollore. Ato janë me përmbajtje të ndryshme. Ka raste kur vizatohet edhe simboli nazist – kryqi me katër rremba. Për përlyerjen e mureve dhe të dyerve me shkrime dhe vizatime, në të shumtën e rasteve askush nuk përgjigjet.
Ka raste kur të gjithë djemtë e gjeneratës (qindra sish) merren vesh ndër vete për t’i lënë orët dhe për të vajtur në stadium, për arsye se ekipi i qytezës luaka ndeshje të rëndësishme. Gjysma e tyre fare nuk shkojnë në stadium, por hyjnë në ndonjë kafeteri. Ka pasur raste kur partitë politike i kanë dërguar veprimtarët dhe militantët e vet nëpër shkolla për ta organizuar nxjerrjen e nxënësve në mitingje dhe në tubime partiake. Faktori politik shqiptar në Maqedoni duhet të dijë se nxënësi është i dobishëm kur është në mësim dhe jo kur është në tubim. Përveç kësaj ata janë edhe të moshës së mitur.
Detyra e organeve profesionale të shkollës siç janë pedagogu, psikologu, sociologu, sekretari nuk është të merren vetëm me përmasën statistikore të mungesave. Detyrë parësore e pedagogut apo e psikologut të shkollës është të bisedojnë me nxënësin “problematik” në funksion të përmirësimit të tij. Mungesat nuk janë çështje statistikore. Rreth tyre duhet të sensibilizohen të gjitha hallkat që e përbëjnë procesin arsimor.
Puna e personelit profesional në shkolla zgjatë tetë orë: prej orës 7 deri në orën 15. Në shumë shkolla shqipe ky orar nuk respektohet fare. Ka raste kur pedagogu, sekretari, psikologu, kontabilisti, përgjegjësi i ndërresës etj. vite me radhë vijnë e shkojnë kur t’u kujtohet. Para këtij mosrespektimi të orarit të punës, këshilli i arsimtarëve, përfshi dhe drejtorin e shkollës i mbyllin sytë.
Ka raste kur ditët e festave bashkohen me ato të fundjavës duke marrë vendim që e premtja të zëvendësohet me ndonjë të shtune. Zëvendësimi realizohet vetëm formalisht. Ka raste kur në ditën zëvendësimit mbahen këshillat e klasave. Me fjalë të thera, atë ditë nuk mbahen orët. Po qe se ditën e zëvendësimit mbahet mësim, atëherë ky “mësim” nuk është veçse formalitet. Efekti i këtij “mësimi“ është diku rreth 50%.
Nëpër shkollat shqipe në Maqedoni, brenda vitit shkollor, dhjetëra apo edhe qindra orë nuk mbahen. Mësuesit, arsimtarët apo profesorët mungojnë për arsye nga më të ndryshmet. Me atë rast, nxënësit, ose dalin jashtë, ose ora zëvendësohet me bashkimin e dy klasave. Ora zëvendësohet sa për sy e faqe. Në 99% të rasteve mësuesit, arsimtarët dhe profesorët të cilët nuk i kanë mbajtur orët, gjatë këtyre 20 viteve të pluralizmit, janë paguar sikur i kanë mbajtur ato. Askund në botën e qytetëruar nuk ndodh të paguhesh për punën që s’e ke bërë.
Ka shkolla fillore të qytezave të cilat një javë para se të fillojë viti shkollor i drejtohen me një kërkesë shkollës së mesme që nxënësit e asaj shkolle të përfshihen në një klasë, d.m.th. të mos ndahen dhe shpërndahen. Kërkesa e sipërthënë e shkollës tetëvjeçare është plotësisht e paarsyeshme dhe jopedagogjike. Po qe se shkolla e mesme e pranon një kërkesë të tillë, qoftë edhe pjesërisht, gabon akoma më shumë.
Krijimi i paraleleve duhet të bëhet me kritere të caktuara objektive dhe jo kush ku ka dëshirë të shkojë, kush me cilin dëshiron të jetë në klasë etj. Shtresat e privilegjuara të shoqërisë dhe “ata që kanë të njohshëm” i ndërrojnë klasat kur të duan dhe si të duan, ndërsa të mjeruarit mbeten aty ku i cakton faktori që vendos. Mirëpo shpesh qëllon që fëmijët e të paprivilegjuarve të jenë të talentuar, ndërsa ata të elitës së provincës – lazdrakë me nota të fryra.
Krijimi i paraleleve me nxënës të shkollave dhe të rajoneve të ndryshme krijon mundësinë e një konkurrence më të madhe në klasë, gjë që për ta mund të jetë shtysë për angazhim më të madh.
Në shkollat mesme shqipe ka ndodhur që të gjithë nxënësit e klasës t’i marrin dëftesat e vitit të katërt pa vulat e shkollës. Një gabim i këtillë po të ndodhë në vendet me tradita demokratike, mediumet e shkruara dhe ato elektronike do ta zgjonin mendimin publik. Ndërgjegjen e fjetur të njeriut të provincës nuk ka kush e zgjon. Koloneli nuk ka kush i shkruan – do të thoshte Markezi.
Ka raste kur nxënës të caktuar shkojnë në shkollë me boks hekuri, me shufër hekuri, me ndonjë mjet tjetër të fortë, me thikë apo me revole. Shkolla e tillë duhet të ndëshkohet nga organet kompetente të arsimit.
Për “7 Mars”, për “8 Mars”, për ditëlindje nxënësit u dhurojnë mësuesve, arsimtarëve apo profesorëve dhurata të caktuara. Me rastin e përfundimit të klasës së tetë apo të vitit të katërt nxënësit i dhurojnë dhuratë kujdestarit të klasës. Kjo nuk është praktikë e mirë. Për “7 Mars” dhe për “8 Mars” dhurata simbolike arsimtarëve duhet t’u dhurojë shkolla dhe jo nxënësit. Arsimtari që shkon në pension duhet të përcillet në mënyrë dinjitoze.
Ka raste kur nëpër shkolla vijnë tregtarë të ndryshëm për të shitur produkte të ndryshme, si: brekë, kanotiera (maica), trenerka, sutjena (jelek femrash), çorape etj.; tenxhere, enë të ndryshme, pjata, gota.... Tregtarët, me lejen e drejtorëve, mallin e shtrojnë në mes të zyrës së arsimtarëve dhe rinë aty dy-tri orë. Një tregti e tillë në Slloveni dhe në Kroaci assesi nuk mund të paramendohet.
