Koloneli anglez: Si funksiononte korrupsioni në qeverinë e Ahmet Zogut

Koloneli anglez: Si funksiononte korrupsioni në qeverinë e Ahmet Zogut Ahmet Zogu Kujtimet Dayrell R. Oakley-Hill nga vitet e tij në Shqipër...

Koloneli anglez: Si funksiononte korrupsioni në qeverinë e Ahmet Zogut

Ahmet Zogu


Kujtimet Dayrell R. Oakley-Hill nga vitet e tij në Shqipëri

“Ndodhte që Parlamenti votonte një shumë për riparimin e një rruge dhe rruga nuk riparohej kurrë”

“Problemi i Zogut, nuk ndryshonte ministrat”

Buxheti i shtetit nuk kishte shumë para dhe ministrat nuk mund të krijonin ndonjë pasuri të madhe, por ama i gjenin mënyrat se si të përfitonin diçka. Për shembull, të përvetësonin fondet për rehabilitimin e një rruge. Një formulë shumë e njohur kjo, që me sa duket funksiononte gjatë qeverisjes së Ahmet Zogut. Këtë na e sjell sot një dëshmitar i kohës, i cili ishte i paanshëm. Bëhet fjalë për kolonel Dayrell R. Oakley – Hill, i cili u gjend në Shqipëri në vitet ’30, për të marrë pjesë në misionin e riorganizimit të xhandarmërisë shqiptare. Ushtaraku britanik ka pasur mundësi ta shohë nga afër e ta takojë Mbretin Zog, duke qenë që shërbente si përkthyes për shefat e tij. Ai përshkruan tiparet e Mbretit Zog, por edhe të qeverisjes së tij. Këtë e bën në librin e tij me kujtime “Një anglez në Shqipëri: Kujtimet e një Zyrtari britanik, 1929-1955”, nga i cili albanologu Robert Elsie ka përzgjedhur një ekstrakt për ndjekësit e faqes së tij në internet. Një profil i Mbretit Zog sipas këndvështrimit të një britaniku.                 al.mi/panorama

