Raporti britanik: Si e gënjeu Tito Enverin për Kosovën

Enver Hoxha dhe Tito Dokumenti i Ministrisë së Jashtme të Britanisë për Shqipërinë Raporti britanik: Si e gënjeu Tito Enverin për çështjen e...

Enver Hoxha dhe Tito
Dokumenti i Ministrisë së Jashtme të Britanisë për Shqipërinë

Raporti britanik: Si e gënjeu Tito Enverin për çështjen e Kosovës

“Lideri i Serbisë premtoi një plebishit kombëtar dhe përcaktimin e kufirit në favor të Shqipërisë pas luftës”

Prapaskenat e komunistëve jugosllavë gjatë viteve të luftës.
Tito: Luftën Nacional Çlirimtare e drejtoj unë.

Radio “Jugosllavia e Lirë” deklaronte në vitin 1944 se forcat tona morën qytetin e Beratit dhe të Tiranës.

Në arkivat britanikë gjenden dokumente të shumta, tashmë të deklasifikuara, me një mori raportesh e analizash për marrëdhëniet mes komunistëve shqiptarë dhe atyre jugosllavë në vitet e Luftës së Dytë Botërore. Në një dokument prej 5 faqesh të Ministrisë së Jashtme Britanike, që daton në mars të vitit 1945, fokusohen me detaje lidhjet mes Lëvizjes Nacionalçlirimtare shqiptare dhe asaj jugosllave. Në të bëhet e ditur se marshalli Tito u ka premtuar komunistëve shqiptarë se pas luftës do të ketë një referendum në Kosovë, i cili do të vendosë për të ardhmen e saj. Sakaq, dokumenti konfirmon premtimin e Titos se kufiri do të jetë në favor të Shqipërisë, nëse shumica e vendos këtë gjë. “U raportua se Tito lëshoi një komunikatë më 4 dhjetor 1943 ku thoshte se “e ardhmja e Kosovës do të vendoset nga një plebishit dhe kufiri do të jetë në favor të Shqipërisë, nëse është e nevojshme”. Kjo formulë u pranua nga LNÇ, të cilët kanë theksuar se Kosmet dhe Kosova janë pjesë e sferës së influencës së Titos” thuhet në raportin e deklasifikuar britanik. Por, britanikët analizojnë më tej edhe marrëdhënie mes dy lëvizjeve. Përtej këtij pohimi, britanikët dëshmojnë se Tito shprehej hapur për faktin që LNÇ shqiptare kontrollohej dhe drejtohej nga ai. “Më 17 maj 1944, një raport i OSS (shërbimi amerikan) citonte Titon që thoshte se “Fronti Nacionalçlirimtar është një lëvizje jugosllave ku pikëpamjet dhe aktivitetet e saj nuk janë asgjë tjetër, veçse ato të Lëvizjes Nacionalçlirimtare jugosllave, e cila u jep urdhrat dhe e komandon; e për më tepër aktiviteti i partizanëve shqiptarë është i përfshirë në atë të Ushtrisë Jugosllave Nacionalçlirimtare, pjesë e së cilës janë edhe partizanët shqiptarë”. Kjo deklaratë mendohet të jetë baza e asaj që transmetoi radio “Jugosllavia e Lirë”, ku deklarohej se: “Forcat tona Nacionalçlirimtare morën Beratin dhe Tiranën”, thuhet në raport. Sipas britanikëve, në fillim të vitit 1945, është e pamundur të injorosh ambicien serbe e jugosllave në raport me   Shqipërinë. Ata raportojë se komunistët shqiptarë e kanë të pamundur të veprojnë lirshëm e pa ndërhyrjen jugosllave, çka shihet si arsyeja kryesore pse Enver Hoxha nuk ngrinte pretendime për Kosovën edhe pse Tito premtoi referendum në 1943. “Në lidhje me Kosovën ka pasur një zhvillim të rëndësishëm së fundmi, me udhëzim të Titos, vetëm trupa me ushtarë nga shqiptarët e Kosovës lejohen të qëndrojnë. Gjithsesi, është evidente se lidhja me Jugosllavinë është shumë e ngushtë dhe s’mundet që një vend i vogël si Shqipëria dhe me një regjim si të FNÇ të mund të ekzistojë i pavarur në Ballkan në kushtet e ditëve të sotme”, thotë raporti i marsit 1945, i Ministrisë së Jashtme Britanike.