Nxënësit e shkollave kryesisht u nënshtrohen kontrolleve sistematike. Kontrolleve shëndetësore duhet t’u nënshtrohen rregullisht edhe mësuesit, arsimtarët dhe profesorët, me qëllim të parandalimit të ndonjë sëmundjeje infektuese, siç është TBC-ja. Një kontroll i tillë ndërmerret në çdo vend të qytetëruar.
Duke qenë se shumë shkolla drejtohen prej vetë shqiptarëve dhe se shqiptarët në Maqedoni administrojnë 19 komuna, nga kjo del se për mbarëvajtjen e punës në të gjitha nivelet e arsimit, përgjegjësi mbajnë edhe vetë shqiptarët. Në disa shkolla periferike kontrolli i organeve të inspektimit është më i rrallë. Është detyrë e mësuesve dhe e arsimtarëve, që për hir të mbarëvajtjes së procesit arsimor, vetë ta ruajnë rendin dhe disiplinën, d.m.th. të jenë në shkallë të duhur të përgjegjësisë profesionale dhe morale. Ky është një detyrim ligjor, njerëzor dhe atdhetar.
Veshja e nxënësve - Nëpër disa shkolla të mesme shqipe në Maqedoni nxënësit mbajnë uniformë. Por, një numër i caktuar i nxënësve nuk e respektojnë rregullin e mbajtjes së uniformës. Ka nxënës që vijnë në shkollë me një veshje që është në kundërshti të plotë me rregulloren e shkollës. Ata arsimtarë, përkatësisht profesorë që e pranojnë nxënësen në klasë me gjoks të shpaluar, me bark të zhveshur, me kërthizën jashtë, me çizmet përmbi gjunjë - si në estradë, me grym si në ndonjë ceremoni solemne, nuk meritojnë të quhen edukatorë. Nxënësit duhet ta dinë se në shkollë nuk shkohet si në plazh apo si në disko-klub.
Veshja e punëtorëve të arsimit - Edhe një numër i caktuar i arsimtareve, përkatësisht i profesoreshave vijnë në shkollë, të veshura në kundërshti të plotë me kodin moral të punëtorit të arsimit. Një pedagoge nuk duhet të hyjë në klasë me gjoks të shpaluar, me fund të shkurtër, me taka 15 centimetrash, me fermerka super të ngushta që ia shquan pjesë të caktuara të trupit, e grimuar si për dasmë dhe me lloj-lloj byzylykësh në krah apo gjerdanësh në qafë. Ç’të bëjë para nxënësi 18-vjeçar: të ndjekë mësimin, apo ta vështrojë profesoreshën që i duket provokuese?! Duket sikur profesoresha dhe nxënësja ndeshen ndër vete se cila do të vishet në mënyrë sa më atraktive. Ndaj veshjes së pahijshme të kësaj kategorie të arsimtarëve dhe të arsimtareve nuk ka kurrfarë reagimi publik, as në shkollë, e as nga shoqëri.
Mbledhjet prindërore – Sipas rregullave, brenda vitit shkollor profesori duhet të mbajë katër mbledhje prindërore. Ka raste kur mezi arrin ta mbajë një sosh. Përse?! Për arsye se ka raste kur në mbledhje prindërore, prej 37 prindërve qëllon të vijnë jo më shumë se 5-6 prindër. Ka ndodhur që në mbledhje të vijë vetëm një prind. E turpshme. Pas ca ditësh prindi vjen në shkollë mu në mes të procesit mësimor. Gjatë pushimit ndërmjet orëve kujdestari e njofton prindin lidhur me fëmijën e tij. Biseda zgjat, kujdestari vonohet dhjetë minuta në orë, nxënësit ia nisin zhurmës. Si rrjedhojë, thyhet rendi i shkollës. Po ta pyesësh” “Pse nuk erdhët në mbledhje prindërore...”?! përgjigjet: “Nuk kisha kohë, isha i zënë, pata punë...” Prindërit duhet ta dinë se s’ka punë më të madhe për prindin sesa interesimi për fëmijën e vet dhe për mbarëvajtjen e procesit arsimor. Një prin tha: “Kurrë më nuk do të vij në mbledhje. Profesoresha nuk kishte kapacitet për ta mbajtur mbledhjen. Nuk dinte të mbaj mbledhje...” Duke qenë se kujdestari i klasës për mbledhjet prindërore duhet të shkruajë në ditar katër procesverbale për po aq mbledhje kinse të mbajtura, i shkruan ato pa i mbajtur mbledhjet fare. Kësisoj ua mbyll sytë edhe inspektorëve eventualë.
Ka profesorë të cilët krahas punës në shkollë, ushtrojnë edhe punë tjetër. Dy punë i çojnë paralelisht. Ndonjë sish është pemëshitës (pilar), tjetri kontabilist, i treti bojaxhi (moler), i katërti shitës hekurishtesh. Ka arsimtarë apo profesorë që punojnë si përkthyes, muzikantë dasmash, klerikë, bakall, elektricist, këmbyes valutash, bujq, blegtorë, djathëshitës, dhe 28 vjet rrobaqepës. Ka profesorë që tërë kohën e kalojnë duke kopjuar dhe duke përkthyer - me një mori gabime - ndonjë tekst shkollor të lëndës që e ligjërojnë, për t’ua shitur pastaj nxënësve të vet. Ka edhe të tilla që tërë javën vendosin pllaka nëpër banjat e ndërtesave dhe të rraskapitur nga lodhja vijnë në shkollë për të pushuar. Ka profesorë të cilët gjatë verës shkojnë në Zvicër apo në Gjermani për të punuar si pjatalarës. Ata thonë: “Me një rrogë mësuesi nuk jetohet. Patjetër të punohet edhe ndonjë punë tjetër...” Bibliotekisti i një shkolle profesionale kishte thënë: “Dje, tërë paraditen kam nxjerrë pleh. Sot s’e ndjej veten...” Kur një nxënës ia kishte kërkuar “Uliksin” ai i ishte përgjigjur: “Prej Homerit e kemi vetëm “Iliadën”. Për Uliksin” e Xhejms Xhojsit, bibliotekisti i cili një ditë para kishte nxjerrë dy traktorë pleh, as që kishte dëgjuar.
Profesorët të cilët krahas punës në arsim janë të angazhuar edhe në ndonjë punë plotësuese, në klasë janë fare pak efektiv, në mos dhe aspak. Të tillët duhet të largohen nga procesi i arsimit.
