Kështu e due unë Shqipërinë! - SAMI REPISHTI

SAMI REPISHTI New York City. SHBA. Për mendimin tim, shprehja e Lame Kodrës “Unë e dua Shqipërinë/ Për një stan në Trebeshinë…” ashtë shpreh...

SAMI REPISHTI
New York City. SHBA. Për mendimin tim, shprehja e Lame Kodrës “Unë e dua Shqipërinë/ Për një stan në Trebeshinë…” ashtë shprehje monumentale e nji të merguemi për vendlindjen e tij: e thjeshtë, por e plotë; fisnike e jo arrogante; madhështore për çdo vend dhe në çdo kohë. Monumentale! Sot, shkrimtari që vdiq në nji kënetë të Myzeqesë i uritun dhe i përbuzun nga “shokët e idealit”, po të ishte i gjallë, ndoshta do të shkruente: “Nuk dua villa, as pallate/ As ndërtesa me dhjetë kate…. Lermëni të lirë/ Me një stan në Trebeshinë!”. Kështu do të fliste ky shqiptar krenar, viktime e “idealeve” të tradhëtueme…!
    Nji ndjenje krenarie e qenies “shqiptar” e përjetova unë më 27 janar 2014, me rastin  e ceremonies përkujtimore të viktimave të Holokaustit (Shoah në hebraishte) gjatë viteve të Luftës II Botënore, të mbajtun në ambientet e Selisë Qendrore të Organizatës së Kombevet e Bashkueme, këtu në New York City, SHBA.
   Paneli i caktuem dhe i organizuem nga B’nai B’rith International, nji organizatë me prestigj të naltë botënor, dhe Misioni i Republikës së Shqipërisë pranë OKB-së, diskutoi temën “The Rescue of Albanian Jews” (Shpëtimi i hebrenjve shqiptarë), nji titull impresiv, por fatkeqsisht, në mendimin tim, jo ekzakt. Sepse, shqiptarët shpëtuen jo vetëm hebrenjtë me nënshtetsi shqiptare, por edhe të huejtë që të friksuem nga persekutimi nazist, erdhën në Shqipëri ku gjetën strehimin që u shpëtoi jetën. “The Rescue of Jews by Albanians” (Shpëtimi i hebrenjve nga shqiptarët) do të ishte ma korrekt, meqenëse hebrenjtë u shpëtuen edhe në Kosove nga shqiptarët e Kosovës e Maqedonisë.
Ashte nji manifestim i karakterit të popullit shqiptar, dhe i traditave shekullore të mikpritjes – tue përfshi edhe hasmin! – pavarësisht nga vendbanimi i tyne. Dhe ky ashtë nji sukses i madh që nuk duhet harrue.
    Sidoqoftë, me këtë titull u pasunue veprimtaria e “Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit”, që mbahet për ruejtjen e kujtesës së “zhdukjes” së miliona qeniesh njerëzore nga regjimi çnjerëzor nazist – qenie të pafajshme, të pambrojtje, të pafuqishme, gra, pleq, fëmijë, sidomos fëmijë, këto simbole të pafajnisë! – kryesisht, kriminelëve nazistë). Nji shpërfillje monstruoze e shenjtënisë së jetës së njeriut.
Në këtë katastrofë të paimagjinueshme, kur njeriu zbriti në thellësitë ma të ulëta dhe të paprekuna ma parë në histori, atyne errësinën e plotë ku strehohen tortura dhe vdekja që tremben nga drita e diellit, humbën jetën në kampet naziste edhe disa qindëra vëllazën e motra shqiptare (dhe kushërini im, 17-vjeçari Zyhdi Repishti). Holokausti ka qenë dje, ashtë sot dhe do të mbetet përjetë nji disfatë morale për të gjithë botën e qytetnueme për arsye të heshtjes së madhe që vrau, dhe nji njollë e pashlyeshme në historinë e popullit gjerman. Përkujtimi solemn i Holokaustit ka nji qëllim qendror: “Heshtja vret. Mos heshtëni para krimit. Ngrijeni zanin nalt. Ndaloni dorën vrastare”.
    Në këtë kuadër të ferrit mbi tokë, në këtë humnerë krimi të ushtruem me metoda “shkencore”, ka pasë edhe “shkëndija” të dashunisë së njeriut për njeriun: qenie njerëzore të thjeshta, klerikë dhe intelektualë të guximshëm gjetën kurajën e mjaftueshme me ngritë zanin me nji “Jo!” të fuqishme kundër murtajës naziste, dhe me e luftue atë me aktin sublim të “shpëtimit” të jetëve së kërcënueme, edhe me rrezikun e jetës së tyne. Ky akt tejet njerëzor dhe guximtar ngushëllon sot botën akoma të tronditun me bindjen se ekziston nji “frymë njerëzore” që afron çdonjenin nga ne “si vëllau me vëlla”, sidomos në raste të rrezikut suprem. Kjo ashtë esenca e solidaritetit njerëzor që u çfaq e fortë në popullin shqiptar gjatë viteve të L2B.