 
Koloneli anglez Dayrell R. Oakley-Hill
Gjeneral Percy pati një takim javor me Mbretin për të diskutuar të kaluarën, të tashmen dhe të ardhshmen e xhandarmërisë. Kur shqipja ime ishte mjaftueshëm e mirë, ai nisi të më marrë me vete për të përkthyer. Sigurisht që kjo nuk pati asnjë pasojë mbi përkthyesin e tij. Kjo u bë thjesht për faktin se ai instinktivisht e dinte se Zogu do të fliste lirshëm me të, nëse asnjë shqiptar nuk ishte i pranishëm dhe, me sa duket, ai kishte pasur të drejtë. Mbreti më pranoi dhe, për fat të mirë, fliste një shqipe të qartë dhe të kuptueshme. Ai ishte gjithmonë i gatshëm për të dhënë pikëpamjet e tij për çdo çështje dhe për çdo personalitet. Zogu ulej në një tavolinë të madhe, në anën e largët të një salle shumë të madhe, praktikisht pa asnjë mobilie tjetër, përveç qilimave të gjerë orientalë. Ne u futëm brenda nga shefi i tij i protokollit ose nga një prej oficerëve të tij, si kolonel Hysen Selmani, komandanti i Gardës Mbretërore. Mbreti gjithmonë do të ngrihej dhe do t’i vinte rrotull tryezës së tij për të na shtrënguar duart dhe pastaj ne do të uleshim në karriget kundruall në tryezën e tij. Hera e parë ishte pa dyshim nervozuese. Por mund të kujtoj vetëm një rast më vonë, kur, për shkak të shqetësimit dhe emocionit, e humba gjithë fillin e fjalisë – Zogu ishte i prirë të thoshte shumë gjëra në të njëjtën kohë – dhe m’u desh t’i kërkoja ta përsëriste të gjithën edhe një herë. Ai e bëri këtë me shumë mirësjellje dhe pa një fjalë fyese. Zogu ishte shumë i dhënë për të treguar histori, qoftë për të shkuarën e tij apo copëra të historisë. Kishte një sens të mirë humori dhe gjithmonë dukej i qetë dhe gjakftohtë. Ai më dha përshtypjen e të qenët optimist, një cilësi që i duhej për të parë përtej punëve të komplikuara që kishte ndërmarrë: të ishe Mbret i Shqipërisë së re, me trashëgiminë e saj e shefave të pavarur, tendencat e kundërta në politikën lokale dhe varësia ekonomike nga mbështetja e jashtme. Ndoshta Zogu i ka luajtur kartat e tij aq mirë, saqë Musolini më në fund e humbi durimin dhe përdori grushtin e rëndë.
Zogu ishte i gjatë dhe i hollë dhe e mbante veten mirë. Ai kishte tipare të forta dhe të pastra, me mustaqe të holla dhe me sy të mendueshëm dhe depërtues. Ai nuk dukej aspak si kreu malor në tekstet shkollore, edhe pse Zogolli ishte një nga familjet kryesore të Matit. I lindur në vitin 1895, Ahmet Zogu ishte i biri i Xhemal Pashë Zogut dhe Sadijes, nga familja Toptani. Ai shkoi në shkollë në Turqi, ku ndoqi një shkollë ushtarake, por u kthye në Shqipëri vetëm para luftërave ballkanike të 1912-s. Edhe pse vetëm 17 vjeç, ai menjëherë mori pjesë aktive në politikë dhe u bashkua me grupin e patriotëve nën Ismail Qemal Vlorën, i cili shpalli pavarësinë e Shqipërisë në Vlorë më 28 nëntor 1912. Ai ishte aktiv për vitet e ardhshme në fushën ushtarake. Zogu mori kontrollin e Matit dhe udhëhoqi njerëzit e tij kundër serbëve, malazezëve dhe pushtuesit bullgarë, dhe mbrojti territorin e vet kundër fraksioneve të brendshme dhe elementeve intriguese. Ai mbështeti Princin Wilhelm Wied, i cili ishte emëruar nga Fuqitë e Mëdha si mbret i Shqipërisë në vitin 1913, por që qe në gjendje të qëndronte për vetëm disa muaj të 1914-s dhe u kufizua në Durrës, ku edhe kishte zbarkuar. Esad Pashë Toptani, xhaxhai i Ahmetit, ishte një njeri me ambicie dhe kishte ngritur forcat për të kundërshtuar Wied-in, dhe dukej disi xheloz për nipin e tij të njohur tashmë. Ahmetit iu desh të tërhiqej për ca kohë në Mat. Kur austriakët pushtuan vendin, edhe ata u bënë mjaft dyshues mbi cilësitë e Ahmetit dhe e internuan atë në Vjenë. Pas luftës, ai u kthye me vështirësi, dhe në vitin 1920 ishte shpirti udhëheqës në organizimin e Kongresit Kombëtar të Lushnjës, i cili riafirmoi pavarësinë e vendit.

Ahmet Zogu dhe Fan Noli


Edhe kundërshtarët e tij republikanë e pranojnë se Ahmet Zogu i ri veproi mirë në Kongres dhe i meritonte kreditet për të arritur deri atje.
Në qeverinë e re, të formuar pas Kongresit, Zogu u bë ministër i Punëve të Brendshme. Pas viteve të stuhishme gjatë së cilave ai u përball me kundërshtimin e disa qarqeve, të cilat mendonin se ai nuk ishte progresiv mjaftueshëm, iu desh të linte vendin për Jugosllavinë në vitin 1924. Por, me ndihmë të Jugosllavisë, ai u kthye dhe hyri në Tiranë, pas disa luftimeve më 24 dhjetor 1924. Kjo datë është quajtur nga mbështetësit e tij Dita e Legalitetit, dhe pasi u dëbua nga fashistët në vitin 1939, mbështetësit e tij, kudo që jetojnë, i përkasin Partisë së Legalitetit. Zogu u shpall President i Republikës së Shqipërisë, në bazë të një kushtetute të re, më 31 janar 1925, dhe në vitin e ardhshëm u nënshkrua marrëveshja e aleancës me Italinë. Ai u shpall Mbret i shqiptarëve më 1 shtator 1928.