Një profesoreshë u kishte thënë nxënësve: “Ju jeni kafshë...” Orën tjetër, sapo hyn në klasë, dy nxënës të bankave të fundit fillojnë të lëshojnë tinguj kafshësh. Ajo u drejtohet me hidhërim: “Ç’qenkeni tranuar kështu...” Ata i përgjigjen: “Orën e kaluar profesoreshë, Ju na thatë se jemi kafshë, ndaj ulërijmë si bisha...”. Ofendimet e nxënësve nga arsimtarët dhe nga profesorët, në shkollat tona fillore dhe të mesme janë dukuri e rregullt. Në vendet ku ka ligj dhe rend, një gjë e tillë nuk mund të paramendohet.
Zëvendësimi i orëve dhe bashkimi i dy klasave është dukuri e shpeshtë e shkollave tona. Zëvendësimi i orëve dhe bashkimi i dy klasave nuk prodhon kurrfarë efekti mësimor. Qëllimi i bashkimit të dy klasave është që arsimtari apo profesori të ikin sa më parë në shtëpi, për t’i kryer punët e shtëpisë. Shkolla që lejon bashkimin e dy klasave nuk është shkollë. Profesori që i bashkon orët apo klasat nuk është adhurues i arsimit dhe i nxënësve.
Në shkollë nuk mund të punohet më shumë se 25 vjet. Mësuesi, arsimtari dhe profesori me mbi 25 vjet përvojë në arsim duhet të pushohet nga puna dhe të risistemohet në ndonjë punë tjetër. Puna në arsim hyn në radhën e punëve më të rënda. Ai që përcaktohet për ta studiuar degën e arsimit për shkak të pushimeve të gjata verore apo dimërore, kurrë nuk bëhet arsimtar i mirë. Arsimtari i vërtetë lexon dhe përsoset gjatë tërë jetës.
Mësuesi, arsimtari apo profesori i cili brenda një apo dy viteve nuk tregohet i suksesshëm në arsim, menjëherë duhet të transferohet në detyrë tjetër.
Lënda e matematikës po edhe e fizikës për pjesën më të madhe të nxënësve shqiptarë në Maqedoni vazhdon të jetë e pakapshme. Përkundër faktit se ka nxënës me prirje të theksuar në këto dy lëndë, rezultatet e arritura janë tejet të ulëta. Kurrë shoqëria shqiptare nuk u sensibilizua për këtë gjendje të mjerueshme në këtë fushë. Për të bërë kthesë në këtë drejtim, shoqëria shqiptare, matematikës dhe fizikës duhet t’i kushtojë rëndësi të veçantë. Në shkolla fillore, lëndët e sipërthëna duhet të ligjërohen prej profesorëve me përgatitje profesionale të padiskutueshme, të cilët njëherazi duhet edhe të motivohen.
Relativizimi i kriterit - Nxënësit duhet të dinë se dituria e mirëfilltë nuk merret duke ndenjur çdo ditë dhe me orë të tëra në facebook dhe se shkolla nuk është vend argëtimi dhe zbavitjeje, por institucion edukimi, formimi, mësimi dhe kreativiteti. Prindërit duhet të dinë se fëmija i tyre i merr notat në shtëpi dhe jo në klasë. Sa ka punuar në shtëpi gjatë ditës, aq e ka diturinë dhe notën. Përndryshe, nota nuk është veçse numër. “Suksesi” 5,00 i fëmijëve të tyre është relativ dhe i diskutueshëm. S’ka njeri në rruzullin tokësor që i di shkëlqyeshëm 12 deri 15 lëndë, shtuar këtu edhe 6 deri 9 lektyra qindra faqesh në lëndën e gjuhës shqipe dhe të letërsisë si dhe 6 lektyra në maqedonisht. Të gjitha këto për një vit shkollor. Ka nxënës që në lëndën e edukatës fizike kanë pesë, ndonëse brenda katër viteve, në orën e fizkulturës, pothuajse asnjëherë nuk kanë qenë të pranishëm. Institucionet e arsimit dhe shoqëria duhet ta dinë se më 1 qershor nxënësi, mesataren e notës e ka 3,5 ose 4,00, ndërkaq më 10 qershor i njëjti kalon me 5,00. Për dhjetë ditë nxënësi bëri një kërcim note me përmasa astronomike. Kësaj i thonë fryrje notash. Nxënësi më 9 qershor ka 12 nota të dobëta, ndërkaq më 10 qershor kalon pastër. Madje, ka shumë të tillë që nuk shkojnë as në riprovim. Ka raste kur kujdestari i drejtohet profesorit me fjalët: “Të lutem, a bën t’ia kthesh X nxënësit njëshin, ngase dje pati 10 nota të dobët, e sot kalon pastër”? Për një ditë u përmirësuan të gjitha notat e dobëta. Nuk është fjala për një apo dy raste, por për dhjetëra dhe qindra nxënës. Ka shumë raste kur nxënësi i vihet arsimtarit apo profesorit në korridor për t’i kërkuar notë të dëshiruar. Nxënësi i dobët e lut për notë kaluese, ndërsa ai mesatar i kërkon pesë. Kjo dukuri ndodh dy-tri ditë para se të mbahet këshilli i arsimtarëve. Arsimtari apo profesori që është me kredibilitet të diskutueshëm e pranon kërkesën e nxënësit dhe e jep notën duke e shpërfillur institucionin e kujdestarit të klasës, e sidomos këshillin. Dikur nxënësi s’ka ditur ku është zyra e arsimtarëve, sot ndërkaq ka raste kur zyra vlon prej nxënësve.
Profesori që është i mirë për të gjithë nxënësit, mbase është demagog. Si mund të jesh i mirë, si për nxënësin e dalluar, ashtu edhe për atë që ka 12 nota të dobëta dhe 100 mungesa?! Kur një person e lëvdojnë dhjetë vetë të cilët janë në antagonizëm të ashpër ndër vete, atëherë rezulton se personi i çmuar është demagog, oportunist dhe konformist.
Në 10-15 vitet e fundit, në riprovime nuk ka ngelur as edhe një nxënës i vetëm, ndonëse në riprovim s’e ka çelur gojën fare dhe në fletën e detyrave me shkrim nuk ka shkruar as edhe një shkronjë të vetme. Madje ka nxënës që në riprovim vijnë pa stilolaps!
