Cécile Kyenge , beteja e ministres së parë me ngjyrë në Itali

Nga “The Economist” Pak politikanë kanë pasur një fillim të karrierës politike aq të tmerrshëm sa ai i Cécile Kyenge, e cila u emërua minist...

Nga “The Economist”

Pak politikanë kanë pasur një fillim të karrierës politike aq të tmerrshëm sa ai i Cécile Kyenge, e cila u emërua ministre për Integrimin në qeverinë e madhe të së majtës dhe të djathtës që drejtohet nga Enriko Letta. I fundmi në një listë të gjatë fyerjesh iu bë asaj në “Facebook” nga Cristiano Za Garibaldi, zëvendëskryetari i Diano Marina, një qytet i vogël në rivierën Italiane. Ai shkruante se Kyenge, një okuliste, frekuentonte një zonë që përdorej prej prostitutave. Më 25 gusht ai kërkoi falje dhe u justifikua se kjo kishte ndodhur për shkak të stresit.
Fyerje më të rënda i janë bërë asaj nga politikanë më me peshë. Në korrik, një drejtues i “Lega Nordit”, Roberto Calderoli, ish-ministër dhe aktualisht zëvendëskryetar i Senatit Italian, tha se Kyenge i kujtonte atij një “orangutang”. Themeluesi i “Legës”, Umberto Bossi, nuk pranon se është racist, por thotë se Kyenge u ka “ngritur nervat njerëzve”.
Arsyet për irritimin hanë goxha debat. Ministrja bëri një deklaratë në fillim të sezonit futbollistik, duke thënë se shpresonte që këtë sezon futbolli të ishte i lirë prej koreve raciste që kishin persekutuar lojtarë, si sulmuesi i “Milanit” dhe i Italisë, Mario Baloteli. Reagimet në komentet në faqen ueb të “Corriere della sera”, gazeta më e shitur në Itali, ishin në shumicë negative. “Nuk ka emigrant kongolez që të më tregojë mua se si të sillem në shtëpinë time apo të bëjë ligje që do të shkatërrojnë vendin tim”, ishte një nga komentet më të buta.
Kyenge ka qëndruar e qetë, por ka shprehur frikën se racistët mund të sulmonin dy vajzat e saj. Më herët, një nga krerët e “Lega Nord”, Roberto Maroni, refuzoi të dënonte sulmet e anëtarëve të partisë që ai drejton kundër saj dhe ministrja u detyrua të tërhiqej nga një debat ku ishin të ftuar edhe pjesëtarë të “Lega Nordit”.
Në politikë “Lega” është përqendruar që të bllokojë iniciativat e saj: E para që ka të bëjë me dhënien e shtetësisë për të gjithë ata që lindin në Itali dhe ndryshimin e ligjit që e lejon shtetësinë vetëm prej lidhjeve të gjakut. Kjo do ta bënte më të lehtë për fëmijët e emigrantëve që të merrnin shtetësinë italiane. “Lega” ka mbetur e vetme në këtë kundërshtim, pasi PDL-ja e Berluskonit, aleate tashmë me të majtët në qeveri, mund ta mbështesë këtë kërkesë.
Në Itali është e vështirë të gjesh një histori më të madhe suksesi sesa ajo e Kyenge. Ajo hyri legalisht në Itali më 1983 për të studiuar mjekësi, por pas kësaj u detyrua të jetonte një vit ilegalisht, pasi bursa që priste nuk u materializua. Më 1994 u martua me një inxhinier italian dhe që atëherë fitoi edhe shtetësinë italiane.
49-vjeçarja Cecile Kyenge, e cila është rritur në Republikën Demokratike të Kongos, në prill të vitit 2013 u bë ministrja e parë me ngjyrë në kabinetin qeveritar italian. Ajo është etiketuar si “majmuni kongolez” ose “pjesëtare e një qeverie bonga-bonga”. Të dy këto etiketime erdhën nga prestarë të artisë kundër emigrantëve “Lega Nord” (Lega e Veriut).