Dokumenti i plotë

Marrëdhëniet me vendet fqinje. Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave

Hyrje

Foto nga arkivat britanikë: Enver Hoxha e Miladin Popoviç ne Permet, 1944
Shqiptarët janë një minoritet prej 2 milionësh në Ballkan. Si pasojë, kombi shqiptar është afër mundësisë për një dominim të mundshëm nga një etni numerikisht superiore në Ballkan dhe ka tentuar të lidhet me çdo fuqi mbështetëse jashtë Ballkanit.
Kur kombet e tjera ballkanike gjetën mundësinë nga lufta Ruso-Turke 1877-1878 për të luftuar për pavarësi kundër turqve, Shqipëria me një popullsi prej 70 % myslimane mbështeti Sulltanin. Sipas Traktatit pasues të Shën Stefanit dhe Berlinit, një pjesë e vilajeteve shqiptare u ndanë mes Serbisë dhe Malit të Zi, dhe gjatë një procesi më të vonë u dëbuan 100 mijë shqiptarë me forcë dhe me një brutalitet të njohur. U krijua një lidhje për rimarrjen e territoreve, Lidhja e Parë e Prizrenit, me qëllimin e mbajtjes së sovranitetit të Sulltanit, por duke rezistuar deri në vdekje ndaj çdo tentative të shteteve fqinje për të aneksuar territorin shqiptar.
Kjo lidhje me Perandorinë Osmane u dëmtua seriozisht gjatë ardhjes në pushtet në turqve të rinj që sollën nacionalizmin turk, duke bërë një ndarje mes myslimanëve dhe të krishterëve dhe kjo i ktheu shqiptarët në një komb të huaj, ndonëse ata kishin qenë anëtarë dhe udhëheqës në perandori, duke u mbështetur edhe te feja e tyre. Kështu që, kur shtetet ballkanike u revoltuan kundër dominimit osman, edhe Shqipëria nisi luftën duke shpallur pavarësinë më 28 Nëntor 1912. Gjithsesi, ushtria e 3-të serbe gjeti mundësinë për të aneksuar territore të tjera, duke marrë edhe Durrësin e Elbasanin. Ata u tërhoqën pa dëshirë si rezultat i urdhrit nga fuqitë e mëdha, por si hakmarrje bënë masakra dhe e kthyen vendin në gërmadhë. Në fund të Luftës së Parë Botërore, aspiratat shqiptare u bënë një mollë sherri mes Italisë e Serbisë, duke iu trembur influencës së njëra-tjetrës në Ballkan dhe në Adriatik. Ushtria serbe avancoi në Shqipëri drejt asaj që ata e quanin “linjë strategjike”, por që merrte pothuaj gjysmën e Shqipërisë së Veriut, që u nda në 1913, e populluar me afro 126 mijë shqiptarë. Sigurisht që kjo solli dhunë të re, ndërsa qeveria shqiptare bëri me dije statistika nga masakrat dhe shkatërrimet në Lidhjen e Kombeve. Vetëm gjatë vitit 1921, trupat serbe u detyruan të tërhiqen. Kufiri aktual që ndau Kosovën, duke ia kaluar Jugosllavisë në 1913-n, u fiksua në vitin 1926.