Ka raste kur nxënësi kalon nga një shkollë në tjetrën. Ndërkohë ai u nënshtrohet provimeve diferenciale. Në të shumtën e rasteve, këto provime diferenciale janë një formalitet i kulluar. Nuk mbahet mend të ketë ndonjë nxënës që s’ka mundur t’i japë këto farë provime, edhe pse disa prej tyre në provim s’e çelin gojën fare. Kuptohet, qëllimi i shkollës nuk është ngelja e nxënësit apo përjashtimi i tij. Shkolla është institucion edukativ dhe arsimor. Mirëpo, shkolla nuk duhet të shndërrohet në ent social apo në shtëpi ndëshkimore-përmirësuese. Formalitetet nuk shpijnë gjëkundi.
Nxënësin sot, as mund ta ngelësh, as mund ta përjashtosh nga shkolla. Ndaj tij nuk mund të zbatosh as masa fizike. Në rrethana të tilla, nxënësi ndodhet në pozitë të privilegjuar. Duke e ditur se as mund t’i ngelësh, as mund t’i përjashtosh, një kategori e nxënësve akoma më shumë dalin prej binarëve shkollorë
Detyrimi parësor i mësuesit, i arsimtarit dhe i profesorit është të merren me punën edukative dhe arsimore, por jo edhe me ruajtjen e rendit dhe të disiplinës në shkollë. Arsimtari duhet të merret me realizimin e plan-programit mësimor dhe jo të humbë kohë me mungesat e nxënësve, përkatësisht me shkeljen e disiplinës. Me disiplinën e nxënësve duhet të merret ligji, rregullorja e shkollës si dhe personeli profesional i shkollës. Çdo bisedë që zhvillohet në klasë jashtë njësisë mësimore, përfshi edhe sugjerimet që ndërlidhen me ruajtjen e rendit dhe të disiplinës, shkojnë në dëm të realizimit të plan-programit mësimor. Për disiplinën e nxënësve në klasë apo në shkollë mund të flitet kryesisht në orë të caktuara të kujdestarisë. Disiplina e drejtorisë së shkollës, e personelit profesional, e kuadrit të arsimtarëve dhe e nxënësve është diçka që vetëkuptohet. Shkolla nuk është çerdhe zbavitëse apo klub argëtimi. Nuk është as shtëpi ndëshkimore-përmirësuese. Shkolla që pandërprerë merret me disiplinën e nxënësve të padisiplinuar apo edhe të arsimtarëve të parregullt, lë të kuptosh se nuk merret sa duhet me zhvillimin e procesit mësimor.
Partitë politike shqiptare që merren me kalimin e nxënësve që kanë nga 12 nota të dobëta nuk e kanë preokupim ndryshimin gjendjes së mjerueshme në arsim. Shoqëria provinciale e qytezave shqiptare në Maqedoni - aq më pak. Arsimi përbën shtyllën kryesore të një shoqërie. Këtë e thonë gati të gjithë, por kjo thënie është bërë klishe dhe refren stereotip. Me arsim të nëpërkëmbur nuk mund të nxjerrësh breza që do të hynin në beteja politike me palën kundërshtare. Pa arsimim të mirëfilltë çdo betejë politike është e humbur.
Problemet e shumta në arsim dëshmojnë se nuk funksionojnë sa duhet, për të mos thënë fare - institucionet e arsimit, si të nivelit vendor, ashtu edhe të nivelit qendror. Para problemeve në arsim, i mbyllin sytë punëtorët e arsimit, nxënësit, prindërit, shoqëria. Si rrjedhojë, kemi një arsim jokonkurrent.
Zgjidhja e problemeve në arsim nuk është çështje individësh. Megjithëkëtë, sikur çdo individ që është pjesë e procesit arsimor të thotë se zgjidhja e problemeve të shkollës nuk varet prej tij, atëherë problemet në këtë fushë do të thelloheshin akoma më shumë. Për një arsimim cilësor, të gjithë duhet të jenë të ndërgjegjshëm: edukatorja në çerdhe, mësuesi, arsimtari, profesori, drejtori i shkollës, nxënësi, prindërit, familja, shoqëria, organet e shkollës, këshilli i shkollës, këshilli i prindërve, institucionet e arsimit, si të nivelit qendror, ashtu edhe atij vendor. Mbi të gjitha, duhet të ekzistojë ndërgjegjja e individit, por edhe zbatimi i ligjit, nën premisën që ligji të jetë demokratik dhe jo restriktiv.
Procesi i arsimit është zinxhir që përbëhet nga arsimi fillor, i mesëm dhe ai universitar. Cilado hallkë e këtij vargu të mos funksionojë si duhet, e çrregullon krejt procesin.
Cilësia e mësimit në arsimin fillor, d.m.th. në shkollat tetëvjeçare as prej së largu nuk është në nivel të duhur. Prej shkollave fillore, për në të mesmet, nxënësit përcillen me njohuri të kufizuara, të reduktuara dhe të ulëta. Kuptohet, me përjashtime të caktuara. Edhe kriteri i vlerësimit nëpër shkollat tetëvjeçare është i diskutueshëm. Një përqindje e madhe e nxënësve, të cilët nga tetëvjeçarja për në shkollë të mesme përcillen me notën 5.00, në gjysmë vjetorin e parë të shkollës së mesme, kanë prej 1 deri në 12 nota të dobëta. E pabesueshme!! Këtë e dinë më së miri institucionet e arsimit që e përcjellin suksesin e nxënësve të viteve të para të shkollave të mesme, për ta krahasuar suksesin e tyre me atë të fillores. S’ka cilësi në shkollat fillore, kur mësuesi apo arsimtari, brenda një viti: s’ka lexuar asnjë roman dhe asnjë poezi, s’ka parë asnjë pjesë teatrale, s’ka blerë një gazetë ditore, s’ka prekur gazetë me dorë.
Një përqindje e madhe e mësuesve, e arsimtarëve apo e profesorëve të shkollave fillore dhe të mesme, në zyrat e arsimtarëve komunikojnë ndër vete, jo në gjuhën letrare shqipe, por në të folmen e katundit të tyre. Këta të ashtuquajtur mësues, arsimtarë dhe profesorë, nuk e kanë vendin në shkollë. I mjerë është ai popull që duhet të marrë mësim, dituri, edukim dhe formim prej kësaj kategorie mësimdhënësish.
Shumë mësues, arsimtarë apo profesorë, të cilësdo lëndë qofshin, nuk gjejnë kohë për të lexuar krijime letrare artistike, poezi, prozë, dramë. Një pjesë e madhe e tyre nuk shkojnë në teatër, nuk marrin pjesë në ndonjë manifestim letrar, nuk i vizitojnë panairet e librit, nuk çelin gazetë, nuk prekin revistë, rrallë blejnë libër, për të mos thënë kurrë.