* * *
Shumë njerëz e kritikonin Mbretin që u rrethua nga ata, që konsideroheshin si një bandë ministrash të korruptuar. Unë jam i sigurt se jo të gjithë ishin të korruptuar, por po aq me siguri them që disa ishin, nëse mund të besojmë vetëm një pjesë të gjërave që kemi dëgjuar në lidhje me mënyrat që ata përdornin. Nuk mendoj se ndonjë nga ministrat bëri pasuri, nuk kishte shumë para në të gjithë buxhetin e shtetit, gjithsesi. Por në të njëjtën kohë Parlamenti votonte, të themi, një shumë për riparimin e një rruge, dhe rruga nuk riparohej kurrë, dhe njerëzit pyesnin veten se ku kishin shkuar paratë. Lloji i korrupsionit që ndodhte vazhdimisht ishte politik, dhe kjo ishte e llojit që në asnjë mënyrë nuk do të mbyllej në Shqipëri. Ministrat pëlqenin të kishin pushtet dhe ta përdornin atë. Nëse dikush donte një punë në një zyrë qeverie, ose një vend për djalin e tij në një nga të paktat shkolla të mira, duhej më parë të takohej ministri në fjalë. Ministrat ishin lehtësisht të arritshëm nga individët, dhe duke u plotësuar një kërkesë, ata bënin një mik dhe përkrahës, kështu që ata mund t’u thoshin “po” atyre, mbështetja e të cilëve ata mendonin se mund të ishte me vlerë, dhe “jo” për të tjerët. Pasi të kishit bërë një shërbim për një ministër dhe ishit në “librat e tij të mirë”, ju mund të përfitonit ndonjë gjë me arsye. Nepotizmi ishte i përhapur, nëse keni pasur një mik, i cili ishte kushëri i një ministri (dhe nuk ishte zënë me të), fjala e mikut tuaj ishte pasaporta juaj e suksesit. Në të njëjtën mënyrë, një ministër mund të plotësonte kërkesën e një shefi lokal apo pronari toke, ose ndoshta prefektit, për të përfituar shërbime të veçanta në zonën e tij, dhe ai më pas do të fitojë mbështetje lokale.
Kabineti zinte kabinetin, por ndryshimet ishin të pakta. Nëse kryeministri nuk ishte Pandeli Evangjeli, ai ishte Koço (Kostaq) Kota, kush më shumë o kush më pak i zinin vendin njëri-tjetrin. Musa Juka ka mbetur në krye të Ministrisë së Brendshme për shumicën e kohës. Një nga njerëzit e kabinetit, ministër i Arsimit, la një përshtypje të mirë, bëhet fjalë për Hil Mosin, nga Shkodra, i cili dukej një njeri i sinqertë dhe serioz, i cili u përpoq t’i çonte gjërat deri në fund. Mbreti bëri një largim të papritur nga e zakonshmja. Kjo ndodhi në 1935-1936, kur ai ishte në mes të një grindjeje me italianët dhe nuk ka dyshim që dëshironte të theksonte pavarësinë e tij. Ndryshimi ndoshta u frymëzua edhe nga revolta në Fier. Mbreti ngriti një qeveri të re, me njerëz të rinj, nën Mehdi Frashërin. Frashëri ishte një ministër i provuar, i ndershëm, inteligjent dhe i ndjeshëm. Kryeministri duhet të ishte një njeri i përvojës dhe Frashëri ishte i vetmi për të cilin njerëzit e rinj do të binin dakord të punonin nën drejtimin e tij. Publiku u ndje i entuziazmuar dhe mendoi se një epokë e re kishte ardhur tashmë. E njihja shumicën e ministrave, dhe ishte e këndshme t’i vizitoje ata përreth. Shumica ishin të njohur si antiitalianë dhe disa kishin një formim austriak, çka ofronte siguri. Instinktivisht mund të mendoje se ata dëshironin të hiqnin qafe mënyrat e vjetra dhe me të vërtetë do të ndryshonin gjërat për mirë. Ky ishte një vit i lumtur, por ishte vetëm një vit. Papritmas u bë vjeshtë përsëri dhe gjethet u bënë kafe, zakoni i vjetër ishte kthyer sërish.
Mbreti nuk ishte budalla dhe unë mund të them vetëm se Frashëri, duke vlerësuar animin antiitalian të kabinetit të ri, ushtroi shumë presion mbi të – dhe jo për herë të parë ose të fundit.
Përgjigjja për pyetjen se pse Zogu normalisht mbajti grupin e vjetër të njerëzve si ministra është ndoshta se ai ishte i lidhur me politikën e brendshme. Para ardhjes së tij në krye, Shqipëria nuk kishte pasur asnjë qeveri të vetën për 450 vjet. Përveçse kur Skënderbeu i madh i shekullit të XV arriti një unitet të përkohshëm për shkak të personalitetit të tij dhe luftës së tij të jashtëzakonshme kundër pushtuesve turq, duke fituar mbështetjen e të gjithë popullit. Para tij vendi kishte jetuar nëpër shekuj nën sundimin klanor edhe kur nuk shqetësohej nga bullgarët, serbët, venecianët, normanët dhe romakët. Çfarëdo sundimi të ketë pasur Mbretëreshë Teuta dhe figura të tjera të hershme, nuk duhet të ketë qenë demokratike.