Komiteti i Kosovës 1920

Foto nga arkivat britanikë: Perfaqesuesi jugosllav
ne konferencen e Beratit, tetor 1944,
Kolonel Velemir Stojnic


Tre shembuj historikë të dhënë më poshtë janë urrejtja shqiptare dhe frika ndaj serbëve. Në 1920, kur u bë e qartë se Kosova do të bëhej pjesë e Jugosllavisë, nacionalistë shqiptarë formuan një organizatë për rimarrjen e territorit, e njohur si Komiteti i Kosovës, i drejtuar nga Hasan Prishtina, i cili më vonë u bë për një kohë të shkurtër edhe Kryeministri i Shqipërisë. Kriza politike e vitit 1924 mes peshkopit Fan Noli dhe Ahmet Zogut, gjithsesi i dha mundësi Jugosllavisë të zgjeronte influencën e saj në Shqipëri përkundrejt Italisë. Shtabi i Përgjithshëm Jugosllav, nëpërmjet shoqërisë “Duart e Bardha”, vunë në dispozicion të Ahmet Zogut një numër forcash. Me vendosjen në pushtet, kërkesat për Kosovën u tërhoqën dhe Prishtina iku në ekzil.
Gjatë periudhës mes luftërave 1918-1939 minoriteti shqiptar në Kosovë mbajti një këshill minoriteti, i dominuar nga Beogradi si subjekt i disa marrëveshjeve të vogla. Ky këshill u mbështet nga komiteti që kërkonte të rikthente territoret në Kosovë, kryetari i së cilës së fundmi ka qenë Ferhat Draga. Dr. Xhafer Deva nga Mitrovica u përdor nga serbët të dominojë këshillin. Kjo periudhë njihet për intriga dhe vrasje.

Pushtimi italian 1939-1943

Me mbështetjen e Gjermanisë, ambicia e Italisë në Ballkan përkundrejt Jugosllavisë u realizua. Irredentizmi shqiptar në Kosovë u përdor për të përgatitur terrenin që të aneksohej nga Shqipëria. Kjo ndodhi me një Traktat me Bullgarinë, më 15 qershor 1941.
Reaksioni serb e malazez ishte si më poshtë:
1) Gjatë verës 1941 u sulmua përgjatë kufirit me Malin e Zi në zonën e Gostinjës.
2) Gjatë dimrit 1941 pati sulme përgjatë kufirit me Serbinë në zonën e Mitrovicës, Novi Pazarit dhe Sjenicës.
Këto u neutralizuan nga aksione mes trupash shqiptare dhe italiane, ndërsa shefat shqiptarë të zonës morën medaljen e argjendtë nga duart e Musolinit për pjesëmarrjen e tyre në aksione. Italianët krijuan një gardë shqiptaro-kosovare nën drejtimin e gjeneralit Prenk Prevezi dhe një komitet mbrojtjeje të Kosovës nën presidencën e lëvizshme mes Prenk Prevazit, Bedri Pojanit e Iliaz Agushit.
Në janar 1943, çetnikët e Djurisic dhe Mihailovic pushtuan sërish Kosovën, duke bërë shkatërrime dhe masakruar popullsinë në zonën e Bihorit dhe Rozhaj. Shqiptarët pretenduan për 4626 të vrarë ose të plagosur dhe 200 gra e vajza të rrëmbyera. Në këtë rast, italianët, që mbështesnin Djurisic dhe Mihailovic, nuk ndërhynë dhe ky fakt pa dyshim që ndikoi në rritjen e një fryme kundër-italiane mes shqiptarëve.