Ka pasur raste kur disa arsimtare të shkollës fillore orën e lirë s’e kanë humbur kot. Ato, në vend që të lexojnë një gazetë, revistë apo vepër letrare, në zyrën e arsimtarëve kanë bërë tentene, kanë thurur xhemper dhe kanë shkruar receta për ndërtimin e ëmbëlsirës së caktuar.
Kushtet në shkolla - Ka pasur shkolla fillore, por edhe të mesme, me mësim në gjuhën shqipe, që kanë funksionuar me nga tri ndërresa. Ka pasur paralele me nga 40 deri 50 nxënës. Kjo gjendje e mjerueshme mbase nuk është zgjidhur as sot e kësaj dite. Cilësia në paralelet me 40 deri 50 nxënës është utopi dhe mashtrim. Në shkollat që punojnë në tri ndërresa nuk mund të flitet për kurrfarë cilësie mësimore Në anën tjetër, legjenda thotë se ka “paralele” maqedonase që funksionojnë me tre nxënës. Shkollat shqipe në Maqedoni janë nën standardet evropiane. Disa sosh, janë ndërtuar menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore. Si të tilla, nuk i plotësojnë as edhe kushtet themelore për t’u konsideruar objekte shkollore. Nëpër shkollat shqipe në Maqedoni mungojnë: hapësira për kokë nxënësi, bibliotekat (lektyrat shkollore, literatura për lëmenj të ndryshëm, fjalorët e fushave të ndryshme, leksikonet, enciklopeditë), kabinetet (për fizikë, për biologji, për informatikë, për histori, për gjeografi); laboratorët e kimisë; sallat e fizkulturës, (mjetet gjimnastikore); infrastruktura bashkëkohore, mjetet dhe preparatet higjienike. Nëpër shkollat shqipe në Maqedoni një tualet është në përdorim të 300 nxënësve, ndërkaq në Evropë një tualet është në përdorim të 30 nxënësve dhe i njëjti çinfektohet çdo orë. Ndërkaq tualetet e shkollave shqipe në Maqedoni çinfektohen një herë në muaj, për të mos thënë një herë në tre muaj. Ka shkolla të mesme shqipe me 200 profesorë. Në dispozicion të rreth 60 profesorëve janë dy tualete (për meshkuj dhe për femra) me nga dy metra katrorë me furnizim të parregullt uji. A mund të flitet për higjienë në këtë mes?!
Ka arsimtarë dhe profesorë që janë duhanxhinj. Për ta parandaluar pirjen e cigareve në zyrën e arsimtarëve, përkatësisht në korridor, për duhanpirësit organet e shkollës duhet të krijojnë hapësira përkatëse. Cigare pinë edhe një përqindje e caktuar e nxënësve. Hapësira ku pinë janë kryesisht tualetet johigjienike të shkollës dhe oborri i saj. Ka të tillë që ndezin cigare edhe në korridorin e shkollës. Arsimtar apo profesori, duke pirë cigare në korridorin e shkollës, nuk reflektojnë pozitivisht te nxënësit.
Higjiena në shkolla - Drejtorët e shkollave duhet të dinë se deratizimi (asgjësimi i minjve), dezinsektimi dhe çinfektimi i hapësirave të shkollës duhet të bëhet çdo vit dhe jo një herë në dhjetë vjet. Ndërkaq, çinfektimi i tualeteve duhet të bëhet disa herë në ditë dhe jo një herë në javë, për të mos thënë asnjëherë. Kuptohet, për të mbajtur higjienën në shkollë nevojiten edhe mjete financiare. Organet e pushtetit vendor duhet të dinë se një shkollë me mbi tre mijë nxënës duhet të jetë e pajisur pandërprerë, në mos me ujë të pijshëm, të paktën me ujë për nevoja higjienike. Si pasojë e moskryerjes së deratizimit, ka raste kur në shkollat shqipe në Maqedoni miu shëtit nëpër klasë, mu në mes të orës, në prani të nxënësve dhe të arsimtarit apo të profesorit. Sapo e shohin miun në klasë, shpërthen reagimi i zëshëm dhe i përnjëhershëm i 37 nxënësve, një pjesë e të cilëve kërkojnë shpëtim duke hipur mbi karrige. S’kanë faj minjtë. Në një kënd të klasës ndodhet shporta e hedhurinave. Pas pushimit të gjatë, duke qenë nën çdo standard, ajo stërmbushet dhe hedhurinat hedhen rreth saj. Niveli i ulët i higjienës nëpër shkolla flet edhe për nivelin e ulët moral dhe profesional të kolektivit të shkollës. Sa për prindërit, atyre kjo nuk u intereson fare. Ideal i vetëm i prindit, i çdo prindi, është që fëmija i tij të kalojë me 5.00, qoftë edhe dyshi t’i bëhet pesë.
Ka raste kur nxënësit gjatë pushimit të gjatë hanë ushqim në klasë. Shkolla në të cilën nxënësit hanë ushqim në klasë nuk meriton të quhet shkollë.
Tekstet shkollore – Autorë të teksteve për shkollat fillore dhe të mesme, kryesisht janë maqedonasit. Për t’u përdorur nga nxënësit shqiptarë, tekstet përkthehen në shqip. Shumica e përkthyesve të teksteve shkollore nga maqedonishtja në shqip janë mësues, arsimtarë apo profesorë të cilët nuk dinë se ç’është përkthimi, nuk e dinë drejtshkrimin, për të mos dalë te sintaksa e shqipes. Prej tekstit shkollor, të përkthyer në mënyrë diletante, nxënësi nuk mund të marrë dituri.
Me arsimin ndërlidhen dy lloj interesash: interesi i individit dhe interesi i shoqërisë. Faktorë të rëndësishëm të procesit arsimor janë shkollat, me përbërësit e tyre, siç janë: drejtorët e shkollave, arsimtarët dhe nxënësit. Ka që thonë se pjesë e procesit arsimor janë edhe prindërit, përkatësisht familja. Pjesë e procesit arsimor janë edhe institucionet arsimore të shtetit, të nivelit vendor dhe atij qendror.