Anëtarja e partisë “Lega Nord”, Dolores Valandro, shkoi më tej kohë më parë, duke pyetur në faqen e saj në “Facebook”: “Pse dikush nuk përdhunon Kyenge, në mënyrë që ajo të kuptojë se si ndihen viktimat e një krimi të tillë?”. Valandro shkruajti duke theksuar se emigrantët janë përgjegjës për sulmet e dhunshme ndaj femrave në Itali. Por një gjuhë e tillë shkaktoi reagime të menjëhershme. Kyenge, e cila jeton në Itali që prej vitit 1983, thotë se nuk është aspak e trembur. “Ofendimet dhe kërcënimet kundër meje vijnë për faktin se tani jam e ekspozuar, por këto kërcënime janë kundër të gjithë atyre që i rezistojnë racizmit dhe dhunës”, tha Kyenge në një konferencë për shtyp në Romë. Në Itali shpresojnë që fakti se ministre e Integrimit është një afrikane, mund të ndryshojë shumë gjëra. Ndërkohë që vendet europiane kanë vite që merren me çështjen e integrimit të emigrantëve, në Itali kjo çështje është relativisht e re. Të huajt përbënin rreth 2% të popullsisë italiane në vitin 1990, ndërsa sot vetëm 7.5%.
Sjellja e turpshme ndaj ministres së parë me ngjyrë të vendit dhe reagimi i dobët kundër kësaj sjelljeje, ka dëmtuar shumë imazhin e Italisë. Ajo ka goditur rëndë edhe besimin e italianëve se janë një vend pa racizëm. Sipas të dhënave të një studimi të viteve 2005-2007, 11 % e italianëve nuk e donin një fqinj të një race tjetër shumë më shumë sesa vetëm 4.9 për qind në Britani apo 6.9 për qind në Spanjë, që po ashtu është përmbytur prej emigrimeve të fundit. Por kur pyetet nëse ajo e konsideron Italinë si një vend racist, Kyenge është mjaft e kujdesshme në përgjigjen e saj. “Kjo është një pyetje e vështirë. Unë e kam thënë gjithnjë edhe më parë, që Italia nuk është një vend racist. Është një vend që duhet të dijë më shumë për emigrantët dhe vlerën e diversitetit. Vetëm pasi vendi të ketë kaluar këto procese, atëherë mund të themi nëse është racist apo jo”, tha ajo. Kyenge ka një detyrë të vështirë për të përmbushur integrimin, të vështirë në çfarëdo rrafshi që mund ta shohësh.
Disa gjëra janë duke ndryshuar. “Aspekti pozitiv i kësaj gjuhe raciste është se edhe të tjerët që ndihen të ofenduar, reagojnë njësoj si ajo”, thotë James Walston, komentator politik dhe ekspert i shoqërisë italiane në Universitetin Amerikan në Romë.
 Kur një anëtare e “Lega Nordit” tha se Kyenge duhet të përdhunohet, u shokuan jo vetëm liberalët, por edhe drejtuesit e partisë së saj, të cilët thanë se është një gjë e papranueshme”, shton ai.
Walston thotë se rritja e numrit të emigrantëve të kualifikuar, po detyron Italinë të mos tolerojë më racizmin. Ai thekson se tashmë pjesë e parlamentit janë tre deputetë, të cilët kanë lindur jashtë Italisë dhe se kryetar bashkie i Viçencës, bastion i “Lega Nordit”, është një emigrant që zëvendësoi paraardhësin e tij të deklaruar racist. Muajin e shkuar, kur një afrikan me probleme mendore vrau disa italianë në Milano, “Lega Nordi” shkoi menjëherë në zonë për të bërë anëtarë të rinj, por ata u përzunë nga banorët e irrituar, të cilët i akuzuan se donin të përfitonin nga tragjedia për të rritur urrejtjen ndaj emigrantëve./mapo

Related

Botë 234627795502045925

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item