Pushtimi gjerman

Me armëpushimin italian, Lidhja e dytë e Prizrenit u shfaq për të garantuar që Kosova t’i mbetet Shqipërisë. Një kongres i mbajtur në Prizren më 18 shtator 1943 ngriti një asamble, e cila u njoh si gjysmë autonome nga Këshilli i Regjencës në Shqipëri, më 14 mars 1944. Qëllimi kryesor i organizatës ishte të mbronte territoret e liruara nga serbët, të kontrollonte administrimin në zona si dhe 4 batalione me milicë nën udhëheqjen e major Bajazet Bulletinatz. Gjermanët e zbuluan këtë frikë të serbëve dhe regjistruan divizionin SS Skënderbeg me shqiptarë nga Kosova. Ky divizion u përdor nga gjermanët kundër Tiros në Berane dhe Andrijevicë. Kishte një forcë prej maksimumi 7 mijë ushtarësh që drejtohej nga gjermanët me regjimentet e Pejës, Prizrenit, Prishtinës e Gjakovës nën komandën e Schmid Huber. Kur pozicioni gjerman në Ballkan filloi të shkonte drejt fundit, dr. Xhafer Deva u bë president i Ligës së Prizrenit dhe komisar i lartë për zonën.

“Fronti Nacionalçlirimtar”

Kur Partia Komuniste Shqiptare u formua zyrtarisht në 1941, kërkoi për mbështetje politike te Partia Komuniste Jugosllave. Komunistët serbë dërguan dy oficerë ndërlidhës, Ali Dushanoviçin dhe Miladin Popoviçin. Këta dy oficerë u arrestuan nga italianët në fillim të 1942-shit dhe u internuan në një kamp me malazezë në Shqipëri, të cilët u shpëtuan nga lideri komunist shqiptar Mustafa Gjinishi. Zgjedhja e Ali Dushanoviçit, një kosovar nga Peja, ishte finoke. Ndërkohë një direktivë nga Moska që u lëshua për të gjitha partitë komuniste, urdhëroi shuarjen e nacionalizmave dhe krijimin e fronteve nacionale të çlirimit kundër pushtuesve. Kjo lëvizje në Shqipëri u anonçua në Pezë në shtator 1942 dhe lidhjet me komunistët malazezë, grekë, jugosllavë, maqedonas u zhvilluan dhe u rritën. Në këtë proces ka të ngjarë që çështjet nacionale u bënë më të qarta për secilin.
Në Kosovë një organizatë e njohur si Kosmet (Kosovo-Metohija) u krijua nga fundi i 1943 me kërkesën e marshall Titos dhe operoi nën drejtimin e Mehmet Hoxhës dhe Fadil Hoxhës. LNÇ e Shqipërisë gjithmonë ka vënë theksin se kjo organizatë është e pavarur. Qëllimi i saj, ndjekur edhe nga direktiva komuniste, ishte të mposhte ndjenjat anti-serbe në Kosovë. Në janar 1944, një kongres i Kosmetit u mbajt në Kolgegaj ku morën pjesë 52 delegatë, duke përfshirë malazezë, serbë, si dhe dy ish-deputetë të Parlamentit jugosllav.
Gjatë 1944 pati disa sulme ndaj gjermanëve, të cilat kulmuan në bashkëpunimin mes Titos dhe LNÇ shqiptar. Këtu duhet të bëhet një dallim mes sulmeve ndaj armikut të përbashkët dhe sulmeve për urrejtje raciale. Sulmet gjatë fillimit të vitit mund të listohen si më poshtë;
1) Midis 11 dhe 20 shkurtit trupa çetnike serbe dhe të Nedicit pushtuan fshatra shqiptare në veri të Pejës.
2) Më 29 maj trupa të Titos filluan një sërë sulmesh nga zona e Beranes në drejtim të Murinës, Plavës dhe Rozhajt.
3) Në fund të qershorit, Shtati i Përgjithshëm Serb që punonte në ndërlidhje me Titon nisën pushtimin e Kosovës nga zona e Gjilanit.

 Reagime të qeverisë shqiptare

Propaganda gjermane mbi faktin që serbët dhe malazezët duan një pjesë të Shqipërisë mbështetej edhe nga historia ballkanike. LNÇ paraqitej si një organizatë e cila organizohej dhe drejtohej nga serbët. Kështu që qeveria mblodhi formacione vullnetare, sanksionoi edhe formacione të rregullta, siç ishte Divizioni SS Skënderbeg dhe kërkoi mbështetjen e gjermanëve në çdo mënyrë kundër Lëvizjes Nacionalçlirimtare. Në të njëjtën kohë u vendosën marrëdhënie miqësore me Kroacinë, dhe një mirëkuptim ushtarak dhe politik u tentua me Greqinë dhe Turqinë.