Prej vitit 1991 e deri më sot, asnjë nga këta faktorë apo përbërës, nuk ka funksionuar si duhet, për të mos thënë fare s’ka funksionuar. Me fjalë të tjera, nuk kanë funksionuar si duhet dhe sa duhet shkollat fillore, shkollat e mesme, as universitetet. Nuk kanë funksionuar si duhet dhe sa duhet drejtorët e shkollave, personeli profesional i shkollave (pedagogu, psikologu, sekretari, kontabilisti), arsimtarët dhe profesorët. Shkallë të ulët të përgjegjësisë kanë pasur dhe nxënësit. Prindërit apo familja, te nxënësi e shohin vetëm interesin e fëmijës së tyre, duke e shpërfillur plotësisht dimensionin shoqëror të arsimit. Në njëzet vitet e kaluara të pluralizmit dhe të kuazi-demokracisë, nivel të ulët të funksionimit të përgjegjshëm kanë manifestuar edhe institucionet arsimore të shtetit, si të nivelit vendor, ashtu dhe të atij qendror. Si pasojë, arsimi shqiptar në Maqedoni, në 20 vitet e fundit, d.m.th. gjatë periudhës së tranzicionit, ka shënuar rënie të tmerrshme. Rënia është kryer shkallë-shkallë, nga viti në vit, për të arritur sot një shkallë tronditëse dhe dramatike.
Periudha e tranzicionit, nuk është as socializëm as kapitalizëm, por gjysmë-barbarizëm.
Kur faji përgjithësohet, bëhet e pamundur të zbulohet fajtori konkret. Mirëpo, askush nuk mund të jetë fajtor më i madh se faktori vendimmarrës. Për të kërkuar përgjegjësi konkrete, nevojitet: përkryerja e sistemit arsimor; vendosja e rendit dhe e ligjit; zbatimi i ligjit; konstatimi i përgjegjësisë konkrete; dhe marrja e masave sanksionuese. Për ta realizuar këtë që u tha më sipër, nevojitet që shoqëria shqiptare në Maqedoni të manifestojë kapacitet për krijimin e institucioneve dhe për administrimin e tyre. Pa kapacitet për krijimin dhe për administrimin e institucioneve, kjo shoqëri kurrë nuk do të arrijë të manifestojë kapacitet shtetndërtues.
Një shoqëri matet me ekspertët e vet në lëmenj të ndryshëm. Përqindja e ekspertëve shqiptarë në Maqedoni sot është simbolike. Gjatë këtyre dy dhjetëvjeçarëve, si pasojë e devijimeve në arsim, janë marrë në qafë një numër i madh i nxënësve të talentuar. Qëndrimi rrënues i shoqërisë shqiptare ndaj arsimit është drejtpërsëdrejti në dëm të nxënësve të talentuar. Në rrethanat kur arsimi shqiptar nuk është në nivel të duhur, nxënësit e talentuar pësojnë, ndërsa talenti i tyre – shuhet.
Shqiptarët në Maqedoni, krahas politikës shtetërore mbi arsimin, duhet të ndërtojnë edhe politikën vetanake në këtë fushë. Shoqëria shqiptare në Maqedoni, prej vitit 1991 e deri më sot, nuk ka ndërtuar kurrfarë politike arsimore. Për shkak të mungesës së një strategjie arsimore afatgjate, një numër i caktuar i nxënësve shqiptarë të talentuar, nuk arritën ta zhvillojnë talentin e tyre. Kapaciteti i tyre për ngritje profesionale u relativizua.
Ndërkohë, moshatarët sllavë të tyre, me mjetet e përbashkëta të buxhetit shtetëror përkryhen në institucionet dhe në universitetet më prestigjioze të Perëndimit. Askush nuk mund t’i ndalojë shqiptarët të punojnë më mirë dhe më shumë. Problemi qëndron në faktin se shqiptarët nuk manifestojnë kapacitet të duhur organizativ.
* * *
Shqiptarët duhet të vënë gishtin në mendje dhe të pyesin: “Përse vallë për disa shkolla profesionale me mësim në gjuhën shqipe interesimi i nxënësve dhe i prindërve është i dobët”?! Shkollat profesionale të një vendi janë të ndërlidhura ngushtësisht me zhvillimin e ekonomisë dhe të industrisë si dhe me rritjen e vazhdueshme të kapaciteteve për përthithjen e fuqisë punëtore të kualifikuar. Pa ekonomi dhe industri shkollat profesionale më kot funksionojnë.
Legjenda thotë se në periudhën e viteve 1960-1990, gjimnazi i Tetovës ka qenë i njohur në mbarë Jugosllavinë. Për të paskëshin dëgjuar edhe profesorët e Universitetit të Zagrebit, të Universitetit të Beogradit ...Gjatë periudhës së tranzicionit ky gjimnaz ballafaqohet me probleme të caktuara që kërkojnë zgjidhje. Kjo nuk mund të bëhet pa mbështetjen e pjesës së ndërgjegjshme të shoqërisë.
Gjimnazi i Tetovës sot ka mbi tre mijë nxënës. Për nga numri i nxënësve, mbase është një ndër më të mëdhenjtë në Evropë. Në to mësimi zhvillohet në pesë objekte shkollore. Disa sish janë ndërtuar para Luftës së Dytë Botërore, d.m.th. janë të vjetra rreth 100 vjet. Në to nuk ka as kushte minimale për zhvillimin normal të procesit edukativo-arsimor. A mund të drejtohet me sukses një shkollë me përmasa gjigande prej një drejtori, prej një pedagogu dhe një sekretari të vetëm?! Mbi tre mijë nxënës e ndjekin mësimin në pesë objekte shkollore, të ndara në tri hapësira të veçanta, tre prej tyre pa sallë fizkulture dhe që të gjithë me një bibliotekë e cila për nga fondi i librave nuk mund të krahasohet as me bibliotekën private të një individi, bibliotekë në të cilën një numër i madh i librave janë të Josip Broz Titos, në gjuhën serbo-kroate dhe në të cilët flitet për vetëqeverisjen socialiste, për luftën e partizanëve, për ofensivat e armikut në Sutjeskë, për heroizmin komandantit legjendar Sava Kovaçeviqit, për kongreset e Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë si dhe për planin e parë pesëvjeçar. Se çfarë procesi mësimor mund të zhvillohet në një gjimnaz të këtillë, mund të merret me mend.