* * *
Zogu u përball me një situatë të re. Nuk ka pasur paqe nga 1912-1920, dhe kur Qeveria e Përkohshme ka filluar detyrën e saj, jo vetëm që Shqipëria ishte rrethuar nga tre fqinjë armiqësorë dhe të etur, por nuk kishte asnjë kohezion brenda vendit. Pavarësia e shqiptarit fillon në shtëpi me veten e tij, familjen e tij, klanin e tij, bajraktarin e tij, beun e tij. Të gjithë kishin idetë e tyre, ambiciet e tyre. A mund një demokraci e zakonshme moderne, me makinerinë e saj, të vendosur papritur në Tiranë, të kishte sukses në kontrollin apo unifikimin e vendit? E pamundur. Motivet e peshkopit Fan Noli dhe republikanëve të tjerë, qoftë në politikë apo jashtë, të cilët kundërshtuan Zogun, mund të kenë qenë krejtësisht të sinqerta, por ata e kishin me shumë ngut. Noli kurrë nuk do të ishte përballuar me përçarjet dhe tensionet e panumërta. Nevojitej komunikimi personal. Zogu kishte ngritur një prestigj ushtarak, politik, personal dhe nuk kishte njeri tjetër që mund të zinte vendin e tij. Ai e dinte se çfarë lloj njerëzish ishin drejtuesit lokalë dhe kishte mësuar se si të merrej vesh me ta. Ndoshta me dhurata, të holla, sigurisht duke pranuar prestigjin e tyre lokal, ai e mbajti ëmbël me ta dhe gradualisht fitoi mbështetjen e tyre dhe e mbajti atë në përgjithësi për gati 15 vjet. Prania e oficerëve britanikë në xhandarmërinë e tij u tregoi njerëzve se Mbreti nuk ishte tërësisht në duart e italianëve. Përmirësimi gradual në forca ishte në vetvete një garanci e rendit dhe ligjit, e cila ishte aq e mirë për drejtuesit vendorë, sa dhe për pjesën tjetër të vendit. Për më tepër, kufizoi ata si Gjon Markagjoni, Kapidan i Mirditës, i cili mund të kishte ambicie të tepruara, për të ndërmarrë çdo lloj veprimi turbullues.