Marrëdhëniet mes Titos dhe Lëvizjes shqiptare

 
Raporti britanik per marredheniet
Shqiptaro-Jugosllave
Mund të përmblidhen si më poshtë;
1) U raportua se Tito lëshoi një komunikatë më 4 dhjetor 1943 ku thoshte se “e ardhmja e Kosovës do të vendoset nga një plebishit dhe kufiri do të jetë në favor të Shqipërisë, nëse është e nevojshme”. Kjo formulë u pranua nga LNÇ, të cilët kanë theksuar se Kosmet dhe Kosova janë pjesë e sferës së influencës së Titos.
2) Më 17 maj 1944, një raport i OSS (shërbim amerikan) citonte Titon që thoshte se “Fronti Nacionalçlirimtar është një lëvizje jugosllave ku pikëpamjet dhe aktivitetet e saj nuk janë asgjë tjetër veçse ato të Lëvizjes Nacionalçlirimtare jugosllave, e cila u jep urdhrat dhe e komandon; e për më tepër aktiviteti i partizanëve shqiptarë është përfshirë në atë të Ushtrisë jugosllave Nacionalçlirimtare, pjesë e së cilës janë edhe partizanët shqiptarë”. Kjo deklaratë mendohet të jetë baza e asaj të dhënë në radion “Jugosllavia e Lirë”, ku deklarohej se “forcat tona nacionalçlirimtare morën Beratin dhe Tiranën”. 
3) Nga vera e 1944 e më pas forcat e LNÇ dhe ato të Titos ndërmorën disa aksione të përbashkëta që kulmuan me bashkëpunimin me forcat serbe në Kosovë në zonat e Prishtinës dhe Gjilanit dhe partizanët shqiptarë në Prizren dhe Gjakovë. Në nëntor 1944, shtypi i Titos shpalli “Bashkëpunim nën armë mes nesh dhe partizanëve shqiptarë kundër armikut të përbashkët”.
4) Nota diplomatike e miqësie me urime u shkëmbyen përmes dr. Nishanit dhe dr. Ribar gjatë të njëjtit muaj.
5) Që nga tërheqja gjermane nga Shqipëria, trupat e partizanëve shqiptarë kanë luftuar përkrah atyre të Titos në Mal të Zi dhe Jugosllavi.
6) Në muajt që kanë kaluar, radiot dhe shtypi nga të dyja palët kanë pasur marrëdhënie të mira bashkëpunimi e miqësie.
Është e pamundur të injorosh ambicien serbe e jugosllave në raport me marrëdhëniet me Shqipërinë. Është e qartë po ashtu se të dyja regjimet në disa detaje kanë orientime të forta nacionale, si për shembull: trupat shqiptare në Jugosllavi vepruan pa ndihmën e Titos dhe vështirë se trupat shqiptare në Kosovë u frymëzuan vetëm nga idealet ndërkombëtare, apo faktin që Tito të harrojë që trupa shqiptare “kuinslige” luftuan kundër tij. Në lidhje me Kosovën ka pasur një zhvillim të rëndësishëm së fundmi, me udhëzim të Titos, vetëm trupa me ushtarë nga shqiptarët e Kosovës lejohen të qëndrojnë. Gjithsesi, është evidente se lidhja me Jugosllavinë është shumë e ngushtë dhe s’mundet që një vend i vogël si Shqipëria dhe me një regjim si të FNÇ të mund të ekzistojë i pavarur në Ballkan në kushtet e ditëve të sotme.


ERALD KAPRI
Panorama

Related

Histori 8474413197038221411

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item