Kërkesa e paraqitur nga shkolla për ndarjen e saj nuk është duke u realizuar. Është detyrë e faktorit politik shqiptar në Maqedoni, e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës të RM-së, e organeve dhe e institucioneve të arsimit - të shkallës qendrore, e organeve të arsimit - të nivelit vendor, e drejtorit të shkollës, e këshillit të arsimtarëve, e këshillit të shkollës, e këshillit të prindërve dhe e mbarë shoqërisë që këtë shkollë me përmasa galaktike dhe pa ujë të pijshëm ta ndajnë në dy shkolla, përkatësisht në dy gjimnaze. Asnjë nga faktorët e sipërthënë nuk tregon interesim të duhur dhe nuk ndërmerr hap konkret për zgjidhjen e çështjes së sipërthënë. Përse nuk krijohen dy subjekte shkollore të veçanta, kur komunën dhe këshillin e saj e qeverisin shqiptarët dhe kur shndërrimi i këtij gjimnazi në dy subjekte të veçanta nuk i cenon interesat e palës maqedonase?! Zvarritja e zgjidhjes së kësaj çështjeje flet për nivelin e ulët të përgjegjësisë historike të faktorëve vendim-marrës si dhe për mjerimin intelektual të tyre. Kur është fjala për interesat meskine të tyre, ata shpejt gjejnë gjuhë të përbashkët, si në rrafshin brenda-etnik, ashtu edhe në atë ndëretnik.
Kur është fjala për gjimnazin e Tetovës, duhet shtuar edhe një dimension tjetër të tij. Përkundër faktit se në të mësojnë mbi tre mijë nxënës, deri më sot nuk kanë ndodhur zënka, rrahje apo konflikte ndërmjet nxënësve, apo midis tyre dhe profesorëve. Kjo dëshmon se nxënësit shqiptarë në Maqedoni, pavarësisht nga kushtet e rënda në të cilat zhvillohet procesi mësimor, kanë shkallë të lartë të ndërgjegjes. Natyrisht, kjo është edhe meritë e drejtuesve të shkollës, përkatësisht e kuadrit të arsimtarëve. Përveç kësaj, duhet theksuar edhe shëtitjet e nxënësve të viteve të treta. Çdo vit nga gjimnazi i Tetovës nisen për në Shqipëri përnjëherë 500-600 nxënës për shëtitje 5-6 ditore. Përkundër këtij numri kaq të madh nxënësish, deri më sot nuk ka ndodhur kurrfarë incidenti. Edhe kjo dëshmon se nxënësit shqiptarë në Maqedoni, marrë në tërësi janë tejet të edukuar.
Ekskursionet gjashtë ditore të shkollave duhet të realizohen me jo më shumë se 100 nxënës. Ka shkolla që çojnë në ekskursion rreth 600 nxënës përnjëherë!! Ekskursionet me 600 nxënës nuk janë veçse shëtitje të thjeshta, për të parë kafeteri dhe qendra tregtare, pa kurrfarë karakteri kulturor edhe mësimor.
Nuk mbahet në mend që në shkollat shqipe në Maqedoni ndonjë nxënësi t’i jetë ngrënë haku nga ndonjë arsimtar apo profesor, për shkak se prindi i tij i ka takuar partisë politike oponente. Kjo është diçka hyjnore.
Nuk ka arsim cilësor: pa kategorizimin e nxënësve; pa përzgjedhjen e kuadrit arsimor; pa rend dhe disiplinë; pa zbatimin e masave pedagogjike dhe administrative; pa i larguar nga shkollat elite shkelësit e rendit dhe të disiplinës, duke i riorientuar në shkolla të tjera profesionale; pa i përsëritur nxënësit e dobët të shkollave elite, duke i riorientuar në shkolla të tjera profesionale; pa krijuar në shkolla kushte dhe standarde bashkëkohore; pa depolitizimin dhe departizimin e shkollave; pa stimulimin e nxënësve të dalluar.
Në qoftë se në shkollat profesionale nxënësi nuk duhet ta përsërit vitin shkollor, d.m.th. të ngelë, atëherë ky rregull nuk mund të vlejë për shkollat elite siç janë gjimnazet. Por, sikur regjistrimi në gjimnaze të bëhej me kritere të mirëfillta, atëherë nxënësi i dobët as që do të mund të regjistrohej në to. Rrjedhimisht, në gjimnazet e tilla nuk do të përsëriste askush.
Kur arsimi shqiptar në Maqedoni sot ndodhet në krizë, është vështirë të bëhet dallimi ndërmjet shkollave elite, d.m.th. gjimnazeve dhe atyre profesionale.
Mësuesit, arsimtarët apo profesorët, për nga pikëpamja etike, profesionale, pedagogjike dhe e vitalitetit nuk janë të barabartë. Mësuesi, arsimtari apo mësuesi që është i lodhur menjëherë duhet të pushohet nga puna në arsim. Profesori që u jep nxënësve shënime duke u diktuar nga fletorja e vet dhe pa koncept, në pikëpamje profesionale është i papërgatitur.
* * *
Domosdoshmëria për reforma - Arsimi ka nevojë për ndryshime. Ato mund t’i bëjnë vetëm njerëzit që punojnë në arsim dhe jo ata që rijnë nëpër zyra. Parakusht i ndryshimeve janë:
- Në degët e arsimit duhet të orientohen vetëm nxënësit e dalluar të gjimnazeve;
- Të ardhurat mujore të arsimtarëve duhet të jenë dy herë më të larta se që janë sot, në mënyrë që për profilet e arsimit të motivohen nxënësit e dalluar;
- Një gjimnaz që ka mbi 3000 nxënës, siç është gjimnazi i Tetovës, duhet të ketë maksimum 600 nxënës. Me fjalë të tjera, një gjeneratë e këtij gjimnazi duhet të ketë jo më shumë se 150 nxënës;
- Klasat duhet të kenë jo më shumë se 20 deri 25 nxënës;
- Shkolla elite duhet të jetë e pajisur me infrastrukturë shkollore dhe me mjete mësimore sipas standardeve evropiane;
- Regjistrimi i nxënësve në një gjimnaz të këtillë, në të cilin, në vitin e parë do të pranoheshin jo më shumë se 150 nxënës, duhet të bëhet me provim pranues të jashtëm (ekstern), madje nën mbikëqyrjen e kamerave dhe pa telefona celularë në xhep;
- Regjistrimi në fakultete i maturantëve të diplomuar, duhet të bëhet me provim pranues;
- Në një gjimnaz të këtillë, kuadri i arsimtarëve duhet të pranohet me kritere profesionale, d.m.th. duhet të punojë kuadri arsimor i zgjedhur;
- Në një gjimnaz elit, profesori sapo të mbushë moshën 50 apo 55 vjeç, duhet të pushohet nga puna;
- Në një gjimnaz elit duhet të angazhohet si profesor vetëm personi që si shkollë të mesme ka të kryer gjimnazin dhe jo personi që ka të kryer ndonjë shkollë profesionale;
- Një gjimnaz elit kërkon depolitizim dhe departizim të plotë;
- Një gjimnaz elit kërkon mbështetjen e faktorit politik, të organeve arsimore, të nivelit qendror dhe komunal si dhe të mbarë shoqërisë;
- Nxënësit e dalluar të gjimnazit elit duhet të motivohen me bursa nga organet arsimore qendrore dhe vendore si dhe nga shoqëria;
- Nxënësit e dalluar të gjimnazit elit duhet të mbështeten me bursa edhe gjatë studimeve universitare. Ata duhet të dërgohen për ngritje profesionale dhe për studime të mëtejme në universitetin e Zagrebit si dhe në universitetet prestigjioze të Perëndimit.