Këtu del në shesh epërsia e shpirtit tonë mbi egërsinë e epsheve tona shtazarake për shtypjen dhe torturën, dhe e akteve tona kriminale. Ky akt sublim duket sikur i thotë krimit – individual ose i organizuem – “Ndal! Na jemi qenie njerëzore të paisuna me arsye dhe ndërgjegje, na nuk lejojmë kalimin e krimit mbi kokët tona! Na jemi gati ta luftojmë me të gjitha kufizimet që na imponon natyra e jonë njerëzore, por që na i tejkalojmë tue sfidue rrezikun e vdekjes. E nëse vdesim sot për këtë “Ndal!” historik, ashtu qoftë! Qoftë bekue vdekja, sepse vdesim të lirë nga pesha e përgjegjsisë…”. Kështu folën shqiptarët që me rrezikun e vdekjes ndihmuen viktimët hebraike gjatë L2B.
Kështu e due unë Shqipërinë!
Mendime të këtilla me mbuluen kur lexova përshkrimin e ceremonisë në OKB. Me gjithë ftesën, nuk mora pjesë për arsye të nji moti shumë të ashpër. Ftesa që mora shkruen:
“Në nji kontrast të jashtëzakonshëm me atë që ngjau në të gjithë Europën, Shqipëria – nji komb me shumicë myslimane e okupueme nga Gjermania gjatë viteve 1943 dhe 1944 – u ba nji çerdhe strehimi për virtualisht të gjithë popullsinë hebraike, dhe të tjerë që kërkuen nji vend të sigurt gjatë viteve të Holokaustit. Si rrjedhim, rreth 2000 hebrenj u shpëtuen nga gjenocidi nazist në këtë vend të vogël e të ndryshëm nga të tjerët”.
“Shqipëri, Shqipëria e ime!” thashë me krenari. Në vend të parë “Shqipëri, përsërita, ti më jep nder, ti më jep emrin shqiptar!”.
      Tue folë para publikut në sallën e OKB-së, zonja Johanna Nahuman, që mbijetoi Holokaustin në sajë të ndihmës shqiptare, e përshkroi kështu këtë fenomen të rrallë në historinë e njerëzimit:
“… Unë ua detyroj jetën time shqiptarëve. Po qe se bota do të ishte shqiptare, ne nuk do të flisnim sot për Holokaustin”. 
Po qe se bota do të ishte “shqiptare”…. Kështu e due unë Shqipërinë!
Shqipëria e vogël, e vorfën por fisnike, e kreu detyrën e saj me sukses. Ashtu si dhe Kosova. Për të huejt ky qëndrim spontan, individual dhe kolektiv i organizuem në grupe vullnetarësh nga vetë shqiptarët, – myslimanë e të krishtenë – për nji kohë të gjatë mbeti nji “fenomen” enigmatik për masat e shumëta e të painformueme. Për ne shqiptarët ka spjegimin e vet.
Në nji studim timin “Hebrenjtë në Shqipëri: Historia e Nji Mbijetese” (The Holocaust: Essays and Documents” R. L. Braham, Editor, N. Y.`2009) jam përpjekë me spjegue se qëndrimi i shqiptarëve ndaj hebrenjve nuk ka qenë “nji akt spontan” (“un acte gratuit” si e quejnë françezët), por vazhdimi i nji procesi të gjatë, nji akt autentik. Në historinë e popullit shqiptar nuk ka nji rast të vetëm ku hebrenjtë janë viktimizue nga shqiptarët; nuk ka nji rast të vetëm kur hebrenjtë janë dëbue nga shqiptarët dhe nuk ka nji rast të vetëm që tregon bashkëpunimin e shqiptarëve me nazistët gjermanë në të ashtuquejtunën “zgjidhja përfundimtare”. Antisemitizmi as ka lindë, as ashtë zhvillue në Shqipëri. Ai ka qenë dhe mbetet edhe sot nji “fenomen” i huej për shqiptarët.
Vite ma parë, i ndjeri Imzot Fan S. Noli shkruente: “Si Izraeli, ashtu edhe Shqipëria janë dy vende të vegjël. Të dy kanë rrënjë të thella. Të dy kanë një histori mundimesh dhe vuejtjesh. Dhe të dy vendet kanë ruejtë identitetin dhe kulturat e tyne respektive. Këto ngjashmëni formojnë nji lidhje të përbashkët në mes të hebrenjve dhe shqiptarëve”.
Sot, kudo qëndrimi i shqiptarëve spjegohet me traditën tonë të “Besës”, zemra e Kanunit tonë, si spjegimi ma i zakonshëm. Por “Besa” përmban edhe “turpin” për shkelsin kur ajo nuk mbahet, si dhe “mikpritjen” si traditë kombëtare që e dallon atë, e që në thelb ashtë “ndihmë”, qoftë edhe me sakrificat ma të mëdha për “të huejin”, që troket në derë e që në vendin tonë quhet “mik”.
Akti fisnik i mbrojtjes së të persekutuemëve ashtë aq i vjetër te shqiptarët, sa edhe Testamenti i Vjetër, dhe aq bashkëkohor sa edhe vitet e Holokaustit (Shoah) dhe të eksodit kosovar të viteve 1998-1999. Pa dyshim, rasti unik i shqiptarëve kërkon nji studim të thelluem psikologjik dhe sociologjik – të individit dhe të shoqënisë shqiptare!
