Korrupsioni po i zë frymën Bashkimit Europian

Raporti vrastar i komisionit, abuzimet kushtojnë 120 miliardë euro në vit, veçanërisht në Jug Përmasat e korrupsionit në Europë janë “rrëqet...

Raporti vrastar i komisionit, abuzimet kushtojnë 120 miliardë euro në vit, veçanërisht në Jug


Përmasat e korrupsionit në Europë janë “rrëqethëse” dhe ky fenomen i kushton ekonomisë së Bashkimit Europian rreth 120 miliardë euro në vit, thotë Komisioni Europian.
Komisionerja për Çështjet e Brendshme, Cecilia Malmstrom, paraqiti dje raportin e plotë mbi problemin. Ajo bëri më herët edhe një editorial në median suedeze, ku tha se korrupsioni po gërryen besimin te demokracia dhe po than burimet për ekonominë e ligjshme.
Për këtë raport, komisioni studioi korrupsionin në të 28 vendet anëtare të BE-së.
“Përmasat e problemit në Europë janë rrëqethëse, megjithëse Suedia është mes vendeve që ka më pak probleme të tilla”, tha Malmstrom. Komisioni thotë se është hera e parë që ajo ka prodhuar një raport të tillë. Raporti jep edhe rekomandime se si mund të luftohet korrupsioni.
Qeveritë kombëtare dhe jo institucionet e BE-së janë përgjegjëset kryesore për luftën kundër korrupsionit në BE. BE-ja ka një agjenci kundër mashtrimeve, Olaf, e cila është përqendruar në mashtrime dhe korrupsion që prekin buxhetin e BE-së, por kjo agjenci ka burime të kufizuara. Në vitin 2011, buxheti i agjencisë ishte vetëm 23.5 milionë euro.
Malmstrom tha se në disa vende procedurat e prokurimit publik janë të prekshme nga mashtrimi, ndërsa në vende të tjera financimi i partive është problemi kryesor dhe pushteti vendor është veçanërisht shqetësues. Në disa vende, pacientët detyrohen të paguajnë ryshfet, në mënyrë që të marrin kujdesin e nevojshëm shëndetësor.
Studimi përfshin dy vrojtime të mëdha të opinionit publik, të cilat sugjeruan se tre të katërtat e nënshtetasve të BE-së besojnë se korrupsioni është i gjithëpërhapur në vendet e tyre.
Katër në çdo dhjetë biznese të intervistuara e përshkruajnë korrupsionin si një pengesë në bërjen e biznesit në Europë. Në Suedi, 18 për qind e popullit të pyetur thanë se njihnin dikë që kishte marrë ryshfet, në krahasim me mesataren europiane, e cila ishte 12 për qind.
Por, pavarësisht këtij zbulimi, ajo tha se Suedia “është padyshim një nga vendet me më pak probleme me korrupsionin dhe se vendet e tjera të BE-së duhet të mësojnë nga zgjidhjet e Suedisë në trajtimin e problemit”.
Kundërmasat më të efektshme kundër korrupsionit konsiderohen ligjet mbi transparencën publike. Sipas raportit, grupimet e krimit të organizuar kanë rrjete të sofistikuara nëpër Europë dhe agjencia policore europiane Europol thotë se ka së paku 3 mijë grupime të tilla.
Bullgaria, Rumania dhe Italia janë veçanërisht zona të nxehta të krimit të organizuar, por edhe krimet e zyrtarëve si ryshfeti dhe mashtrimi me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar janë shumë problematike.
Vitin e kaluar u zbulua një rast mashtrimi me TVSH-në në tregun e kreditorëve të karbonit me kosto prej 5 miliardë eurosh.

Related

Ekonomi 4717038536209732536

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item