Rreth 15 për qind e nxënësve aktualë të shkollave të mesme shqiptare në Maqedoni duhet të jenë nxënës të gjimnazeve. Të tjerët (85% sish) duhet të orientohen në shkolla profesionale.
Duke qene se shumë prindër dëshirojnë që fëmijët e vet me çdo kusht t’i regjistrojnë në gjimnaze, pavarësisht se nuk i plotësojnë kriteret e regjistrimit në këtë lloj shkolle, atëherë për nxënësit mesatar do të mund të themeloheshin gjimnaze numër 2,3,4...
Prej pesëmbëdhjetë përqindëshit të sipërthënë të nxënësve të përzgjedhur, pesë për qind janë nxënës të dalluar. Kjo përqindje duket e ulët, por çdo gjë e paktë është e vlefshme. Shoqëria shqiptare në Maqedoni dhe institucionet shtetërore të arsimit, të nivelit vendor dhe qendror, pesë përqindëshin e nxënësve shqiptarë të dalluar do të duhej ta mbështetnin dhe ta motivonin në të gjitha mënyrat, përfshi edhe mbështetjen financiare dhe dërgimin e tyre në universitetet prestigjioze të Perëndimit.
Pas 30 vjet funksionimi të gjimnazeve elite, shoqëria shqiptare në Maqedoni do të mund t’i shihte frytet e para të ndryshimeve. Cilësia e arsimit të një vendi matet me ekspertët e tij, me zbulimet dhe shpikjet, me risitë tekniko-teknologjike, me krijimet letrare-artistike, me shkallën e zhvillimit ekonomik si dhe me kapacitetin demokratik.
Vetëm një shoqëri me inteligjencie profesionalisht dhe moralisht të ngritur mund të bëjë transformime politike, ekonomiko-shoqërore dhe kulturore të mirëfillta. Ndryshe, shqiptarët në Maqedoni, me një arsim jokonkurrent siç është sot, do të shënojnë ngecje dramatike.
Po qe se shqiptarët nuk do ta ndërpresin qëndrimin destruktiv ndaj arsimit vetanak, edhe pas 30 vjetëve, në çarshinë e qytezës, do t’i dëgjosh duke thënë: “Na mbytën shkijet, na shfrytëzojnë, na shtypin, na shkelin, na bëjnë padrejtësi...”. Asnjë popull në histori nuk ka fituar liri më tepër se ç’ka merituar. “Liri ke aq sa lufton për çdo ditë për të” – thotë Gëteja.
Me disa nga problemet e lartpërmendura në lëmin e arsimit pa dyshim ballafaqohen edhe vendet e tjera të rajonit.
* * *
Prindërit s’kanë kurrfarë njohurie për gjendjen e arsimit shqiptar në Maqedoni. Ata nuk i dinë hollësitë. Pa qenë brenda nëpër shkolla, s’mund ta dish situatën në to. Madje, ka dhe të tillë që punojnë nëpër shkolla dhe përsëri s’e dinë diagnozën nga se lëngon arsimi shqiptar në Maqedoni, e aq më pak terapinë e sëmundjes. Shoqëritë e qytezave kanë psikologji provinciale, ndaj provincialisti, përpos interesit të vet meskin, s’njeh dot asnjë interes tjetër. Ai as ka vizion për interesin e përgjithshëm, as i intereson një gjë e tillë. Provincialisti preokupim të vetëm ka veten dhe fëmijën e vet. Interesi personal, i sendërtuar jashtë interesit të përgjithshëm, nuk ka vlerë të madhe. Me këtë sjellje të papërgjegjshme të faktorit politik dhe të shoqërisë shqiptare, shqiptarët do të mbeten inferiorë ndaj palës tjetër. Shoqëria shqiptare në Maqedoni ndodhet në letargji, është në shkallë të ulët të zhvillimit intelektual dhe të emancipimit, është provinciale, funksionon me mikrovlera, me mikrosisteme, me mikrostruktura dhe vepron në mikroplan. Institucionet kulturore nuk krijohen duke vepruar në mikroplan. Shoqëritë në shkallë të ulët të zhvillimit intelektual dhe me psikologji provinciale, as i vërejnë dukuritë negative në arsim, as shqetësohen për to. Jovlera bëhet normalja e tyre. Një popull me arsimim të dobët dështon edhe në rrafshin politik. Nuk është e rastit që pesë shkollat e mesme të Tetovës me 90% nxënës dhe profesorë shqiptarë mbajnë emra sllavësh. Politika kombëtare nuk është punë e tyxharëve dinakë. Nuk është e rastit që shqiptarët në Maqedoni, prej vitit 1991 vazhdojnë të merren me të njëjtën çështje - gjuhën dhe flamurin. Nuk është rastësi që hapësirat shqiptare në Maqedoni, në aspektin ekonomik dhe financiar janë shndërruar në koloni sllave. Nuk është rastësi që Tetova, qytet me dy universitete, nuk ka ujë të pijshëm, nuk ka bibliotekë, nuk ka teatër. Mirëpo ka vendgrumbullim të egër hedhurinash që kohë pas kohe digjen për t’i ndotur arat pjellore të Pollogut dhe bjeshkët e blerta të Sharrit, në Evropën e shekullit XXI.
Shqiptarët kurrë s’kanë pasur më shumë magjistra dhe doktorë shkence se tash, por asnjëherë s’kanë pasur më pak studiues të mirëfilltë se sot.
Arsimi shqiptar në Maqedoni troket dhimbshëm në ndërgjegjen e intelektualit dhe të mbarë shoqërisë.
Arsimi duhet të jetë synim strategjik i një kombi.