Fenomeni i qëndrimit shqiptar në mbrojtje të persekutuemëve dhe personave që kërkojnë strehim në kohët moderne, tregohet sidomos nga momentet historike të shekullit të fundit. Shqiptarët e përndjekun nga serbët e malazezët në vitet 1877-1978, të njohun akoma sot si “muhaxhirët” (refugjatët) në Kosovë, u përkrahën nga bashkatdhetarët vendas. I njajti fenomen shihet edhe në vitet 1878-1920 edhe me shqiptarët viktima të Malit të Zi, që nga Nikshipi, Podgorica deri në Tivar dhe Ulqin, të shpërngulunit u strehuen kryesisht në Shkodër.
Ironikisht, kur në vitin 1915 ushtria e dobësueme serbe kaloi në tërheqje nëpërmjet maleve të Shqipërisë veriore deri në Durrës dhe Korfuz, ajo  nuk u sulmue nga shqiptarët viktima. Katër vjet ma vonë, në vitin 1919, kur u rikthyen si fitimtarë në Kosovë, “shqiptarët” u shpërblyen me  asgjësimin fizik të popullsisë, ose “spastrimin etnik”.
Dokument: “Sekretari i Shtetit (Lansing) për A. J. Balfour (ministër i Jashtëm britanik) Paris, 18 prill 1919.
“…Në lidhje me masakrat mbi shqiptarët në Mal të Zi: Gusinja, Plava, Ipek, Djakova, Podjour dhe Rozhaj kanë qenë skena të terrorizimit dhe vrasjeve masive nga ana e ushtrive serbe dhe agjentave serbë, politika e të cilëve duket se ashtë asgjasimi i banorëve shqiptarë të krahinës.
Me nderime Robert Lansing”.
Mbas vitit 1912, ushtritë e munduna turke nuk u sulmuen nga banorët shqiptarë për hakmarrje, sepse ishin të dorëzueme (“nuk priten në besë”). Ndërkaq, energjitë e shqiptarëve u mobilizuen me strehue çamët e përndjekun të vilajetit të Janinës dhe Çamërisë që u dëbuen me dhunë nga trupat ushtarake greke dhe banditët grekë, të ardhun nga ishulli i Kretës (1912-1920) dhe ma vonë me shpërnguljen e tyne të detyrueshme në Turqi. Por kur në vitet 1940-1944, gjatë okupacionit italian e gjerman të Greqisë grekët e uritun u drejtuen kah shqiptarët për bukën e gojës, ata gjeten mikpritjen dhe mbrojtjen që i shpëtoi ata nga uria. Menjiherë mbas kësaj situate, kur grekët u kthyen si fitimtarë, shumë nga ata grekë që shpëtuen nga uria me bukën shqiptare u angazhuen në zhdukjen fizike të gjenocidit çam, viktimët e të cilit kërkojnë edhe sot të drejtat e tyne të mohueme.
Më 1943, mbas kapitullimit të Italisë fashiste, ma shumë se 100 000 ushtarë italianë mbetën robë në tokën tonë. Pothuejse të gjithë gjetën strehim në familjet shqiptare në të katër anët e vendit. (Me nji përjashtim makabër: qëndrimin e komunistve shqiptarë që ekzekutuen robë lufte të pafajshëm, në kundërshtim me çdo normë ndërkombëtare.)
Gjatë viteve të vështira të regjimit komunist lindi spontanisht fryma e solidaritetit. Me gjithë vorfninë e tejskajshme, familjet shqiptare ndihmuen njëna-tjetrën dhe të gjithë së bashku ndihmuen familjet që vuejshin ma shumë: të persekutuemët…! Familja ime ashtë nji shembull.
Dhe ajo ma e fundit: eksodi kosovar i viteve 1998-1999, kur ma shumë se 500 000 refugjatë kosovarë kërkuen strehim në Shqipëri, ata u pritën me nji zemërgjanësi të madhe, që çuditi botën mbar, sidomos publikun amerikan…!
* * *
Nji fak del i qartë edhe nga përshkrimi i përciptë i këtij “fenomeni” shqiptar. Në mbrendinë e shqiptarit nuk fshihet egërsia e ushqyeme nga propaganda komuniste, por nji bazament moral i fortë – i njohun si “cilësitë burrënore” të shqiptarit: besë, nder, burrëni, mikpritje…, bazament që drejton jetët e këtij populli, sidomos në ditët e vështira.
   Çoroditja e ditëve tona, që na turpëron të gjithëve, nuk ashtë “shqiptare”; ajo ashtë rezultati i nji ideologjie të çmendun që zgjodhi “urrejtjen” si vlerë kryesore dhe e përpunoi me metodat ma të rafinueme të “luftës së klasave” e në  kundërshtim me çdo gja që ishte “kombëtare”, cilësi që justifikojshin krenarinë e kombit tonë – dhe timen!


* Shqiptaro-amerikan, aktivist për të drejtat e njeriut.

Related

Opinione 2778838775904781769

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item