* * *
Ka pasur vetëm tri revolta gjatë 15 viteve të Zogut. E para ishte në zonat malore veriperëndimore, ku dukagjinasit katolikë dhe disa fqinjë morën armët në fund të vitit 1926. Motivet e revoltës së tyre kurrë nuk janë shpjeguar në mënyrë të kënaqshme. Sigurisht këta njerëz kishin ankesa, asgjë nuk duket të jetë bërë për përmirësimin e kushteve të tyre të varfra të jetesës në ato male të ashpra, por ata nuk ishin të vetmit me kushte të tilla. Atyre u thanë edhe të duronin një President mysliman. Por dikush duhet t’i ketë shtyrë ata në marrjen e armëve në atë moment. Qarkullonte ideja se agjentë jozyrtarë jugosllavë i nxitën, me qëllim parandalimin e avancimit të paktit të Mbretit me Italinë. Megjithatë, këta njerëz ishin katolikë, ata i kishin frikë dhe i  urrenin armiqtë e tyre tradicionalë sllavë, sidomos fqinjët e tyre të Malit të Zi, dhe me gjasë ata do të parapëlqenin më mirë të ndiqnin një lider italian, pikërisht siç bënë në vitin 1941. Gjithashtu është thënë se disa oficerë shqiptarë kishin ardhur në veri për t’i inkurajuar ata. Nëse kjo është e vërtetë, mund të kenë qenë vetëm individë të pakënaqur, por ushtria është trajnuar nga oficerë italianë. Fashistët me të vërtetë mund të kenë dashur të frikësojnë Zogun, që të nënshkruanin atë që ata donin, dhe thashethemet janë përhapur me lehtësi. Pesha e provave është kundër fashistëve. Sido që të jetë, gjeneral Percy, atëherë një ardhje e re, u dërgua nga Mbreti në Shkodër, ku mori komandën e operacioneve kundër rebelëve, ku u përplasën fort.
Në 1935-n, një revoltë e vogël shpërtheu në Fier. Disa trupa dhe civilë u mblodhën në qytet dhe fatkeqësisht qëlluan për vdekje në sheshin e qytetit mikun e Zogut, gjeneral Ghilardin, i cili sapo kishte mbërritur në një udhëtim krejtësisht të pafajshëm. Rebelët u shtynë në veri, në drejtim të Lushnjës, por kreu i xhandarmërisë, kolonel Shefki Shatku, mori masa të rrufeshme dhe një forcë nga Lushnja u pagua për këtë revoltë. Dy oficerë të xhandarmarisë, një major dhe një lejtnant, duket të jenë përfshirë dhe gjithashtu një gazetar anglishtfolës, Konstantin Çekrezi, i cili ishte një kundërshtar i fortë i Zogut.

Jeta e kolonelit britanik në Shqipëri


Kolonel Dayrell R. Oakley – Hill (1898-1985) ishte në mesin e oficerëve britanikë, të cilët ishin caktuar me detyrën e organizimit të forcës policore shqiptare, Xhandarmërisë në vitet ‘30 nën drejtimin e gjeneral Sir Jocelyn Percy (1871-1952). Oakley – Hill ka lindur në Afrikën e Jugut. Me të përfunduar trajnimin e tij ushtarak në Sandhurst, pasi shërbeu në Ushtrinë Indiane në Mesopotami nga nëntori 1917 deri pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, ai u rekrutua për misionin shqiptar në vitin 1929. Shërbeu kryesisht në Elbasan, ku mësoi shqip dhe udhëtoi shumë. U detyrua të largohet nga Shqipëria me tërheqjen e të gjithë oficerëve britanikë në nëntor 1938. Gjatë viteve të para të Luftës së Dytë Botërore, ai ka punuar për Operacionin Ekzekutiv Special në Beograd dhe Kosovë si specialist për çështjet shqiptare, për të ndihmuar në organizimin e rezistencës. Ai ishte i detyruar t’u dorëzohet gjermanëve në Beograd në vitin 1941 dhe u mbajt si i burgosur lufte deri në tetor të vitit 1943. Në fund të Luftës së Dytë Botërore, kryesoi misionin e Ndihmës dhe Rehabilitimin e Administratës së Kombeve të Bashkuara (UNRRA) në Shqipëri, për të siguruar ndihmë humanitare atje, derisa puna u bë e pamundur dhe ai dha dorëheqjen në vitin 1946. Nga janari 1951-1955, ai ka punuar në Ambasadën Britanike në Athinë dhe ka punuar për M16. Në vitet e mëvonshme, ai shërbeu si kryetar i Shoqatës Anglo-Shqiptare në Londër. Kujtimet e tij janë publikuar nga Qendra për Studime Shqiptare në vëllimin “Një anglez në Shqipëri: Kujtimet e një Zyrtari britanik, 1929-1955”.

Related

Histori 4012696987359948323

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item